Kulturë
Rrahim Sadiku: Shëti në bjeshkët e Kelmendit
E shtune, 29.08.2020, 09:59 AM
SHËTI NË BJESHKËT E KELMENDIT
(Tregim
historik nga mesjeta shqiptare)
Nga Rrahim Sadiku
Kishin
shaluar kuajt e po shëtisnin me Tamarën. Po lodhnin e po shlodhnin sytë e
zemrën atyre pamjeve mahnitëse të brigjeve të Cemit. Po shikonin ato bjeshkë aq
të dashura e aq të trishtueshme, në të cilat, qëkur kishin lindur, kishin qenë
lumturia dhe mjerimi i tyre. Edhe dashuria që i kishte bashkuar para shumë
vitesh, ishte bërë si ato bjeshkë: e thyeshme, e rrezikshme dhe me plot të
papritura.
Ishte
vapë e thatësia dhe njomësia sikur shtyheshin kudo midis tyre. Edhe midis
Marjanit e Tamarës. U bëhej sikur kishin mbetur disi të papërfillshëm të vetëm
midis atyre bjeshkëve të mëdha. Fëmijët e të afërmit kishin shkuar grupe-grupe
me ushtri të ndryshme, sidomos me ato që sapo ishin krijuar dhe këta e shumë
prindër të tjerë nuk e dinin as ku ishin e sa me cilën anë ishin. U vinin lajme
se disa herë kishin ndërruar anë. Nganjëherë edhe u kishin dërguar fjalë se
ishin ngritur në pozita të larta e për të vërtetuar këtë u dërgonin të holla
dhe mallëra të ndryshme. Por zakonisht kjo nuk zgjaste shumë dhe papritur vinte
lajmi se kishin rënë në do vende të largëta e të panjohura, ose se po
kërkoheshin nga armiqtë e tyre dhe se po fshiheshin të shpëtonin kokën. Ndodhte
që mandejvinte lajmi se kishin shpëtuar
e se kishin arritur të bëheshin përsëri dikushi, duke u bashkuar me anën
tjetër.
Nga
të mbeturit në vendlindje, të paktë ishin ata që e ndjenin se nuk i kishin
punët mirë; e kuptonin se vendi po firohej nga shkaku se mashkujt e Kelmendit e
të viseve tjera arbërore po vriteshin duke u bërë shërbyes të interesave të
huaja. Por, nuk kishin kujt t’i qaheshin, me kë të shpjegoheshin e si të
ndikonin që gjërat të ndërronin. Madje, te shumica sikur nuk kishte as synim e
as dëshirë që e gjitha kjo të ndodhte. Sepse atje tutje ishin të mundshme
lavdia e pasuria, shumë tunduese.
Edhe
ata burra që kishin mbetur ende në ato male, me mendje e me veprime ishin atje,
ku kishin shkuar të tjerët. Mund edhe të kuptonin gjendjen, mungesen e të
ardhmes premtuese për vendin e tyre, por mendja u kishte ikur. Sikur nuk ishin
më në shtëpinë e tyre e në vendlindjen e tyre. Mendja u endej kahmos e bëmat e
ëndërruara e mundnin realitetin. Me shpirt tashmë ishin andej vendve të
largëta, ku i priste trimëria dhe bëheshin gati të niseshin, të shkonin diku,
të fitonin emër e pasuri, qoftë duke u bashkuar edhe me djallin.
Shumica
linin prapa gra e fëmijë, për të cilët kujtoheshin kur arrinin të kapnin ndonjë
pasuri dhe dërgonin për ta plot gjëra, po shkonte një kohë e më sikur harronin
vendlindjen e jeta e grave dhe e fëmijëve bëhej e rëndë, plot varfëri,
sëmundje, zënka, vrasje… Ishte bërë shumë vështirë të jetoje në ato male.
“Një
ushtri bizantine është nisur për këndej – tha Tamara dhe e shkëputi nga
mendimet. Pali i Murajve kishte dërguar dje shumë gjëra për familjen e tij dhe
i gëzoi shumë të mjerën grua e të mjerët fëmijë. Ata që i sollën gjërat kishin
treguar se Pali u kishte thënë se bizantinasit po bëheshin gati t’i dilnin në
pritë asaj lubie, që kishte synim të shkretonte Kelmendin e krahina të tjera…
Nuk do të shkojë shumë kohë e Cemi do të bart më shumë gjak se ujë.”
“E
di. Dëgjova edhe unë” – ia ktheu Marjani.
Ajo
e shikoi me habi. E kuptoi se ajo do t’i bënte shumë pyetje dhe shpejtoi të
shtonte:
“Edhe
nga Roma ka ardhur urdhër që për këtu të niset një ushtri e madhe nga Dalmacia.
Perëndimi e lindja po shtyhen për ne, po na ndajnë vëllain me vëlla. Dy
perandori dërgojnë ushritë e veta këtu e maten në këto bjeshkë të egra e të
amshueshme, duke u shtriqur përgjakshëm mbi mjerimin tonë.”
“Më
duket se për thyerjet e përthyerjet e tyre shumë të mëdha e me shumë synime për
të ardhmen, ata të fuqishën po mundohen që këtu të gjejnë zgjidhje. Secila nga
ata i do dhe i ruan me vete këto male, që japin shumë trima për të tjerët e
shumë mjerim për vete”.
“E
the mirë, e dashura ime. Po, nga këtu falim shumë trimëri për të tjerët e shumë
mjerim për vete…Shumë mjerim…”
“Toka
e Arbërit po krijon shtete e popuj… Ndoshta ke dëgjuar për bullgarët?!”
“Po,
një hiç popull që krijoi emër, perandori, histori…”
“Dhe
ne themele kishte e vazhdon ta ketë sakrificën tonë, gjakun tonë, shpirtin
tonë… Gjithnjë duke u mbështetur në vlerat tona, duke na i përvetësuar ato,
duke na larguar neve nga qenia jonë, duke e lidhur veten e ne me sllavët! Një
popull që s’ka asgjë të përbashkët me sllavët, ngado shkon ngulit sllavizimin!?”
“Po,
tregohen histori” – foli si e përgjumur Tamara. Marjani e shikoi dhe u habit
sesa e lodhur dhe e plakur po dukej ato momente ajo.
“Nuk
po më dukesh mirë, Tamarë. A kthehemi në kullë?”
“Jo,
bisedojmë edhe pak. Ne pleqëve vetëm bisedat, gjërat e lexuara dhe thashethemat
e dëgjuara na kanë mbetur, si mundësi për të treguar se jemi gallë.”
“Besoj
se një gjallërim, si ky gjallërimi ynë, do të jetë i pranishmëm gjithnjë nëpër
këto bjeshkë, prandaj do ta kemi shumë të vështirë të shkojmë ndonjë hap më
tutje një gjallërimi të mundimshën e të përhershëm. Të gjitha gjasat flasin se
këtë popull, gjatë shekujve të ardhshëm, e
pret një jetesë shumë të vështirë.”
Në
natyrë nuk ndërroi kurrgjë ato çaste, por Marjanit iu bë sikur nisi një erë e
beftë dhe e fuqishme. Iu bë sikur bjeshkët do të rrotulloheshin e po
ngatërroheshin dhe sikur do të binin mbi ta, me gjithë ata gurë të mëdhenjë. Ai
nuk e dinte si po dukej, po Tamara u rrëqeth kur hodhi shikimin kah ai.
“Ikim
nga këtu… Nuk je mirë Marjan! Sapo po më jepje kurajo mua e ndërrove qëndrim
dhe pamje?! Çka ndodhi me ty?”
“Diçka
ndodhi e dashur… Ndodhi! Nuk e di!”
Atë
e shqetësoi shqetësimi i saj dhe sforcoi veten për t’u dukur më i qetë.
Bjeshkët sikur u qetësuan. Jehonat sikur ikën larg e afër i erdhi një zagushi e
çuditshme. Në qiell sikur po hapej një hapësirë e gjërë, ku ai po shihte atë që
kishte në mendje. Nuk kuptoi sa mbeti duke shikuar atë realitet imagjinate.
“Je
me mua, Marjan” – i tha Tamara e shqetësuar.
“Po
e dashur, e di se jam me ty. Por nuk e di kush është me ne e kush kundër nesh.
Më bëhet se askush nuk është me ne. Ata po tallen, po luajnë me ne, Tamarë… Po
realizojnë trille të tyre me ne…!”
“Kush
po luan me ne?!”
“Perandoritë,
shtetet që po krijohen në trevat tona, popujt që po vërshojnë nga të gjitha
anët… Po na shtrijnë përdhe e po na flasin sikur po na ngrehin në qiell!”
“E
ne nuk ndërmarrim kurrgjë… U shërbejmë synimeve të tyre!”
“Nuk
e di si mund të gjejmë forcë të bëhemi bashkë e t’u përgjigjemi atyre si e
meritojnë! E kemi mundësi!”
“Po
u shërbejmë atyre, si shërbëtorë plotësisht të nënshtruar dhe po veprojmë
plotësisht sipas tekave të tyre. Ata i kanë kuptuar të metat tona dhe po na
joshin ashtu që të mos mundemi të mendojmë. Po na e ngulitin bindjen se ne nuk
mund të bëjmë asgjë vet, se ne jemi dikushi vetëm si të dëgjueshën e se ata
janë krijuar të bëjnë vepra të mëdha…”
“Kurse
te ne është sikur është thelluar nënshtrimi sikur na ka hyrë në vetëdije se ne
mund të bëjmë shumë, por vetëm për ata e duke i pasur ata mbi kokë!”
“Sikur
jemi të gjykuar të bëjmë madhështi për të tjerët e mjerim për vatrat tona!” –
foli me pezmë Tamara e një lot ia përshkoi faqen.
“Nuk
e pranojmë tonin si projës apo si të madh. Në matje me tanët, ne zgjedhim vetëm
veten!” – tha Marjani.
“Prandaj
te secila anë që shikojmë, po na duket sikur të gjitha këto veprime e sakrifica
ushtarake dhe politike i bëjnë për ne, për të na ruajtur neve. Dhe ata, të
gjitha të këqijat i drejtojnë, si pa të keq, kundër nesh”.
“Si
gjithmonë këta shekujt e fundit, si gjithmonë!”
“Edhe
ne si gjithmonë: me të gjithë e kundër vetes!”
Marjani
u ndje i molisur. Po disi edhe i zemëruar. Donte të thoshte disa fjalë që do e
nxirrnin mllefin që kishte brenda dhe u habit kur nga goja i doli:
“Si
vëllezërit tu!”
“Po,
por edhe si vëllezërit tu, i dashur, që
shkuan në Dukle dhe u bënë
armë e sllavizmit atje, duke
vrarë, shtypur e masakruar dukleatët vendës, vëllezërit e vet! Si ata nipat tu
që bënë emër në Romë e këtu desh u vdiqën familjarët për bukë. Po të mos u
kishim ndihmuar, kush nga familja e tyre nuk do të mbetej në jetë.”
“Janë
me mijëra arbër që mbahen shumë madhështorë atje ku gjenden, që jetojnë të
rrethuar me pasuri të mëdha e me shërbëtorë pa numër, po që i kanë harruar të
vetët dhe ata jetojnë në mjerim këtu… Ndoshta pendohen kur shtrihen të vdesin
vendeve të panjohura, po atëherë është vonë. As edhe një kujtim për ta nuk
mbetet atje e nuk ka përse t’i kujtoj ndokush as këtu! Jetë të shkuara kot këto
tonat …”
U
kthyen kah njëri-tjetri e u shikuan gjatë në heshtje. Sikur po shëtisnin viteve
të dashurisë, rrjedhave të mundimshme, pamjeve tmerruese gjatë rrethimeve të
gjata, kohëve të urisë, do rrjedhave me shpresë përshkuar… Befas Tamara e
shikoi me qesendi dhe ai nuk e kuptoi pse. E pyeti me shikim se çka donte t’i
thoshte.
“Edhe
ti desh pate shkuar njëherë!” – i tha.
“Po,
isha gati të shkoja. Nuk doja të mbetesha i vetëm, sepse gjithë mocanikët e mi
shkuan. Po ishte dikush që më bindi të mos shkoja. Ishe ti dhe dashuria jote,
Tamarë! Ishin edhe këto male që i dua shumë… O, ishin shumë kujtime që më
lidhën këmbë e duar e nuk u nisa. Dhe bëra mirë që nuk u nisa!”
“E
di. Dhe të kam dashur edhe më shumë për këtë e të kam qenë mirënjohëse e do të
të jem mirënjohëse sa të jem gjallë!”
“Nisën
të na merrnin shembull, prandaj erdhën të të rrëmbenin, që të më thyenin mua e
të na e mundnin dashurinë.”
“Po,
erdhën nga fisi i Krasajve dhe më zunë pritë përtej kullës – Tamarës i erdhi mu
para syve të mendjes ajo ditë. Ti atë kohë kishe shkuar të dërgoje disa barna
për familjen e Dedës në Hot dhe ata e dinin se nuk ishe në shtëpi… Por fati ynë
e deshi që të ishte duke u kthyer dhe dëgjove britmat e mia të qëndresës dhe
erdhe sa ishin rrugës, duke më tërhequr zvarrë, më shumë vdekur se gjallë.
Qëllove të parin e tyre e ata ikën e nuk u panë më…”
“Nuk
e harroj kurrë atë pamjen tënde ngazëlluese dëgjove zërin tim e shtrëngrimin që
më bëre kur tashmë kishe shpëtuar nga duart e tyre!”
“Dhe
vazhduam të jemi këtu…” – u mallëngjye Tamara.
“Po,
po… Por, edhe ne të mbeturit këtu, në vendin tonë, në malet tona, ndjehemi po
humbës! Ndjehemi humbës kështu të rralluar, të larguar nga njëri-tjetri, të
vetmuar në malet e shkretuara nga njeriu, koha e nga ligësia.”
Heshtën.
Një ushëtimë e largët sikur bluante gurët e thepave.
“I
dashuri vendi ynë sa pak po të duam!” – ofshani Marjani.
“Po
bëhemi e sikur po e vërtetojmë se nuk na mjaftuakan traditat tona, fakti që
flasim gjuhën tonë të lashtë e të bukur…”
“Mendojmë
se me mburrje e me këngë trimërie i mbulojmë të gjitha të metat tona, se ashtu
vërtetojmë që jemi ende vetja, se jemi ne… Por jo, sepse ndryshe jemi me
veprime kur jemi me njëri-tjetrin e ndryshe me të huajt. Këtu të parë e të
papërkulshëm, atje krejt të qullët e të nënshtrurshëm. Këtu nuk flasim me
bindje, me të huajt nuk kemi bindje…”
“Po,
po, na ka humbur bindja për veten dhe nderimi për madhështinë që duhet të
kishim. Ajo madhështi e ai nderim nuk është më midis të afërmëve të mi, as te
të afërmit tu!”
“Prandaj
më bëhet se po më tronditet toka nën këmbë, se po rrotullohet ntayra që kam
përbri, se po hapet qielli…!”
“Jemi
po ne që themeluan këtë Rashkën a Rasin, nuk di si po e quajmë me të vërtetë,
që ndjek pikë për pikë shembullin e bullgarëve dhe që heret a vonë ka mundësi
të bëhet kobi jonë. Tanët janë në ballë të këtij shteti në formim dhe po kam bindjen
se janë mu ata që po ngulitin dhe ushqyejnë urrejtjen e shfrenuar të mbarë
rasianëve kundër nesh. Ata po forcohen të ushqyer nga urrejtja për ne e nga
dëshira për të na zhdukur nga faqja e dheut.”
“Kam
dëgjuar disa rrëfime për atë Rashkën a Rasin. Ata po vjedhin shumë nga traditat
tona e po na i vjelin njerëzit më të zot
që kemi. Po krijohet kështu një popull i habitshëm e pa themel, në një vend të
çuditshëm e të harruar….”
Diku
u dëgjuan timpane e fanfare ushtarake. Njëra ushtri ishte futur luginës së
Cemit. Ndoshta të dyja.
Ishte
mirë të ktheheshin në shtëpi sa më parë, që të mblidheshim me gratë e fëmijët e
të strukeshim në vendet ku nuk do të shkelte dot i huaji. Do të strukeshim
atje, por jo më të sigurtë. Sepse tashmë me të huajin ishin edhe shumë nga
njerëzit e Kelmendit e fiseve të tjera.