E marte, 02.03.2021, 02:19 AM (GMT)

Kulturë

Fritz Radovani: 17 janar 1468

E diele, 17.01.2021, 03:11 PM


Përgatiti Fritz RADOVANI:

17  JANAR  1468…

At GJERGJ FISHTA:

NJI GJAMË  DESPRIMIT.

                      

           Me 16 Prill 1914, natën pa hanë, Mali i Zi sulmon Hotin e Grudën, tue djegë, plaçkitë e tue krye gjithfarë përdhunimesh. Zana e idhtë e Poetit shpërthen atëherë furishëm kundër anmikut jetik dhe kundër Evropës së padrejtë. Asht nji ndër ma të fuqishmet lirika të Fishtës.   

U botue herën e parë në “Hylli i Dritës”, Maji 1914.

                                                                           Nga At Viktor VOLAJ OFM (1941)

1.         Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk nuk ka;

           Nuk ka ma burra, qi, me drrasë t’ krahnorit

           Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

           Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:

           Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

           Pa Atme sod ka mbetë, pa plang, pa shpi!

2.         N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;

           Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

           E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

           Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

           Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

           Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

          3.          O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull ulani xêhêt fjetun?!...

                       4.        E ju, ‘dhè hyj t’ shkelzyeshem, qi pre’ Empirit 

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

           Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

           Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

           E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

           E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?...

5.         Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

           E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe....

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

                       6.        E mallkue kjoftë Evropa! Até e vraftë Zoti,

           E e shoftë me fise, popuj e qytete;

           Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

           Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

           Selit e saja grimë me grimë u theshin;

           Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

7.         Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

          8.         O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sod qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

                      

                       9.        Me parsme t’ona n’ ata t’ hershmet mota

           Mburojë iu bam Evropës, pa dijtë shk’ asht tuta,

           Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

           Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

           U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

           Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10.       Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

           Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

           Tartarit, e pre’ Evropet larg rrezikun

           Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

           Por kurr Evropa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

           Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

11.       E kur per pesqind vjet na nder veriga 

           Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

           E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

           Na reshte anmiku, tue na nzitë pa da,

           N’ harresë Evropa edhe m’ atëherë na qiti

           E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na njiti.

12.       Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

                       Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

                       E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

                       Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

                       Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

                       Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

           13.       Veç sod pse Evropa, sod qi asht t’ gjith uzdaja

           Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

           Pse sod Evropa, - do Mbretni të Mdhaja –

           Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

           E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

           E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

14.       O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

           Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

           E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

           As nalt mbi qiellë, ku shndrisin dielli e hana,

           Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

           Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

Shenim nga F.Radovani: Poezia e At Gjergj Fishtës asht marrë nga libri “Lirika”, me komente nga At Viktor Volaj, botue në vitin 1941.

           Melbourne, 17 Janar 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora