Kulturë
Ferid Agani: Ibush Reçica - Mëshira
E marte, 09.02.2021, 08:48 AM
RECENSIONI PËR LIBRIN NË DORËSHKRIM “MËSHIRA” I, II TË IBUSH REÇICËS
Nga
Prof. Ass. Dr. h.c. Ferid Agani
Të
shkruash libër për mëshirën si njërën prej kategorive më fundamentale etike në
periudhën post-deontike të neoliberalizmit dhe modernizmit global që aktualisht
po e jetojmë, ka paraqitë sfidë dhe reflektim të veçantë gjeniunintelektual dhe
emocional të shkrimtarit të mirënjohur Ibush Reçica ndaj trendëve dramatike të
degradimit etik e moral me të cilin çdo ditë është duke u ballafaquar shoqëria
jonë dhe lirisht mund të themi qytetërimi mbarëbotëror. Në këtë kontekst
socio-psikologjik libri “Mëshira” I, ll vjen si freski falë përpjekjeve të suksesshme
të autorit që të pasurojë sferën njohëse të lexuesit përkitazi me mëshirën si
njërën prej vlerave të sfondit të ndërgjegjes që sipas teorisë psikodinamike të
funksionimit psikik paraqet njërin prej themeleve mbi të cilin ndërtohet
personaliteti i njeriut.
Në
këtë vepër autori bënë përpjekje serioze që duke ndriçuar aspekte të ndryshme
të konstruktit poliedrik etik e moral të mëshirës njerëzore, t’ia mundësoj
lexuesit të kuptuarit e saj më të plotë e më të drejtë si njërit prej aspekteve
më fisnike të sjelljes së njeriut me rëndësi të veçantë për stabilitetin dhe
cilësinë e marrëdhënieve ndërnjerëzore si bazë e
kohezionit social. Duke vënë theksin në mëshirën si njërën prej vlerave
esenciale të korpusit etik të funksionimit të njeriut, libri na mundëson që
duke e kuptuar atë në mënyrë gjithëpërfshirëse si mënyrë specifike të
marrëdhënies së njeriut me të tjerët dhe veten, të synon baraspeshën e
domosdoshme ndërmjet funksionimit konjitiv, emocional e shpirtëror, duke
siguruar kështu mbështetje të qëndrueshme për sigurinë, vetëbesimin,
vetërespektin e vetëvlerësimin e tij.
Sqarimi
i detajuar i marrëdhënieve komplekse të mëshirës në dimensione të ndryshme të
funksionimit socio-psikologjik e më të ngushtë psikik të njeriut përveç se i
ofron lexuesit informata të mjaftueshme për rëndësinë e funksionimit të tij
moral e etik si qenie shoqërore i ndihmon atij edhe për të tejkaluar hendekun
artificial, të cilin filozofia e dy shekujve të fundit e krijoi ndërmjet etikës
së mëshirës dhe etikës së drejtësisë e të vërtetës, hendekut ndërmjet aspektit
njohës dhe aspektit shpirtëror të njeriut. Insistimi i autorit në rëndësinë
polivalente të mëshirës si vlerë etike e morale e njeriut dhe ndërlidhjen e saj
me aspekte të ndryshme të funksionimit të tij konjitiv, emocional e social vë
në spikamë rëndësinë e kësaj vlere të personalitetit për të parandaluar
proceset shkatërrimtare të dehumanizimit të shoqërisë njerëzore si në aspektin
global, ashtu edhe në atënacional e individual, që po rezultojnë nga dita në
ditë me dukuri negative si të sëmundjeve të vartësisë nga drogat, vartësisë nga
alkooli, vartësisë nga lojërat e fatit, trafikimi i qenieve të gjalla,
pedofilia, vrasjet, vetëvrasjet, kriminaliteti, korrupsioni individual e
institucional e deri te dhuna në familje.
Kjo
vepër me argumentimin e saj të detajuar dhe bindës paraqet edhe kontribut për
filozofinë bashkëkohore politike, duke e rikthyer këtë kategori të anashkaluar
etike në qendër të mendimit dhe diskursit politik. Vënia në spikamë e
domosdoshmërisë së harmonisë ndërmjet mëshirës dhe drejtësisë në diskursin
socio-politik paraqet kontribut substancial për përparimin e mëtutjeshëm të
debatit të mirëfilltë, përkitazi me rëndësinë e jashtëzakonshme të vlerave
humane e shpirtërore të shoqërisë sonë në jetën institucionale e politike dhe
me këtë rikthimit të baraspeshës tani më të prishur ndërmjet drejtësisë së
domosdoshme institucionale e shtetërore dhe vlerave inherente etike e morale
brenda trupit tonë kombëtar si dhe popujve e shteteve me të cilët
bashkëjetojmë.