Kulturë
Ndue Dedaj: Fati i femrës që nuk është heroinë
E shtune, 09.05.2020, 04:50 PM
“ANJEZA NUK U ZGJUA”, FATI I FEMRËS QË NUK ËSHTË HEROINË
Nga
Ndue Dedaj
Shkrimtari
i njohur Preç Zogaj, në Panairin e Librit, nëntorin e kaluar, erdhi me romanin
me titullin intrigues, “Anjeza nuk u zgjua”. Duheshin lexuar afro pesëqind faqe
libër për ta marrë vesh fatin e trishtë të vajzës protagoniste, që nuk kishte
si të “zgjohej”, përderisa koha në të cilën rronte ishte duke u shuar. Romani
krijon shtratin e vet, ashtu si Drini, ndanë të cilit zhvillohen ngjarjet, në
gjysmën e dytë të viteve ’80, duke u njohur lexuesi gjurmë pas gjurme me
Anjezën, një personazh të pahasur më parë. Anjeza niset si një ëndërr dhe
përfundon si një robinë e rrethanave. Autori vetëm sa rrugëton me të, duke e
lënë Anjezën në fatin e saj, që ta luajë vetveten deri në fund. Nuk e nxit, as
nuk e pengon. Nuk krijon kurrëfarë artifici letrar, që do ta bënte të
panatyrshëm personazhin e vet, rreth të cilës më shumë vërtiten se veprojnë të
tjerët, ku vetëm Davidi individualizohet dukshëm. Autori nuk ka dashur të
merret dhe aq me galerinë, por me robinën, për ta dhënë deri në fund gjërësinë
dhe thellësinë e një karakteri njerëzor si Anjeza, që është ai i një vajzë
fshati, tek e cila ka depërtuar qytet(ërim)i deri në inde, ani se në
vendlindjen e saj ende nuk janë shuar jehonat e vjetra të malësive nga kanë
zbritur të parët e saj.
Përmes
Anjezës, Zogaj na ka sjellë Lezhën e tij të djeshme me drithërimat dhe
dritëhijet e veta, periferinë dhe provincën shqiptare gri, që e ndan një det me
Tiranën. E vetmja frymë që e mban gjallë atë është dashuria, ku ka gjer skena
erotike, pulsim të jetës intime, flirt, po dhe filozofime origjinale rreth
dashurisë. Një roman i dashurisë që të përfton emocion, por dhe roman
psikologjik, nga përjetimet e ndërsjellta dashurore të Anjezës dhe Davidit. Në
fillim është Davidi që e projekton Anjezën për lexuesin, duke kërkuar t’i japë kuptim
lidhjes së tyre, në kohën kur ata të dy, pa ndonjë shkak të lexueshëm, dhe e
pranojnë dhe e refuzojnë njëri-tjetrin. Anjeza shpaloset në roman si një vajzë
plot hire, e bukur, e natyrshme, e përmbajtur, e vetëdijshme për feminilitetin
e saj, që i druhet mjedisit përgojues, por jo kur është fjala për dashurinë me
Davidin. Ajo rron mes Patalanës, fshatit të saj në afërsi të Lezhës dhe vetë
qytetit me mure antike. Përpiqet të debutojë në fushën e artit skenik, ka
ëndërra për të nesërmen, mëson pjesë letrare për të konkuruar për aktore,
përfshihet në grupin e kërcimit të Pallatit të Kulturës, ndjek kursin e
italishtes, punon si shpjeguese muzeu etj. Nuk ka ndonjë entusiazëm as kur
bëhet e njohur gjithadej, meqë i ka dhuruar buqetën e luleve Udhëheqësit të
Lartë, gjatë vizitës së tij në fermën e Nëndrinit. Është një karakter që vjen
duke u maturuar me mjeshtëri nga autori, të cilit i intereson çdo nuancë e saj.
Duket
se asgjë e keqe nuk do të ndodhë dhe se gjerat do të rregullohen mes dy të
dashuruarve, derisa, në gjendjen pezull - as bashkë as ndaras - me Davidin,
para saj shfaqet një tip si Arjan Luna, që e rrotullon “timonin” e ngjarjeve
dhe fatit të Anjezës në një tjetër kahje, jo ai vetë, por si i përdorur nga
bijtë e njerëzve të pushtetshëm, Visi e Koli, njëri djali i ministrit të
Ekonomisë dhe tjetri djali i deputetit. Ariani, që identifikohet më shumë se me
veten, me “Fiatin” ngjyrë vishnje, shërben si “ndërlidhës” mes Anjezës dhe
dyshes diabolike nga kryeqyteti, që kur vijnë në Lezhë kanë si strehë Hotelin e
Gjuetisë.
Ndihet
se autori e kishte brenda tij prej shumë kohësh Anjezën dhe erdhi çasti që
duhej ta rrëfente atë me nge, ndoshta ngaqë nuk mund ta thoshte shkurt botën e
saj, endjen për kah ëndrra, rrethinën rurale-urbane ku ajo gjallinte. Ajo dashurohet
me Davidin, por dashuria e tyre thyhet, edhe pse ata të dy vazhdonin të
duheshin. Fati i Anjezës ishte i “nëmur”. Ajo nuk mund të ecte në jetë. Vetë
shkrimtari na e thotë arsyen e mos-arsyes: “Ajo ishte e talentuar... por një
vajze nga një fshat i Lezhës nuk i mjaftonte talenti dhe as dalja në fotografi
me Udhëheqësin e Lartë për të çarë në pyllin plot me ferra, driza dhe kafshë të
egra të artit”. Duke e ditur këtë gjë, djemtë e përkëdhelur të regjimit do ta
shtinin në dorë, kinse po e ndihmonin të fitonte konkursin për aktore. Anjezës
i bie për hise ky fat dhe ajo, kur sheh se nuk ka mundësi tjetër, e pranon “një
dorë nga jashtë” që mund t’i jepej për ta mbërritur ëndrrën, dhe pse kjo ishte
jo në përputhje me parimet e saj morale. Fati saj është i njëjtë me atë të
Davidit, i cili, gjithashtu, nuk mund të çante në jetë, ngaqë “ishte njeri pa
njeri, pa trevë, pa familje”.
*
Si
njëri, si tjetri e kanë të pamundur ta ndryshojnë gjendjen e tyre dhe vjen një
çast që nuk kanë më iluzione. Për Anjezën ky çast është kur kupton se nuk mund
të ecë vetë drejt universitetit, kurse për Davidin kur braktis vendin e tij për
një punë më të mirë në puset e naftës. Në këto rrethana shfaqen Visi dhe Koli,
si vëllezër siamezë, të “kllonuar” të Bllokut, që nuk përmendet si emër, njerëz
pa përsonalitet, që i njohin vetes pushtetin të bëjnë çdo gjë me të tjerët
“poshtë” rangut të tyre. Autori shkruan se ata “mbaheshin si rebelë të asaj që
përfaqësonin familjet e tyre”, por pa i refuzuar privilegjet. Anjeza, ndonëse
vakët, nis e beson në bamirësinë e tyre kundrejt saj, se ata do ta ndihmonin të
fitonte konkursin për dramaturgji, që një vit më parë e kishte humbur. Por as
në ëndrrën më të shëmtuar nuk e kishte shkuar nëpër mend përdhunimin, aq më
tepër në grup, sikur ajo që do të ndodhte mbi trupin e saj të ishte për dyshen
Vis-Kol një lojë seksi dhe jo një krim, ndonëse ata, të mësuar me të
palejuarën, nuk e shihnin si të tillë. Prandaj ajo nuk thotë asnjë fjalë kur
“zgjohet” pas zezonës që ka provuar atë natë në katin e gjashtë të një pallati
në Tiranë. Në të vërtetë ajo ka vdekur asaj nate, por ditët që zgjasin janë më
shumë për të vënë në provë karakterin e Davidit, që tash po nxitonte të
përmbushte atë që nuk kishte mundur ta bënte kur Anjezën e kishte në krah të
palënduar. Filmi “Ora Blu” kishte qenë kurthi për ta tërhequr vajzën drejt
fillimit të fundit të saj, duke e mashtruar se ajo e kishte fituar degën e
ëndërruar në Institutin e Lartë të Arteve dhe kjo sipas tyre duhej festuar.
Anjeza
u nis për t’u bërë aktore dhe për të luajtur në skenë dhe ekran rolet e teatrit
klasik dhe atij bashkëkohor, por pati vetë fatin e personazheve të teatrit
absurd. Anjeza nuk u zgjua, sepse ajo shkoi të përmbushte deri në fund rolin e
saj, që nuk ia kishte caktuar regjisori, por fundi i trishtë. Shumë gra të
letërsisë, pavarësisht rrethanave dhe kohëve, si Ana Karenina, Zonja Bovari,
Dija e “Sikur të isha djalë”, Ana Maria Monti e “Qyteti i fundit” kanë pasur
fatin e saj, por ajo nuk është asnjëra nga ato. Anjeza ka një paraprirëse
tragjike nga kreshta e saj dhe ajo është Marta Ballgjini, që gjithashtu ka
kryer vetëvrasje. Autori nuk thur diçka klasike për vdekjen, si të Martës, si
të Anjezës. Ne nuk e dimë nëse Marta u rrëzua pa dashje, apo ra nga shkëmbi
qëllimisht për të vdekur te kanioni i madh. Ne po ashtu nuk e dimë nëse Anjeza
i piu me shumicë kokrrat qetësuese për të bërë një sy gjumë në tren, apo për
t’i dhënë fund gjithë atij lëmshi jetësor që iu krijua befas nga “xhentelmenët”
e Tiranës. Ky është një qendrim i fisëm i shkrimtarit ndaj vdekjes, të cilën ai
nuk nxiton ta deklarojë vetë, prandaj na thotë në mënyrë befasuese se “Anjeza
nuk u zgjua”. Ky është një eufemizëm i letërsisë moderne. Megjithatë shkrimtari
na përgatit për fundin në të dy rastet. “Ideja se nuk kishte kush ta ndihmonte,
ndërsa duhet të nisej, e kishte mbushur me një dëshpërim që i merrte frymën...
Marta kishte dalë nga shtëpia kokulur, e zbehtë si një kufomë...” (f. 99.) Po
ashtu Anjeza: “Dukej e vdekur, por s’mund të ishte e vdekur, përderisa mbahej
ashtu si kulla e Pizës. Atij i shkoi mendja se mosrënien e saj e siguronte një
elemet i zgjatimit të saj brenda gjumit. Frika. Ajo nuk do të jetonte më pa
frikë në jetë të jetëve. As në gjumë. Atij i erdhi për të qarë”.
Faqet
e fundit të romanit në tren janë përshkruar me nota të thekshme trishtimi, pasi
në atë tren të zakonshëm të linjës Lezhë - Fier po luhej e jashtëzakonshmja. Po
shuhej një vajzë e dëlirë, që do të bëhej artiste, çka nuk ndodhi. Ai tren
ishte “kanioni i madh” ku ajo po thyente qafën? Apo vrapi i tij ishte troku i
pandalshëm i fatalitetit të saj.
Sa
i përket stilit, mund të thuhet shumëçka, por një nga mjetet shprehëse më të
parapëlqyera të shkrimtarit është grotesku, që shpërfaqet në gjithë
mbarështrimin e romanit, në episode, situata dhe tipa groteskë; vetë vizita e
Udhëheqësit të Lartë dhe caktimi i Anjezës për t’i dhuruar buqetën e luleve
është dhënë me nënqeshje; flitet për hapjen e vendit dhe ajo për të rinjtë
lezhianë arrin deri të Hoteli i Gjuetisë, që kishte qenë një mollë e ndaluar
për ta; festa e çlirimit në kala përshkruhet si një rutinë, ndërkohë që tallja
thellohet në rastin djemve “gangësterë”, që kinse do të arratiseshin në Milano,
kur ata do të venin veçse deri në Milot për pazar!? Tjetër situatë groteske
është shtegtimi në zonat e naftës i sekretarit të Partisë, Gjinit, për të
gjetur dy djemtë e humbur plangprishës, Davidin dhe shokun e tij, por dhe
ravgimet e fundit “kanunore”, në emër të nderit të humbur, të pleqve të
Patalanës, që pas stuhisë ngjan “si një shpend i shpupluar shkel e shko”.
Autori
Preç Zogaj, i njohur jo vetëm si poet i shquar, por dhe si një shkrimtar me
përvojë në lëvrimin e prozës (mjaft të përmendësh novelat, romanet “Pa
histori”, “Kufiri” etj.) e ka shkruar romanin brenda psikologjisë së at’hershme
dhe jo duke e kundruar të djeshmën nga e sotmja. Ai vetëm rrëfen dhe nuk mban
qëndrime rreth ngjarjeve dhe personazheve. Në fillim e pikturon Anjezën si një
ikonë dashurie dhe pastaj e skalit si një skulpturë dramatike. Romani tek e
fundit është ajo. “Anjeza” e tij, duke qenë një robinë e kohës dhe jo një
heroinë e saj, në një kontekst është lajmëtarja e asaj që ajo shoqëri kishte
shkelur nëpër ravën e vetëvrasjes. Por kjo është njëra anë. Ana tjetër është
mishërimi i idesë se dashuria është sfiduese e çdo regjimi e banaliteti. Ndaj
si një himn për femrën dhe dashurinë, vepra do të mbetet një “Anjezë” e
përveçme e letërsisë shqipe, sigurisht me kumte universale. Romanet që shënojnë
kulme artistike në letërsinë bashkëkohore, me gjasë kështu vijnë, pa ndonjë
“gjyq” në finale, ku triumfon e mira dhe bota ndreqet.