Kulturë
Emin Azemi: Thellësia e vëzhgimit - rrjedhojë e leximit të vëmendshëm
E diele, 23.01.2022, 05:47 PM
THELLËSIA E VËZHGIMIT – RRJEDHOJË E LEXIMIT TË VËMENDSHËM
Për
librin me shkrime kritike letrare të Sabit Rrustemit, “Vepra letrare, një
grishje e përhershme”, e cila këto ditë doli prej shtypit përmes Shtëpisë
botuese, “Beqir Musliu”.
“[…]
të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes dhe i botës
njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive” - NADINE GORDIMER/1
Nga
Emin AZEMI
Libri
i Sabit Rrustemit “Vepra letrare grishje e përhershme” ndriçon një
fushëveprimtari tjetër përballë poetit dhe tregimtarit, që e kemi njohur
deri më tani. Punimet që janë përfshirë
në këtë vëllim dëshmojnë për një vokacion tjetër, ku autori përpiqet ta
“destilojë” shijen e leximit deri në kufij të skajshëm, deri atje ku ndodhen
pranë e pranë procesi i të shkruarit me aktin e vëmendshëm të leximit.
Pra,
me parimet që zbaton në këtë vepër, autori na i rikujton disa nga këshillat e
Senekës, sipas të cilit “nuk duhet as vetëm të shkruajmë e as vetëm të lexojmë:
sepse, ajo e para e brengos më tepër njeriun dhe ia rraskapit forcën, meqë
duhet të shkruajë, kurse e dyta e dobëson dhe shkakton cektësinë dhe hutimin e
shpirtit.
Duhet
kaluar shkëmbyerazi prej njërës dhe njërën me tjetrën duhet vënë në relacion të
drejtë, kështu që pena në tërësi ta përpunojë tërë atë që kemi mbledhur
duke lexuar….”/2
Ky
lexim i vëmendshëm i Sabit Rrustemit e shmang interpretimin e thjeshtëzuar, pra
mundëson ta përjetojmë letërsinë si një “krijimtari” e rëndësishme, ku secili
mund ta gjejë veten, pa frikën më të vogël se mund të humbas në xhunglën e
madhe të formulimeve teorike-estetike.
Për
këtë arsye veprat që vëzhgohen në këtë libër, vënë komunikim më të mirëfilltë
dhe i vërejmë vlerat në mënyrë më të lehtë dhe krejtësisht të liruar nga barra
e një lexuesi që paraprakisht (s’) duhet të pajiset me fjalor shpjegues letrar.
Këtë
barrë na e heq Sabit Rrustemi, shkrimtar me një shije të hollë për “menynë” e
përzgjedhur të vlerave letrare dhe me nivelin e lartë të kompetencës së
gjykimit për veprën letrare; shkrimtar i cili me këmbëngulje arriti të ndërtojë
konturat e veta prej krijuesi autentik, ku, siç thotë Borges-i, “[…] është e
rëndësishme që libri ta takojë lexuesin e tij, sepse nëse nuk e takon këtë
lexues, ai është shkruar kot/ 3”.
Për
rrjedhojë, pesha e gjykimit të tij ka dyfish vlerë: në njërën anë, veprën
letrare e vështron nga brenda, si një organizëm të cilit ia di çdo pjesë, mu
si një mjeshtër që i njeh edhe imtësitë,
që për bazë ka gjykimin e veprave të kolegëve shkrimtarë.
Sabit
Rrustemi e ka në ADN-në kulturën e refuzimit të animit të shpifur letrar,
prandaj edhe ky libër i tij na vjen mu në kohën kur recensionet afirmative më
shumë shkruhen me porosi, e më pak me bindje që buron nga ndërgjegjja e pastër
krijuese.
Në
kohën kur të shkruarit mbi letërsinë, në përgjithësi dhe, mbi poezinë në
veçanti, ndjek njëfarë gjedhi, ku vlerat dhe jovlerat futen në një thes, duke i
atribuuar poezisë edhe misione krejt të paqena, ndonëse një fenomen i tillë
ishte stigmatizuar që herët nga korifenjtë e mendimit botëror letrar.
Hugo
Friedrich theksonte: “Poezia nuk dëshiron të matet me atë që zakonisht quhet
realitet, ndonëse atë e përdor si trampolinë për lirinë e saj […]
Realiteti
është i ndarë nga rendi hapësinor, kohor, real dhe shpirtëror; ai mënjanon të
gjitha ato dallime që janë të nevojshme për orientimin normal në botë: midis së
bukurës dhe të shëmtuarës, afërsisë dhe largësisë, dritës dhe hijes, dhimbjes
dhe gëzimit, tokës dhe qiellit. Nga tre llojet e mundshme të të kënduarit lirik
– ndjenjat, vëzhgimet, shndërrimet – kjo e fundit dominon në modernitet, si në
pikëpamje mbi botën ashtu edhe mbi gjuhën/4”.
I
ndodhur mes harresës dhe kujtesës, njeriu ynë sot harron dy herë nëse nuk i
kthehet letërsisë së mirë, siç vepron një shtegtarë i largët që natën vonë gjen
rehatinë e çastit në një bujtinë të harruar, të cilën e vizitojnë vetëm të
pasionuarit e rrugëtimeve të gjata.
Sabit
Rrustemi ka vendosur të shkruajë për
autorë e tij të preferuar vetëm atëherë kur e ka kuptuar se nuk
mjaftojnë vetëm tribunat, promovimet e diskutimet letrare që organizoheshin
shpesh edhe nga ai vetë.
Me
këtë libër, ai jo vetëm që kontribuon në afirmimin e një plejade autorësh të
shquar, por me këtë bëhet edhe dëshmitar i një procesi letrar që u zhvillua
natyrshëm në kuadër të një sistemi të organizuar aktivitetesh botuese e
krijuese në qytetin e Gjilanit, ndonëse jo edhe pa ballafaqime e vështirësi,
sepse siç e thoshte Bertolt Breht “[…] ai që është i vendosur sot t’i përvishet
luftës kundër gënjeshtrës dhe padijes, për të shkruar të vërtetën, duhet të
dijë të kapërcejë të paktën pesë vështirësi. Duhet të ketë kurajën për të
shkruar të vërtetën, atëherë kur atë e kanë mbytur kudo; zgjuarsinë për ta
njohur, sepse ajo është fshehur kudo, mjeshtërinë për ta shndërruar atë në një
armë të përshtatshme; mprehtësinë për të zgjedhur pikërisht ata njerëz në duart
e të cilëve ajo bëhet e efektshme dhe dinakërinëpër ta përhapur atë në mes
njerëzve të tillë/5”.
Në
letrat shqipe s’janë të panjohur autorët që lëvrojnë disa zhanre letrare, por
të paktë janë ata, që kanë arritur të jenë gjithëpërfshirës në pikëpamje të
vokacionit krijues dhe të ruajnë drejtpeshimin në mes të krijimtarisë dhe
kritikës letrare.
Kjo
mbase do të ketë qenë edhe arsyeja pse Sabit Rrustemi deri më tani ka hezituar
të shkruajë mbi çështje teorike – estetike të letërsisë, duke e gjetur te
vetvetja zërin e brendshëm krijues, ku edhe dha prova serioze në lëvrimin e
zhanreve të shumta letrare, sidomos të poezisë dhe prozës.
Pa
dashur të duket si një autor me prirje eklektike mbi letërsinë, Sabit Rrustemi
megjithatë i rreket punës të përmbushë një detyrim intelektual e qytetar ndaj
disa autorëve që kishin ndikuar në dinamizimin e jetës kulturore-letrare në
rrethin e Gjilanit, prej nga vjen edhe brumi i këtij libri, të ndarë në katër
pjesë, ku secila pjesë sjell natyrshëm veçantitë e prurjeve krijuese të disa
autorëve në zhanre të ndryshme: poezi, prozë, dramë e kritikë letrare.
Qoftë
si burim informacionesh letrare mbi vepra dhe autorë të ndryshëm, qoftë si
referencë vlerësimi mbi specifikat dhe kahet e zhvillimittë letërsisë sonë, ky
libër është një udhërrëfyes i dobishëm që na ndihmon të qartësojmë gjykimin
tonë mbi prodhimin letrar që aktualisht gati nuk vërehet nga kritika letrare,
sidomos kur kemi të bëjmë me autorë, bie fjala, si Agim Gjakova, Ibrahim
Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala, Albinë Idrizi, Linditë Ramushi,
Muhamet Halili e ndonjë tjetër, të cilët janë aktivë dhe imponues me vlerat e
tyre krijuese.
Si
çdo vepër e arrirë, edhe ky libër me vështrime letrare i Sabit Rrustemit, do ta
gjejë rrugën për të depërtuar në horizontet e pritjeve letrare, ndonëse kjo
rrugë vazhdon të jetë e vështirë në kohën kur globalizmi dhe transformimi
teknologjik mediatik i ka zhvendosur disa përbërës në hierarkinë e vlerave
krijuese e humane, aq më tepër kur “në rrugën e njeriut, arti është paraqitur
si pantera misterioze e Dantes.
Duke
ecur para njerëzimit, në këtë rrugë ende djallëzore të ngjarjeve njerëzore,
arti mes lëvizjes zigzage të egërsirës, orientohet nën yje dhe midis
vullkaneve”/6
(Shkup, janar 2022)
_________________
Fusnotat:
1 . Shkëputje nga fjala
e mbajtur me rastin e nderimit me çmimin
Nobel për letërsi më
1999.
2. Seneka, Letra
Lucilit. “Rilindja”, Prishtinë 1983, f. 88.
3. Jorge L. Borges,
Biseda. Tirana Times, f. 231-232.
4. Hugo Friedrich,
Struktura moderne lirike. “Stvarnost”, Zagreb,
1969. f. 6-7.
5. Bertolt Breht, Pesë
vështirës për të shkruar të vërtetën. Shih “Studime
kritike”. Shtëpia
botuese “Naim Frashëri“, Tiranë, 1982, f. 33
6. Mirosllav Kërlezha,
Kuptimi i poezisë. Shkëputur nga libri “Ese”.
Botoi “Rilindja”, 1982,
f. 54.