E hene, 20.09.2021, 01:04 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: At Pjeter Meshkalla - Biografi e shkurtë (2)

E enjte, 07.01.2021, 03:39 PM


Nga Fritz RADOVANI:

AT  PJETER MESHKALLA  S.J.

(Biografi e shkurtë)

Pjesa e II.

Arrestimet dhe pushkatimet e Klerit Katolik Shqiptar kishin fillue që në Janarin e 1945, me Don Lazer Shantojen e poetin e ambelsisë, si e cilsonte Shkodra, Don Ndre Zadejen. Të dy u pushkatuene mbrenda pak kohe me shpifje e akuza fallse.

Mbas pak muejsh edhe At Pjeter Meshkalla arrestohët në vitin 1946 dhe bashkë me Don Shtjefën Kurtin, Imz. Irené Banushin dhe Rrok Obotin, dënohen me shumë vite burg, të cilat i kaluen ndër kampe pune dhe pjesën ma të madhe në burgun famkeq të Burrelit.

At Mëshkalla u lirue plot mbas 15 vjetësh vetem mbasi  plotësoi ditë në ditë dënimin e dhanun nga gjykata.

Në fund të vitit 1961, kur lirohët nga burgu, vjen në Shkodër, por pa të drejtë me sherbye si meshtar, detyrë e cila i ndalohej nga shteti komunist, por që At Mëshkalla e ushtroi pa lejën e tij me guxim dhe pa pikë frike kudo që e lypte nevoja. Ai nuk ishte pajtue me “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, ndonse aso kohe ishte në burgun e Burrelit, por qendrimi i Tij, i At Donat Kurtit dhe At Frano Kirit, në vitin 1951, përballë terroristit Hilmi Seiti (aso kohe, ishte Kryetar i Degës së Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, ku ndodhej edhe Seksioni Katolik i Sigurimit, i vetmi në Shqipni). Edhe pse nga hjerarkia e vjetër e Kishës nuk kishte mbetë pothuej asnjë, At Mëshkalla respektonte me përvujtni të gjithë drejtuesit e klerit dhe kur ndokush vente në dukje ndonjë të metë të ndonjenit, Ai menjëherë do të gjente anët pozitive që peshonin ma shumë se të metat. Jetoi pak vite me nanën dhe kushrinën e Tij Ganxhën, në një shtëpi përdhese në Ballabane. Gjysma e dhomës, besoj i kujtohët vizitorëve të shumtë që shkonin aty, ishte me drrasa, ndërsa pjesa tjetër ishte kalbë dyshemja e ishte me dhé. Aty punoi, aty thonte Meshë, aty rregullonte “Betlemin” për vizitorët e vogjël, aty u mësonte katekizmin e gjuhët e hueja rinisë, aty i mësonte normat e moralit, aty rrëfente, aty vehej kunora Shenjtë, aty.., kjahej halli i së shkretës Shqipni e, aty, profetizohej e ardhmja...Drita dhe perparimi...

Në 1967  me të ashtuquejtunin “Revolucion Kultural” At Meshkalla arrëstohet prap, dhe mbas një gjyqi që u zhvillue në gjykatën e rrethit të Shkodrës, pa e ndigjue njeri, u dënue 10 vjet burg, kryesisht i akuzuem për veprimtari fetare të ndalueme, por e vërteta ishte ajo që do të shtjelloj ma poshtë. Në moshën 77 vjeçare doli nga burgu dhe erdhi prap në çerdhën e vjetër, në Shkodër. Jetoi në vorfninë e zakonëshme me të cilën tashma ishte mësue. Pa dallim Feje, mund të themi ju gjetën njerëz në kohën ma të vështirë kur ishte mjaft i shtymë në moshë dhe i smurë ndër kushte të randa shëndetësore. Një vajze shkodrane, e quajtun Luigjina Leka, nuk i la asgja mangut kushrinjve shumë të dashtun që ishin rreth tij dhe i mbyllën sytë. Atë ditë ka kja Shkodra mbarë! Ai vertetë kishte moshen 87 vjeçare, po njerzit e dashtun asht shumë e vështirë me i harrue kur Ata lanë kujtime të mira! Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit At  Pjeter Meshkallen, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, misionarin e vërtetë dhe të vendosun, ushtarin e zdathun të Krishtit, luftëtarin e demokracisë dhe të Drejtave Njerëzore në Shqipni, mësuesin e rinisë dhe kundërshtarin e pathyeshëm përballë diktaturës komuniste, që ishte nder ma të pergjakshmet që ka njohtë sistemi i dhunës dhe i vrasjeve barbare në krejtë Europen Lindore.

Shqipja me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb:

“Edhe një Hero ma pak!”...

Melbourne,   Janar 2021.

Shenim F.Radovani: Vazhdojmë me Pjesen e III.



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora