Speciale
Nuhi Veselaj: Nga Jetëshkrimi (1)
E enjte, 30.06.2022, 08:50 PM
Nuhi Veselaj
NGA
JETËSHKRIMI
-PËRJETIME
NGA QENDRA SHKOLLORE TEKNIKE (1)
Prishtinë
(1966 – 1992)
PËRSHKRIM
I PËRJETIMEVE NË E PËR QSHT “19 NËNTORI” TË PRISHTINËS
Parasqarim
Tema: Përshkrim
i përjetimeve në e për QSHT “19 Nëntori” të Prishtinës për afro
30 vjet (1966-1992) është shtjelluar në dy krerë:
a) Punësimi sikaçakçe
dhe veprimtari me mish e shpirt në të mirë të
mësim-arsimimit në këtë Qendër për shtatë vite shkollore 1966/67 – 1972/73 dhe
b) Përjashtimi
dhe masat diskriminuese allaudboristiqe, shkelje fragrante e ligjshmërisë dhe
të drejtave të njeriut.
I. Punësimi
SIKAÇAKÇE DHE VEPRIMTARI misheshpirtE
për shtatë
vite (1966-1972)
Hyrje
Ç’është e vërteta, edhe pse vetëm
disa muaj pas rënies së Rankoviçit, më shkonte mendja se mos do të kem pengesa
përshtatshmërie politike për punësim në Qendrën shkollore teknike “19 Nëntori”
të Prishtinës ku konkurrova në fillim të vitit shkollor 1966/67 për dy arsye:
e para, pse Ekonomikja kalonte
me seli në periferi, andej nga Fushë-Kosova, kurse Teknikja ishte më afër
shtëpisë, ku duhet të kisha përkujdesje të domosdoshme ndaj familjes, ngase
bashkëshortja, e cila pasi e pate lindur djalin, pati rënë në një kome mbi 7
mujore, nga e cila fatlumnisht u zgjua, pa pasoja, por ende i duhej përkujdesje
dhe
e dyta, ndërsa në Ferizaj,
evidentohesha si i papunë, ku më duhej pritur viza e mëshirës
(!), pasi isha i përjashtuar nga arsimi për papërshtatshmëri moralopolitike,
mirëpo në Shkollën e mesme ekonomike të Prishtinës, para dy vitesh isha
punësuar sikaçakçe si arsimtar-student, por që së andejmi pas pak muajsh
e lidha stazhin i pajisur me fakultet të kryer.
Sidoqoftë, tash me fakultetin
e kryer të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe me përvojë pune afro 10 vjeçare,
kushtet e konkursit i plotësoja, mirëpo, meqë kisha dyshime se organet e larta
politike shtetërore, kur t’i binë në fije, zor se do të më rehabilitonin, jo
vetëm si një ish i burgosur politik për ta, edhe pse nuk isha dënuar me burg të
rëndë kundër popullit dhe shtetit, po me burg të lehtë (KZ cl. 279 st.
1), i cili ndërkohë judiko-zyrtarisht është shlyer, por megjithatë organet e
sigurimit, sidomos kundër shqiptarëve kur donin punonin jashtëligjshëm. Është e
vërtetë që deri tani pesë here më kishin refuzuar punësim normal në shkolla,
por unë gjendesha me ndërrim terreni, prandaj doja të shpresoja se tash pas
brioneve nuk do të pësoj, por megjithatë, duhet të isha i kujdesshëm, sepse
isha i vetëdishëm se edhe pas kësaj rënieje të hegjemonizmit serb, gardianët e
titorankoviçizmit e kishin regjimin në dorë, sepse sistemi i pushtetit, sidomos
servilët e poltronopartiashët edhe shqiptarë shumica ishin të njëjtë dhe në
pozita kyçe, të cilët meritën për një kthesë të tillë në të mire të shqiptarëve
e shfrytëzonin si meritë të tyre që në të vërtetë nuk ishte. Gjithsesi duhet të
kisha kujdes pasi e dija që drejtori i kësaj Qendre shkollore Dushan Pavlloviq,
ishte një ish-udbash malazez, por siç me pati thënë ish zëvendësi i tij në këtë
Qendër prof. Ahmet Mumxhiu, që kishte përkrahje nga Veli Deva, tashti as ai dhe
askush nuk mund të më pengojnë. Po sidoqoftë, tashti, vërtet duhej të isha i
kujdeshëm në veprime, po jo të mos e shfrytëzoja këtë ndërrim situate në të
mirë të shqiptarësisë, siç isha betuar të veproja sa isha në shkollën normale ë
Gjakovës, bile sipas devizës “hidhe gurin e fshihe dorën”.
Sido që mund të ndodhi, pasi u
pranova në këtë Qendër, sa kam ditur ta hedh gurin me vend e sa jo, dhe
sa dita me fshehë dorën e sa jo, sipas nevojës, përkatësisht sa veprova me
sukses në këtë luftë sikaçakçe e sa jo, po e shtjellojmë në tri pjesë të këtij
kreu:
a) Nga veprimtaria e gjallë
sipas viteve 1955-1972.
b) Përmbajtja e fletushkës
Flaka e nëntorit/Buktinja novembra dhe
c) Kërkesa dhe takimi problematik
me Dushko Ristiqin.
1. Nga
veprmtaria E GJALLË GJATË viteve shkollore 1966/67 - 1972/73
Sqarim: Çdo vit shkollor është
shfrytëzuar si titull.
1) Viti shkollor 1966/67
Vërtet drejtori që në takimin e parë
në Këshillit të arsimtarëve, na u paraqit zyrtarisht siç pritej: si burrë
malazez me fomim serbojugosllav me përvojë të një zyrtari serioz, me stabilitet
e sinakri të pritshme.. Pasi na përshëndeti, na njoftoj se, duke pasur parasysh
mundësinë buxhetore të Komunës së Prishtinës si dhe barabarësinë e gjuhëve
mësimore serbokroatisht e shqip, i mëshoi arsyetimit{
Edhe këtë vit shkollor do të
propozojmë që plani i pranim-regjistrimit do të bëhet përafërsisht i njëjtë në
të dyja gjuhët mësimore, sepse në Prishtinë në gjuhën mësimore serbokroate
(shtetërore) nuk gravitojnë vetëm serbët e malazezët, por edhe të tjerë, si:
kroatë, boshnjakë, romë e turq, madje edhe shqiptarë të ardhur nga oto vise ku
nuk ka funksionuar shkollë më mësim në gjuhën shqipe.
Pasi heshtën të gjithë dhe pasi zoti
Mumxhiu kishte kaluar në fakultet, unë reagova, jo pse desha, po disi u
detyrova nga thirrja e brendshme dhe kështu që në fillim u ballafaqova me
mendimin finok të drejtorit rreth barazisë së numrit të paraleleve. Në reagimin
tim theksova se sipas Smajl Bajrës (një udhëheqës i lartë aktual) i cili në
gazetën Komunist vërtet pati theksuar se problem te ne është
mosmundësia e shkollimit të shqiptarëve në shkollat e mesme profesionale në
gjuhën amtare, siç është edhe kjo Qendër shkollore, e cila nuk përfaqëson vetëm
qytetin e Prishtinës po Kosovën, në veçanti kombësinë shqiptare, andaj duhet
shtuar numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Ndërsa, sa i përket
buxhetit dhe kuadrit, nëse politika ka mirëkuptim nuk do të ketë problem,
sidomos tash kur ka fillue me funksionue edhe Fakulteti teknik në gjuhën
shqipe.
Drejtori nuk kundërshtoi dhe
mos me zgjatë në emër të Pleqësisë së Qendrës u dërgua propozimi ynë dhe kështu
pothuaj u dyfishua pranimi i numrit të nxënësve të rinj me mësim në gjuhën
shqipe.
Në të vërtetë, që në fillim
veç respektit njerëzor ndaj drejtorit asnjë rezervë ndaj tij nuk kam vërejtur.
Përkundrazi, ai që në fillim vërejti përvojën time metodiko-psiko-pedagogjike
në procesin mësimor, qoftë rreth hartimit të planit të punës së aktivit të
gjuhëtarëve (të gjuhës amëtare dhe të gjuhëve të huaja që jepeshin në shkollë),
qoftë si ndihmë mësimdhënësve pa përvojë. Madje, sugjerova se si duhet hartuar
planit i Këshillit të arsimtarëve dhe ai i Pleqësisë, për çka më falenderoi dhe
më avancoi anëtar të Pleqësisë, ku dhashë kontributin tim rreth
plotësimit të kuadrit e në veçanti për nismën rreth harmonizimit të planit të
punës së Pleqësisë me atë të Këshillit të arsimtarëve dhe mbledhjes së Këshillit
të prindërve, Në veçanti u zotova, për çka u befasua, se mund të kontribuoj
konkretisht rreth përgatitjes së ndonjë programi solemn me nxënës serbë e
shqiptarë me rastin e ndonjë solemniteti shkollor e shtetëror. Këto nuk ishin
vetëm fjalë, sepse mua, vërtet, këto punë më shkonin, e si rrjedhojë
konkretisht përgatita suksesshëm një program modest solemn recital për 19
Nëntorin, Ditën e shkollës e të Çlirimit të Prishtinës, që u dha për nxënës dhe
për mbledhje e përgjithshme të prindërve, ku kishte dhe musafirë të ftuar.
Sido që të ketë ndodhur, nuk e
fsheh, pasi kisha në dokumenta punësimi një Uverenje (Vërtetimin që
nuk isha i dënuar) ne osudjivan je, lëshuar nga nga SUP
Kriminalisticki otsek – Prizren, br. O3-1/167-63m dt. 5.2.1963, në
emër Veseljaj Nuhi, lindur më 1933 në fshatin Reçan srez AKMO NR Srbija, pa shënuar rrethin
as Suharekë as Prizren (si me pasë porositur për manipulim), atëherë unë, duke
pasur parasysh këtë mbështetje, pak si për mahi, para Kërstes (siriniqas) e
Halil Rendës (goran) isha prezentuar si zemljak nga Reçani pa përmendur
Suharekën që lëja me nënkuptue se jam torbesh nga Reçani i Prizrenit që e
ilustroja me ndonjë fjalë nashke e gorançe, gjoja isha një bashkëvendas i Ilaz
Kurteshit, po që kisha ndjekur shkollën shqipe dhe e mbaja veten shqiptar si
edhe Ilaz Kurteshi.
Në gjysmëvjetorin e dytë, ndodhi
Konsulta gjuhësore e Prishtinës, ku u pranua gjuha letrare e njëzuar nga
Shqipëria. Meqë unë, në të vërtetë si i degës, kisha parapërgatitje të asaj gjuhe
(drejtshkrimi e drejtshqiptimi) dhe kisha pasur sadopak edhe përvojë përkthimi
nga serbokroatishtja në shqipe, më fort ndjeja si zotim moral që të ndihmoja
kolegët më të rinj, por edhe ata të lëndëve të tjera. Më kujtohet që për këtë
çështje kam biseduar edhe me drejtorin, i cili kishte njohuri për shqipen, të
cilën e fliste konsiderueshëm.
Nga fundi i atij viti shkollor
nga një grup arsimtarësh me drejtorin në krye u organizua një vizitë njëditore
Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë): Patrikanën e Pejës, Kishën e Deçanit dhe
përciptas në Prizren Bogosllovinë, monumente këto që më lanë përshtypje
impresive, për të cilat shpreha admirim jo vetëm në bisedë me drejtorin,
por në Nashec edhe me vjehrrin (babën e gruas së tij), siç m’u prezentue, me
profesion pop, tash pa uniformë (!), i cili fliste shumë mirë shqip. Gjatë
bisedës përmendëm Kishën e Korishit, përkatësisht të Kabashit që ka një histori
të dhimbshme që dikur adhurohej nga ai popull shqipfolës sa ishte ortodokse,
por që sipas tij edhe torbeshët e krejt Podrimja kanë qenë ortodoksë. Meqë
kisha njohuri nga kultura serbe, pansllaviste më kujtohet që para se të ndahemi
recitova pak si me sherr: Od VladiVostoka do Jadrana shiri raste
slavna grana ( Adaptimi shqip: Nga Vladivostoku n’ Adriatik rritet
shtrihet slavi mik!).
2) Viti shkollor 1967/68
Edhe gjysmëvjetori i parë i vitit
shkollor 1967/68 mund të karakterizohet si vit normal sa i përket regjistrimit
të paraleleve të reja si dhe njëherazi krahas hapjes së bashkëpunimit Kosovë-
Shqipëri. Madje u shtruan edhe edhe disa favore të veçanta kombëtare për
shqiptarët në Jugosllavi. Veç tjerash u fol se udhëheqësit tanë kanë kërkuar
lejimin e flamurit kombëtar. Mirëpo, ndërsa pritej leja rreth formës me ndonjë
shtesë a ku ta di, njerëzit morën guxim me e përdorë flamurin kuqezi edhe
haptas pa ose me ndonjë shtesë si në Shqipëri.
U çue shumë pluhur, siç e
kuptoja unë, për një dasmë në Gjakove që e kishte përdor flamurin pa pritur
zgjidhjen me sistem, po ashtu mesa u informova edhe në Suharekë në Odën e Haki
Kuçit ishte kremtua flamuri nga disa burra. Kjo lëvizje sapo e ringjallur nuk
manifestohej vetëm me flamur, por edhe në mënyra të tjera sidomos me
distingtiva shqiponje dykrenëshe me yll e pa yll, si dhe me ndonjë libër të
vjetër apo të rinj që ende konsiderhej i ndaluar. Kjo ishte vërejtur edhe nga
drejtori. Unë vazhdoja me përgatitjen e recitalit me nxënës shqiptarë e serbë,
me rastin e festave të nëntorit. Ia ofrova tekstet, drejtorit, Në shqipe kishte
vargje edhe të Kadaresë, por edhe të shtuara guximtarisht prej meje. Kërkoja
shembuj karakteristikë sibombastik edhe nga pala serbe për nxënësit recitues
serbë. Me vetinisiativë përzgjodha disa vargje të Vladimir Nazorit, Njegoshit,
Shantiqit, Zmajit dhe me ndonjë slogan politik të udhëheqësve jugosllavë dhe
kështu e plotësova recitalin.
Ndërkohë, nuk di si rrodhi një
bisedë me drejtorin rreth pamjes së flamujve, ai jugosllav me tringjyrshin
francez po ai i popujve të Ballkanit me shqiponjë dykrenëshe, ndërsa ai
shqiptar i Skenderbeut kuq e zi. Më kujtohet që ia parasprita flamuri shqiptar
ashtu si ka mbetur ngjyra në kapuçin malazez?! Po kur i përmenda faktin (që
kinse nuk kuptoja) pse vajzat serbe të gjimnazit Ivo Lola Ribar po
vishen kuq e zi, atij vetëm i shkoi buza në gaz, mbase për naivitetin tim torbesh,
më tha se ashtu qenka moda. Dhe vërtet këtë e pritja prej tij…
Më kujtohet që kur u dha
recitali, kur u përmend trengjyrëshi jugosllav/Trobojni barjak: Flamur, smbol i lirisë së kombëve dhe
kombësive (!) nuk pati reagime, ndërsa kur u përmend Skënderbeu e Kruja
duartrokitjet ishin shumë frenetike vetëm nga njëra palë. Kjo vrau jo mire te
pala tjetër! Pa marrë parasysh këtë siprovokim drejtori më falenderoi
për punën rreth recitalit e shfaqjes përgjithësisht të suksesshme.
Në gjysmëvjetorin e dytë,
vërtet ishte kohë që vazhdoi të flitej i edhe më haptazi deri edhe në klasë për
më shumë liri, për histori shqiptare (Isa Buletini), për Skënderbeun, deri për
Demaçin… Madje organizimi i Konferencës kushtuar Lidhjes shqiptare të
Prizrenit, ku morën pjesë edhe dhe studiues nga Shqipëria e më gjerë. Në mënyrë
të veçantë zgjoi interes shikimi i filmit Skënderbeu me nxënësit, në mënyrë të
organizuar që drejtori më angazhoi të parashoqëroja me disa fjalë që mos të
ketë keqkuptim, vërtet ishin ngjarje me jehonë epokale lirie për kohën për ne.
Unë kur m’u dha rasti e theksova sistemin jugosllav në vendin tonë
multinacional vetëqeverisës, i cili po na mundëson që ne mos të harrojmë
historinë e përbashkët të popujve tanë etj.
Në këtë gjysmëvjetor për
mbarëvajtje veprimi ka ndikuar shumë edhe ardhja e Engjëll Rodiqit
zëvendësdrejtor i Qendrës shkollore. Politika vërtet ecte në të mirë të
shqiptarëve, por pa cenuar të drejtat e serbëve. Engjëllit ia di për nder që
përkrahte aktivitetin tonë. Si për vete i siguronte letërthirrjet apo biletat,
qoftë për Konfrencën për Lidhjen e Prizrenit, qoftë edhe për Ansamblin e
këngëve dhe valleve nga Shqipëria etj.
Sidoqoftë, më kujtohet, edhe
pse për mbrëmjen e maturantëve kisha përgatitur fjalë-fjalim përshëndetës, me
shprehje të zgjedhura në të dyja gjuhët, përshëndetjet i bënë përfaqësuesit e
nxënësve dhe drejtori e zëvendësi.
Ndërkohë, para e sidomos gjatë
pushimit veror vazhduan të njëjtat procese lidhur me raportet Kosovë-Shqipëri,
prandaj unë pata rast me i ndëgjue disa tema e ligjërata po edhe me kontaktue
me letrarë e studiues nga Shqipëria.
3) Viti shkollor 1968/69
Edhe sapo filloi viti shkollor
‘68/69, u shpeshtuan kontaktet e ndërsjella kultruro-arsimore Kosovë-Shqipëri. Nuk
do mend, përvjetori i Lidhjes së Prizrenit, Përvjetori i Skënderneut (filmi),
Radio Tirana e Radio-Kukësi me këngët dhe emisionet speciale të angazhuara,
ishin pothuaj të pranishme te çdo qytetar yni e sidomos tek rinia e
intelektualët tanë. Këto ngjarje nuk ishin vetëm dritare, por edhe dyer të
hapura e hapësirë e një arene imagjinare, ku Shqipëria socialiste me
propagandën e saj përfutej e pakulluar në familjet e shqiptarëve në Jugosllavi
e sidomos te rinia shkollore e studentore, madje edhe tek disa të moshuar
adoleshentë në politikë si edhe unë. Po kjo vërehej mjaft dukshëm në shkollën
tonë. Pala serbe që ishte mësuar me eprani ndaj shqiptarëve shihej paksa e
demoralizuar. Udhëheqësit e saj nuk e kishin lehtë, po nuk e kishin lehtë as
fadilistët tanë të ngadalsonin ose të mbanin nën kontrollë disa dukuri që
dilnin paksa sitejkalime kombëtariste. Megjithatë, kishte kërkesa që shqiptarët
të përfitonin dhe më shumë të drejta legjitime kushtetutare në kuadër të
Federatës, që mos të vareshin për gjithçka nga Republika e Serbisë. Në këtë
situatë, ne arsimtarët shqiptarë, sidomos ne të gjuhës shqipe kishim më shumë
liri, por dhe përgjegjësi, prandaj kam pasur kujdes mos me teprue me
atdhetarizëm falls folklorik, në mënyrë që përjetimet te nxënësit mos të kalonin
në mostolerim në marrëdhënie ndërnacionale, sidomos në shkollën tone, assesi
mos të shfaqej ndonjë mostolerancë a siurrejtje ndaj serbëve, sepse e dija se
po ndodhi ndonjë një përshoshje sado e vogël, heqja e pluhurit dhe të kokrrave
boshe, lidhur me këtë, do të zbulohej etiketimi ekzistues i amulluar ndaj meje.
Në të vërtetë, drejtori, sipas
detyrës që kishte, ndoshta edhe i shtyrë nga jashtë, me të drejtë e kishte
alarmuar situatën politike si shqetësuese, ngase kishte vërejtur që edhe në
shkollën tonë në krahasim me të kaluaren shprehej njëfarë euforie te pala
shqiptare dhe joentiziazmi paksa si reaksion nga pala tjetër mbetur pakicë në
shkollë sa i përket numrit të nxnësve serbë në krahasaim të atyre me mësim në
gjuhën shqipe, por edhe për faktin se vërehej ndonjë shpërngulje të serbëve.
Flitej që politikanët po kërkojnë ndonjë eksces politik që shkolla jonë të
hallakatet, sepse po shprehen foklorizma dhe kështu të gjejnë vjegë shkasi për
me i ridhënë forcë-flake propagandës për sforcim vëllaznim bashkimi, duke i
përjashtuar të papërshtatshmit (metodë partiako-ushtarake). Në këtë
vazhdë u mbajt një takim, arsimtarë e nxënës aktivistë të organizuar, ku morën
pjesë, veç tjerëve edhe kryetari i komunës Jovo Peqenoviq e sekretari i
Komitetit komunal të LKJ Mahmut Bakalli, me disa udhëheqës të tjerë të lartë që
nuk i njihja. Më kujtohet që Jova, në fjalën e tij, pa e përmendur Kosovën, u
shpreh që nuk duhet kërkuar liri e të drejta si shumicë ndaj pakicës, sepse
dihet, sipas tij, se kush është shumicë e kush pakicë në Serbi, por të gjithë
duhet të gëzojnë lirinë që u takon. Po ashtu edhe Mahmuti, dha me kuptue që
gjithsesi Kosova mbetet e ndërlidhur me të drejtat e serbëve në kuadër të
Republikës së Serbisë e Jugosllavisë. Natyrisht, foli për të drejta që po i
ofrohen edhe të rinjve shqiptarë e serbë, por gjithsesi duhet të ruhet si sytë
e ballit vëllaznim-bashkimi, siç na mëson shoku Tito…
Për çudi në këtë kontekst
lirie një nxënës yni, mesa më kujtohet me mbiemrin Pireva, zbuloi nismën se
disa të rinj (shqiptarë) kishin ndërmend të shprehnin kënaqësinë me një marshim
nga Shkolla normale (Gërmia) deri në qytet. Unë reagova që të rinjtë tanë nuk
duhet të imitonin të huajt, si ngjau në Kroaci e jashtë, por entuziazmin për
lirinë pasbrioniane duhet ta shprehim në mësim, të veprojmë sipas mësimeve të
udhëheqësve tanë dhe vazhdova:
Mesa e kuptova shoku kryetar
Jova tha se nuk duhet abuzuar me shumicë e pakicë edhe në shkollën tonë, po për
të gjitha duhet pasur mirëkuptim. Gjithashtu edhe shoku Mahmut Bakalli, me atë
që e tha, si e ka shprehur edhe në një vend tjetër. Te ne assesi nuk
duhet të lejohet ndarje si në Nikozi. Andaj në këtë aspekt unë do të
përmend nja dy raste konkrete që ne si mësues e edukues brezash, serbë e
shqiptarë, kemi për detyrë të kemi qasje të duhur dhe të veprojmë në frymë
mirëkuptimi.
E para, marr shembullin e Simonidës
(pikturë në Kishën e Graçanicës), ku qëndrojnë vargjet e Milan Rakiqit prej
shekullit të kaluar se gjoja asaj ikone arbanasi nëpër terr ia paska gërryer
sytë me hanxharm, gjë që nuk është e vërtetë, po atë e kanë bërë hallexhinjtë e
padijshëm ortodoksë të assaj kohe, që e kanë përdor atë pluhur si ilaç për
shërim të syve të tyre të sëmurë), por nuk iu ka dhimsur as kujdestarit që
kishte inatin pse ajo ikona-proncshë bukuroshe, pasi i ka vdekur burri (mbreti)
ka ikur gjetiu… Pra le të dihet se shqiptari atëherënag Rakiqi me tendencë
akuzohet pa të drejtë, dhe
E dyta, po marr shembull shkrimtarin
shqiptar Klosi që si komediograf e kemi në plan-program, po –vazhdova - nga Klosi
(pa përmendur emër) kemi edhe
vargje kushtuar Kosovës së robnume të shkruara para LNÇl, kur Kosova, në kohën
e Kralevinës vërtet ishte e robëruar, ku veç tjerash ndeshen edhe këto vargje:
E çka do që të la Turqia/ ta ka kthye
7 fish Serbia…
Prandaj detyra jonë mësimore e
edukative është që ta themi të vërtetën. Pas Çlirimit ne nuk jemi nën regjim të
Kralevinës po jemi të lire në Jugoslavinë e Titos, ku vetë komunistët serbë
luftuan atë regjim shtypës shqiptarofobë.. Pra jemi në Serbinë e vëllaznim bashkimit,
ku Kosova, kosovarët, po i gëzojnë e do t’i gëzojmë gjithnjë e më tepër të
drejtat kombëtare e vetëqeverisëse bashkë me sivëllazerit e kombëve e kombësive
të tjera. .. Së këndejmi duhet përkrahur e
vërteta që bashkon kombet.
Këto dy raste si duket mjaftuan për
të kuptuar delikatësinë që kishim aktualisht ne në punën tonë
mësimore-edukative ndaj brezit të rinj, ku duhej ngulitur patriotizmit
socialist humanist jugosllav. Prandaj, si duket politikanët e pëlqyen
diskutimin. Shikuan njeri tjetrin dhe kështu shkolla jonë që ishte e etiketuar
si fort problemore, shpëtoi nga shënjestrimi, siç e kishte alarmuar drejtori me
disa shokë të Partisë nga jashtë. Vërtet kishte sugjerime për
tollovi që ishin në përputhje me kërkesën e Akademisë serbe të shkencave.
Sidoqoftë, me drejtorin dhe me të gjithë aktivistët kolegë serbë e
përgjithësisht kam pasur raporte, si të thuash, mëse normale, por aq më tepër
me disa nga fadilistët tanë që kishin kujdes mos ta humbnin besimin e
karrierat, siç i kishin, prandaj insistonin që situata mos me dalë jashtë
kontrollit.
Gjithsesi para Festës së
Flamurit, 28 Nëndorit flitej shumë. Edhe ne gjenin rast që në orë të mësimit e
në ndonjë bisedë të komentonim jo vetëm domethënien e vargut të parë të himnit
tone kombëtar: “Rreth flamurit të përbaskuar” por edhe për pjesë
të tjera që i dinim përmendësh, të cilat edhe i modifikonim paksa, si:
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen mbi këtë dhe
Po Shqiptaria do të
rrojë
N‘se për të luftojmë ne!
Me thënë të drejtën, e kisha
të njohur lajmin se do të bëhet një demonstrate, por për hollësi nuk doja të
dija (!). Demonstrata vyen për jashtë me njollosë Jugosllavinë e Titos, pse nuk
hapej drejt demokracisë perëndimorer siç, kërkohej me demonstraten në Kroaci,
por demonstrata jonë këtu bënte me njohë botën se populli shqiptar është një
realitet jo sllav në Jugosllavi, është një populli, i cili kërkon autonomi më
të madhe republikë ose bashkim me Shqipri. Ideali im ishte vetëm bashkimi, por
Shqipëria socialiste e vetmuar sa mund të jetë e zoja me shfrytëzue jehonën e
një demonstrate të tillë në botë, përndtryshe, druaja që Serbia (me Jugosllavi)
do të dijë më mire me shfrytëzue për hesape të veta, kundër fadilistëve, kundër
afrimit me Shqipri. Megjithatë, më 27 nëntor nuk mujta me durue pa u duk pas
dreke në shkollë, edhe pse nuk kisha mësim.Vërejta që mungonte një arsimtare e
gjuhës shqipe Fetie Lepaja -Fetiu. Për mos me krijue nxënësit zhurmë e tollovi,
vendosa me zëvendësue. Sigurisht, improvizova me qëllim temën: Poezia e
atdhedashurisë, duke e specifikuar në tri lloje: në poezi ose këngë patriotike
historike, patriotike nostalgjike dhe aktuale patriotike,
duke ilustruar me shembuj konkretë më karakteristikë që i dija përmendësh. E di
se të gjithë më dëgjonin me vemendje syevesh. Edhe sot i kujtoj ata sy
depërtues plot përjetim, vargje të tilla që mbase kishin mundësi t’i ndëgjonin
kaq me emocion për të parën herë…
Edhe pasi përfundoi ora
qëndrova edhe pak kohë në shkollë derisa sa u alarmua se filloi njëfarë përziemje.
Demonstrata filloi nga studentët tanë. Nga rinia. Kuptohet me studentët u
bashkuan edhe disa qytetetarë e më shumë nxënës, të shkollave të mesme edhe të
shkollës sonë, sigurisht ndër ta edhe ata të asaj klase, të cilët pak më parë i
ngroha me vargje atdhetarie.
Pra ndodhi, ajo që ndodhi.
Ndodhi një punë e madhe shumë, me përmasë historike. Unë demonstrantët i prita
në Qendër. Para teatrit. Vura re që në krye printe edhe dikush i kamufluar,
sipas mendimit tim. Gjithashtu, vura re se tërë turma incizohej, madje jo vetëm
ata, por edhe ne, edhe fytyrat tona që rastësisht qëndronim anash,
jashtë rruge. Duke parë këtë, me qëllim reagova me emocione (gjoja i
zhgënjyer): To nije dobro. Ne mogu da ih gledam (Kjo nuk është
mirë. Nuk mund t’i shikoj). Nëse ekzistojnë incizimet kjo mund të
vërtetohet.
Dhe menjëhrë, gjoja i
mllefosur, u nisa për shpi. Afër shpisë takova dikënd të lagjes, e dija se cili
ishte. Edhe këtij i fola keq për ngjarjen, domonstrantët e demostratën e axhamijve,
që na bënë shumë keq, sa ishim duke ecur mirë…
Brenda në shtëpi nuk mund ta
ndalja gëzimin, por edhe shqetësimin mos po i dëmtojnë demonstrantët, ndërsa sa
për burgje e maltretime nuk më dhimbsej askush. Ajo do të ishte kalitje. Aqë
lehtë nuk hyhet në histori. Më vonë erdhi edhe djali i vëllait Abdyli, nxënës i
klasës IV, ku e kisha kujdestarinë. Ai me setrën time veshur kishte dale në
demonstratë. E përqafova. I thashë është bërë një vepër historike, ku paska
marrë pjesë edhe setra ime… Pasi puna ishte kryer, e porosita që tashti për nxënësit
duhet qetësi, entuziazëm vetëm në mësim dhe porosita këtë t’ua përcjellë
shokëve të besueshëm e dikuj tjetër t’u thotë se e kam ndëshkuar pse ka dalë në
demostratë, ngase unë isha kundër.
Të nesërmen shkolla ishte
mbushur me politikanë e të panjohur. Vura re se të shqetësuara ishin edhe disa
gra udhëqësish, nëna të nxënësve tanë. I përshëndeta. U thashë, Mos u
shqetësoni nxënësit tanë nuk besoj se janë përzie. Shumë nga të pranishmit nuk
i njihja. Drejtor Pavloviqin as që e pashë. Engjëll Rodiqi, ish-zëvendësdrejtor,
më tha se Sahit Zatriqi e paska informuar se një nxënës yni qenka vra. I thashë
a je i zoti me i përgatit kurorë, më tha:
- Jo, assesi, është
rreptësisht e ndaluar!
- Atëherë, mos i thuaj kujt që
më ke tregua. Ai vazhdoi:
- Çështja është si t’i futim
nxënësit nëpër klasa.
-Nxënësit po se po nëpër
mësojtore, po më së pari arsimtarët t’i fusim në sallë dhe të thuhet që orët
duhet që të mbahen rregullisht sipas orarit.
Kështu nuk di pse mora
përsipër rolin e zjarrfikësit pa qenë i autorizuar nga askush, pos nga
ndërgjegjja ime mos me prishë procesin mësimor në shkollën tonë. Shumica e të
pranishmëve hynë në sallë. Nuk di pse drejtori nuk ishte present. Fola:
Nxënësit nuk besoj se janë
bartësit e demonstratës. Po nëse dikush është mashtruar ne kemi për detyrë me i
gjykue dhe em gjykue demonantratën. Mendoj që secili duhet të shkojë ta mbajë
orën sipas orarit, ndërsa unë me disa kolegë serbë do të shkojmë në klasat e
nalta, mësojtore më mësojtore, t’i gjykojmë, ta gjykojmë (da osudimo!)
Dhe vërtet me insisimin tonë sipas
rregullit nxënësit u futën nëpër dhomat e mësimit dhe arsimtarët filluan të
mbanin orët. Dhe pa humbur kohë unë bashkë me tre-katër kolegë serbë partiashë
(të Serbisë) u nisëm me hy nëpër klasa, Na u bashkangjit edhe partiashi
ynë, Jusuf Venhari, arsimtar
i matematikës, të cilit i droja se mos po më zbulon. Ishte 28 nëntori, por ai
më doli edhe më i mire, më i gjindshëm se unë. Në çdo klasë unë filloja:
Mbrëmë ka ngjarë diçka e
pamirë në qytet.Ka pasë arrestime. Ne e gjykojmë. Jemi me shokë që duam të
vërtetojmë se nxënësit tanë janëpër vëllaznim bashkim e barabarësi, Ëahtë apo
jo?, ju përgjigjuni me një PO të forte. Ne ju kemi mësuar e edukua. E dimë si
na mëson e drejton Shoku Tito e LKJ. -Po.
–Po pra, Na e gjykojmë çdo të keqe. Kështu edhe dëgjohej përgjigjja PO
ose JO.
Jusufi si temperament që ishte nuk e
linte me kaq, Ai i emocionuar, me zë të lartë filloi me i kritikue disa vese të
shoqnisë sonë si p.sh.
-Qysh bëhet që ndër ne ende ka
familje që hanë në sofër, në një sahan. Nuk i çojnë çikat në shkollë? Duhet t’i
gjykojmë…. Jo më ashtu! …
Unë e ndëpreja së bashkë me
nxënës: ”Po” “ashtu është! - Kështu linin përshtypje se vërtet e
gjykonim demostratën e demonstruesit. Në fund u thosha: Urime festa!
Çesitamo praznik!
Urimi, prej shokëve që më shoqëronin
kuptohej 29 Nëndori, kremte e Jugosllavisë socialiste, ndërsa prej meje
që e shqiptoja me ëmbëlsi, pa sherr (!), kuptohej cila kremte ishte për
urim, apo jo?!
Kështu ua mbushëm mendjen
kolegëve e opinionuit për lojalitetin tone e të nxënësve tanë ndaj qeverisë,
Serbisë e Jugosllavisë.
Kjo pati jehonë. Ne edhe në
takime të tjera zyrtare dënonim me fjalë të padisplinuarit, kushdo qoftë ai,
nxënës, student apo arsimtar, që veprojnë jashtë sistemit. Kështu faktonim që
këtë gjykim e kemi bërë që ditën e parë pas ngjarjes, prandaj tani nuk kishte
nevojë të përsëdytnim e përsëritnim, te nxënësit, madje as në mbledhje të
kolektivit në parti e sindikat, siç kërkonte drejtori. Ai në të vërtetë
insistonte analizim-trajtimin e incizimeve të Milicisë. Unë këmbëngulja që ne
si edukatorë e kemi krye detyrën si duhet, ndërsa tash le të harrohet ajo e
pamirë sa më para. Procesi i mësimit duhet të ecën në mënyë sa më të qetë.
Pushteti, le ta kryejë punën e vet. Ne do të jemi në dispozicion të pushtetit e
të Partisë.
4) Viti shkollor 1969/70
Si duket qëndrimi ynë përputhej me
atë që donin fadilistët në pushtet, prandaj pa dijen time, u çudita, kur m’u
kumtue se në lagje më kishin pranua anëtar të LKJ-së. Heshta. E pranova si
ngarkesë dhe obligim që edhe më me sukses do të mundem me u konfrontue me
drejtorin e kushdo qoftë përkrahës i tij. Kështu drejtori pas disa mbledhjeve
të pasukseshme pasi nuk mundi me realizue shprushjen e zjarrit, zgjodhi rrugën
më të mençur, me të lehtë dha dorëheqje dhe menjëherë u punësua në Komunë.
Mirëpo Komiteti e Komuna donin ta kthenin, natyrisht më me shumë kompetenca,
për spastrimin e kolektivit nga demonstrantët dhe jo vetëm nga ata. U caktua
një takim i përbashkët, në njërën anë komitet e komunë, në anën tjetër
kolektivi i Qendrës shkollore. Sigurisht kuadrot ishin të zgjedhur nga të dyja
palët. Me një fjalë, kërkohej që më fort të ketë qetësi nga pala serbe se nga
ajo shqiptare. U pa se donin ta rikthenin drejtorin, i cili dihej se çfarë
kërkonte. Unë si anëtar i ri i LKJ, kisha pëgatitur diskutimin kundër, mbaha në
tavolinë, një koment-analizë të javores kroate Vjesnik u srijedu dhe
mbaja në dorë një fletë të parapërgatitur me 20 pika, Dhe kur më erdhi radha për
diskutim, duke e çu në ajr fletën, tregova se kam mbi 20 vërejtje e kritika konkrete për
sjelljen dhe udhëheqjen, duke filluar nga dyshimet që dejtori ka qenë i
implikuar në manipulime korruptive financiare që në kohën kur shkolla e re
ishte në ndërtim e sipër për çka lypset gjurmuar e më pastaj kam vërejtje
vijuese deri nga aktualiteti, si nga fusha pedagogjike e politike, në raporte
ndërnjerëzore e ndërnacionale. Po filloi me shembuj konkretë…
Ish drejtori Pavlloviq, më
shikoi me habi dhe kishte të drejtë, më ndërpreu, me fjalët:
-Pasi i pask, ky 20 vërejtje,
këtu janë mbi 150 të punësuar secili mund të ketë kushedi sa, ndërsa unë nuk
kam pasur mundësi me shënue vërejtje për secilin, prandaj po shihet se këtu nuk
ka arsye kthimi im...
Kështu u ndërpre mbledhja, pa u
dëgjuar diskutimi im. U ndërpre, duke e falenderuar zgjidhjen mençurake që bëri
vetë Dushan Pavloviqi, i cili shpëtoi veten, nga telashet e reja të Qendrës dhe
më shpëtoi mua nga një paraqitje të tillë kundër që disa pika ishin jo të
argumentuara bindshëm. Kështu veprova
kundër tij me tepri për të shpëtuar shkollën dhe disa kolegë të rinj e nxënës
që ishin pjesëmarrës të demonstratës.
Ishim para përfundimit të
gjysmëvjetorit të parë 1969. Edhe për një kohë mbetëm pa drejtor e zëvendës,
pasi edhe Engjëll Rodiqi, më parë kishte kaluar në fakultet. Nuk di pse Komuna
as Komiteti nuk dërguan ndonjë person mbikëqyrës bile përkohësisht, por si
duhet ia besuan drejtimin organeve vetëqeverisëse të Qendrës. Atëherë në këtë
vakuum me sugjerim të organeve të organizatave politiko-shoqërore
vetëqeverisëse në një mbledhje të kolektivit u propozua dhe u zgjodh sipas
sugjeriomit tim, përkohësisht si ushtrues detyre drejtor i Qendrës, një
profesore serbe, ndërsa për zv-drejtor, një koleg i moshuar yni, Shaban Vata,
më propozoi mua. Kolektivi më pranoi njëzëri. Nuk pata kohë as me refuzua as me
shprehë falenderim. Edhe refuzimi edhe miratimi kërkonin arsyetim bindës.
Përndryshe kuptohej ikje nga përgjegjësia që do të thotë që kritikat ndaj
drejtorit që bëra me aq guxim e përgjegjësi nuk ishin argumentuese. Në të
vërtetë, motivi kryesor i heshtjes sime ishte se me largimin e drejtorit
shpëtonim nga hapja e çështjes së rishikimit të fotografive nga demonstrata që
ende ishte temë e nxehtë. Me një zgjidhje të tillë, me moskthimin e
ishdrejtorit shpëtonim. Kolektivin e mbanin larg nga duartë e UDB, të komitetit
e SPB e policisë që, për mendimin tonë, do të shkaktonte dëm shumë të madh për
mbarëvajtjen e konsolidimin e procesit mësimor. Së këndejmi, edhe raporti me
palën serbe do të acarohej, nëse diheshin aktorët qe do të etiketoheshin, sepse
atëherë në ato kushte ka qenë e pamundshme të mbroheshin, të mos i largonim
disa arsimtarë.
(vijon)