Kulturë
Prend Buzhala: Arka e përbashkët ilirike
E shtune, 16.01.2021, 08:21 PM
ARKA E PËRBASHKËT ILIRIKE
(Ese.
Leximi i poezisë “Atdheu i mbërthyer në arkë” e Ali Podrimjes, kushtuar Martin
Camaj)
Nga
Prend BUZHALA
Nëse
religjionet i kanë arkat e përbashkëta të besëlidhjeve, profetëve, urdhërimeve
fetare etj; ne, si komb, që nga lashtësia e kemi NJË ARKË të përbashkët ilirike
e ilirishte, arkë gjuhe e shpirti...
Lirikat,
shpesh, na e shqiptojnë vetëm të sipërfaqshmen, të dukshmen... e padukshmja,
ose shumësia (a polisemia) e kuptimeve dhe leximeve, është pronë e lexuesit.
1.
Universalja:
leximi nxit përfytyrime (imazhe poetike) figurative... Mund ta përfytyrojmë një
figurë të shquar kombëtare, që përkujtohet një herë në vit (a një shenjtor që e
ka festën e vet njëherë në vit)- dhe adhurimet, nderimet apo lutjet tona andej
drejtohen; ngjanjëherë i drejtojmë edhe shigjetat, ligështitë tona,
përdhosjet... e mesazhet që na vijnë ndër vite, nga jeta e një personanliteti
të tillë (pa u emërtuar cili), nuk prajnë... prandaj dhe titulli bart vlerë e
peshë figurative e kuptimore (biblike dhe nacionale)... Një varg nga krijimet
personale është shënjues:
"E
tash është Koha e Lirimit. Liroje shallin rreth qafës".
Migjeni
do të thoshte: "Hiqi bragashat."
Hiçi
prangat (paragjykimet vetërobërimet etj etj) sociale ose jetësore,
botëkuptimore etj. etj.
2.
Edhe
ne e kemi Besëlidhjen tonë historike, e kemi arkën tonë historike (arkivin tonë
historik), shpirtëror, luftarak, kombëtar... aty i blatojmë vlerat më sublime,
aty e shohim vetveten si në pasqyrë. Është si ajo historia e Arkës së Noes për
shpëtim nga një kataklizëm a apokalips, për t'i shpëtuar ato që i kemi afër
vetes. Nëse ne e kemi refuzuar këtë arkë të identitetit e të vetëdijes sonë
(domethënë: refuzimin për t'i ruajtur gjërat, dëshmitë etj), atëherë kot i
akuzojmë të tjerët "për përvetësime". Te libri "Hieroglifet dhe
Aritmetika e skrëbeve të lashtë egjiptianë" Donald Frazer e përshkruan
Arkën e Besëlidhjes me një Drejtkëndësh të Artë, mbasi forma e saj
drejtkëndëshe gjendet në proporcion me Lidhjen (a marrëdhënien) e artë. Fjala
është për gjërat e paçmueshme, që kanë vlerë shumë të madhe e të dobishme. Nuk
është e rastësishme pse që nga andej kjo arkë ka hyrë në përdorimin e këtyre
gjërave me vlerë, siç janë arkat e bankave apo arka e shtetit.
Ai
dimë t'i ruajmë këto dy arka të fundit?!
Dhe
cilët janë sulmuesit e tyre sot e dje?!
Në
Fjalorin e shqipes përmenden togfjalëshat "arka e kursimit, "arkë druri", "arkë
hekuri", "akat e bukëve". "arkë birre", "arkë
qumështi, "arkë municioni", "arka e ndihmës së shpejtë",
"kapaku i arkës", "çelësi i arkës" e deri te “arka e
vdekjes". Në traditat tona etnografike: gjyshet e nënat tona kishin një
orendi të tillë me kapak e me dry, me zbukurime motivesh etnografike ilirike,
arbërore e shqiptare, e ku mbaheshin rrobat e paja e nusërisë. Quhej edhe
"arka e nuses". Rrobat më të çmueshme mbaheshin në fund të arkës. Po
në Fjalor regjistrohet shkrehja frazeologjike" E ka gojën arkë", në
kuptimin: "nuk nxjerr fjalë nga goja, i ruan mirë të fshehtat."
Gjërat
më të shtrenjta e të shenjta a nuk ruhen në arkë?
Nënat
tona kishin arkat e veta të kujtimit të shenjtë e të shtrenjtë...
3.
Poezisë
mund t'i bëhen shumë lexime... Leximet nuk prajnë, nuk pushojnë asnjëherë-
thoshte Ali Podrimja. Pra, leximit askush nuk mund t'i vërë pikë. Poezia a
letërsia gjithmonë është e hapur për lexime të reja... për SHUMËSINË E LEXIMIT.
Jo pak poezi ky poet i emërton me fjalën a leksemën figurative arkë, siç është
kjo poezi kushtuar Martin Camajt:
ATDHEU I MBËRTHYER NË
ARKË
Martin
Camajt
Del
në mëngjes Evropës
për
një lutje fisi
Shpirtin
asgjë nuk ta qetëson
Në
mbrëmje kthehesh dikur vonë
dhe
kur zonja Evropë
mbyll
dhe syrin tjetër
Nxjerr
nga arka Atdheun
dhe
në dritë të hënës
e
peshon në shuplakë
Damar
pas damari e shpalon
kushedi
për të satën herë
duke
i gjetur kuptime të reja
Të
bëhet se të thërret ndoj zot i harruar
të
bëhet se kush ikën
nga
përqafimi i llahtarshëm
Vë
veshin pastaj dhe dëgjon trokun
mes
Drinit të Bardhë e të Zi
që
vetëm ti e kupton
Me
ferk mbërthen Atdheun në arkë
dhe
merr Evropën në sy
i
bindur se asgjë nuk peshon më rëndë
Në
hall na qite Burrë Malcie
me
ata zëra paganë bubullimë Dheu
me
ato ethe Arbërie
Ali
Podrimja (1991)
Le
ta përfytyrojmë emigrantin shqiptar nëpër dekada, me një çantë në krah a me një
arkë druri në dorë, më vonë: me valixhe të mëdha, duke shkuar e zbritur nëpër
aeroporte apo nëpër stacione autobusësh e trenash. Atdheu i mungon, arka e
vlerave të tij në vendlindje është marrë peng. Kurse bota e tij e brendshme
është e tronditur, e shqetësuar.
4.
Një
lexim tjetër: Arka e Besëlidhjes gjendet në Bibël: hebrenjtë e kanë si të
vetmin mjet "fizik" të lejueshëm (nuk lejojnë ikona a përfytyrime
fizike, por vetëm spirituale), ku ruhen, nëpër shekuj e zjarre luftërash a
mortajash, fjalët e Hyjit. Ishte traditë e lashtë që Kryesori (Udhëheqësi
shpirtëror a kombëtar) të lutej një herë në vit për kombin e për veten... (e
kush prej nesh nuk lutet për veten e për mirëqenien e kombit të vet)?
Prototipin e Krijuesit, të Intelektualit heretik, të Tribunit a të Udhëheqësit
të Dëbuar në ekzil, e hasim që nga antika, ndër ne e hasim që nga Epoka e Skënderbeut.
E i larguari është dashur ta planifikojë përpara atë arkë a valixhe, ashtu siç
shprehet Howard Ruff: “Nuk binte shi kur Noeu ndërtoi arkën.” Domethënë, ai e
ka parashikuar rrezikun. Ndryshe e mzbërthen këtë arketip Richard Cushing:
“Shkenca është vetë Arka e Noes! Mos kërkoni anije tjetër!” kësisoj, edhe
Martin Camaj bredhte nëpër Evropë me lutjen e tij etnike,me shirtin e
shqetësuar, me Dijen, Intelektin e Librin e tij.
Del
në mëngjes Evropës
për
një lutje fisi
Shpirtin
asgjë nuk ta qetëson
A
thua, e ka të humbur Arkën e Tij, a mos na qenka në kërkim të saj, mu si te ai
miti i filmuar për Bartësit e Arkës së Humbur? Jo, ai e hap atë natën.
Në
mbrëmje kthehesh dikur vonë
dhe
kur zonja Evropë
mbyll
dhe syrin tjetër
Nxjerr
nga arka Atdheun
dhe
në dritë të hënës
e
peshon në shuplakë
Shqetësimet
nuk marrin fund. A ka diçka që peshon më shumë se Atdheu? Mërgimtari shqiptar
nuk ishte vetëm hallexhi, por ai mbi supe gjithmonë ka mbajtur fatin e atdheut.
Hapja e saj ngjet me dhimbjen, me një shpalim të prekshëm. Aty, mbase, përpos
ndonjë guri a grushti të dheut të vendlindjes, mund të gjendet edhe ndonjë asht
emblematik i ndonjë të pushkatuari, apo i të parëve. Ndonjë relikt, në pamje të
parë, i parëndësishëm, por që për poetin peshon sa krejt globi. Sa krejt universi.
Tri ehrë përmendet nëpër vargje fjala Evropë. Në tri kontekste të ndryshme. Te
strofa e parë është emigranti që ia mësyn strehimit, jo thjesht për ta strehuar
ekzistencën vetjake, por për t’ia drejtuar Evropës një lutje fisi, lutje etnike
(ideal arketipor i rilindasve për iluminizmin, dijen, forcën). Te strofa e dytë
shfaqet figura kontrastive: shqetësimi i poetit kundruall indiferencës së kësaj
zonje që quhet Evropë:
Në
mbrëmje kthehesh dikur vonë
dhe
kur zonja Evropë
mbyll
dhe syrin tjetër
Ai
është i pagjumë pranë kësaj zonje symbyllur e indiferente. Ditën e ka shpalosur
kërkesën lutje të tij, në mbrëmje ai lektiset, vuan, e ka të humbur qetësinë
shpirtërore. Është i merakosur tej mase me peshën e Atdheut. Aso kohe: të
atdheut të mbyllur, të izoluar, si në kuti. Kutia a arka e tij është tjetërsoj:
ka tjetër peshë dhimbjeje, kujdesi, kërkese. Te strofa e parafundit ky folës
lirik na kumton ideologjinë etnike të protagonistit të tij lirik (folësi lirik
është poeti Ali Podrimja, protagonisti lirik është Martin Camaj):
Me
ferk mbërthen Atdheun në arkë
dhe
merr Evropën në sy
i
bindur se asgjë nuk peshon më rëndë
Mësymjet
drejt Evropës asnjëherë nuk kanë pushuar. Këtë bindje askush nuk ia ka tyher as
dje e as sot. Por bindje mbi bindje është Pesha e Atdheut. Kjo do të thotë se
kjo arkë është simbol i përmbytjeve.
Madje
i kataklizmave të mëdha kombëtare. I kthesave përmbytëse. I tragjedive e
fatkeqësive të pafund. Poeti Podrimja veç sa e rikrijon mjeshtërisht figurën e
arkës. Në Fjalorin e Simboleve (“A Dictionary Of Symbols” të J. E. Cirlot,
thuhet: “Si në rrafshin material ashtu edhe në atë shpirtëror, arka simbolizon
Fuqinë
për t’i ruajtur të gjitha gjërat dhe për të siguruar rilindjen e tyre... Si
simbol i zemrës (ose i mendjes, ose i mendimit) imazhi i arka është e ngjashme
me atë të enës së pirjes, aq e shpeshtë në misticizmin mesjetar.” Poeti, kur ia
ka mësyrë Evropës me lutjen e tij, ka shpresuar gjithmonë në këtë ringjallje a
rilindje. Ky ishte vizioni i tij jetësor, letrar, intelektual e njerëzor. Mbi
të gjitha, vizioni atdhetar. Kur e ka shkruar e botuar këtë poezi Podrimja,
Martin Camaj ende ishte gjallë. E përjetoi rilindjen që deshi. Historia i
kishte dhënë të drejtë. Pikërisht pse peshimi i kësaj arke dhimbjesh, vlerash e
përjetimesh, ka qenë i thellë:
Damar
pas damari e shpalon
kushedi
për të satën herë
duke
i gjetur kuptime të reja
Ky
shpalim (poetik) gati sa nuk ka kaluar në një ritual mistik, posi te “De arca
mystica” e Shën Ambrozit. Shpalimi e ringjallja bëhen për t’i rishfaqur edhe
njëherë, në tërë shkëlqimin e tyre të plotë, esencat, thelbin e pasurisë
shpirtërore e trashëgimore. Tashmë ato mund të shfaqen në dritën e diellit.
Tashmë mund të rivendoset një tjetër rend i ri. I çuditshëm është ky
protagonist poetik i Podrimjes, që ngjet në heronjtë antikë:
Të
bëhet se të thërret ndoj zot i harruar
të
bëhet se kush ikën
nga
përqafimi i llahtarshëm
Çka
do të ndodhë nga ky përqafim i llahtarshëm, posi te Besa e Konstantinit?
Rinjohja, rizbulimi i vetvetes?! Aty nuk ka hirrje për hakmarrje. Përkundrazi,
ka vetëm një rikthim te vetvetja. Te vlerat burimore e shënjuar përmes
topografisë etnike:
Vë
veshin pastaj dhe dëgjon trokun
mes
Drinit të Bardhë e të Zi
që
vetëm ti e kupton
Në
hall na qite Burrë Malcie
me
ata zëra paganë bubullimë Dheu
me
ato ethe Arbërie
Me
këtë Arkë Arbërie ai notonte nëpër këto ujëra përmbytëse të shqetësimeve të atdheut,
të emigrimit etnik, duke marrë botën në sy. Atdheu pëson hemorragjinë e
largimit, siç shprehet vetë Podrimja diku te një ese i tij. Arka është edhe
simbol i ruajtjes së gjërave të domosdoshme për rimëkëmbje. Le ta përfytyrojmë
se te ajo arkë janë studimet për Buzukun, romanet e lirikat e tij, kërkesat e
tij etnike, që i refuzon atdheu. Por ato triumfojnë, rimëkëmben, pranohen kah
fundi i jetës së tij. Për këtë ruajtje është zotuar vetë poeti. Rikthimi ndodh
te pika e nisjes, së bashku me përvojat shpirtërore, ekzistenciale, te
origjina. Do të thosha: te arka ilirike.
5.
Është
si ai zotimi i mbrojtjes hyjnore që përmban thelbin e traditës. Dhe këtë
Podrimja e arin, nëpërmes ndërkomunikimit tekstual të teksteve të Martinit,
Biblës dhe përgjithësisht krijimtarisë së tij. Është ai parimi estetik i
rikrijimit të teksteve me intertekst.
Edhe
kjo arkë camjane-podrimjane, aq e identifikueshme në kohët kur Kosova po
pësonte këtë hemorragji largimi nga dhuna serbe. Ishte si një arkë shpëtimi, jo
si një Titanik i profesionistëve që përmbytet. Teoricienët e artit e përqasin
Titanikun (që e konstruktuan profesionistët) me ndërtimin e një arke, që e
punuan njerëzit e thjeshtë. Domethënë: esencat (arka) sigurojnë ekzistencën.
Ekzistenca pa këto esenca (si te Titaniku) përmbytet.
Nëse
te librat e shenjtë arka është simbol i takimit me Hyjin, te Podrimja ajo është
simbol i vendtakimit të shenjtë em vlerat e ringjalljes së Atdheut.
Poezia
thuret nëpërmes trevargëshit të lirë, a në tercet, posi te disa tekste biblike,
ndryshe nga tercinat danteske a petrarkiane që rimohen, dhe ndryshe nga haiku
japonez, ku ka kërkesa sfiduese ndaj vargut (pesë rrokje në rreshtin e parë,
shtatë në rreshtin e dytë dhe pesë në rreshtin e tretë). Ndërsa në kompozimet
muzikore tercetat thuren për të kënduar një melodi nostalgjike, në poezinë
mdoerne, si te kjo lirikë e Podrimjes, terceta me thurje të lirshme me intelekt
krijues, është e përshtatshme për evokime artistike e historike, Delikatesa e
vargjeve na vjen gjithnjë me një ritëm e rrjedhë të dinamizuar, përforcues, për
të përpunuar e bërë ndikime emocionale e meditativë te lexuesi.