E merkure, 30.11.2022, 05:20 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Dashurohemi marrëzisht

E marte, 15.02.2022, 07:09 PM


Dashurohemi marrëzisht

Nga Edison Ypi

Në fshatin tonë për Dashurinë vrasim e vritemi, rrahim e rrihemi, vjedhim e vidhemi.

Një kushuriri im e njohu gruan kur ishte ushtar. Aq shumë e deshi, sa për hatër të saj rrahu një mëhallë të tërë.

Vëllai i tij kur u fejua, vetëm pse iu duk se dikush i hodhi një herë sytë të fejuarës së tij, theu mbi dyqint krahë, këmbë, brinjë, kyçe, të kujt i doli përpara.

Një djali i xhaxhait tim u marros pas një perrie në fshat. Babai i çupës s'deshte që s'deshte. I thoshte "s'je i sërës". Ky i tha; S'e ke lexuar Romeon dhe Xhulietën. Dashuria s'pyet për sërë. Lëri nazet. Babai, nga frika që mund ta merrnin për injorant që s'lexon libra, pa ç'pa ja dha çupën për grua.

Një tjetër fshatari ynë ja vuri synë një skraparlleshe. Mirpo e gjeti belaja. Nuk e dinte se skraparllesha kishte hapur fjalë; Ja marr burrë me shtatë çifligje, ja s'martohem kurrë. Dhanë e morën t'ja shkulnin nga mendja çifligjet, e çuan nëpër të gjitha magjistricat e Myzeqesë, deri në Teqenë e Alipostivanit, meazallah. Djali u çmend nga dëshpërimi. Skraparllesha në dritare me sytë në horizont pret kot Princin e Kaltër me shtatë çifligje.

Ehu sa raste të tilla kemi ne në fshat.

Ca që i deshën gratë aq tepër sa për tua plotsuar të gjitha tekat vodhën ose u muar me trafiqe dhe sot janë në burg.

Ca nëpër spitale psikiatrike, ca që nëpër botë janë martuar me zezake dhe kineze.

Në katundin tonë nuk numurohen të çmendurit nga Dashuria.

Para ca kohësh, dy burra, ndërkohë që vazhdonin ti dashuronin gratë e veta, ranë marrëzisht në sevda me gratë e njëri-tjetrit, ky me gruan e atij, ai me gruan e këtij. Në pamundësi të zbatimit të një kombinacioni poligamik me dy gra dhe dy burra që mund të këmbeheshin sa herë të donin, çka nuk e pranon Kanuni i shqiptarit, dy burrat pasi vranë gratë e njëritjetrit, vranë edhe njëritjetrin, dhe nga fshati ynë u zhduk një herë e mirë rraca e ultraliberalëve.

Dashurohemi "për vdekje" dhe "për jetë". Dashurohemi "jetevdekjepërqafuar".

Në miku im ra në dashuri me veten e vet. Braktisi gjithçka, grua, fëmijë, shtëpi. Ka ikur rri i mbyllur në një kasolle në faqe të kodrës në mes të ullinjve. Mban vetëm krëhër dhe pasqyrë. I çojnë për të ngrënë kush një tas me fasule kush një bidon me dhallë.

Kemi një beqar që për qamet s'i mbushet mendja të martohet. Është bestyt. Ka mësuar Kuranin përmendësh. Njerëzit e tij enden nëpër fallxhorë. Pinë kafe. Përmbysin filxhanin. Shohin çfarë thotë llumi për fatin e tij. Ai hiç. Jam martuar me Perëndinë, thotë.

Ne nuk dashurohemi me dashurira të lehta, dashurira të pashijshme, që nisin urtë e vazhdojnë butë, rrjedhin si mjaltë e rrëshqasin si gjalpë.

Ne gratë i dashurojmë marrëzisht.

Gratë ne na dashurojnë çmendurisht.

Që të dashurohemi sa më marrëzisht, ne edhe i rrahim nga pak gratë. Por rrallë. Vetëm në katundin Skavërr.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora