E merkure, 07.12.2022, 11:35 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Xhadia 'Kalin e Shemës' na e la kopil pas porte

E enjte, 25.08.2022, 06:57 PM


XHADIA* “KALIN E SHEMËS”

NA E LA KOPIL PAS PORTE

NGA KALOSH ҪELIKU

Moti merrem me studimin e veprimeve “patriotike” dhe karakterin e rrumaducëve shqiptar. Veçanrisht, me ata “patriotë kuqezi” dhe hoxhallarë që e fshehin veten nën petkun partiak dhe fetar. “Njerëzit e sotshëm me tru të moçëm”, siç ka thënë Filip Papajani. Ose, Teki Dërvishi: “Xhamitë janë fabrika për prodhimin e turqve”. Shkurt, me “çallma” turku në kokë ose lecka turko-arabe, e jo me kësula të bardha të Bajram Currit. Nesër, ndoshta edhe do ta mbroj temën e disertacionit me këtë punim-zbulim shkencor. Vetëmse, jo në univeristet tona, po në Oksford, Howard, ose Serbonë.

Përditë e pasuroj me risi dhe ide matanë malit te “Përroni i Thanës”. “Çifligu i Xha Derallës”. Gjurmët e tyre më shpiejnë pas Shtëpisë, në Hale. Vendi, ku rritet me të madhe dhe lulëzon ky soj “lulesh xheneti”. Shtat lëshon mes krimbave në shoqërinë shqiptare. Nateditë i shtrydh trutë me dorë. Përpiqem të them diçka të re për rrumaducët. Lëmsh shkoj në shtrat. Ëndrra shoh të tmerrshme. Jerm flas pasmesnate. Xhindet më rrahin gjithë natën, më hedhin dorë më dorë majë lisave. Çative të shtëpive. Pak para agimit më kthejnë si dikur kur isha fëmijë në shtrat, mes Nënës dhe Babait.

Asgjë nuk kam të them diçka të re për rrumaducët. Kopilave, që ua dimë Nënën, por jo edhe Babën. I kam thënë të gjitha nëpër librat e mi artistik dhe me publicistikë letrare kokë më kokë në bibliotekë. Problemi është, se: rrumaducët nuk lexojnë libra, po e kalojnë kohën nëpër çajtore dhe “bibliotekat” e partive politike. Rrezik i madh ky për popullin shqiptar në këtë shekull. Edhe vazhdoj t’i shtrydh trutë nateditë. Kokës t’i bie me grushta. Rrumaducët, them me vete i di e gjithë bota si farë e keqe hithre që na mbiu edhe nëpër arat tona rrëzë maleve. Nuk ka nevojë dhe dobi të humbësh kohë me ta si fenomen i çuditshëm shqiptar. Kancerin e kanë në tru. Përmëtepër, janë pacientë me virus të pashërueshëm komunist. Mjek nuk gjendet në këtë botë që mund t’i shërojë këta eksponentë të “vëllazërim-bashkimit”. Sëmundjen e tërbimit me vite e kanë në gjak, shpirt e tru. Sojin e këtillë të përflakur nga xhindet e shëron vetëm Zonja Vdekje. Shkak ky, që publikisht heq dorë nga shërimi i rrumaducëve. Nuk ka ilaç, as hajmali që i sjellë në “din e iman”, janë të pashërueshëm me diagnozë të pashpresë neokomuniste. Nuk i shëron dot mjek e as hoxhë me ndonjë hajmali përqafe. Plakat më kot mund t’ju fryjnë mbi ndonjë enë me ujë plot thëngjij të shuar e eshtra të vdekurish.

Babashehu, moti ka hequr dorë nga soji i tyre dhe u arratis në Baba Tomor. Thotë: këtij soji të “gjetur” përpara Shtëpisë te pragu i derës me tokmak në kokë u ka rënë Dexhalli “Allahut”. Nuk e dinë ku e kanë kokën e ku bythën. Rrugës nuk ecin me kokë në qafë, po me bythë. Përditë përjagen para dyerve të partive politike. I shkojnë përmbrapa Dashit me brirë të përdredhur rreth veshëve, mos i bien udhës. Ose, ndonjë partizani partiak me yll të kuq në ballë, mos rastësisht ua hedhë ndonjë ashtë pas porte. Turren me të katra pas torbës me taxhi. Jo, se e kanë barkun e urët, po për atë se nuk u fryhet syri. Bërrylat i përdorin në ndarjen e taxhisë. Me këmbë e duar i sulen grazhdit të Qeverisë. Brirët i vënë në përdorim për rrëmbimin e ndonjë kocke ose koshi me kashtë në Lëmë. Ndodhë, t’i nxjerrin edhe armët kur është në pyetje taxhia, ose postet partiake në Qeveri: ministra, zv/ministra, drejtorë dhe emërimet e tyre si anëtarë të komisioneve qeveritare nëpër institucionet shtetërore të arsimit dhe kultures. Kohën e fundit siç duket kanë edhe simptome tërbimi. Komente sakate më shkruajnë në mjetet e informacionit: me dhunë duan të më bëjnë edhe hoxhë. Ku ta di unë, ndoshta edhe prift. Dosje policore më kurdisin në Facebook duke pi çaj rusi me këmbët dhe trutë në legen. Ndihmë më dalin duke më dërguar përmes faqeve të internetit, merreni me mend edhe viagër. Falë Zotit dhe Natyrës ende nuk e përdorë deri në këtë ditë. Ndoshta, më vonë do të më hynte në punë për ndonjë grua plakë, por jo edhe për cucat e reja azgane me dy shamia lidhur për brezi. Përçudi, kur nuk më dërgojnë edhe pak drogë, ndonjë vijë të bardhë, ose cigare. Ec, e mos i duaj të mjerët me këmbë e tru në legen. Nuk harrojnë të më përcjellin me thashetheme përmes internetit edhe ndonjë shishe raki rrushi “hallall”, ose dëllinje (“xhin”) se, “mu ka tharë fyti”.

Urime, dhe faleminderit. Tashti, paskan rënë në “din e iman”. Mërziten për mua se kam “falimentuar”, e kam shitur gjithë tokën e Babait dhe nuk kam më çka të shes, më ka mbetur edhe një mal me lisa nën ujë, në Liqenin artificial të Kërçovës. I lumi unë, që ma bajnë gajlen trusakatët e “Allahut”. Edhe kush, bërlloku shqiptar që për arsimin dhe kulturën shqiptare nuk e kanë dhënë deri më sot as edhe një kafe.

Dudumët, që janë nisur të shpërngulen si “turçeli ehamdurila” në Turqi, dhe pasi Turqia e prishi marrëveshjen me Serbinë na mbetën nëpër këmbë si ferra halldupi në Shkup. Rrufjanë, që pas rënies së Rankoviqit ikën me gjithë dhenë nga Kosova. Erdhën ta ushtrojnë zanatin e vjetër të spiunimit, ta shesin veten një vend pune, një nënshtetësi. Vëllezërit e tyre kosovarë që nuk e pranuan këtë profesion edhe sot e kësaj dite janë pa nënshtetësi “maqedonase”. Në kulminacion të tërbimit më shkruajnë komente anonime, pavetëdije se e zbulojnë veten para meje dhe lexuesit me emër e mbiemër si rrufjanë shqiptar. Përpiqen të më rrëfejnë përralla arabe. Anekdota popullore. Përsëri, pa vetëdije se janë rritur e ushqyer me ilahi turko-arabe: “Me duket se kjo vlen per kete njeri qe vetem shane e nuk ka asgje artistike te mesojne te tjeret nga ky palaqo i vetshpallur shkrimtar me raki ne dore. Me nje fshat, kishte pas qene njeri qe kishte bere shetitje gjithandej botes, ne nje ndeje te odave, i thoni bariut te "famshem" te fshatit, trego ti bari si roktar ka ke qene, bariu ja nis, po te guri bardh, te mexha avdise, te duqani shevalit, e ky i shetitur i botes i thote, une kurre s'kam qene ne keto vende, cilen planete kokan. edhe puna e ketij shkrimtari qe si shitet asnje liber, qe ska asfare imagjinate dhe dije, paska qene Prishtine, Tirane dhe Shkup (hahaha) Pse nuk e di Shkupin, ky i mjer, si kemi faj, nuk ta zene per te madhe shkupjanet, as me pak Karadaku i Shkupit, mos harro i thone Karadaku i Shkupit, jo i Kosoves dhe Turqise, mos harro poashtu Karshiaken, Dervendin, ndaj mire te kane thene se je kodosh, spiune, kopil serbie, per moral as qe duhet te flitet, ngase mbi Kercoven tende kane kaluar krejt pushtuesit duke hyp e zdryp mbi erzin tend te namuzit, qe e bejne njejte edhe sot. Ti nuk je shkupjan, as i karadakut, as i karshiakes, te je spiun dhe kopil serbi, qe nuk dallon me asgje, ndaj nuk e di fetvan e hoxhes se allahut, Ataullah Hoxhes, zoti e past meshire, "mos shko Turqi se behesh shka" ti je nje hordhuce qe vetem leh si qen, e per dite rri me shkije matan ures me msitni mos po te lshojm naj koce qeni per naj liber te sharjeve tua mbi xhamite e shkupit. Kjo eshte e verteta jote o kopil serbi”.

Përshesh me kos, si vetë autori i këtij komenti teknefes. I mjeri Hoxhë i “Allahut”, që në trup e shpirt nuk ka të veshur asgjë shqiptare. Lëmsh i bënë fjalitë, mendimet, shenjat e pikësimit. Nuk e di gjuhën shqipe. Përmëkeq, në Ditën e sotshme të Motit Madh, në shekullin XXI, përpiqet të na shesë dushkë për gogëla. Serbia gjithmonë i ka dashur dhe i do hoxhallarët e sojit tënd dhe xhamitë turko-arabe. Serbia nuk e do Xhaminë Shqiptare dhe hoxhallarët shqiptar me kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë, dhe abetare në gji të Kostandin Kritoforidhit.

Dudumëve, në vend të hajmalive, sot erdhi koha t’ju varim nga një këmbonë të grisur deleje për qafe. Përmëkeq, si buba leshatuk lehin pas Ujkut, nuk e dinë gjithë pasurinë time të patundshme si trashëgim që ma la Babai. Përderisa, ata zvarriten me vite këmbadoras e bark mes avlive, unë rrugët e Shkupit dhe Atdheut i shëtis me “xhip kabriolet”. Edhe deri më tani i kam pasur makinat e rralla, që rrugëve të Shkupit janë numruar në gishta. Jetën time të bujshme që e kam pasur unë gjatë këtyre viteve të jetës sime në Kërçovë, Prishtinë e Shkup, ata nuk e kanë parë e nuk do ta shohin kurrë as në ëndërr. Hoteleve dhe salloneve aristokrate, kur unë ju kam rënë si kaçak mali përmes Sarajeve të Pashës, ata gjatë asaj kohe nga gëzimi e kanë fërkuar barkun me dorë e lutje drejtuar “Allahut” (Zotit), para legenit me përshesh me kos.

Dudumët e “Allahut”, që parashohin dhe kërkojnë publikisht që unë të bëj vetëvrasje. Ndonjëri shkon edhe më larg, pas teravisë para këmbëve të Hoxhës “Allahut”, dëshprohet me mua si shkrimtar duke kërkuar ndihmën e nobelistëve me prejardhje shqiptare. Askushi nuk tha se, nobelistët me parejardhje shqiptare nuk i kanë shërbyer mbarë njerëzimit. Gjest human ky, edhe shumë më i madh shqiptar, që rrallëkush e ka ndonjë popull tjetër në botë. Dhe, mirë që i kemi këta dy nobelistë si pasuri kombëtare. Dhashtë Zoti e kemi edhe një Ismail Kadare, ose ndonjë tjetër personalitet shqiptar. Populli shqiptar është i pasur, gjithmonë i ka dhënë botës dhe i jep ende personalitete më shumë se vetvetes nëpër shekuj. Fjalën e kam pasur dhe e kam në tjetër vend, se këta nobelistë me prejardhje shqiptare shumë pak kanë bërë për popullin shqiptar, Shqipërinë. Përjashtim këtu bën Ismail Kadare, nëse e merr një ditë çmimin Nobel. Edhe, do të di se ku do të investojë për Ҫështjen e pazgjidhur shqiptare.

Lexuesin tjetër “besnik” e paskam “marrë” më qafë me shkrimet e mia publicistike e letrare: “I nderuar po ju shkruaj ngase nuk shoh ne vargun tend ate qe mendoja se jeni. me vjen keq se paskam genjyer veten. I nderuar separi fillon te qortosh dikend pore pa emer. Nese din diçka emro thuaju lexuesve kush esht, mandej ngushtoni vargun nga shumica e disave dhe treteni ne figure te dikushit. per mua esht vetem çeshtje personale i nderuar dhe çeshtjen personale nuk mund ta hudhish ne shumice ne problem kombetar apo kush e di se òka tjeter. ... me vjen keq per kete shkrim qe shkruaj pore metevertete kam qen i genjyer per ate qe kam pas mendimin tim shum pozitiv shum kombetar dhe shum poet e kush e di se çka.. Me shprese ne mirekuptim vellazeror Mireqofshi”.

Përfundimi, edhe si përgjigje lexuesve të mi “besnikë”: Moti e kam lënë në shenjë proteste profesionin e mësuesit, që në kohën e sistemit komunist. Nuk mund t’i mësoj sot dudumët shkrim-lexim. Përmëtepër, me abetaren e Kostandin Kristoforidhit. Edhe, po të dua është shumë vonë t’i kthej nga shkollat turko-arabe në klasë të parë me nga një fletore, laps e abetare mbi bangë. Gomë nuk u duhet këtyre “gjenive” turko-arab. Shumica janë me diploma universitare e tituj shkencor të blerë në Arabi, Turqi, Serbi, Bullgari e Qafë Thanë. Kohën e fundit edhe nëpër universitetet shtetërore dhe private të “vëllazërim-bashkimit”. E kam thënë disa herë nëpër shkrimet e mia, se: unë, nuk merrem me individë, po me fenomene shqiptare.

Përinat timin, dudumët ngulin këmbë, kërkojnë t’i pagëzoj me emra shqiptar. Mirë them, po unë nuk jam prift e as hoxhë. Edhe pse, të gjithë ato personazhe të potretizuar artistikisht nëpër shkrimet e mia kanë emra e mbiemra. I dinë dudumët se kush janë këta kopila melezë, u shkruan shqip në ballë. Qëllimi im nuk është nëpër shkrimet e mia ta gjej veten vetëm një individ, po më shumë “burra” mejdani me “armët” në brez për liri. Edhe, siç e shoh unë e gjejnë këmbekrye veten mes atyre rreshtave. Përgëzime! Atëherë, pse ngulni këmbë t’i emëroj heronjt e mi të dashur me emër e mbiemër, mos vallë me përmendjen e personazheve të mi artistik mes faqeve në Librin për Nesër, ju mund ta shpëtoni veten nga “Dita e Kiametit” (Përmbytja e Madhe”?! Jo. Nuk ka njeri të gjallë që mund t’ju nxjerrë nga ky batak ku keni rënë këmbekokë. Gabim i madh, nëse nuk keni ditur të më lexoni mes rreshtave dhe dilni me përfundime „patriotike-profetike” si Hoxha i “Allahut”.

Personazhet e mi të arratisur, unë nuk i urrej, po i dua marrëzisht si trima pas lufte. Përsëri, nuk më dëgjoni me veshë, nuk më lexoni me sy nëpër shkrime publicistike e libra në Ditën e sotshme të Motit Madh?! Ose, më dëgjoni e lexoni, po fatkeqësisht me shqisa të tjera mos ua përmend këtu emrin, sidomos asaj që e keni zgjedhur në vend të kokës. E keni gabim. Tekefundit, më vjen mirë që më shani, reagoni e ofendoni si pa kokë nën shkrimet e mia publicistike. Nuk dua të më lëvdoni për së gjalli, po të më shani e ofendoni sa të mundeni me gjithë fjalorin e juaj trusakat që posedoni të rrugaçit partiak dhe fetar. Shkaku, se: Rreziku më i madh për një shkrimtar janë, lëvdatat dhe shpërblimet për së gjalli. Vërtetë, po ma kënaqni lapsin, nuk keni ju faj si lexuesë të dëshpruar, po unë që nuk kam më shumë kohë të merrem me dyluftimet dhe “flijimet e juaja artistike”. Heqi maskat patriotike-fetare nga fytyra, shamitë dhe ferexhetë e zeza t’ua hedhë si cungje shelgu para këmbëve në baltë. E di, dikushi do të kërkoj në vend të maskave patriotike, kokën t’ua hedhë para këmbëve, po jo: unë nuk jam kriminel e as xhelat shqiptar. Shpatën e Skënderbeut, moti e kam zëvendsuar me penë. Luftën e urrej, po jo atë me penë. Vend nuk do t’ju lë rrumaducëve për së gjalli ta fshehin kokën garroçe si “patriotë kuqezi” as nëpër parti politike. Vendin e kanë në hale.

Nesër, pas vdekjes do t’ju ngrihem Lugat nga varri me gjithë libra. Soj i keq që na e prishët edhe gjakun. Publikisht heq dorë edhe nga disertacioni i doktoraturës. Rrumaducët nuk janë objket i denj studimi për penën time rebele. Shkaku, se: Nëna Parti ende vazhdon të ma nxjerrë para të më pri gomari me gjithë samar në shpinë. E, ku mund t’i pri gomari fisit të kaçakëve?! Fisit, që brez pas brezi me mauzerr për qafe e kalë me shalë janë ngjitur maleve për Liri. Fat i rrumaducve, që sot ky fis nuk e kap për kërpeshi në mes të udhës këtë coftinë me samar e taxhi në grazhd dhe ta hudhë bythekrye në përrua. Gomari, që edhe pse me profesion është hoxhë, tollumbaxhi ose rrugaç partiak “kuqezi”, merret edhe me vlerësimin e kulturës dhe letërsisë shqipe. Burri i grave vendos për vlerat artistike të letërsisë shqipe në Minstrinë e Kulturës. Planprogramet shkollore. Tekstet shkollore. Lektyrat shkollore. ,,Makedonska knizhevnost” (Letërsia maqedonase). Enciklopedia maqedonase.

Partizançe me direktiva partiake si ministër, zv/ministër, sekretar shtetëror, anëtar komisioni për botime, vendos për vlerësimin e letërsisë shqiptare, dhe blerjen e titujve të librave me vetëfinansim të shtëpive botuese nga Ministria e Kulturës. Kulminacionin e tyre partiak, e arrijnë në tridhjetëvjetorin e hakmarrjes ndaj Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup (2022). Vit, kur Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar, sipas konkursit të shpalluar nga Ministria e Kulturës për vitin 2022, e lënë pa asnjë projekt?! Edhe pse, LSHSH -rë (1992 - 2022) konkuroi me dhjetë projekte: Manifestime Kulturore Tradicionale Ndërkombëtare “TAKIME NËN RRAP” XXVII, Ditët e humorit dhe satirës “XHA DERALLA” VII, revistën letrare “STILI ‘97” nr. 61 2022, dhe me shtatë tituj të librave në poezi e prozë.

Përgjigja: Gomari, në mes të udhës, në pluhur shtrihet dhe pëllet për “liri kombëtare”. Flamur kuqezi. Gjuhë shqipe. Shkolla shqipe. Letërsi shqipe. Histori shqiptare. Edhe, rrumaducët shqiptarë në konkursin e shpallur të Minsitrisë së Kulturës nuk e blejnë “Xhadinë” për nevoja të bibliotekave, lexojnë dhe shohin veten sesi mrizojnë kokë më kokë me “vëllezërit” e Njerkës nëpër institucionet shtetërore (dardhat gorrice), në shtetin e “përbashkët”. I blejnë titujt e librave të miqve, familjes dhe klaneve të tyre partiake, me vlera të skaduara përdorimi arnë përmbi arnë, ose të dyshimta me porosi partiake-“artistike”.

Shpërblimi fundit i pret pas dere. Zoti u ndihmoftë!...

1. Grua llafazane, kurvë dhe me të meta psikike.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora