Kulturë
Blerim Rrecaj: Shije shqetësimi
E merkure, 06.01.2021, 12:00 PM
Blerim Rrecaj
Shije
shqetësimi
Patëm biseduar në Gërmi
Me atë që patëm takuar me gruan e tij
Na pat thënë dëshpërimisht
Po i prishim vendbanimet
Edhe ata që i njihnim e i dinim për patriotë
Duke ndërtuar paplanifikim
Dhe patëm pirë kafe
Në gota plastike
Të mbushura
Nga termosi që kishin me vete
Duke ecur
Një gjeth ra
Një qiell i mrekullueshëm
Ecjen vazhdoj
Mendueshëm,
Kujtueshëm,
Turbullueshëm
Llogari
Llogari, bilanc, bëj ndonjëherë
Dhe shumë pak gjëra më dalin me vlerë
Përkeqësim
Zotëri ma jep atë të shkretën rrogë!
Zotëri ma jep atë të gjorin honorar!
Se me të mbaj shpirtin gjallë…
Bashkë jo vetëm për zor
Po na bën bashkë frika
Edhe xhepi
Rri
Rri pasmesnate deri kah ora katër,
Pastaj në shtrat
E kur zgjohem në mesditë
Më vërtitet zëri
Jam përnguta,
Jam përshpejta
E unë këto fjalë
I përsërit
Zgjim i lodhur
Zgjohem i lodhur nga shtrati
Si nga kampi i Bllacës
E ai i Stankovecit
Thyerje ligji
Në shumicën e lokaleve
Po pihet duhani
U thye njëri nga ligjet e pakta
Që pat filluar të zbatohej
Uhhh...
Sa tymmjegull
Për ujkun
Imponim
Fjalët tona i merr era
Fjalët tona të pavlera
Fjalë, mërzi, vetmi, kotësi
Fjalë nëpër kafiteri...
Mozaik
Ulem në një kafiteri
Bëj një selfie
Pikëturëzat e varura nëpër korniza
Si fragmente çastesh të jetës sime...
Lëngje jete
Një çaj frutash,
Një lëng dredhëze,
Nga një copë çokollate të zezë
Drita të verdheme në këtë kafene murebardhë veshur
Shiu e lag këtë natë
Humbje
Shumë orë të humbura përpara ekraneve televizive,
Faqeve internetike,
Faqeve të lloj-lloj gazeteje
Shumë orë të humbura
Në botën e kësaj jete
Mbi tavolinë
Një filxhan me kafe
Dikur një gjethe shelgje
Tash një gjethe tjetërfare
Gjethe pishe si rrëmojë dhëmbësh
Kalojnë shumë ditë
Fol, fol llomotit
Kështu kalon edhe një ditë
Llomotit, fol e fol,
Kalojnë çaste edhe orë
Fol, fol, llomotit
Sa mirë që na presin shtëpitë
Kur u ktheva të hënën në zyrë
Një shkallë pashë para derës,
Një kafe porosita në bufe
Më thanë ta sjellim pasi tash e tutje,
E kërkon në telefon e ta sjellim vetë.
Pranova ngushëllime për dajën
Ngrita disa herë receptorin e telefonit,
Më pas axha G.,më tha që interneti s’po bën prej së premtes
E kur pyeta për H.,
Më tregoi se atij nuk ia kanë vazhduar kontratën
Më erdhi keq
G., si gjithnjë andej- këndej, më tha
Ora gati 11
Ditë e ngrohtë me diell të fortë
Fragmente çastesh n’fillmvjeshtë
Qiell i hirtë
Asfalt i hirtë
Shumëkatëshe dhe gjëra tjera përreth
Kjo është pamje e një cope qyteti
E autobusi ec e ec
Hap derën për të hyrë në këtë zyrë
Për gjysmë ore drekoj
Për gjysmë ore kuturu ec
Gjysmë ore ulem të pushoj
Kjo pasdite rrjedh ashtu-kështu
Është dhe fillimvjeshtë
Që duket se zvarritet në shpinën e këtij zhapini
-A po fitojmë, pyet dikush
-Ja po fitojmë të gjithë, ja askush hiq, përgjigjesh sa për të thënë
diç
Gjersa zbret shkallëve me kafe e shishe uji që more në bufenë e
ndërmarrjes
Intervista me posterë
Kohë zgjedhjesh,
Pritjesh,
Ngazëllimesh,
Neverish,
Dalldish,
Të bëjmë intervista me portrete posterësh
Zgjidhje kërkohen sërish
Para demonstratës
Në një stol të verdhë
Këmbën mbi këmbë
Para bibliotekës plisbardhë
Ngacmim ndiej nga koktej emocionesh
Të shohim çfarë do të ndodhë…
Diçka që m’u vërtit nëpër mend
Sapo zgjohem në mëngjes
Diçka më vërtitet nëpër mend
Vramëni nëse doni,
Shkelmëni siç shkelet një buburrec
Kushedi nesër mund t’ju bëhem pengesë
Në rrugën tuaj të ndyrë
Hapmani udhën nëse doni
Pastaj le të më mallkojë atdheu
Që prej tij po ik
Duke e lënë me lot në sy
Korruptomëni nëse e shihni të arsyeshme
Ju o sundimtarët tanë
Ju o sundimtarët e mi...
Skica për vetëmbrojtje
Kjo botë lloje tipash ndryshe-ndryshe
Sa shumë urithë, ujqër,
Dhelpra me syze…
Dikush mund të jetë i shquar, akademik,
shkencëtar dhe talent i madh,
Por njëkohësisht edhe patriot i vogël,
pra patriot minimal…
Bllokim
Ka çaste e mund të ketë si ky
E një bllokim të tërin të mbështjell
Shfleton diç e çohesh e bën dy-tre hapa a më shumë
Thjesht mundohesh të merresh me diç
Të lexosh a të meditosh s’mundesh
Veç ca përpjekje për koncentrim
Të gjitha i hedh e i përplas për qiell e për tokë
Pastaj pyet veten ç’është ky bllokim e kjo bllokadë
Kokëdhembje dhe diç më tepër zë fill
Fjalëve u humb kuptimi
Keq s’do të bënte një bozë, një kafe a një limonadë
Marrëzirat pështillen lamshave
Dhe mund të luash një rol origjinal që s’e do
Bora ka filluar e zukasin automjetet rrugëve
Nuk e di çfarë kam, veç veten e quaj të shpërqendruar
Një qiri ndezur pranë
Një psherëtimë ndoshta nga thellësi që më parë se ke ndier të dalë
Nesër ditë zgjedhjesh në Kosovë
Në të cilat s’do të dal
Dhjetë vjet pas
Ato çaste, ai takim
Dhjetëvjetori i maturës
Vetjet tona
Seç humbën e
Seç u shkrinë
Në mes zhurmës edhe turmës
Letër
Letër të vogël shkruaj dhe s'kam ku e dërgoj
Në asnjë adresë,
Në asnjë drejtim
Dhe atëherë ia dërgoj vetvetes
Ia dërgoj shpirtit tim
Varg-Shkrepje
Të jetosh
Në Kosovë
E pamundur
Që koka
Shpesh mos të të vlojë
Si tym e pluhur
Që shkon përpjetë
Siç ngriten lart
Në qiell
Re avulli
E pluhur shkretëtire
Nga oxhakët
E termoelektranave
Të KEK-ut
Dru i stolisur
Një dru në këtë copë trotuari
I stolisur si për fundfestat
E vitin e ri
Me thasë të zbrazët betoni
E qese najloni
Të hedhura nga shumëkatëshja
Përballë tij
Gropa-pellgje nëpër zhgj-ëndërr
Bie në mbrëmje
Më zë gjumi
Shoh ëndërr
Duke ecur me ty
Dhe na lagen këpucët
Dhe paksa pantallonat
Mbi këpucë.
Më del gjumi
Në muzg
Kur bëhet natë
Dalim
Ecim
E u shmangemi
Gropave-pellgje
Të rrugëve e trotuarëve
Me ujë shiu të mbushura
Përsëriten ëndrra
Edhe me zgjëndrra që (s’)përputhen
Valë e dallgë
Jam i lodhur,
Jam i mërrolur…
Balli det
Rrudhat valë
Trupshpirti im
A do të di të notojë
Nëpër dallgë
Bredhje
Pos të tjerash, sot brodha
Ca rrugëve e rrugicave.
Përskaj një lëndine,
E një stacioni treni.
Me vetmi-çudinë time
Brodha sot,
Më ndihmo o Zot!
Vendpritje
Kemi ngelur ku kemi ngelur…
Pakënaqësi për të sotmen
E frikë për të nesërmen.
Pritje në stacionet e pritjes
Dhe një ditë do vdesim.
Nisje fillimviti
Po ia nis diç të shkruaj
Tash kur sapo ia nisi ky vit
Me shpresë se të dy
Po nisim me faqe të bardhë
Me hapa të mbarë
Duke trembur të ligat, viruset e të këqijat
Nga zemra mbushur me urime
Duke hedhur ndonjë fishekzjarr
Mas(k)a mbrojtëse para zgjedhjeve
Po presim nga politikucët
Të fryhen e të shfryhen
Me frymëmarrje fyerjesh