| E enjte, 21.05.2020, 03:59 PM |
Moglica kolosale
Nga
Edison Ypi
Vetëm
llogje, dallavere, selfie, humor i pështirë, akademikë trutharë që kërkojnë
fonde, kërkues shkencorë që bëjnë postime të kërrupta në fejsbuk, libra të
palexueshëm nga mbijetuesa banalë grafomanë mediokër, rrena dhe vetëm rrena
gjithandej.
Morpo
a ka këtu ndonjë vend ku bëhet një punë për së mbari, ku e hidhura nuk
paraqitet e ëmbël, e shëmtuara e bukur, e helmëta e kripur ?
Ku
ndodhet ndonjë zgëq ku produkti i veprimtarisë së njerëzore të mos jetë i
rrejshëm, por i vërtetë, i prekshëm, me identitetin e vet, pamjen, tingullin,
aromën, dobinë, vlerën e vet ?
Ta
kërkojmë atë skutë. Jo këtu afër ku gomerët ja marrin këngës, mbajnë ison,
hedhin vallen, dhe hajvanllëku ta zë frymën si gjarpër rrotull qafës. Larg. Për
shembull, ku po ndërtohet një hidrocentral.
Gramsh
- Moglicë e rrugës që del në Maliq, ka qënë hiç më pak se një çudi e madhe;
"rrugë sekrete". Veç banorëve lokalë, të pakët ishin ata që e dinin
se ekzistonte. Ku lugina ngushtohet dhe nis Kanioni i Devollit, ca tunele në
shkëmb ku janë ruajtur armatime, dhe poshtë në luginë ca cisterna karburanti,
bashkë me ca depo drithi me anë të të cilave garantohej fukarallëku, ishin
shkaku i sekretllëkut të kësaj rruge.
Kjo
rrugë ishte aq e ngushtë dhe me gropa aq të thella sa kalohej vetëm me
fuoristradë. Tani që kompania norvegjeze që ndërton hidrocentralin e Moglicës e
ka zgjeruar dhe asfaltuar, ajo rrugë kalohet me çdo lloj mjeti.
Pak
kilometra më tutje Kodovjatit, lugina thellohet, Devolli ndrydhet mes maleve.
Përrenj mahnitës ushqejnë lumin duke rënë nga malet si nga qielli.
Tunel
gjigand që sjell ujin nga diga e Moglicës. Hyjnë e dalin kamiona ciklopikë. Një
puntor thotë se në brendësi të atij tuneli ku është gdhendur në shkëmb një
zgjerim sa një ndërtesë katër katëshe ka nisur montimi i turbinave. Kureshtje e
papërmbajtur për të hyrë në tunel. Por roja të thotë se për të hyrë në tunel
duhet leje. Jo nga ministria e brendëshme që ruante sekretet e fukarallëkut.
Aty nuk ka asnjë sekret. Leja jepet nga një komision që të instrukton për tu
ruajtur nga rreziqet. Lutju sa të duash rojes të lejojë të futesh në tunel pa
marrë lejen. Nuk tundet roja nga e tija. I dorzohesh fatit. Ikën drejt
Moglicës. Ngushtica, kthesa, pasqyra, paralajmërime për rreziqe në disa gjuhë.
Lumi, kanioni, shkëmbinjtë e thepisur, ankth i bukur si te filmi
"Deliverance".
Ja
Kampi hidrocentralit. I rrethuar, i rregullt, i pastër, me roja, me të tëra.
Fjetoret e hidrocentraleve të kurvit ishin barraka plot zhul ku të çante morri,
krevata të shpartalluar, batanie të pista, çimka. Fjetoret e këtushme janë si
të vizatuara me kompjuter. Ta shohësh nga brenda një nga dhomat e fjetoreve
mund të ndali zemra. Krevat, kondicioner, kompjuter, internet, më të pastra dhe
më të kompletuara se dhomat e Hotel Dajtit. Sheshi i kantierit është plot me
fuoristrada të personelit dhe puntorëve. Shërbim mjekësor. Ambulancë në
gatishmëri. Është vakt dreke. Këtu nuk ka mencë puntorësh me supë të qelbët,
groshë që i numurohen kokrrat, bukë të zezë me spango, miza, minj brënda. Ka
restorant ku puntorë, inxhinierë, nëpunësa, hanë ushqime të shëndetëshme, të
freskëta.
Shefi
i sigurimit teknik, është anglez. Ta provoj tja marr anglezit lejen me u fut në
tunel duke ja prish mendjen me ca llomotitje shqiptareske, jopo kam ardhur nga
larg, jopo e dua vendin tim, të lutem ma jep lejen. E pamundur. I ardhuri nga
an' e anës për të ruajtur jetën time, me ja rjep lëkurën nuk ta jep lejen me u
fut në tunel pa bërë instruktimin përkatës.
U
pa puna. Në tunel një herë tjetër.
Një
inxhinier i ri shqiptar më shoqëron tek diga.
Ka
mbaruar dhe është në funksionim tuneli i devijimit. Është në të mbaruar tuneli
11 kilometra i dërgimit të ujit te turbinat. Kanë përfunduar shpatullat dhe ka
nisur mbushja e digës. Prej lartësisë marramendëse duken përmasat kolosale të
hidrocentralit. Aq fantastike është pamja, aq mrekulluese tingëllojnë spjegimet
e inxhinierit, sa e harron pikëllimin që të shkaktoi pamundësia për të hyrë në
tunel. Duket sikur nuk mjafton jeta për ta kqyrur si duhet këtë kryevepër
inxhinierike.
Financuesi
norvegjez ka nënkontraktuar kompanitë më serioze dhe më prestigjioze të botës.
Përvojat botërore nga Piramidat e Egjipti, Kanali i Panamasë, Kanali i Suezit,
e deri tek digat më moderne që ndërtohen sot në botë, bashkë me teknologjitë më
të fundit hidrike, mekanike, elektrike, elektronike, zbatohen këtu në Moglicën
kolosale. Ska gjë më qesharake se ta krahasosh këtë mrekulli me, për shembull,
hidrocentralin e Fierzës. Nuk ka këtu minatorë që i zë dheu apo i asfikson
tuneli. As nga ata që u bëhet koka përshesh sepse u plas në gojë kapsolla që e
shtypnin me dhëmbë ngaqë mungonte një pincë që kushton 1 dollar.
Kishte
mizëri mjeranësh që ndihmoheshin nga ca makina. Tani këtu ka mizëri makinash që
drejtohen nga pak njerëz.
Nuk
ka këtu zotime, suksese, mbledhje, duartrokitje. Nuk ka montatorë heroikë
zhulsa që kacavjerren nëpër kulla metalike. As filma me termoçifta të sabotuar,
ideuar nga Simon Stefani, regjia Hekuran Isai, skenari Fahri Balliu. Këtu ka
vetëm punë dhe pare, asgjë tjetër.
Duhet
me ik prej këtu se mund të çmendesh nga këto mrekullira.
Tre
çuna të vegjël anës rrugës. Kanë prerë dru për dimër përtej lumit. I kanë
stivosur drutë anës rrugës, dhe po presin mushkën për ti shpënë në shtëpi.
Flasin një dialekt jugor aq të butë e të rrjedhshëm sikur ua ka mësuar Naim
Frashëri. Arsyeja është e thjeshtë. Nuk kanë qënë kurrë në Tiranë.
Pas
pak rrugën e vjetër do ta mbysi liqeni. Po ndërtohet rrugë e re në lartësi që
do kalojë nga Strelca dhe do mundësojë eksplorimin turistik të Valamarës dhe
vendeve të tjera.
Vetëm
makina lokale të banorëve ose të hidrocentralit. Asnjë bythpambuk metropoli për
turizëm, për qef.
Fasulet
në Lozhan nuk kanë të paguar.
Në
mes të kurrkundit, më përshëndet me emër e mbiemër një police femër. Të
udhëtoke me vite nëpër mrekullitë shqiptare tu popullarizoka surrati.
Pse
bërtet, më thotë polici rrugor në Maliq, ke pirë raki ? Nuk kam pirë raki mor
burr, i them policit, ujë Lozhani piva. Bërtas se ashtu e kam temperamentin dhe
më rrënqethi Moglica kolosale ku asgjë nuk ishte rrenacake.
Mirë,
tha polici, dehu me pamje Moglice dhe ujë Lozhani, por mos bërtit se do gjesh
belanë.
Faleminderit
zoti polic. Po iki ta gjej belanë nga Moglica kolosale te Tirana lilipute.