| E marte, 15.02.2022, 07:09 PM |
Dashurohemi marrëzisht
Nga
Edison Ypi
Në
fshatin tonë për Dashurinë vrasim e vritemi, rrahim e rrihemi, vjedhim e
vidhemi.
Një
kushuriri im e njohu gruan kur ishte ushtar. Aq shumë e deshi, sa për hatër të
saj rrahu një mëhallë të tërë.
Vëllai
i tij kur u fejua, vetëm pse iu duk se dikush i hodhi një herë sytë të fejuarës
së tij, theu mbi dyqint krahë, këmbë, brinjë, kyçe, të kujt i doli përpara.
Një
djali i xhaxhait tim u marros pas një perrie në fshat. Babai i çupës s'deshte
që s'deshte. I thoshte "s'je i sërës". Ky i tha; S'e ke lexuar Romeon
dhe Xhulietën. Dashuria s'pyet për sërë. Lëri nazet. Babai, nga frika që mund
ta merrnin për injorant që s'lexon libra, pa ç'pa ja dha çupën për grua.
Një
tjetër fshatari ynë ja vuri synë një skraparlleshe. Mirpo e gjeti belaja. Nuk e
dinte se skraparllesha kishte hapur fjalë; Ja marr burrë me shtatë çifligje, ja
s'martohem kurrë. Dhanë e morën t'ja shkulnin nga mendja çifligjet, e çuan
nëpër të gjitha magjistricat e Myzeqesë, deri në Teqenë e Alipostivanit,
meazallah. Djali u çmend nga dëshpërimi. Skraparllesha në dritare me sytë në
horizont pret kot Princin e Kaltër me shtatë çifligje.
Ehu
sa raste të tilla kemi ne në fshat.
Ca
që i deshën gratë aq tepër sa për tua plotsuar të gjitha tekat vodhën ose u
muar me trafiqe dhe sot janë në burg.
Ca
nëpër spitale psikiatrike, ca që nëpër botë janë martuar me zezake dhe kineze.
Në
katundin tonë nuk numurohen të çmendurit nga Dashuria.
Para
ca kohësh, dy burra, ndërkohë që vazhdonin ti dashuronin gratë e veta, ranë
marrëzisht në sevda me gratë e njëri-tjetrit, ky me gruan e atij, ai me gruan e
këtij. Në pamundësi të zbatimit të një kombinacioni poligamik me dy gra dhe dy
burra që mund të këmbeheshin sa herë të donin, çka nuk e pranon Kanuni i
shqiptarit, dy burrat pasi vranë gratë e njëritjetrit, vranë edhe njëritjetrin,
dhe nga fshati ynë u zhduk një herë e mirë rraca e ultraliberalëve.
Dashurohemi
"për vdekje" dhe "për jetë". Dashurohemi
"jetevdekjepërqafuar".
Në
miku im ra në dashuri me veten e vet. Braktisi gjithçka, grua, fëmijë, shtëpi.
Ka ikur rri i mbyllur në një kasolle në faqe të kodrës në mes të ullinjve. Mban
vetëm krëhër dhe pasqyrë. I çojnë për të ngrënë kush një tas me fasule kush një
bidon me dhallë.
Kemi
një beqar që për qamet s'i mbushet mendja të martohet. Është bestyt. Ka mësuar
Kuranin përmendësh. Njerëzit e tij enden nëpër fallxhorë. Pinë kafe. Përmbysin
filxhanin. Shohin çfarë thotë llumi për fatin e tij. Ai hiç. Jam martuar me
Perëndinë, thotë.
Ne
nuk dashurohemi me dashurira të lehta, dashurira të pashijshme, që nisin urtë e
vazhdojnë butë, rrjedhin si mjaltë e rrëshqasin si gjalpë.
Ne
gratë i dashurojmë marrëzisht.
Gratë
ne na dashurojnë çmendurisht.
Që
të dashurohemi sa më marrëzisht, ne edhe i rrahim nga pak gratë. Por rrallë.
Vetëm në katundin Skavërr.