E premte, 18.09.2020, 08:11 AM (GMT+1)

Komente

Edison Ypi: Moglica kolosale

E enjte, 21.05.2020, 03:59 PM


Moglica kolosale

Nga Edison Ypi

Vetëm llogje, dallavere, selfie, humor i pështirë, akademikë trutharë që kërkojnë fonde, kërkues shkencorë që bëjnë postime të kërrupta në fejsbuk, libra të palexueshëm nga mbijetuesa banalë grafomanë mediokër, rrena dhe vetëm rrena gjithandej.

Morpo a ka këtu ndonjë vend ku bëhet një punë për së mbari, ku e hidhura nuk paraqitet e ëmbël, e shëmtuara e bukur, e helmëta e kripur ?

Ku ndodhet ndonjë zgëq ku produkti i veprimtarisë së njerëzore të mos jetë i rrejshëm, por i vërtetë, i prekshëm, me identitetin e vet, pamjen, tingullin, aromën, dobinë, vlerën e vet ?

Ta kërkojmë atë skutë. Jo këtu afër ku gomerët ja marrin këngës, mbajnë ison, hedhin vallen, dhe hajvanllëku ta zë frymën si gjarpër rrotull qafës. Larg. Për shembull, ku po ndërtohet një hidrocentral.

Gramsh - Moglicë e rrugës që del në Maliq, ka qënë hiç më pak se një çudi e madhe; "rrugë sekrete". Veç banorëve lokalë, të pakët ishin ata që e dinin se ekzistonte. Ku lugina ngushtohet dhe nis Kanioni i Devollit, ca tunele në shkëmb ku janë ruajtur armatime, dhe poshtë në luginë ca cisterna karburanti, bashkë me ca depo drithi me anë të të cilave garantohej fukarallëku, ishin shkaku i sekretllëkut të kësaj rruge.

Kjo rrugë ishte aq e ngushtë dhe me gropa aq të thella sa kalohej vetëm me fuoristradë. Tani që kompania norvegjeze që ndërton hidrocentralin e Moglicës e ka zgjeruar dhe asfaltuar, ajo rrugë kalohet me çdo lloj mjeti.

Pak kilometra më tutje Kodovjatit, lugina thellohet, Devolli ndrydhet mes maleve. Përrenj mahnitës ushqejnë lumin duke rënë nga malet si nga qielli.

Tunel gjigand që sjell ujin nga diga e Moglicës. Hyjnë e dalin kamiona ciklopikë. Një puntor thotë se në brendësi të atij tuneli ku është gdhendur në shkëmb një zgjerim sa një ndërtesë katër katëshe ka nisur montimi i turbinave. Kureshtje e papërmbajtur për të hyrë në tunel. Por roja të thotë se për të hyrë në tunel duhet leje. Jo nga ministria e brendëshme që ruante sekretet e fukarallëkut. Aty nuk ka asnjë sekret. Leja jepet nga një komision që të instrukton për tu ruajtur nga rreziqet. Lutju sa të duash rojes të lejojë të futesh në tunel pa marrë lejen. Nuk tundet roja nga e tija. I dorzohesh fatit. Ikën drejt Moglicës. Ngushtica, kthesa, pasqyra, paralajmërime për rreziqe në disa gjuhë. Lumi, kanioni, shkëmbinjtë e thepisur, ankth i bukur si te filmi "Deliverance".

Ja Kampi hidrocentralit. I rrethuar, i rregullt, i pastër, me roja, me të tëra. Fjetoret e hidrocentraleve të kurvit ishin barraka plot zhul ku të çante morri, krevata të shpartalluar, batanie të pista, çimka. Fjetoret e këtushme janë si të vizatuara me kompjuter. Ta shohësh nga brenda një nga dhomat e fjetoreve mund të ndali zemra. Krevat, kondicioner, kompjuter, internet, më të pastra dhe më të kompletuara se dhomat e Hotel Dajtit. Sheshi i kantierit është plot me fuoristrada të personelit dhe puntorëve. Shërbim mjekësor. Ambulancë në gatishmëri. Është vakt dreke. Këtu nuk ka mencë puntorësh me supë të qelbët, groshë që i numurohen kokrrat, bukë të zezë me spango, miza, minj brënda. Ka restorant ku puntorë, inxhinierë, nëpunësa, hanë ushqime të shëndetëshme, të freskëta.

Shefi i sigurimit teknik, është anglez. Ta provoj tja marr anglezit lejen me u fut në tunel duke ja prish mendjen me ca llomotitje shqiptareske, jopo kam ardhur nga larg, jopo e dua vendin tim, të lutem ma jep lejen. E pamundur. I ardhuri nga an' e anës për të ruajtur jetën time, me ja rjep lëkurën nuk ta jep lejen me u fut në tunel pa bërë instruktimin përkatës.

U pa puna. Në tunel një herë tjetër.

Një inxhinier i ri shqiptar më shoqëron tek diga.

Ka mbaruar dhe është në funksionim tuneli i devijimit. Është në të mbaruar tuneli 11 kilometra i dërgimit të ujit te turbinat. Kanë përfunduar shpatullat dhe ka nisur mbushja e digës. Prej lartësisë marramendëse duken përmasat kolosale të hidrocentralit. Aq fantastike është pamja, aq mrekulluese tingëllojnë spjegimet e inxhinierit, sa e harron pikëllimin që të shkaktoi pamundësia për të hyrë në tunel. Duket sikur nuk mjafton jeta për ta kqyrur si duhet këtë kryevepër inxhinierike.

Financuesi norvegjez ka nënkontraktuar kompanitë më serioze dhe më prestigjioze të botës. Përvojat botërore nga Piramidat e Egjipti, Kanali i Panamasë, Kanali i Suezit, e deri tek digat më moderne që ndërtohen sot në botë, bashkë me teknologjitë më të fundit hidrike, mekanike, elektrike, elektronike, zbatohen këtu në Moglicën kolosale. Ska gjë më qesharake se ta krahasosh këtë mrekulli me, për shembull, hidrocentralin e Fierzës. Nuk ka këtu minatorë që i zë dheu apo i asfikson tuneli. As nga ata që u bëhet koka përshesh sepse u plas në gojë kapsolla që e shtypnin me dhëmbë ngaqë mungonte një pincë që kushton 1 dollar.

Kishte mizëri mjeranësh që ndihmoheshin nga ca makina. Tani këtu ka mizëri makinash që drejtohen nga pak njerëz.

Nuk ka këtu zotime, suksese, mbledhje, duartrokitje. Nuk ka montatorë heroikë zhulsa që kacavjerren nëpër kulla metalike. As filma me termoçifta të sabotuar, ideuar nga Simon Stefani, regjia Hekuran Isai, skenari Fahri Balliu. Këtu ka vetëm punë dhe pare, asgjë tjetër.

Duhet me ik prej këtu se mund të çmendesh nga këto mrekullira.

Tre çuna të vegjël anës rrugës. Kanë prerë dru për dimër përtej lumit. I kanë stivosur drutë anës rrugës, dhe po presin mushkën për ti shpënë në shtëpi. Flasin një dialekt jugor aq të butë e të rrjedhshëm sikur ua ka mësuar Naim Frashëri. Arsyeja është e thjeshtë. Nuk kanë qënë kurrë në Tiranë.

Pas pak rrugën e vjetër do ta mbysi liqeni. Po ndërtohet rrugë e re në lartësi që do kalojë nga Strelca dhe do mundësojë eksplorimin turistik të Valamarës dhe vendeve të tjera.

Vetëm makina lokale të banorëve ose të hidrocentralit. Asnjë bythpambuk metropoli për turizëm, për qef.

Fasulet në Lozhan nuk kanë të paguar.

Në mes të kurrkundit, më përshëndet me emër e mbiemër një police femër. Të udhëtoke me vite nëpër mrekullitë shqiptare tu popullarizoka surrati.

Pse bërtet, më thotë polici rrugor në Maliq, ke pirë raki ? Nuk kam pirë raki mor burr, i them policit, ujë Lozhani piva. Bërtas se ashtu e kam temperamentin dhe më rrënqethi Moglica kolosale ku asgjë nuk ishte rrenacake.

Mirë, tha polici, dehu me pamje Moglice dhe ujë Lozhani, por mos bërtit se do gjesh belanë.

Faleminderit zoti polic. Po iki ta gjej belanë nga Moglica kolosale te Tirana lilipute.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora