Kulturë
Anton Marku: Letër armikut
E merkure, 29.04.2020, 10:00 AM
Anton Marku
Letër armikut
I
dashuri C.!
E
di se të kanë shkruar letra me mijëra para meje e do të të shkruajnë dhe po aq
pas. Mbase nuk do t’i lexosh të gjitha, por këtë timen jam i sigurtë se do e
marrësh në duar. Dhe ja pse: unë iu takoj atyre që nuk e kalojnë jetën duke u
fshehur pas hijes së tyre, por që i dalin asaj përballë. Në anën tjetër unë e
shikoj shfaqjen tënde nga perspektiva e këmbësorit, ti nga ajo e vozitësit: unë
dëshiroj të arrij sa më vonë në cak, ti sa me shpejt.
Në
këtë shkrim nuk do ta përmend emrin. Ty që na dole në rrugë dhe na ndërpreve
udhëtimin në mes do të të quaj thjeshtë C. Në vendin tim ishte një grup muzikor
me emrin tënd, të cilin e adhuronin të gjithë. Tash e tërë bota e urren emrin
tënd saqë në këtë garë nuk do të kesh konkurencë të denjë në këtë shekull. Do
të fitosh bindshëm.
Këta
rreshta i kam shkruar sot, por mendimet janë të djeshme. Pra, ti që vret e nuk
dukesh, ti që jetën e ndave në dy pjesë: atë para dhe pas teje, mbase tash pret
që kjo kohë të quhet epoka jote, por jo, ajo do të quhet ‘‘Koha e
Mospërkuljes’’.
Sado
që mund të tingëllojë e çuditshme, në një mënyrë ne të kemi ftuar vetë. Po, po,
ne! Pasi që me paraardhësit tu nuk u morëm seriozisht, atëherë i bie që ne ta
kemi hapur derën me një dorë. Tash po provojmë që me të dyjat ta mbyllim, por
kot.
Por
le t’i themi gjërat me rend. Mbase do të doje të dije më shumë për botën që
gjete. Nëse po, ja të tregoj unë. Tek ne për shembull sa më shumë po zgjerohen
të drejtat e kafshëve aq më shumë po ngushtohen ato të njerëzve. Rrugëve të
qyteteve tona më tepër bien në sy gratë e mbuluar se sa ato të zbuluara,
përderisa meshkuj fryejnë buzët me ‘‘botox’’. Shkurt, në botën e të
përgjumurve, atje ku trupi është shërbëtor i shpirtit dhe jo e kundërta, të
qëndrosh zgjuar është art në vete.
Për
më tepër, janë disa gjëra që duhet t’i dimë vetëm unë dhe ti. E kuptove? Vetëm
ne të dy. Ja për shembull: ne ujin e bekuar po e mbajmë në shishe parfemi. Me
të po spërkasim nënsqetullat, jo bukën. Pastaj e di ti se natyra është ende
dashmirëse me ne? Ajo na jep më pak se sa i kërkojmë por më shumë se sa
meritojmë. Edhe sa gjatë, nuk e di. Ja unë për shembull si besimtar i
nënshtrohem plotësisht vullnetit të saj dhe të Perëndisë. Në ndërkohë bëj
pjesën time të punës: lutem!
I
dashuri C.!
Sa
i pamëshirshëm që je! Po po u ndal furnizimi me ujë, rryma dhe internet? Mos e
thashtë qielli! Në ketë rast një fqi imi nga kati i katërt, me një grumbull
tatuazhesh në gjok, me siguri do të çmendej e do të ulurinte ‘‘gjithçka po, por
internetin jo. Atë asesi. Si do të ja bëjmë pa facebook, insta, whats‘up,
snpachat? A jetohet pa to? Interneti do të jetë i fundit që do të mund të
rrëzohet. Si Olimpi, si ‘‘air force one’’. Ky ishull nuk guxon të bjerë!’’. Ky
tipi që kur kishte filluar të merrej me shitjen e patundhmërive kishte
gjithmonë e më shumë para, por gjithnjë e më pak kohë. E unë? Unë tek tash po i
marr lakmi Albanit që ka vite që jeton ‘‘offline’’. Në ‘‘google’’ nuk mund të
gjesh asnjë fotografi të tij.
Tani
detërat janë qetësuar. Vetëm shiu i zgjon. Ata nuk e përjashtojnë mundësinë që
këtë vit bota u dogj nga zjarri që vetë e ndezi.
Sot
është dita jote. Ende po, Por do të vij dita jonë atëherë edhe minjët do të
kenë më shumë se një vrimë për tu fshehur, por ty nuk do të mbetet asnjë.
Mund
të bësh gjithçka, por një gjë nuk do e arrish: që të bësh që ne ta vëmë veten
në kryq, të vetkryqëzohemi. Njerëzimi ende beson në engjuj, por ty duket se do
të na duhet të të mundim të vetëm.
I
dashuri armik,
Shumicës
pres nesh ti i mbylle gojën. Në këto javë i kemi pastruar, larë e fërkuar duart
më shpesh dhe më gjatë se asnjëherë më parë. Në ora tetëmbëdhjetë nisin
duartrokitjet nga dritaret. Të gjithë bashkë: fetarë, më pak të tillë dhe
ateistë. Atë që nuk e arriti akush para teje e bëre ti. Na bashkove në frikë,
vuajtje dhe dhembje. E rizbuluam dashurinë për njëri-tjetrin! Shpresoj të
vazhdojmë kështu edhe pas teje. Do të doja që kjo të ishte e vetmja gjë që do
të trashëgonim nga ti.
Duket
se vetëm gjyshja ime që ka kaluar të njëqindatat dhe të ngujuarit në ‘‘Big
Brother’’ as sot, në fund të prillit, ende nuk e kanë marrë vesh se ti je duke
bërë kërdinë nëpër botë.
Mbase
kështu është më mirë.
E
diku ende po luhet kampionati i futbollit.
Kurrë
i yti,
me
përshëndetje të ftohta
i
papërkuluri
Vjenë, 28 prill 2020