Mendime
Enver Bytyçi: Shqipëria ka një kryeministër të përzgjedhur e të emruar nga Beogradi!
E premte, 03.12.2021, 10:33 PM
Shqipëria ka një kryeministër të përzgjedhur e të emruar nga Beogradi!
Nga
Enver Bytyçi
Ai
shkoi përsëri në Vlorë! Vlora është shtëpia dhe dashuria e tij e parë. Dikur
kishte premtuar se do ta kalonte pleqërinë në Kuç të Vlorës së bashku me një
mikun e tij. Tani ka harruar të shkojë në Kuç. Shkoi pas shumë kohësh atë ditë
të fushatës elektorale, kur iu desh të komunikonte hartën rozë e blu të
Shqipërisë në zgjedhjet e 25 prillit!
Dje
ishte 28 nëntori. Kishte shkuar në qytetin bregdetar një ditë më parë. Darkën e
hëngri në shoqërinë e 28 vetave diku aty te Lungomare, në katin përdhe, në
restorantin e tij të preferuar, ku peshku gatuhet si askund tjeter. U ngrit në
mëngjes dhe nuk donte t'i fliste askujt. E bezdiste gjithçka. Duhej të shkonte
në ngritjen e flamurit në të 109-tin vit të pavarësisë. Por aty ndodheshin dhe
dy personazhe të padëshirueshme për të. Presidenti i Republikës dhe kryetari i
Bashkisë së qytetit. Asnjërin nuk mund ta mënjanonte nga protokolli shtetëror.
Atëherë
mbetej vetëm që të mos fliste me ta. As mos ua jepte dorën. Dhe ashtu bëri. Si
asnjëherë tjetër zgjodhi të qëndronte në anë të rrjeshtit ceremonial. Ai që
kërkon vëmendje edhe në mesin e shefave të shtetit dhe të qeverive të vendeve
të NATO-s dhe BE-së, të dielën e shkuar ishte në anë të atyre që nderonin
monumentin e Pavarësisë në Vlorë! E gjitha kjo për një ego më të madhe, apo për
një simbolikë më kumtuese?!
Le
të kthehemi në kohë vetëm pak ditë më parë. Presidenti i Republikës së
Shqipërisë i bëri një sfidë. Ditën që kryeministri i vendit do të fliste online
para parlamentit të Serbisë dhe do të duartrokitej me ovacione nga deputetët e
këtij parlamenti, presidenti shkoi në një universitet të Prishtinës dhe mbajti
një fjalim me mesazhe të kundërta me ato të kryeministrit. Po atë ditë, miku i
tij, president i Serbisë ishte në Moskë dhe bisedonte me presidentin Putin. E ndërkohë
pak orë para se kryeministri të fliste në Beograd me entusiazëm për Open
Balkanin e Serbisë, presidenti shqiptar foli nga Prishtina kundër tij. Ishte
një sfidë e papranueshme.
Prandaj
dhe kryeministrit nuk po i dilte inati as në ditën e bashkimit kombëtar. Se
inati i tij është më i madh se dashuria për atdheun, më i rëndësishëm se e
tanishmja dhe e ardhmja e kombit shqiptar. Me inatin e tij ai sfidon këdo, edhe
Angela Merkelin. Por në ikje të saj ama, siç kishte sfiduar ish-presidentin
amerikan, Donald Trump, duke besuar se ai nuk do të bëhej president i vendit më
të fuqishëm të botës.
Ndërkaq
inatin e kryeministrit shqiptar e kemi parë në të gjitha marrëdhëniet me
kundërshtarët e tij. Me Ramush Haradinajn, kur në nëntorin e vitit 2018 në
mbledhjen e përbashkët të qeverive në Pejë, i tha se "Ti je gomar që i
thua Thaçit tradhtar"! Me Ibrahim Rugovën, kur në vizitën e tij të parë në
Kosovë e injoroi deri te mos përmendja e emrit në përshëndetjen e tij në
parlamentin e Kosovës! Me Albin Kurtin në kurthet që ia ngriti me personazhe
kompromentuese si aktori francez me pasaportë ruse, Gerad Depardieu, apo me
oligarkun e preferuar të tij, Gjergj Luca! Ky i fundit ka hyrë në zemrën e
kryeministrit të Shqipërisë për shkak të muraleve me foton e tij në ambjentet e
biznesit që ai ka në Labinot të Elbasanit.
Inati
i kryeministrit është i provuar në shumë dimensione. Deri te dosjet e
përgatitura, sipas FOX News-it amerikan, nga ish e fejuara e tij, Dalina Fico,
për shpalljen non grata të Sali Berishës! Vetëm në çuarjen deri në fund të
hakmarrjes dhe inatit kryeministri shqiptar nuk ka shok të dytë. Por a është
vetëm kjo arsyeja e këtij misioni të tij për ta përçarë dhe për ta denigruar
kaq egër politikën shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoninë
e Veriut e gjetkë?! Besoj se jo.
Arsyeja
kryesore e këtij programi të kreut të ekzekutivit tonë është misioni i tij! Ai
ka një mision! Tashmë ky mision është i njohur. Kush nuk e njeh ose është
injorant, ose është i verbër! Ky mision ka të bëjë me rivendosjen e paritetit
serb në rajon. Pra ta rikthejë Serbinë në nivelin e autoritetit dhe prestigjit
të kohës së Jugosllavisë paramiloseviçiane. Ta reklamojë Serbinë si aktor pa të
cilin Ballkani do të jetë gjithmonë në konflikt! Pra ta rehabilitojë atë Serbi
që shkaktoi dhjetra e qindramijë viktima në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë dhe
në Kroaci! Shkurt ta rikthejë atë kundër viktimave të këtyre vendeve. Për këtë
arsye ne e dijmë se që nga koha e Garashaninit, Nikolla Pashiqit e deri te
Milosheviçi suksesi i Serbisë është bazuar te përçarja e politikës shqiptare
dhe vendeve të tjera në rajon. Pikërisht këtë rol e ka kryer kryeministri i
Shqipërisë me mjeshtëri të jashtëzakonshme dhe me vullnet gjithashtu të
jashtëzakonshëm! Dhe ka arritur sukses të padiskutueshëm!
Në
këtë skemë përçarjeje bën pjesë edhe sjellja e së dielës së shkuar në Vlorë në
ditën e bashkimit kombëtar! Ai aty dha provën e besnikërisë së tij ndaj
misionit që ka marrë përsipër në Beograd! E pa vërtetuar dhe e pa shpjeguar
mbetet vetëm fakti se me çfarë e si është paguar nga Beogradi! Por se Shqipëria
ka një kryeministër të emruar e jo vetëm të përzgjedhur në Beograd, kjo tashmë
nuk ka nevojë për t'u provuar. Gjithçka është e qartë!