E premte, 26.04.2024, 06:44 PM (GMT+1)

Editorial

Xhemal Ahmeti: Beteja e iknojmenës me krokodilin e Nilit

E diele, 27.12.2020, 06:33 PM


BETEJA E IKNOJMENËS ME KROKODILIN E NILIT

Për tu orientuar pyllit të mentaliteteve njeriu krijon imazhe që i shërbejnë si stacione udhërrëfyese. Saherë ai me vetëdije e aktivizon një imazh që nëpërmjet tij të zhytet sa më lehtë bodrumeve të psikozave të kohës, ia zë udhën atij një tjetër imazh, i paftuar: çka do thotë kjo kur donë të mendosh në njerëz e në vend të tyre të shfaqen mace, krokodilë, kuçedra e përbindësha tjerë nga sarkofagët para­-antikës [nuk e pyesim Lacanin se ai me automatizëm na nxjerr organet gjenitale të Freud-it në vitrinë]

NGA XHEMAL AHMETI

Saherë sinjalizohen zgjedhje, njeriu, i cili politikën e konsumon si opiat, saora bëhet eidetik, nis t’i parafytyrojë situatat, pasojat dhe rezultatet sikur ato të kishin ndodhur para dekadash. Kështu edhe unë si shumica prej jush nis të kalkulojë se kush dhe sa do t’ia dalë kësaj radhe. Filmin mirëpo ma ndërpreu, ma sabotoi një skenë e çuditshme nga Nil-i egjiptian, e cila u shfaq e paftuar. Më kot u përpoqa t’i dëboj figurat e metaforës me drama faraonësh nga vrimat e mia të zeza mentale. U dorëzova. Për ngushëllim pranova pa e vërtitur fare truve tezën Konfucios që dërdëllis «udha të jetë caku» e jo ai stacioni i fundit që ne imagjinueshëm mezi presim ta mbërrijmë nga presioni dhe frika se që tash zemra mund të na dhi planet duke ia fajt pa pajt ndonjë greve të përhershme.

I.

Cila qe legjenda që m’i hoqi nga tribuna imagjinare primatët e bukur/a shqiptare ose folur me gjuhën e gjeografit; kush u bë shkaktari kauzal që m’i dëboi frizurat e parisë kosovare nga mendja, duke m’i sjellë shtazët e Afrikës parasysh? Dy protagonistët kryesorë të legjendës janë Iknojmena [mace e tipit Herpestes ichneumon, e cila dallohet për nga trupi i gjatë dhe këmbët e shkurtra, habitati i së cilës është Savana në Afrikë, Azi të Vogël dhe Palestinë] dhe krokodili i Nil-it. Tash do thoni: «ky ka halucinacione!». Nga ç’ dreq skute më erdhën macet dhe krokodilët gjersa me mundin si ai Sizifit përpiqesha t’i bëjë parasysh simpatik Albin Kurtin, Isa Mustafën, Enver Hoxhajn dhe tjerët? Mu deshën ca minuta ekskursion me sy bibliotekës ta gjej fajtorin: Në librin e tij «Çaste të forta - një fizionomi e mistikës» [MS 2013] kritiku letrar László F. Földényi ia kushton një kapitull kësaj metafore historimadhe.

Metafora ka kapital të madh historik ngase ajo përshkon vepra të rëndësishme të kulturologjisë humaniste që nga bibla e deri tek hungarezi Földényi. Macen, Iknojmena e kishin për simbol në flamur disa nga faraonët. Këta e sakralizonin këtë specie barazi me Harporkratin [Perëndinë (e fëmijëve ose) fëmijë]. Ndërkaq Krokodili specifik i Nilit, vizatohet herë si demon që mund ta përmbysnin vetëm profetët dhe mesia [perspektiva hebreje kundër sundimit egjiptian] e herë të jetë perëndia e fshehur pas shifrave 6, 60 dhe 666 e mistikëve [sofisti Aelian] e së fundi duket të jetë vetëm figurë që në relacion me macen e zgjuar simbolizojnë pushtetin dhe popullin në pozita reciproke. Prandaj sagën e gjejmë tek Ezekieli [29,3], Hijobi [41,1,6,14], tek Herodoti, Pliniusi, Oppiani, «Physiologus»-i, Aeliani dhe tek çdo filozof që mëton këtë luftë [pushtet-popull dhe anasjelltas] ta paraqes si situatën më konstante të historisë njerëzore.

E legjenda ku mbeti, u humbëm historisë së interpretimeve? Durim siç thoshte Rugova kur donte ta ndez një cigare. Tash e tregojmë:

II.

Saherë egjiptianet niseshin për të larë tesha buzë Nilit i sulmonin një batalion krokodilësh. Jorrallë ato e gëlltisin ndonjë fëmijë të zhytur në lojë me guralecë. Si sot edhe atëherë: priftërinjtë e Faraonit interpretonin fatkeqësinë duke thënë se Amun Re, kryezoti i acaruar me ndonjë sjellje të egjiptianëve e sidomos me robërit e tyre zotashumë, urdhëron në sulme asasinët e tij – krokodilët për tu hakmarrë! Një ditë ndodh mrekullia. Pas ca vërshimeve që përmbysin qindra kilometra përreth Nil-it «zhduket popullata masive» e krokodilëve përbindësha. Pas veti lënë ndonjë gjumash të tyre që pastaj vërdallet i vetëm moçaleve për mbijetuar duke e zënë për këmbësh ndonjë mace. Dikur egjiptianët vërejnë se rreziku nga krokodilët paska kaluar. Faraoni mbledh ulemanë e tij dhe u kërkon përgjigje: Cili Zot e cila fuqi i përzuri krokodilët? Murgjit e oborrit njëzëri i ulërijnë: Iknojmena! E si kur ajo është vetëm një mace e egër dhe e vogël? Ja si i thonë murgjit e tij: Ajo është e vogël por inteligjente shumë. Pasi që kryekrokodili ia gëlltiti t’ ëmën, Iknojmena vendos t’i hakmerret jo vetëm atij por gjithë species së , duke ia bërë të qartë se jo fuqia por zgjuarsia dhe durimi triumfojnë përherë. Ajo u lye me baltë saqë as sytë nuk i dukeshin dhe priti me ditë e me javë pas një grumbulli ferrash pranë Nilit. Dhe dikur i vjen çasti: kryekrokodili nxjerr kokën mbi ujë, shikon majtas lag turinjtë djathtas, rrotullon sytë formëkompasi dhe hapë gojën e tij të madhe duke gogësijë: koha për gjumë? Ndryshe i ka planet Iknojmena e cila trajtëson trupin si raketë dhe me një shpejtësi marramendëse i futet nëpër tunelin e tij fytor e drejtë në stomak. Atje brenda ia gërryen si e çmendur organet e brendshme. E ç’të bëjë krokodili që tërë jetën ka luftuar e ngrënë armiqtë e jashtëm? Si të luftojë brenda vetes, me barkun e tij? As njeriu që ka duar e që konsiderohet më i mençuri i specieve nuk e fut dot krahun brenda vetes për t’ia hequr adenomën a kancerin mushkërisë që ia përgjak sytë në pasqyrën e tij prej urine? S’ka asnjë mundësi. Pas ca minutave derdhet i pajetë krokodili i gjorë. Dikur nga mesi i tij çon kokën Iknojmena. Triumfatorja përcjell mbi eshtrat dhe lëkurën e të parit të tyre radhët e krokodilëve në ikje drejt horizonteve gri.

Faraoni syhapur e i tmerruar nga rrëfimi çon unazën drejt qiellit, ia fut vulë papirusit që ia kanë shtri murgjit para hundëve dhe shpall Iknojmena-n perëndi dhe simbol për flamur!

III.

Rrëfimi pak i ekzagjeruar stilistikisht nga autori «fantaziplotë» i këtij teksti është tepër interesant si përrallë pro-miteri. Edhe më interesant dosido janë përgjigjet ndaj dy pyetjeve; pse kjo metaforë rrëfehet edhe sot dhe pse ajo mu shfaq gjersa mendoja për zgjedhjet shqiptare? Kush është në përkthim e sipër të kodeve të kësaj legjende krokodili e kush macja? Kur flasim për inteligjencë përherë e lidhim atë jo me masa njerëzish [tërësinë e atyre që përbejnë popullin], por me individë ose grupe të mbiquajtura elita, pra del që macja e egër të jetë politika, e krokodili të cilit ia ha Iknojmena me zorrë e me organe të jetë shteti, populli, shoqëria – zgjuarsia dhe inteligjenca e të cilave nuk matet dot [edhe po e matëm e dimë se tonat stomak krokodili janë]. E po u kërkuan një ditë masat moralistëve të tyre zgjidhje për të ndryshuar fatin, pra që krokodili ta zë me dhëmbë macen, para se ajo ta zbraz interierin e tij, çka do tu thonë ata atyre? Cila mund të ishte përgjigja e tyre. Do të ishte e njëjtë si ajo e murgjve të Faraonit: do t’ia rrëfenin kryeministrit kosovar legjendën e njëjtë, por duke futur një sekuencë që e mbyll legjendën para kohe: plani i Iknojmena-s dështoi ngase krokodili doli më djallëzor, duke improvizuar gogësimën për ta vënë në kurth macen, ai doli poashtu më i shpejtë se ç ’shpresonte ajo dhe e gërreu në gojë.

Përralla në shkallë shëndeti në ballë - krokodilit apo maces shëndetin, e cila për shkak të rezistencës së saj kundër së keqes me siguri gjendet në parajsë?

Pyetjes se a janë politikanët shqiptarët Iknojmena apo krokodili, shumica e njerëzve i përgjigjen aq shpejtë me «po» ose «jo». Jo ashtu siç i perceptonte Pytagora i Samo-s këto dy përgjigje, si rezultat i një reflektimi shumë më të gjatë se ato përgjigjet që vijnë me sqarime shtesë. Veçanërisht ata që si rafalë prodhojnë miliona «jo» e »po» gjatë ditës duket të jenë ata që trurin e përdorin vetëm kur u hahet fli. Dhe kjo kategori duket të jetë sunduesja e mentalitetit të shoqërive shqiptare [nëse mediat dhe rrjetin i pranojmë si pasqyrë të tyre]. Kjo ndodhë për një arsye të njohur: të menduarit është punë e rëndë, prandaj shumica gjykon [Jung]. Ose mos ka kaluar vërtet para Palit edhe Konfucio Ballkanit, ai kinezi që thoshte se njeriu ka tri udhë për të vepruar mençur: duke menduar [fisnikja], duke imituar [më e lehta] ose duke provuar [më e rënda dhe më e tharta]. Duke pasur parasysh se tek shqiptarët meshkujt janë shumicë dhe historikisht i kanë shty gratë tu punojnë, lehtë kuptohet pse kanë zgjedhur mesin e artë - të bëjnë jetë duke imituar! Kjo do të jetë «philosophia perennis» e jetës së tyre. Përndryshe ata «nga gërmadha e zhgënjimeve të deritashme [me politikën] do të kishin krijuar si shoqëri një karakter» [Emerson] ndryshe dhe nuk do votonin as Iknojmena-n hakmarrëse që mund t’ia hajë organet lirisë e shtetit të tyre e as krokodilin përtac e letargj, të cilit kur i vjen gjumi jo ndonjë mace por edhe ndonjë aeroplan rus i depërton në stomak dhe ai nuk e vëren fare. Prandaj ky riprodhim reciprok i hajdutëve nga masat dhe masa nga hajdutët. Pa macen s’do dinim as historinë e krokodilit e as anasjelltas. Galileo kishte të drejtë [Herder 1909: 90]: dy të vërteta nuk e kundërshtojnë asnjëherë njëra tjetrën. Populizmi para se të flasë shikon në gojë shumicën e mbiquajtur popull [Roth 2017: 21, 93]. Dy të vërtetat që nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën në kushtet janë shqiptare janë: masat hajdute prodhojnë politikanë hajdutë dhe anasjelltas! Metoda e tyre poashtu përbëhet nga dy të vërteta në harmoni: Iknojmena dhe krokodili për dallim nga rrëfimi egjiptian në këtë shqiptar nuk janë në armiqësi por bashkëjetojnë në orgji.

IV.

Versione ndryshe nga ky shkrim keni me shumicë mediave ku të «vërtetën» ua rrëfejnë Elvi Naçi, Ebu Kastrati dhe plotë të llojit: omniprezenca e banalitetit me origjinë nga bataku anash Nilit janë i vetmi mall «intelektual» për transport që ofrojnë zonat mediale virtografike shqiptare! Legjenda të llojit mbi popullin e shejntë, hajdutët përbindësha [që janë vetë] dhe Perëndinë [sot nuk e quajnë më Iknojmena, as Zeus e as Amun Re por ndryshe] që hakmerret me tërmete, përmbytje e covida. Shumica e mediave dhe publicistëve frekuental të tyre në raport me dijet dhe kapacitetet tjera janë si ajo popullata brenda konstatimit të Siegfried Lowitz-it, e cili thoshte: «kritikët janë si eunukët: ata e dinë se si bëhet ajo punë, mirëpo s’mundet ta bëjnë vetë». Ndërkaq tipin më të përhapur të politikanit e gjeni brenda thënies së Margaret Thatcher: «disa politikanë e kanë shtyllën kurrizore aq të pazhvilluar ngase e përdorin rrallë» ose fare për shkak të votave.

As murgjit me siguri nuk do t’i thonë politikës dhe masave se që të dyja krijesat e ekspozuara në këtë shkrim janë pjellë imagjinate dhe se ngjarja s’ka ndodhur asnjëherë e tillë, prandaj si përbindshmëria ashtu edhe hakmarrja nuk duhet të jenë Dào [?] e Konfucios apo Laocis-së – udha e drejtë, principi absolut apo metoda e vetme agonistike e politik-bërjes shqip. Nuk do të thonë murgjit e universiteteve, as ata të mediave dhe këta rrjetit këndej ashtu për shkak edhe dy të vërtetave pasuese [që ta bëjmë 6-in e mistikëve]: 1. Nuk dinë si ndryshe dhe 2. Ngase Iknojmena-n dhe krokodilin duan t’i hanë vetë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora