E shtune, 27.04.2024, 04:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Kumtar nga shpellat e vetmisë (2)

E enjte, 30.04.2020, 01:00 PM


KUMTAR NGA SHPELLAT E VETMISË

(Roman me një frymë, në vazhdime), 2

Nga Prend BUZHALA

Përsëri më mori në telefon Njeriu i Shpellës.

“Kështu më quaj, Njeriu i Shpellës... Atë romanin tim që ta dhashë për redaktim, le ta ketë titullin “Shënime nga Shpella e Platonit”.

Dhe e mbylli telefonin.

1.

Dreq o punë!

Hajde Drinush, hajde, i thashë vetes.

Edhe do të heqësh të zitë e ullirit, duke u marrë me shënime shpellarësh! Shpellarësh që shëtitin rrugëve krejt të vetmuar, pa guxuar të flasin njëri me tjetrin.

"Ky është tipi i Shpellarit Modern", shkrova në radhorin tim të shënimeve.

Duke i lexuar ato “Shënime... ” të Mikut Tim, më befasuan idetë, fjalitë fragmentare, ndonëse pa koncept të strukturuar jo qartë.

Ky shkrim, që po e paraqes në vazhdim, është pikë për pikë i vënë këtu. Pa i hequr asnjë pikë a presje.

O Zot, ky Platon sikur erdh në kohën tonë.

Porse Shpella e tij është Kundër-shpellë me të sotmen.

Ia shkrova në mesazh në telefon:

“Ku gjendesh, o burrë i dheut, se u bëmë merak për ty?!”

Ma ktheu:

“Ika nga coronavirus-i. Por po shëtis prej shpelle në shpellë. Tash jam në një shpellë afër Afganistanit!”

Sa herë harroj se po flas me një njeri halucinant, flokët po më ngrihen thik përpjetë prej habisë, hutimit, të papriturës në komunikim...

“Afër Afganistanit?!”

“E di që më quan halucinant, por kjo është e vërtetë... Këtu me pak mund, për nja pesë minuta, nëpërmes rrugëve nëntokësore, arrij të shkoj në secilin vend të botës.”

mendoj unë! E mbylla telefonin dhe u ula në kanape të qetësohem. Piva nja dy gota ujë, me dy-tre hurba.

Valë të reja të të pakuptueshmes më kapluan.

Krejt e pakuptimtë, krejt e errët dhe e paqartë, po më duket kjo kohë!

2.

E mora dorëshkrimin e Njeriut të Shpellës (nuk po ju tregoj as sot se si quhet miku im, siç ju premtova një ditë më parë).

Shtrova pyetjen:

Çka ndodh, po qe se njerëzimi detyrohet të qëndrojë për shumë kohë i izoluar?

A jemi ne ata të burgosurit e Shpellës së Platonit?

Pyetjet mund të shtrohen, përkitazi edhe me situatën tonë dje e sot: luftuam kundër Perandorisë otomane, por, të mësuar me atë errësirë, beteja për të dalë në dritë, na u duk luks i tepërt historik. Së këndejmi ndodh ai sindromi i Stokholmit: ta dashurosh pushtuesin (përdhunuesin) tënd! Ai tashmë quhet vëlla, ndërsa gojën e kemi përplot "përcaktim evropian", "miqtë më të mëdhenj të Amerikës" etj etj. Nga ana tjetër: ka shumë vite që rinia kërkon ndryshime. Dhe kur këto ndryshime politike vetë ata i sollën, tash përsëri ndodh ai sindromi i mësipërm: nuk mund të ndahemi nga shpella e së djeshmes!!!

Nga “Shënimet nga Shpella e Platonit” e mikut tim:

“Kur Platoni i urtë, e kishte shkruar librin e tij ‘Republika’, që na erdhi nëpërmes mileniumesh e shekujsh deri në ditët tona, si trashëgimi mendimi; duke e shkruar, ashtu ngeshëm, në një gosti, me anë të dialogut sokratik në lidhje me përkufizimin e drejtësisë, rendit dhe karakterit të qytet-shtetit (libri i shtatë i veprës së tij); nuk i kishte shkuar ndërmend, se, pas disa mileniumesh, diku gjatë gjysmës së dytë të shk XX, tek një vend fqinj me helenët, në tokën dardane, që më vonë sllavët do ta quajnë Kosovë, do të shkruhet dhe një libër tjetër, krejtësisht i ndryshëm, Libri i Republikës së Kosovës, i shkruar me pika gjaku nëpër demonstrata, burgje, nëpër salla gjyqesh e seanca policore, në klandestinitet. Është shkruar përgjithësisht në përballje e përgjakje me totalitarizmin pushtues serb. Është Libri ynë i Republikës, i liribërjes sonë dhe i republikë-bërjes sonë. Është prometheizmi shqiptar i Republikës së Kosovës. Është Republika e dokumentuar...”

Ndonëse shkruan me fjali të gjata, ishte i saktë në shtjellim.

Edhe në ascociacione.

Më tutje:

“Por, në ‘Republikën’ e tij (Libri i shtatë) Platoni ligjëron me urti, duke imagjinuar disa qenie njerëzore, të burgosura, cilat jetojnë gjatë tërë jetës së tyre në një shpellë të errët nëntokësore e të lidhur me zinxhirë. Ata nuk dinë asgjë tjetër, përpos errësirës. Vështrimi i tyre qëndron i ngurosur te muri i shpellës, ku drithërojnë hijet e botës, duke besuar që mu ato hije janë realiteti. Mirëpo, nëse ndonjë i burgosur i nëntokës platoniane lirohet dhe del jashtë, në dritën e diellit, i duhet të durojë dhimbje të mëdha, sepse nuk arrin të shohë prej shkëlqimit verbues si i shihte në errësirë hijet. Dikur adaptohet me dritën. Iluzioni i hijeve preftuese të shpellës, zhduket. Përballet me pafundësinë, kaosin dhe me konfuzionin e realitetit. Bota më nuk paraqitet as reflektohet në silueta të thjeshta. Mirëpo, ai përbuzet, kur kthehet në shpellë, se nuk është në gjendje më për të parë në errësirë si më parë. Ata që kurrë nuk u larguan nga shpella, tallen me të, dhe betohen se nuk do të dalin në dritë, si një gjë e mirë, për të mos u verbuar, si miku i tyre.”

Hmmm, ofshana, tallen me ata që dalin, sepse ata që qëndrojnë mbyllur, janë normalë.

Qenkan jonormalë ata që dalin jashtë shpellës!

Qenkan njerëz që bëjnë vepra penale ata që dalin në ajër të pastër, diku nëpër parqe.

Qenkan njerëz që shkaktojnë delikte a vepra penale ata që dalin deri në shitore a në barnatore.

Dija për Sokratin, i cili thoshte për ata që tashmë janë mësuar kësisoj, të qëndrojnë të mbyllur, nuk do të tregojnë ndonjë mirënjohje për një kulturë që ata kurrë nuk e kanë pranuar!

Përsëri i shtrova vetes pyetje:

Vërtet, a do shoqëria jonë të mendojë ndryshe?

Dhe të punojë e veprojë ndryshe?

A dëshiron të dalë nga ky katakomb historik e social?

A në mos dëshiron ende të krijojë mekanizma të ikjes nga vetvetja, si vetëmbrojtje e shtresave të shtrofuara identitare, si deri më tash, gjatë gjithë shekullit XX e këndej?

3.

Nga “Shënimet nga Shpella e Platonit” e mikut tim:

“Edukimi, thotë Platoni, është kryesor, kurse shpirti nuk ka nevojë ‘të ringjallë vizionin, shikimin’, shpirti sheh. ‘Edukimi është arti i kthimit të syve të shpirtit në anën e duhur ...’ – Platoni.

Platoni e kishte për detyrë që të na ballafaqonte me vetëskllavërimin dhe na ftonte që ta çlirojmë shpirtin...”

Po, nuk po di se a u bëra unë si Ai miku im që e quan veten Njeri i Shpellës, në mos unë isha Njeri i Shpellës, i izoluar qe afro dy muaj: madje e quan veten banor të Shpellës vetmitare të Platonit.

Përpara kam shënimet e gazetari, publicistit dhe autorit amerikan, Chris Hedges (ai ka qenë gazetar në shumë luftëra e ndër të tjera, edhe në Kosovë e Bosnje), kur shkruan te vepra e tij “Perandoria e iluzionit: fundi i shkrim-leximit dhe triumfi i spektaklit”, thekson se në shoqëritë me kolaps ekonomik, politik e moral, publiku, në vend që të përballet me realitetin, kërkon të gjejë shpëtim në iluzione e fantazi, në lojëra e argëtim të lehtë mashtrues që ofron lumturinë me iluzione në Kultin e Adhurimit të Famshëm të figurave të rreme - ku kultura shpie drejt despotizmit, e ku politikanët janë të aftë në krijimin e pseudo-ngjarjeve, ku iluzioni pranohet si realitet nga publiku i manipuluar.

Por si kundërhelm kundër iluzioneve, shoqëria krijon dhe individë sfidues, idealistë q veprojnë kundër sistemit të iluzionit dhe mashtrimit, sikundër janë virtytet, shpresa dhe guximi.

“Këto virtyte: shpresa, guximi dhe janë reale “, pohon Chris Hedges.

Po!

A thua, ky Miku im (Njeriu i Shpellës Platoniane), a është sfiduesi i Kohës Sonë?

A jam unë i sfiduari?

Po, po sfidohem në secilin hap, kur po i shfletoj “Shënimet...” e Mikut tim.

4.

Shtova përfundi “Shënimeve...” të tij:

A ligjëron përgjithësisht literatura, literatura dokumentare, diskursive, apo dhe vetë letërsia, për të vërtetën?

Pyetja i ngjet asaj biblikes, kur Pilati pyet: “'Ç'është e vërteta?'' (Gjoni 18, 38).

Pyetja shtrohet, kurse përgjigjet përfundimtare nuk janë dhënë asnjëherë.

Është e qartë se e vërteta mbështetet në fakte, atëherë sigurisht që do bërë dallimin midis FAKTIT dhe TË VËRTETËS!

Thuhet se e vërteta shpesh është SUBJEKTIVE, kurse faktet i takojnë kategorisë OBJEKTIVE. E vërteta është e mishëruar edhe tek emocionet (nuk ka rrëfim letrar pa përmasën e saj emocionale.) Së këndejmi, edhe e vërteta është e krijuar mbi bazën e përvojës së individit; e vërteta, prandaj, është shumështresore, e ndërliqshme, është një MOZAIK i përbërë nga një varg të vërtetash të aq e aq njerëzve, nga aq e aq protagonistë të një kohe e që tash na i përfaqësojnë arketipat e pjesëtarëve të shoqërisë brenda nesh, rreth nesh apo kundër nesh; të vërteta shpesh të kundërta.

E vërteta e pandemisë?

Uh...

Sa hamendje do të lindin.

Sa shkrime e pandehma halucinante do të shfaqen!

“Të premtoj se do t’i përcjelli shënimet nga Afganistani e nga secili cep i botës”, më premtoi me mesazhin e fundit për sonte.

(vazhdon)

(Prend N. Buzhala, 24 prill 2020)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora