Kulturë
Fatmir Halimi: Ylfete Osmani - Sekreti i lagjes së djegur
E merkure, 06.07.2022, 05:41 PM
VËSHTRIM RRETH ROMANIT
“SEKRETI I LAGJES SË DJEGUR”, I
SHKRIMTARES YLFETE OSMANIT
Nga
Ma. sc. Fatmir Halimi
Letërsia duke qenë
veprimtari e lirë krijuese e ka edhe bukurinë e vet, pasi që me shkrime letrare
mund të merren edhe njerëz të profesioneve të tjera siç janë: ekonomistë,
juristë gazetarë, sociolog, teologë e shumë të tjerë.
Ky diversitet në
profesione e bënë edhe më atraktive letërsinë e sotme dhe shumë dimenzionale, e
që lexuesve sot u ofron mundësi të mëdha për të njohur botën dhe pikëpamjet e
ndryshme fetare, filozofike, psikologjie, astrologjike e shumë, e shumë të
tjera. Pra është fat që sot shkrimi i romanit dhe i rrëfimeve të ndryshme nuk
bëhet vetëm prej njerëzve që studiojnë letërsinë dhe që vetën e quajnë letrarë,
shkrimtarë etj. Sot për lehtësinë tonë dhe për lexuesit tanë është fat që me
romanin e saj paraqitet një ekonomiste, siç është Ylfete A. Osmani.
Ajo deri më tani
ka botuar edhe një vepër letrare me poezi, por romani i saj Sekreti i
lagjes së djegur, është një rrëfim që në letërsinë tonë sjell vërtet
risi në disa aspekte.
Romani “Sekreti i
lagjes së djegur” është i veçantë edhe nga aspekti tematik, pasi që për herë të
parë pas luftës në Kosovë trajtohet tema në institucionet tona shtetërore,
publike, temë kjo që është e mbushur me plotë prapaskena, intriga, dallavere e
korrupsion, po që mbi të gjitha këtu ngadhënjen e mira dhe drejtësia.
E veçanta tjetër
është se protagonistja është një femër në perspektivë, është një arkitekte dhe
që me punën e saj këmbëngulëse i lufton të këqijat që ndodhin në shoqërinë tonë
të pasluftës.
Autorja Osmani
përmes rrëfimit në retrospektivë na kthen edhe në kohën e luftës, peripecitë e
shumë familjeve dhe jetën e profesorit Ilir, i cili tashmë është i harruar nga
institucionet tona. Osmani përmes profesorit Ilir, zbulon edhe sekretin e
lagjes së djegur, e bashkë me të edhe djegien e një biblioteke në atë lagje, ku
përmes një projekti mëton edhe ta rindërtojë bibliotekën. Përjetimet e luftës, përpjekjet
për të rindërtuar jetën dhe për të vendosur gjithçka në një shtytje drejt të
ardhmes me perspektivë, janë boshti i këtij rrëfimi interesant e të përshkruar
me shumë dinamikë. Personazhi kryesor, Nita është idealizim i një personaliteti
të fortë që përtej të përditshmes, famës, prestigjit, materiales është vënë në
kërkim të sublimes, shpirtërores, që lufton pa u kursyer duke ndjerë
përgjegjësinë personale dhe atë kolektive të rikthimit dhe nderimit të
historisë, të vërtetës dhe kujtimeve të kohës së luftës. Romani Sekreti i lagjes së djegur në një mënyrë prek të gjitha
shtresat shoqërore dhe jep porosi për tejkalimin e mendësisë së kaluarës, është
një tendencë që të kultivohet frymën pozitive e raporteve ndër njerëzore.
Pas këtij
vështrimi të shkurtër të diskursit letrar mbi romanin Sekreti i lagjes së
djegur të shkrimtares Ylfete A. Osmani
vijmë në disa përfundime.
Së pari, romani Sekreti
i lagjes së djegur na vjen si perlë në letërsinë tone, i cili të lë pa
frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjetë në faqet pasuese të tij. Është
roman, i cili vazhdimisht ngeh idenë e kërkimit, e në të njëjtën kohë edhe
përpjekjen e ruajtjes së identitetit të femrës në shoqëri.
Së dyti, si për
nga rrëfimi i tekstit, e po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe realizimi i tij si
tekst është roman modern, që me sukses autorja i shfrytëzon disa nga elementet
dhe kategoritë stilistike si intertekstualitetin, retrospektiven, paralelizmin
tematik e të tjera.