Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Dashuria si pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrrash
E enjte, 16.09.2021, 07:07 PM
Dashuria si pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrrash
(Rreth dymbëdhjetë
librave të Sabit Rrustemit HYJNORJA IME JE TI, të përfshirë në katër vëllime)
Nga
Timo Mërkuri
“Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që
me prirje dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë, që
dëshmohet mirëfilli edhe me këto dy vëllime “Hyjnorja ime je ti 1” dhe
“Hyjnorja ime je ti 2” […] Poezinë e tij të dashurisë e cilëson shumësia e
qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik
dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor
artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve;
ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe
gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë
realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë; gjerësia
dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë dhe mundësia e madhe, herë – herë e
jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin. Në
qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij
të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për
femrën.”
ANTON NIKË BERISHA
I-Në qoftë se pas leximit të librave
poetikë në katër vëllime “Hyjnorja ime je ti ” të Sabit Rrustemit do përballemi
me thënien e Persi Shellit se: “Poezia është kujtesa e çasteve më të mira, më
të lumtura të mendjeve më të lumtura e më të mira” me siguri që këtë përkufizim
do ta ndërlidhim pikërisht për poezinë e këtij autori dhe atë vetë, dhe këtë jo
rastësisht. Sabit Rrustemi është i vetmi poet, jo vetëm në letërsinë shqipe që
i ndërton dashurisë një tempull prej dymbëdhjetë vëllimesh poetike, shtrirë kjo
në një hapësirë prej 14 vjetësh (2009-2021).
Është fakti se poezitë e këtyre
vëllimeve janë krijuar në një moshë të pjekur krijimtarie, çka ka bërë që
niveli i tyre artistik të jetë i rrafshit të epërm, ndërkohë që kanë freskinë e
moshës së re..
Që nga vargu i parë i librit të parë
dhe gjer te vargu i fundit i librit të dymbëdhjetë, më shumë se sa lexon, ndjen
dhe përjeton një stinë dashurie në një botë ku “andralla” e vetme e jetës është
dashuria, të cilën poeti na e “shet ” nëpërmjet vargjeve të tij. Dihet që
dashuria ka “andrallat” më të shumta të jetës, por edhe më të bukurat.Madje
dashuria edhe dhimbjen e ka të “bukur”, si një poezi më vete.
Nuk na habit fakti që Sabit Rrustemi
shkruan e “shet” poezi të bukura dashurie, por të impresionon fakti se këto
poezi dashurie, pavarësisht kohës kur janë shkruar, viteve kur janë përjetuar,
ende janë me aromë rinie të mbushur plot “gjelbërim”, thua se mosha e dashurisë
s’ka as vjeshtë e as dimër, por veç pranverim, ku dhe kur “rriten” lisat që
synojnë yjet e qiellit.
Vargjet çelin në poezi natyrshëm si
bisqet e njomë në trungun a degët e një lisi të “moçëm”, duke formuar një
kurorë të re, të gjelbër që të tregon për së largu se këtu është pranverë.
Brenda Teje jam
nga zanafilla e këndej
më mirë askund s’e kam […]
Koha e ikur
në një të nesërme kthehet
për t’më parë si të dua
E dashur
këtë ëmbëlsi të hidhur jete
që e kam shijuar
prapa këtyre qiejve po e lë
Deri në amshimin e pajetuar
më mjafton vetëm Ti
(Më mjafton vetëm ti)
II-Poezitë e dashurisë së Sabit
Rrustemit kanë një muzikalitet të shprehur përmes vargjeve, që në rastin e parë
të krijohet përshtypja se buron nga vetë tema e dashurisë, por mjafton të
lexosh disa poezi të tij ku heroi qëndron pak i menduar a i “trishtuar” nga
vonesa e vashës dhe të ndjesh të njëjtin muzikalitet nëpër vargje, të ngjashëm
me “melodinë” e gjetheve kur i ledhaton flladi që fryn nëpër lisa apo rrahjen e
krahëve të një trumbe zogjsh që fluturojnë përmbi pyll.
Një mal ëndrrash që i pashë e më ikën
i lashë mënjanë
e kah Ti u nisa.
Asnjë shenjë Tënden s’e kisha
pos një portreti shfaqur pas shiut
në murin e kaltër të shpirtit tim
sa qiellor
sa engjëllor
që s’arrihej
s’prekej
vetëm ndjehej e shijohej
si ëndrra më e pafajshme
që shkrihej syve të mi.
(Për shpirtin tënd)
A nuk të vjen të marrësh kitarën dhe
t’i këndosh më zë rinie këto vargje? Nuk po ju sjell shembuj të tjerë se e
ndjej që do t’i këndoni gjatë shfletimit të librit.
Duke kërkuar burimin e këtij
muzikaliteti në poezinë e Sabit Rrustemit, tërheq vëmendjen fakti se,
pavarësisht se ai është një poet ndër më të mirët në poezinë shqipe, ndonëse
kishte pasur mundësinë dhe të drejtën të vendosej në kryeqytet, jeton në
Zhegër, pranë Gjilanit, në rrëzë të malit të Çepurit, shpatet e të cilit i ka
“mbjellë” me lisa poezie, që janë rritur e kanë formuar një pyll, që të fton ta
vizitosh shpesh.
Po t’i shohësh me vëmendje poezitë e
Sabit Rrustemit duket se janë shkruar diku rrëzë një shpati të këtij mali, te
ndonjë gur a ndonjë krua, mbështetur te ndonjë lis a shtrirë në ndonjë livadh
të cilëve shpesh herë u citon dhe toponimin. Është pikërisht ky ambient i
frymëzimit poetik që i ka përcjellë nëpër vargje muzikalitetin e tij natyror,
naimiane.
Nga ky ambient kuptojmë se Sabit
Rrustemi për “hatër” të poezisë i ka qëndruar larg Prishtinës zyrtare dhe me
“ndihmën“ e dashurisë ka ngritur një “kryeqytet” të ri poetik, ku zë fill
meridiani zero i poezisë së dashurisë, si meridiani i Griuniçit. Ai që nga
Zhegra i jep poezisë sonë modernitetin dhe përmasën estetike; ai ka ngritur
tempullin poetik të dashurisë me besimin dhe se dashuria do e bëjë botën më të
mirë. Ju ftoj të nisemi për te ky tempull, ku kryefalltari Sabit Rrustemi do na
thotë nëpërmjet vargjeve të ardhmen e dashurisë sonë. Unë kam besim te Sabiti
dhe te varg-thënia e tij sepse ai është një poet i thellë në ndjenja e mendime,
i mbushur me një qetësi poetike, ndonëse me një fije trishtimi, si të gjithë të
dashuruarit që presin një shenjë a një fjalë nga Zoti a nga vajza.
Poeti Rrustemi është i dhënë pas artit, më saktë duhet thënë se ai është
shkrirë e bërë pjesë e artit poetik; jeton nëpër poezi dhe kjo dallohet lehtë
po të shohësh ritmikën e krijimeve të tij, gati të përditshme. Ai frymon poezi
dhe kjo është e dukshme te vargjet e tij, të krijuara me një gjuhë të qartë e
të lexueshme nga kushdo, si ajri që thithet njësoj nga të gjithë njerëzit.
III-Ka marrë dhe diçka tjetër kjo poezi
nga ambienti i frymëzimit. Autori shkruan me varg të lirë, por pikërisht ky
varg ka ndikuar që poezia e tij të jetë plotë dritë, si drita në pyjet me
nivele të ndryshme lartësie pemësh. Po kështu dhe ajri mes vargjeve është plot
oksigjen si ajri nëpër pyje. Nuk lodhesh duke e lexuar këtë poezi, qoftë edhe
duke e lexuar me tonalitetin e një recitimi.Të duket se ajri i pastër i vargjeve
mbush mushkëritë e tua gjatë leximit (Mushkëritë e mia/petaleve të saja marrin
frymë/si vetë imja jetë) dhe kupton se nuk është efekti i temës së poezisë, por
është efekti i stilit të tij poetik.
Në poezitë e Sabit Rrustemit s’ke
nevojë të mendosh domethënien e vargjeve apo të metaforave, ato i ndjen
menjëherë shpirtërisht edhe kur ndonjë fjalë a varg nuk e kupton shprehimisht,
edhe kur ndonjë metaforë të “sheh” me sy të ulur, si shikimi i një djali të
drojtur, në pritje të fjalës a shikimit të vajzës që e ka mbretëreshë nëpër
ëndrrat e tij.
IV-Sabit Rrustemi shkruan, siç thashë,
me vargje të lira, madje edhe me strofa të parregullta, ndonëse me ritëm e
ritmikë të brendshme. Ka një afri me stilin e vargut të Ali Podrimjes dhe Mirko
Gashit , ndonëse me një nerv poetik të vetin, më të butë, më të ëmbël.
Ka stilin e tij në vargje, ku veç të
tjerash, në një poezi ndërthuren edhe strofat me disa vargje të shoqëruar me
strofat me dy ose një varg. Interesant është fakti se çdo strofë e poezive të
Sabitit, qoftë strofë shumë vargore apo një e dy vargore, e marrë e shkëputur
më vete, ka edhe kuptimin e një poezie të shkurtër.
Vargu i tij ka dhe cilësi të tjera; shpesh herë në mes të strofave, një varg i
vetëm apo së paku dy vargje përbëjnë një strofë më vete, të paraprirë dhe të
pasuar shpesh herë nga një strofë disa vargjesh. Këto vargje njëshe apo dyshe,
në kontekstin e poezisë të konceptuar si “një pyll lisash” të lartë shpesh
ngjajnë me trungje pemësh të rrëzuar mbi vija uji a përrenj, duke u bërë në
këtë mënyrë “ura kalimi” për lexuesin për te strofa tjetër. Le ta shohim këtë
që thamë te poezia
LULJA E JETËS:
Në kopshtin e kësaj zemre
ngjitas meje sythoi
e çeli
Një botë me aromë plot
ma dhuroi
Erërash sa herë u shkund
a shirave u qull
imja dorë iu gjend pranë
dhe ky trup
ndërsa te poezia SECILA STINË E ETUR
ËSHTË PËR TY këtë dukuri e përligjim edhe me strofë me një varg:
Ato që i la stina e mëparshme
s’janë më
e pangopshmja kohë i zhbiu
dhe ato fryte jete që sillnin kënaqësi
Trungje të zhveshura mbetëm
para stinës së bardhë
Ardhja jote me ngrohtësi na mbështjell
shprush dhe nëpër dej
gacat e një zjarri të pashuar mbledh
Mos praj së riguari
derisa t’i njomësh majat e rrënjëve
thellësive të paprekshme
aty ku fija e dritës sate
I jep jetë një sythi të ri
Pastaj kthehet ajo stina e re
me njomësinë e buzëve të tua
na bekon me dashuri
V- Shpesh dëgjojnë të thuhet se qysh
nga Homeri e gjer më sot në poezi janë rrahur të gjitha temat e jetës dhe s’ka
mbetur asnjë për t’u rrahur nga poetët e sotëm. Qysh këtu nis keqkuptimi mbi
temat e shfrytëzuara nga poezia. Po të flasim p.sh.për temën e dashurisë, duhet
të themi se vetë dashuria ka pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrrash ku secili
prej tyre është një poezi më vete. Në qoftë se do ta quajmë një lëndinë, ajo
është një lëndinë e pamatë, mbushur me lule të porsaçelura skaj më skaj, si
hapësira qiellore mbushur plot me yje, ku çdonjëra prej tyre është një poezi më
vete.
Rasti i poetit Sabit Rrustemi me
dymbëdhjetë libra kushtuar dashurisë na tregon se edhe një temë si dashuria,
për të cilën kanë kënduar, të thuash, të gjithë poetët e botës në të gjitha
kohërat, ka një pafundësi kënd vështrimesh, mënyrash të shprehurish gjuhësor
figurativ e ngjyrash të mëvetësishme, që natyrshëm të përngjajnë në këngë.
Sabit Rrustemi na e vërteton këtë,
lexojeni dhe do të bindeni.
Sarandë Maj – shtator 2021