Kulturë
Jusuf Buxhovi: Kur nderohej Hivzi Sulejmani
E premte, 15.01.2021, 12:16 PM
Majstir,
10 korrik 1985. Pranë varrit të Hivziz, nga e majta: Xhemail Mustafa, Beqir
Musliu , Jusuf Buxhovi dhe Mehmet Kraja
Përkujtesë
KUR
NDEROHEJ HIVZI SULEJMANI...
Nga
Jusuf Buxhovi
Shkrimtari
Hivzi Sulejmani, i takon plejadës së krijuesve të brezit të Esad Mekulit,
Martin Camajt, Sitki Imamit, Rexhep Hoxhës, Mark Krasniqit, Sinan Hasanit,
Kapllan Resuli, A. Demaçit dhe të tjerëve, me të cilët, në rrethana të vështira
shoqërore dhe politike çfarë ishin ata që solli sistemi ideologjik, fillon
rrugëtimi i mundimshëm i krijimit të identitetit letrar, që do t’i hapë rrugë
gjeneratës së viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta , atyre të moderniteti në prozën tonë (A. Pashkut, R.
Kelmendit, N. Rrahmanit, R. Rexhepit, A. Shkrelit, R. Qosja për të ardhur te T.
Dërvishi, B. Musliu, M. Ramadani, Y. Shkrelit, J. Buxhovit, Z. Rrahmanit, M.
Krajës e të tjerëve), që i dhanë vepra të rëndësishme dhe të qëndrueshme prozës sonë.
Në
plejadën e krijuesve që ishin pjesë e revolucionit dhe idealeve të tij, Hivziu,
gjithsesi shfaqet më i veçantë, jo vetëm që me të shpejt u largua nga
nomenklatura revolucionare, që solli diktaturën e re, me të cilën ai nuk u
pajtua dhe nuk deshi t'i sherbejë, por edhe pse me veprën e tij (prozën
“Njerëzit”, të ndaluar dhe të anatemuar), shfaqë shenjat e para të një disidence “të heshtur” kundër
diktaturës.
Në
vitet e shtatëdhjeta, kur pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve që
solli, fillon një klimë e re shoqërore
dhe politike edhe te ne, Shoqata e Shkrimtarëve, në shenjë nderimi për
krijuesin e rebeluar në kohët më të vështira,
themeloi çmimin letrar "Hivzi Sulejmani" për prozën më të mirë
të vitit. Ndërsa, pas vdekjes së tij,
themeloi edhe manifestimin “Takimet letrare Hivzi Sulejmani”.
Këto
takime, po ashtu, ishin diçka të veçantë, meqë mbaheshin në trekëndëshin:
Mitrovicë, Rozhajë dhe Novi Pazar.
Pjesë
e këtyre takimeve ndër më reprezentativët e kohës, pas atyre të Mitingut të
Poezisë në Gjakovë që kishin karakter ndërkombëtar, ishin orët letrare në Rozhajë dhe Sanxhak (Novi Pazar), si dhe
vënia e kurorës në varrin e Hivziut në Majstir (në vendlindjen e tij në pjesën
e Ribariqit) në Mal të Zi.
Takimi
i fundit i kësaj natyre, në një hapësirë me etni krysisht shqiptare të
shpërndarë në Kosovë-Mal të Zi dhe Serbi, ishte ai 10 korrikut 1985, ku morën
pjesë shumë shkrimtarë të rëndësishëm të Kosovës, bashkëkohanikë të Hivziut
(Esad Mekuli, Vehap Shita, Hasan Mekuli, Pera Stefanoviqi) si dhe disa nga
brezi i shkrimtarëve të modernitetit (Beqir Musliu, Musa Ramadani, Jusuf
Buxhovi, Mehmet Kraja, Xh. Mustafa e të tjerë).
Majstir,
10 korrik 1985. Nga e majta në këmbë: Hasan, Esad Mekuli dhe Vehap Shita.
Ndërsa ulur, nga e majta: Xhemail Mustafa, Jusuf Buxhovi, Musa Ramadani dhe
Beqir Musliu.
Majstir,
10 korrik 1985. Hasan Mekuli (kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës),
Jusuf Buxhovi, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Pera Stefanoviq, anëtarë
i kryesisë, vëjnë kurora te varri i Hivziut.