E premte, 02.12.2022, 04:36 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Hamit Aliaj dhe ngjyra e poezisë së tij

E shtune, 09.07.2022, 06:38 PM


HAMIT ALIAJ DHE NGJYRA E POEZISË SË TIJ

Shënime mbi një cikël poetik

Nga Timo Mërkuri

I- Sa herë që lexoj poezi të Hamit Aliaj më kujtohet vargu i parë i një kënge hasjane:“Mori e mira në dritë të hënës” dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Parafytyroni ju lutem një vajzë të trevave veriore në një pragmbrëmje dimri tek ecën në një shpat mali nën dritësimin e hënës. Parafytyrojeni që kjo  ecje ndodh në një pragmbrëmje dimri me dëborë të ngrirë, ku dritësimi, si pasojë e reflektimit të dritës së hënës është gati marramendës. Për së largu, me gjithe lbyrjen e syve nga dritësimi dallon jo vetëm konturet e përgjithëshme, por ndjen edhe tiparet e qeshura të vajzës tek nxiton drejt çastit të lumturisë. Prej së largu ajo vajzë duket si një zanë mali, që në ecje e sipër lëshon (apo reflekton) valë drite në çdo hap që hedh dhe ti hutohesh e ngurosesh në shikim.

II- Nuk është fantazi ky përfytyrim: Poezitë e Hamit Aliaj kanë një bardhësi alpine që të lbyr sytë, madje këtë bardhësi  e kanë edhe pemët në poezitë e  tij mbi të gjelbë-rtën e gjetheve, edhe ujrat mbi syprinën apo valët e kaltëra, madje e kanë edhe shtëpitë ndërtuar me gur gëlqeror a të hirtë. E kanë këtë bardhësi nëpër vargje edhe sheshbetejat (epike apo moderne) mbuluar nga kamnoi i dyfeqeve, madje e kanë edhe plagët mbi të kuqen e gjakut. Është një dritësi e bardhë që të duket se vjen prej së largu, si prej kohërash të herëshme, si një dritë yllësish që janë shuar dikur, diku dhe drita e tyre në ecjen e pasvdekjes, si shpirti, ndalet mbi vargjet e poetit, thua se ai është destinacioni i mbramë apo “parajsa” e tyre.

III- Në kërkim të arsyes së kësaj bardhësie sheh se fjalët nëpër vargjet e Hamit Aliaj janë “gurë” të ardhur nga epika, si meteorë nga yllësi të tjera të cilët, ndonëse janë “gdhendur” e “latuar” në gjuhën standarte, ende kanë brenda tyre një  dritësim  epik. Do ishte e natyrë-shme që mbi këto gurë-fjalë të kishte mbirë myshku i vjetërsisë, por ja që ato ndrijnë si një vajzë nën një dritë hëne. Ndoshta janë fjalë të arta qysh në origjinën e tyre a janë të lyera me ar në kohët e mëpasme, andoshta koha ka kaluar mbi ‘to duke u fshirë myshkun e harrimit, apo  yjet dhe hëna e kanë depërtuar dritën e tyre në ato fjalë dhe e ka bërë atë (dritën) pjesë strukturore të tyre. Sepse në fakt dritësimi vjen prej brendësisë së tyre dhe jo prej sipërfa-qes së jashtëme, prej ku mund të reflektohet çfardo lloj drite.

IV-Ajo që është më interesante te poezia e Hamit Alisë është fakti se ngjyra e bardhë e vargjeve të tij ka “aromë”. Jo aromë gëlqereje si gjithë shtëpitë e porsa-lyera, por një përzierje aromash kohërash të ndryshme që gjithsesi të pëlqen. Aroma e ngjyrave të poezisë së tij ka diçka nga e rrënda e epikës së djeshme dhe e lehta e së sotmes, si një lloj  përzierje aromash. Kjo shpjegohet me faktin se “ndërtesa” e tij poetike është moderne, por “fryma” brenda saj është epike ndërsa “era” që hyn nga dritaret është e kohës, por që brenda poezisë kjo erë përzihet me epizmin, duke  dhënë  një aromë që ka  në vetvete epizmin e djeshëm me lirikën e sotme Në këtë proces nuk ndikon fakti se poezia flet për një temë të vjetër a të re, një dashuri a një dasëm të sotme a të djeshme, një dërgatë shtetërore për një takim a marrëve-shje ndërkombëtare të sotme. Ato marin epizmin dhe frymën e tij në të folurën e sotme lirike. Le ta shohim këtë process te poezia “Dërgata”:

Dërgatë e nisur qyshse s’mbahet mend

Në mesnatë mbërriti, nëpër qiej pa zota

Në çanta kishin natën e fantazmave perandorake

Që botën e dridh tash e sa mot.

Të pret Mbretëresha e Madhe që e prite një shekull, më thanë,

Po para se të shkosh,

Në shenjë qytetërimi dhe për sigurinë e Mbretëreshës plakë

Duhet t’i vrasësh të gjitha kafshët brenda teje…

Pyll i madh, plot ushtima isha.

……………………………….

Kur mbërrita tej deteve,

Mbretëresha plakë kishte vdekur

Dhe pylli brenda meje s’kish më asnjë kafshë

Përralla s’do kish tash e mbrapa,

Me kë t’i  dimëroj dimrat e gjatë” ?!

V- Kur lexon poezinë e Hamit Aliaj të duket se je diku në një majë mali dhe prej andej e hedh shikimin mbi njerëzit e ngjarjet, të cilët i sheh si nëpërmjet një tisi të hollë mjegulle. Duhet të keshë sy të fortë e mendim të qartë që të dallosh konturet fizike të njerëzve, ngjarjeve a kohërave për të cilët shkruan poeti, duhet të zbërthesh metaforën e tij tipike që ta kuptosh e shijosh poezinë. Më kujtohet një varg i poetit që e kam lexuar dikur: “Për makinë dasme patsh një breshkë”. Sigurisht që qesha kur e lexova sepse parafytyrova një nuse të hypur mbi breshkë në udhëtim dasme për te shtëpia e dhëndërit. Edhe fqinjë t'a kishte dhëndërin, do i duhej një muaj të mbrinte, le më po t'a kishte te fshati fqinjë. Pastaj parafytyrova nusen, një vajzë e ndrojtur dhe turpshme si gjithë vajzat malsore, që gjithsesi pret me padurim të mbrijë te burri, të hyjë në gjerdek e t'a përjetojë çastin magjik aq të ëndërruar e të panjohur. Dhe mendo kohën e pambarimtë të udhëtimit mbi breshkën taksi: kjo kohë është në ëvetvete një torturë e tmerrëshme. Kështu që ky "urim" në vetvete është një “mallkim” epik që poeti ja bën vajzës që s’ju përgjegj dashurisë së tij ose që nuk e kurorëzoi me martesë këtë dashuri të fshehtë të tyre. Muji dikur klithi  që do ja digjte kullat për katërqind vjet hasmit të tij, por unë ju them se: nuk është gjë djegia e kullave katërqind vjet rresht përpara torturimit të kësaj nuseje hipur mbi breshkë.

Mjafton ky varg i vetëm që ne të ndjejmë dhe të kuptojmë se poeti është një njohës i mirë i artit gojor shqiptar, njohës jo vetëm i majave të eposit të kreshnikëve por edhe i “greminave” të mallkimeve popullore.

VI- Nuk e di në se e ka theksuar ndonjë autor qënien e muzikalitetit në vargjet e Hamit Aliaj, por unë cilësoj se në vargjet e tij, jo vetëm që ka një muzikalitet, por ky muzikalitet është tipik. Ne jemi mësuar ta shohim muzikalitetin në vargjet e Naimit, Poradecit, Nolit, Lefter Çipës e shumë të tjerëve që shkruajnë me një varg të regullt, por ne nuk ja kemi vënë veshin muzikalitetit të poezive të Hamit Aliaj. Përkundër çdo paragjykimi poezitë e Hamit Aliaj kanë brenda tyre një muzikalitet tipik, i tillë që nuk këndohet me këngë isopolifonike apo me këngë qytetare. Muzikalitetin e saj poezia e Hamit Aliaj e ka sa hyjnore aq dhe gjëmimtare, si të ardhur edhe ajo nga epika, me ngjyrën dhe aromën e saj, që këndohet vetëm me këngë majëkrahi, me lahutë dhe në pak raste me çifteli. Metaforat e tij tipike nuk melodizohen në vallen e shtruar psh. “pogonisho”, ato notizohen në këngë të tipit majekrahi dhe kërcehen në valle me tupan si vallja e çikave të Tropojës apo të Hasit. Këngët dhe vallet tona do fitojnë shumë po të këndohen e kërcehen me melodinë që kanë brenda tyre vargjet e Hamit Aliaj.

VII-  “Hamit Aliaj është i ndërtuar prej poezie” kam lexuar diku. Hamit Aliaj është më shumë se kaq, Hamit Aliaj është një shkollë moderne e poezisë shqipe, ku ai s'ka nevojë të mbajë leksione. Mjafton që të shkruajë poezi

dhe ne ti lexojmë.

Do bëhemi më të bukur e më të ditur.

Sarandë, korrik 2022



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora