E hene, 27.09.2021, 11:22 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Magji, magji… Vetëm magji

E shtune, 11.09.2021, 07:55 PM


Më këmbë nëpër terrenin e vështirë, aq edhe të bukur, të një natyre të mrekullueshme, që të frymëzon

Magji, magji… Vetëm magji

“…Nëpër male e nëpër fusha

pa pushue, pa xanun vend

përpin rrugën si arusha

nji shtegtar me gjith' gazmend…”.

Ndre Mjeda

Nga Pëllumb Gorica

Curraj i Epërm. A keni dëgjuar për këtë vend magjik andej nga shtrihen Alpet Shqiptare?!

Cilido që e ka dëgjuar do të udhëtoj në një botë të panjohur, të një Shqipërie që fsheh e hap para syve monumente madhështore të Natyrës.

Vetëm një shtysë, si pasioni i udhëtarit të bën të ngrihesh herët nga shtrati i ngrohtë pa u shuar yjet e t’u “ hipësh këmbëve” , të zbulosh mrekullinë e Currajt të Epërm. I përshkon 250 km nga Tirana për të shkuar e po aq për t’u kthyer (ju do thoni është larg) nëpër qytete e fshatra të Veriut, nëpër lugina të thella e lumenj, mes bjeshkëve e rrëzë majave krenare; të ndalosh në bujtina, të bashkëbisedosh me banorë, të njohësh legjenda, dëshira e pasione të gjithfarëllojta.

Ecën rrugës gjarpërushe e të asfaltuar nën shkëmbin e Rajës, mbi liqenin e Komanit

Një cep Parajse

Ajri i freskët tregonte se na priste një ditë e mirë. Vapa e madhe e pak ditëve më parë ishte fashitur dhe Vjeshta po nxitonte të zinte vendin e saj. Pas një kthese shihej rruga për ku ishim nisur; shikoj gjarpërushen e saj të asfaltuar nën Shkëmbin e Rajës, mbi liqenin e Komanit. Më tej, e pashtruar, rruga dredhon buzë lumit të Nikaj Mërturit.

Përveç Artanit që e kishte shkelur disa herë, asnjë nga ne të tjerët nuk e njihte Nikaj Mërturin. Si kalon urën, para se lumi të derdhet në një hidrocentral të vogël fillon e përpjeta. Për shkak të gjelbërimit rrjedha e lumit mes gurëve dhe brigjeve kishte marrë ngjyrën e tij. Maja e ashpër e Rukute shfaqej frikshëm në atë peizazh. Nën të shtrihej Curraj i Poshtëm.

Vështroj Currajn e Poshtëm, kullat, pyllin, drurët frutorë dhe arat e pakta të qëndisura nga dora e banorëve punëdashës

Hyjmë në Curraj të përshëndetur nga të lehurat e qenve. Të paktë banorët, të pakta kullat (tashmë me mure të rrënuara të rrethuara nga ferrat) që edhe shikimet monotone u vrasin syrin. Curraj i Poshtëm dikur kishte 80 shtëpi; sot as 15 nuk janë. Vështrojmë kullat, pyllin, drurët frutorë dhe arat e pakta të qëndisura nga dora e banorëve punëdashës, që i përkushtohen çdo ditë së mirës, duke derdhur djersën e vet me gjithë mungesat e vështirësitë.

Hodhëm sytë në anë të rrugës dhe lexojmënjë tabelë, “Bujtina Lekaj”. Xhovalin Lekaj e kishte kthyer kullën, në një bujtinë që brenda dhe jashtë saj kishte tipare karakteristike, ku ndërthuren tradicionalja me modernen; duke shijuar ushqimet e pakrahasueshme natyrale, nga arat, pemëtorja, nga Gjëja e Gjallë e rritur në kullota alpine e me ujë bore.

Ata që e vizitojnë magjepsen nga peizazhi madhështor që të shfaq Natyra; maja malesh dhe mbi të gjitha qetësi; të përjetojnë mikpritjen mbresëlënëse e tëdëgjojnë historitë e sakrificave të mbijeteses së bijve e bijave të Currajt.

Gjovalini të ngjall respekt me vështrimin njerëzor, fjalët gjithë muzikalitet mahnitës.

Ai është një mik i mirë; nga ata që rrallë i gjen sot; me ngjizje dokesh, zakonesh, virtytesh e sjelljesh, si burrat e moçëm, të njohur me miq dhe shokë të panumërt; herë autoritar dhe herë i ndjeshëm ndaj dukurive sociale e shoqërore.

Thellë në shpirt m’u duk sikur takova një mik të vjetër, që po e kërkoja prej kohësh

Aty para bujtinës, nën hijen e pjergullës, Gjovalini nisi bisedën që kishte brenda kripën dhe piperin. Thellë në shpirt të duket sikur takon një mik të vjetër që po e kërkon prej kohësh. Ajo rrjedh, dashje pa dashje, edhe tek politika, gjë që në fakt është bërë më se e zakonshme. I shpreh mendimet si një libër i hapur për zanatet që ushtron, si mjeshtër ndërtimi, sharrëxhi, kopshtar, apo bletërritës.

Është kënaqësi ta dëgjosh këtë fjalëartë, kur lartëson historinë e fisit legjendar (me shumë histori luftrash e përpjekjesh deri në kufijtë e mbijetesës) të Nikaj – Mërturit; traditat e ruajtura nga brezi në brez; për mikpritjen e pashoqe të banorëve që jetuan e jetojnë me natyrën e pakrahasueshme; për braktisjen e fshatrave; për ritin e gjëmës së burravedhe piskamën në kohëra, gjë e cila ishte mjet komunikimi midis fshatrave, kur lajmërohej në raste gëzimi apo fatkeqësish.

Të ngacmonte kureshtja të mësosh rreth legjendës së Vorrit të Fratit. Gjovalini e tregon me endje të çuditshme, midis fantazisë dhe së vërtetës:

Një natë çobani zbriti në fshat për festë dhe e lidhi qenin me emrin Fratelo pranë dhenve. Natën ujqërit sulmuan vathën dhe prenë gjashtë kokë dele. Qeni këputi zinxhirin dhe i mbyti ujqërit, duke i palosur dhe i vuri sipër delet. Çobani vjen të nesërmen nga festa. Kur shikon delet e prera e qenin e zgjidhur (duke menduar se ai i ka pre) merr pushkën dhe e vret e më pas, kur lëviz delet e dalin tre ujqërit e mbytur, mërzitet shumë dhe varros me nderim qenin, sikur të ishte njeri. Pleqtë e moçëm na e kanë sjellë legjendën, ashtu siç tregohej për një qen, që, sidoqoftë, dukej se ishte ku e ku më e parëndësishme; sepse, për t’i shkuar historive deri në fund, me emërtimin Frati, aso kohe thuhej për priftin, që njerëzit i besonin aq shumë. Kur turku i përzuri fretrit nga Dardania dhe Malësia e Gjakovës, duke e kthyer popullsinë në fenë myslimane, ata ikën më këmbë për të kaluar nëpër Dukagjin e Shkodër. Disa prej tyre ishin të moshuar. Vdiq njëri prej tyre dhe shokët e tij e varrosën në Curraj të Epërm, ku sot e kësaj dite i thonë tek Vorri i Fratit. Dhe duke vazhduar rrugën pa u ndalur nëpër bjeshkë, kalojnë në Qafë të Kolçit. Aty vdes edhe një frat tjetër. Dhe këtë shokët e varrosin po aty. Të tjera vorre sikur ishin të lidhura me historinë e këtyre vdekjeve: Vorri i Fratit në Janosh; Vorri i Fratit përmbi Thika të Shalës në Pelosh të Kelmendit; Vorri i Fratit te Fusha e Bunës e në Shkodër, etj.”

  Pas disa çastesh ne e harruam bisedën dhe ai filloi të luaj me çifteli një melodi. Shpesh, kur e nderojnë miq e udhëtarë të largët, çiftelia dhe këngët e mbushin kullën e tij me një klimë lirike. Çaste të tilla e zbukurojnë jetën tonë, sepse kompleksiteti i çudirave të kësaj bote ( jemi të mbërthyer nga grija e cila nuk ka shënja se do të na lërë shpejt) po anashkalon shumë vlera.

Të ngjitesh mes shenjëzave  nëpër gurë

Mrekulli si në përrallë

Njerëzit shpesh i ka brejtur kureshtja që të shohin me dritë sysh se çfarë ka matanë majave të larta, të ndjejnë dhe përjetojnë të veçantën, të bukurën e një Parajsë tokësore.  

Ecim drejt Curraj të Epërm mes shenjëzave orientuese, kah relieveve të stërgjatura e të thepisura, që duken sikur do të bien mbi kokë. Hap krahët për të përqafuar ato. Drita e diellit dhe hijet zmadhojnë format e tyre me ngjyra të magjishme. Drurët e dendur bëhen më të rrallë e më të shkurtër, për t’ia lënë vëndin shkurreve të ulta e ca barërave të ashpra që zhduken afër majave të thepisura.

Rrasa e Currajt. Rrugëtim magjik, në Currajn e Epërm

Aty, te Rrasa e Currajt, bëjmë një pushim. Vallë këtu kalëronin agët e Jutbinës?! Masim me sy rrugën që kemi bërë. Nga këtu shfaqej Curraj i Poshtëm, Kodra e Spahisë, ku shtrihej Shëngjergji, Bëtosha e Tetaj, si të varura në qiell, sa të mbajnë mbërthyer, të ndjehesh zog. Ajri plot freski të shton ndjesinë e çlodhjes, marrim forcë, nuk e ndjejmë lodhjen. Adhuron magjinë e qetësisë. Nga ajo lartësi ku jemi, thellë, më poshtë, në fund të faqeve të thikta, andej e këtej, nëpër lugina të mbytura nga pyje, merrnin vrapin tatëpjetë në shtratin e stërlashtë ujërat e blujta të lumit të Currajt, të pastra si loti, të bollshme, të pastra që belbëzojnë ca histori të moçme. Qielli ishte spërkatur nga re të bardha që duket sikur i ka shtyrë një dorë drejt majave të Kakisë, të Ndërmajës, të Shtyllës së Grisë, të Dhive, deri te Perandoria e Majës Së Hekurave. Kalojmë Gjytezën e Grykës, ku ka mure të lashta dhe plot kullota. Hapa krahët për të përqafuar majat atje larg. Kryqe të shumtë i ndesh rrugës. Përreth dëgjohet kënga e gjinkallave, e bulkthëve dhe e ndonjë mëllenje, apo pëllumbi të egër, që të ngjajnë me një orkestër të drejtuar nga një dirigjent i padukshëm.

Mbërrijmë në Curraj të Epërm, të rrethuar nga të gjitha anët, prej kreshtash e majash të larta, si një pikturë madhështore. Përveç pamjes magjepëse të luginës, ka pafundësisht gjëra të bukura për t’u parë. Maribeli vetëm dhjetë vjeç, eci pesë orë më këmbë deri në Curraj të Epërm. U gëzohej tufave të deleve dhe luante me qentë. Vetëm Natyra, di të pikturojë me penelatat e saja këtë peisazh të mrekullueshëm. Para bjeshkës së bekuar, të Qerecit, “Shkami i Forcës”, një mbretëri guri, që kishte rrëshqitur nga mali me shekuj; ndoshta më së shumti nga orteqet, ku burrat masnin forcën me njëri-tjetrin dhe vetja u bëhej si një nga kreshnikët, që kishte thyer rimat e eposit për ta gjalluar në kohën moderne.

Nuk mund të rrish pa prekur  argjendarinë natyrore të Currajt

Duke shijuar gjithçka që mund të shijoje, ato mrekulli si në përrallë, larg rrëmujës, hipokrizisë, mashtrimit dhe maskave njerëzore, nuk mund të rrinim pa prekur nga afër argjendarinë natyrore të saj: Pyjet mistike të ahut, ara, livadhe, ujëvara, vendkalime druri (Shkapërcyell) puse uji e kopshtie me drurë frutorë, shumica me mollë, kumbulla, thana, gështenja dhe arra (që rrëzoheshin para këmbëve bashkë me mbëshjellëset e gjelbërta, të çara vënde -vënde, gati për të dalë, siç del zogu nga veza).

Kullat prej guri të latuar shëmbëllenin si kështjella, jo vetëm për nga madhësia, por edhe nga vlerat e historisë. Ato të krijojnë (për çudi), një ndjenjë epike, me arkitekturën në funksion të njeriut dhe dobishmërisë së tij.( Kulla e Thepit me funksionin e pajtim të gjaqeve). Brezi i ri, i mësuar me pallate, stepet përpara arkitekturës së tyre, nga qoshet e gdhendura, nga harkonadat e dyerve, nga dritaret me vetulla, nga çatitë, pragjet, tavanët e stilizuar e kalldrëmet, që kanë qenë e mbeten dëshmi të një kulture të lashtë.

Majat e ashpra e bënin më madhështor atë peizazh

Gjithë udhëtarët (të huaj sidomos) që e kanë përshkuar këtë vend qysh në shekullin XVII e deri më sot, kanë shkruar, se i ka lënë pa frymë bukuria e Natyrës. Jo më kot ky është vendi më tipik i legjendave me Orë e Zana. Natyrë e pa cënuar nga duart dhe mëndjet e liga.

Curraj i Epërm dikur ishte vend stanesh, pastaj u popullua dhe u kthye në fshat. Ndodh që koha ndryshon, zhduk, apo zbukurohet nga njeriu, nga faktorë klimatikë dhe kushtet e jetesës. Banorët e Currajt të Epërm për shkak të largësisë nga qendra më e afërt e banuar (deri para dy vitesh nuk ka pasur rrugë makine) pas Viteve Nëntëdhjetë, që as ishin menduar e as ëndërruar, ikën nga vatrat stërgjyshore drejt qyteteve e zonave fushore, duke sjellë një shpopullim tronditës.

Largimet dhe boshatisja e kullave ka krijuar një pamje, qe nuk shpreh bukurinë shpirtërore, por pikëllimin, shoqëruar me boshllëk ku harlisen ferrat, në arat djerrë, në pemëtoret e stanet. Kullat janë kthyer në rrënoja, sikur të jenë goditur nga një tërmet i fortë, aq sa i japin luginës një frymë arkaike. I shikojmë me sy dhe i prekim me dorë. Dikur brenda tyre gëlonte mishi i butë i jetës. Midis gjërave ndryshe, vëmendjen e mori kisha, si një përmendore që heshtte nga mungesa e besimtarëve dhe priftit. Ajo u mbrojt nga Serbët më 1915; i shpëtoi edhe shkatërrimit të vitit famëkeq 1967. Kur arritëm aty, ne nuk mund të ishim indiferent para saj.

Morëm rrugën e kthimit. Ishte më tepër se një udhëtim, me plot mbresa të pashlyeshme, të bindur se gjithçka që kemi parë nuk ishte ëndërr, por një e vërtetë. Kurrë nuk kishim qenë më afër kësaj madhështie. Udhëtari çon dhe njëherësh sjell diçka nga një udhëtim. Dhe vjen një çast me emocione të mëdha, të cilët armatosin mendjen dhe dorën, sa që nuk mund të rrish pa i hedhur në letër.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Copyright © Pëllumb Gorica

Maribeli vetëm dhjetë vjeç, eci pesë orë më këmbë deri në Curraj të Epërm. U gëzohej tufave të deleve dhe luante me qentë

Vetëm Natyra, di të pikturojë me penelatat e saja këtë peisazh të mrekullueshëm

Vëmendjen e mori edhe kisha e Shna Ndout, si një përmendore që heshtte nga mungesa e besimtarëve dhe priftit

Vallë këtu kalëronin agët e Jutbinës!

Ujërat e blujta, të bollshme e të pastra si loti, belbëzojnë ca histori të moçme

Udhëtarin e ka brejtur kureshtja që të shoh me dritë sysh, se çfarë ka matanë majave të larta

Trishtohesh, kur e sheh në këtë gjendje këtë kullë të hershme

Që andej gjithë Curraj i Epërm dukej si në pëllëmbë të dorës

Pusi i peshqve parajsë në tokë

Përveç pamjes magjepëse të luginës, ka pafundësisht gjëra të bukura për t’u pare

Për shkak të gjelbërimit Liqeni i Komanit kishte marrë ngjyrën e tij

Dikur brenda  kullave gëlonte mishi i butë i jetës

Lumi i Mërturit bashkë me rrjedhën sjellë befasi të pakëndëshme

Lumi i  Mërturit i bashkohet Liqenit të Komanit

Liqeni i Komanit

Kullat shëmbëllenin si kështjella, jo vetëm për nga madhësia, por edhe nga vlerat e historisë

Kullat e rrënuara, të rrethuara nga ferrat, sikur ishin goditur nga një tërmet i fuqishëm

Kulla e Thepit me funksionin e pajtimit të gjaqeve

Kryqe të shumtë i ndesh rrugës

Hapa krahët për të përqafuar majat  atje larg

E gdhendur në dru tabela “Bujtina Lekaj”

“Shkami i Forcës”  ishte vendi ku burrat e Curraj të Epërm masnin forcën me njëri-tjetrin



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora