E diele, 27.11.2022, 01:49 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: As në tokë, as në qiell

E diele, 16.01.2022, 11:45 AM


Blerim Latifi:

Në vitin 1991, kur plumbat e parë të luftërave ndëretnike në Jugosllavi tanimë ishin shkrepur, në Hagë ishte organizuar një konferencë ndërkombëtare për të shpëtuar Jugosllavinë nga dezintegrimi i përgjakshëm. Konferenca dështoi, sepse obstruksionet e Millosheviqit u trajtuan gabimisht nga negociatorët perëndimorë. Ata mendonin se Millosheviqi do të zbutej duke u bërë lëshime të vazhdueshme kërkesave të tij. Rezultati ishte krejt tjetër: sa më shumë lëshime i bëheshin Millosheviqit, aq më kërkues dhe më agresiv bëhej ai. Kështu Konferenca e Hagës dështoi dhe masakrat filluan.

Sot Perëndimi është duke përsëritur të njëjtin gabim me ish ministrin e Millosheviqit, Vuqiçin. Mendojnë ta zbusin duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme. Sigurisht rezultati që do të marrin do të jetë i njëjtë me atë të vitit 1991. Sepse, ndonëse kohët kanë ndryshuar, apetiti serb për hegjemoni në rajon është i njëjtë me atë të vitit 1991.

Në këtë kontekst duhet parë edhe presioni i padrejtë i vendeve të QUINT-it që ne të pranojmë poshtërimin nga Serbia duke pranuar zhvillimim e referendumit të saj në territorin e Kosovës me anë të qendrave të votimit. Një praktikë kjo që as nuk mund të imagjinohet, e le më të lejohet në shtetet e QUINT-it.

Kjo lloj diplomacie e presionit mbi palën e dobët dhe marrja me të mirë e palës së fortë mund të shpie gjithkund, veç drejt paqes asnjëherë. Janë qindra shembuj që e konfirmojnë këtë, përfshirë edhe vetë historinë e shkatërrimit të Jugosllavisë.

Të dielën ka gjasa të ketë probleme serioze, por edhe ulja e kokës nga frika prej tyre sigurisht nuk do të na sjellë asnjë përfitim.

Më mirë të humbësh në betejë, se sa të dorëzohesh pa hy fare në të!

Për qyqarët nuk ruhet asnjë fat askund!

As në tokë, as në qiell.

_________

Kur qeveria doli me qëndrimin se nuk do ta lejojë referendumin e Serbisë në Kosovë, partitë opozitare dolën me të njëjtin qëndrim. Pastaj nisi presioni ndërkombëtar kundër këtij qëndrimi. Partitë opozitare filluan të lëkunden. U thirr seanca parlamentare. Sigurisht qeverisë i duhej një mbështetje nga i gjithë spektri politik shqiptar që të fuqizonte qëndrimin e saj. Partitë opozitare e gjykuan gabimisht këtë veprim, duke parë në të një lojë të Kurtit për shpërndarjen e përgjegjësisë. Duke besuar se kryeministri do të turpërohej të dielën, PDK u tërhoq krejtësisht edhe nga pjesëmarrja në seancë, ndërsa LDK dhe AAK nuk e bënë këtë gabim taktik. Tash Serbia qenka tërhequr nga planet për ta mbajtur referendumin në Kosovë. Nuk kishte si të vepronte ndryshe pas qëndrimit të OSBE- së se pa bashkëpunimin e palës kosovare ajo nuk do të mund të veprojë. Kjo është një fitore e Kosovës përballë përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta minuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Natyrisht, duhen njohur meritat e qeverisë në arritjen e këtij suksesi. Serbia duhet të mësohet me idenë se në Kosovë nuk mund të sillet sipas tekeve të saj. Është në dorën tonë që t'ia mundësojmë këtë mësim. Pak nga pak. Hap pas hapi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora