E merkure, 16.10.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Rruga ime

E enjte, 30.04.2020, 02:05 PM


Rruga ime

Nga Edison Ypi

Te rruga ime fjala më e sikletshme është "puna", zbavitja më e këndëshme është Interneti, filmi më i bukur është teleovela, muzika më e pëlqyer është sirena e makinës së policisë që vjen për të arrestuar komshiun, vera më dehëse është vjedhja, rakia më e mrekullueshme është hilja, pija freskuese më e hatashme është vrasja.

Dy ndër tre banorë te Rruga ime, ndërkohë që presin të vriten sa më vonë prej dikujt, mezi presin të vrasin sa më shpejt një të tretë.

Për 99 nga 100 banorë të rrugës time libri artistik nuk ekziston.

Te Rruga ime, ku kafenetë çahen nga muhabetet për gjeopolitikë botërore, askush nuk ankohet se mallrave nëpër dyqane nuk u vënë çmime.

Te Rruga ime mosmarrja e kuponit tatimor quhet veprim trimëror hakmarrës ndaj qeverisë së keqe.

Te rruga ime gjallojnë mijëra nostalgjikë të dëshpëruar për jetën e sotme monotone të palezetshme kur nuk bëhen atentate nëpër rrugica, nuk organizohen mbledhje të fshehta, nuk ka vrasje pas shpine, nuk ka arsye për të ngjitur trakte mbi mure.

Populli i Rrugës time, kapitalizmin dhe pluralizmin nuk i lidh me Lirinë, begatinë, prosperitetin, por vetëm me papunësinë, emigracionin, mungesën e rendit, korrupsionin, hajdutllëkun, krimin, farmacinë, somniferët, pilulat, tabletat.

Banorët e Rrugës time nuk i hedhin asnjë qindarkë violinistit fukara që luan seriozisht Erik Satie mbi trotuar por vetëm lypsarëve pisanjosë që s'dinë të bëjnë asgjë.

Brenda dyqaneve te Rruga ime nuk ka blerësa, ka vetëm shitse kokulur mbi celular duke bërë selfie ose duke u ksehasur në fejsbuk.

Te Rruga ime ka gjithfar lloj femrash; Të kollajta, të vështira, qeflie, nazelie, interesaxhie, të squta, budallaqe, delirante, të nxehta, të ftohta, të vakta, por nuk ka asnjë femër che non ti rompe i coglioni.

Te Rruga ime ka jo pak obezë, kardiopatë, endokrinopatë, edhe nën 30 vjeç.

Qindra delirantë që bëjnë si të ditur dhe shkarrashkruesa grafomanë popullojnë Rrugën time.

Kafenetë te Rruga ime janë plot me ish-spiuna të qeshur që u kanë nxirë jetën kushedi sa njerëzve.

Rruga ime ka me dhjetra zgëqe ku mbrëmjeve mblidhen të rinj ngordhalaqë që tymosin hashash.

Rruga ime ka panumurim bij që duan të vrasin babain, nipa që ëndërrojnë të helmojnë xhaxhain, kunata që duan ti mbytin në gëlqere të pashuar kunatat, nuse që ëndërrojnë tua rjepin lëkurën vjehrrave, vjehrra që duan tua presin fytin nuseve.

Te Rruga ime ka qindra të rinj që duan të ikin në Gjermani për të vetmen arësye sepse janë biondë. Qindra të tjerë në Turqi sepse u duket vetja të talentuar për aktor telenovele. Panumurim të tjerë në Itali ku, sipas tyre, vidhet kollaj.

Te Rruga ime komunistat e kanë harruar luftën e klasave, merren me biznes.

Qindra demokratë te Rruga ime, për ta shkatërruar Partinë Demokratike përdorin me sukses mënyrën staliniste të zbatimit të luftës së klasave mes vedi.

Blerja e një gazete te Rruga ime është po aq e rrallë sa blerja e një kostumi të shtrenjtë në një Butik nga dikush që s'njihet, dikur kur s'dihet.

Rruga ime plot me hajdutë, vrasës, votues, militantë politikë, evazorë fiskalë, budallenj, delirantë, me problematika sa për dhjetë milionë njerëz, ka vetëm tre mijë banorë, që presin të vdesin megjithse kurrë nuk kanë lindur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora