Faleminderit
Kastriot Dervishi: Qani Sadiku - një prej qëndresëtarëve më tipikë të diktaturës komuniste
E enjte, 02.12.2021, 08:04 PM
Qani Sadiku
Nga
Kastriot Dervishi
Ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë që e mundoi për disa muaj, në moshën
71-vjeç një prej qëndresëtarëve më tipikë të diktaturës komuniste, Qani Sadiku,
duke lënë në pikëllim familjarët dhe miqtë e tij, për të cilët shkojnë
ngushëllimet. Ai vuajti 16 vjet dhe 4
muaj heqje lirie në vitet 1973 dhe 1975-1991. U dënua katër herë dhe internua
një herë (për shkak se banonte në zonë kufitare). Hyri në burg 25 vjeç dhe doli
andej 41 vjeç.
Qaniu
vuajti dënimin në këto kampe, sipas viteve:
1974-1980
Reparti nr.303 Spaç
1980-1988
Reparti nr.321 Burrel
1988-1991
Reparti nr.305 Shën Vasi, Sarandë
Qaniu
shquhej si njeri i traditës dhe për humorin e tij. Edhe i sëmurë, kurrë nuk
jepej dhe dinte të qëndronte. Në dënimin e dytë, gjykata e akuzonte se kishte
thënë se “në Shqipëri njerëzit e pushtetit pinin gjakun e popullit ndërsa në
vendet kapitaliste jetohej mirë”. Në ridënimin e vitit 1981 gjykata citonte se
fjalët e Qaniut: “Shumë e zgjatën këta maskarenj, shumë poshtërsi që kanë bërë
në kurriz të popullit do t’i paguajnë shtrenjtë dhe shkaktarë janë dy
udhëheqësit kryesorë të partisë e shtetit. Por kur të vijë dita jonë do t’i
shkulim me gjithë rrënjë dhe do të kemi qeveri tjetër”.