Editorial
Genc Pollo: Segmenti Budapest-Vilnius dhe trekëndëshi Kiev-Tiranë-Prishtinë
E hene, 28.02.2022, 09:41 PM
Segmenti Budapest-Vilnius dhe trekëndëshi Kiev-Tiranë-Prishtinë
Nga
Genc Pollo
1- Forca e parimit në
Budapest
28
vjet më parë në Budapest, në 5 dhjetor 1994, merrja pjesë si anëtar i
delegacionit shqiptar në samitin e Konferencës për Siguri e Bashkëpunim në
Europë (KSBE). Ky samit kujtohet se vendosi që Konferencën t'a shndërrojë në
Organizatë (OSBE) me institucione të përhershme. Por ngjarja më e rëndësishme
dhe me pasoja historike në këtë samit ishte nënshkrimi i Memorandumit të
Budapestit nga Presdienti ukrainas Kuchma, Presidenti rus Jelcin, Kryeministri
britanik Major dhe Presidenti amerikan Clinton. Këta dy të fundit nënshkruanin
si garantë të respektimit të marrëveshjes (Franca e Kina gjithashtu ofruan
garanci në dokumenta më vete). Thelbi i memorandumit ishte se Ukraina i
dorëzonte Rusisë armët bërthamore që gjendeshin me shumicë në territorin e saj
që nga periudha sovjetike ndërsa Rusia garantonte se "do të respektonte
sovranitetin e pavarësinë e Ukrainës në kufijtë aktualë" dhe se kurrë nuk
do të përdorte forcën dhe armët apo presionin ekonomik kundër Ukrainës
(përkatësisht neni 1, 2 e 3). Në dritën e ngjarjeve të sotme, kur raketat ruse
po godasin apartamente e po vrasin civilë në Kiev, këto citate mund të duken si
ushtrim në sarkazëm. Por në Europën post-komuniste të viteve 90 parime
ndërshtetërore si sovraniteti, evitimi i dhunës e liria e për të zgjedhur aleancat jo vetëm u shkruan
në deklarata të njëpasnjëshme të KSBE-së e të Këshillit të Europës por edhe
besoheshin seriozisht. Me përjashtimin tragjik të Milosheviçit e ish
Jugosllavisë. Por një dekadë e gjysëm mbas Budapestit këto parime filluan të shkeleshin
jo më nga një diktatoruc gjakatar në Ballkan por nga një shtet i madh e me armë
bërthamore. Pacta sunt servanda (marrëveshjet duhen respektuar) si kryeparim i
të drejtës ndërkombëtare u shkel bashkë me të tjerët.
2- Parimi i forcës në
Vilnius
Në
28 nëntor 2013 samiti i Bashkimit Europian i mbledhur në kryeqytetin e
Lituanisë dështoi keq kur Presidenti ukrainas Janukoviç u deklaroi liderëve
europianë se refuzonte të nënshkruante marrëveshjen e asociimit me BE.
Marrëveshja, e cila po negociohej prej gjashtë vjetësh, ishte planifikuar të
firmosej me solemnitet atë ditë. "Rusia po më nxin jetën prej tre vjetësh
ndërsa ju më latë në baltë" u tha Janukoviç 28 presidentëve e
kryeministrave sipas dëshmitarëve të pranishëm. Edhe Armenia në shtator të atij
viti i ndërpreu negociatat për marrëveshjen e asociimit me BE pasi u kërcënua
hapur me dhunë të armatosur nga Moska. Presidenti armen dhe ai ukrainas u
detyruan të premtonin se do t'i bashkoheshin Unionit Doganor Euroaziatik të
themeluar nga Rusia në 2010 (aktualisht quhet Unioni Ekonomik Euroaziatik).
Edhe pse marrëveshja europiane ishte për ta me më shumë leverdi.
Surpriza
për të zhgënjyerit nga Janukoviç erdhi nga populli ukrainas. Refuzimi ndaj
Brukselit shkaktoi protesta të mëdha dhe atë që njihet si Revolucioni i
Maidanit. Janukoviç u arratis në Rusi dhe parlamenti e presidenti u zgjodhën me
votë demokratike. Por Putini reagoi duke pushtuar Donbasin dhe duke aneksuar
Krimenë. Vetëm pas kësaj traume anëtarësimi në NATO u bë realisht prioritet për
Kievin.
3 - Dy-tre mendime mbi
parimet e forcën
a
- Po të mos ishin personalitete kurajoze si Vitali Kliçko e po të mos kishte
mijëra qytetarë, të cilët në Maidan sfiduan për javë të tëra plumbat e acarin,
Ukraina do të kishte mbetur në kategorinë e Taxhikistanit e Kirgiztanit. Ishte
vullneti i brendshëm i shoqërisë, i fortë dhe i paepur, që përcaktoi orientimin
madhor të shtetit. Ky është mësim i vyer për popujt në Ballkan që po durojnë
Lukashenkot e tyre.
b-
Jo vetëm burokratët e Brukselit, për të cilët
thuhet se jo rrallë shohin endërra me sy hapur, por pothuaj e tërë elita
politike e Europës e Perëndimit nuk e kuptoi rrezikun real të një Rusie
revanshiste: as kur Putini pushtoi dy provinca të Gjeorgjisë në 2008; as kur ai
ja u la pa hapur shishet e shampanjës në Vilnius në 2013; as kur një vit më
vonë pushtoi Donbasin e e aneksoi Krimenë. Apelet e udhëheqësve dhe
intelektualëve nga Europa lindore për rrezikun putinist u injoruan. Pikëpamjet
e ngjizura në një periudhë të gjatë paqeje e mirëqenjeje e të ndikuara nga
ideologji problematike prevaluan gjatë mbi ato të njerëzve që vuajtën sundimin
dyfish komunisto-rus. Agresioni i shkurtit 2022, fatmirësisht nuk la bukuroshe
të fjetur pa zgjuar nga gjumi. Edhe shtetet më pacifiste e neutrale po bëjnë
atë që ishte e paimagjinueshme deri para tre ditësh: po furnizojnë Ukrainën me
armë letale (vdekjeprurëse).
c-
Ka në Europë por edhe në Tiranë tipa që filozofojnë se fajin e ka NATO që u
zgjerua në lindje duke ju futur me pahir në pëqi Rusisë. Dhe duke e bërë këtë
të fundit agresive si macja e shtyrë në qoshe. Në fakt asnjë nga anëtarët e
rinj të NATO-s nuk kanë qenë në influencën tradicionale të Moskës deri para
fundit të Luftës së Dytë Botërore. Kurse Ukraina, siç shënuam më lart, u përpoq
seriozisht (por pa rezultat) për NATO-n vetëm mbasi humbi Donbasin e Krimenë.
Një Ukrainë e afërt me Europën mund të ruante marrëdhenie të mira fqinjësie me
Rusinë. Në frymën e Memorandumit të Budapestit; si në shembullin e Finlandës
apo Austrisë. Kjo ishte e mundur deri në vitin 2013 por dështoi për faj të
Putinit. Sot për sot është pa vend të diskutohet kjo temë. Me kismet kur në
Kremlin të vijë dikush tjetër.
4- Tirana e Prishtina:
shanse e mundësira
Tirana
po tregon unitet diplomatik me Perëndimin përmes rezolutave që po propozon tok
me ShBA në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo është pozitive
por jo dhe shumë efektive mbasi rezolutat që dënojnë Rusinë bllokohen rutinë
nga vetoja e Rusisë. Efekti është kryesisht PiAr. Ironikisht si shumëçka që bën
Edi Rama mund të guxonim të thonim.
Fatkeqsisht
Tirana nuk ndoqi shembullin e shteteve Balltike e Polonisë që prej javësh po e
furnizojnë Ukrainën me armë, municion, veshje antiplumb, etj. Për ndihma të
tilla qeveria e Kievit është lutur përditë. Jo se dërgesat tona do të
përmbysnin situatën por të paktën do të na tregonin seriozë e të vendosur.
Deklarimi për ndihma të djelën (27/02) nga qeveria kur edhe më pacifistët e
rusofilët i kanë dorëzuar ushtrisë ukrainase raketa antitank duket thjesht për
të larë gojën.
Po
kështu kur Polonia, Rumania e Sllovenia njoftuan të djelën paradite (27/02)
bllokimin e hapësirës ajrore për avionët rusë Tirana mund të kishte bërë të
njëjtën gjë. Deklarimi i qeverisë vetëm mbasi kjo nismë u zyrtarizua nga BE
tingëllon sërish si mbas pilafit.
Shumë
fatkeqsisht Kryeministri Rama nuk ka ende vullnet për të larguar Shqipërinë nga
nisma Minishengen/Ballkan Hapu. Tashti që kryesponsori i saj, Presidenti i
Serbisë Vuçiç nuk pranon të rreshtohet me Europën kundra Putinit kjo nismë
është shumë më ogurzezë se më parë.
Lidhur
me mbrojtjen e sigurinë kombëtare që tashti e tutje përballet me kërcënime më
të dukshme duhet një debat i ri. Argumenti se na mbron NATO në çdo rast, siç
dëgjojmë më së shumti nga mazhoranca, nuk mjafton. Padyshim anëtarësimi në NATO
në v.2009 ishte arritje historike; por ShBA po fokusohet tek Kina e Aleanca
Veriatlantike preferon të ketë anëtarë kontributorë të sigurisë e jo vetëm
konsumatorë të saj. Investimi më i madh në Forcat e Armatosura ishte blerja nga
qeveria Berisha e 6 helikopterëve me përdorim dual civilo-luftarak. Qeveria
aktuale me motivacion korruptiv ka copëtuar e bazat e Forcës Detare duke cënuar
seriozisht kapacitetet mbrojtëse. Ky trend duhet përmbysur.
Prishtina
ka një shans të madh: Vuçiç refuzoi të
dënojë agresionin e Putinit dhe sanksionet e BE-së e të Perëndimit. Nëse
Brukseli e të tjerë kishin mbyllur deri tashti një apo dy sy për vardisjet e
Beogradit ndaj rivalëve jomiqësorë të Evropës që nga 24 shkurti jetojmë në një
kohë tjetër. Konflikti është i hapur, i dhunshëm dhe rregulli dominues është
"o me ne o kundra nesh!". Prandaj në këtë moment që paradigma po
ndryshon objektivi më i dobishëm e më realist për Prishtinën është të marrë
njohjen diplomatike nga pesë shtetet e BE-së (apo katër të NATO-s) të cilat
ende hezitojnë. Që nga Greqia që është pranë deri tek Spanja që duket
kokëfortë. Natyrisht duke punuar me të mëdhenjtë e BE-së e të NATO-s.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
28 shkurt 2022