E shtune, 27.04.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Molla (poetike) e grindjes

E hene, 27.04.2020, 11:41 AM


MOLLA (POETIKE) E GRINJDES

(Lexime poetike. Poezia “Molla e grindjes” e Musa Ramadanit), XXII

Nga Prend BUZHALA

MUSA RAMADANI (1944- 2020) është njëri ndër shkrimtarët MË ELITARË e ndër njerëzit më të spikatur të letrave shqipe. Fitues çmimesh letrare në Prishtinë, Tiranë Gjilan, kudo në hapësirat shqiptare, por edhe jashtë. Musa Ramadani ishte romansier, poet, dramaturg, kritik teatri, publicist, autor tregimesh letrare, eseist, përkthyes...

Përgjatë gjithë krijimtarisë së tij, që nga vëllimi i parë poetik “Mëkatet e Adamit” (poezi), “Rilindja, 1969) e deri te më i fundit, sa qe gjallë, “|“ Mëkatet e Ha(E)vës, poezi, Pen/club, 2007, Prishtinë), ai ka krijuar poezi me tematikë nga mitologjia antike, ilire-shqipatre dhe nag temaitke biblike dhe librave të tjerë të shenjtë e të civilizimeve botërore. Do ta quanim, një lirikë e intelektit. E tillë është edhe poezia “Molla e Eridës”, nga vëllimi “Eugjenika e tri deteve" (1986).

1.

(Hyrje)

Nëpër shkrime e në të folurit e përditshëm e dëgjojmë shpesh shprehjen ose frazemën: "mollë sherri", "molla e grindjes". Erinitë në mitet antike, përmenden si perëndesha të hakmarrjes. Sidomos perëndesha e hakmarrjes, Erida, mishërim i së keqes . Ndër mileniume, popujt e përvetësuan këtë shprehje, mbasi motivet e tilla paraqiten pothuajse në të gjitha kulturat e popujve nëpër botë. Gjithsesi, që arketipi i grindjes shënjon marrëzitë e tilla të konflikteve të njerëzimit në shtigjet e tij historike. Arketipi i Luftës së Trojës që e shkaktoi një Helenë, apo një mollë e grindjes, arketipi i konfliktit mes vëllezërve apo i vëllavrasjes, i grindjeve ideologjike si te Lufta e Trojës etj, është jo vetëm motiv i shpeshtë letrar, por edhe motiv që ka përsëritjet e veta sipas rrethanave, konteksteve dhe kushteve historike e shoqërore.

2.

(Miti dhe prapaskenat)

Është dasma e Peleut mbret, në Thesali, martesa e tij me Tetidën e bukur. Muzikë, vallëzim, atmosferë dasme hyjnore, dëgjohet lyra e artë Apolonit, ka aromë pijesh, aromë vere e aromë të pijeve të perëndive, ambrozit, aroma e ushqimeve të mishit të pjekur.

Burime të tjera mitike thonë se motivet e kësaj ngjarjeje ishin politike, një bashkëpunim i fshehtë i Zeusit me Eridën: për ta nxitur një luftë për ta zbutur racën njerëzore, tepër kryengritëse e tepër të egër. Zeusi ndërhyn në luftëra e në fatet e njerëzve, njësoj si zeusët e historisë që krijuan luftëra e konflikte. Zeusi dëshironte që t'ia bënte një festë dasme të bukurës Helenë. Parisi deshi të ikte (ishte ende një bari), por Hermesi e ndalon dhunshëm, e urdhëron që të vlerësojë e të ndërhyjë në këtë grindje. Perëndeshat i premtojnë Parisit pasuri, tokë, lugina e bjeshkë... Hera i premton se do të jetë sundimtar i Azisë, Atena i premton shkathtësitë luftarake, i premton fitore të mëdha në luftë, dhe pre lufte të paçmueshme, kurse Afërdita ia premton Helenën, më të bukurën nga bota e vdekatarëve e këtë Parisi nuk mundi të mos e pranonte. Parisi merr mollën, ia dhuron Afërditës, me mendimin e gëzimin në zemër se do të jetë më i lumturi në botë me Helenën e bukur.

Thuhet se ky ishte akti i parë i një zgjedhjeje të lirë në histori. Zgjeshje që çoi në luftë.

Ngjarjet tjera dihen edhe nga "Iliada": se si zhvillohet Lufta e Trojës. Molla e prerë përgjysmë noton nëpër kohë. Kjo mollë e sherreve vërtitet në dorën e perëndive e prapaskenave historike që bashkëpunojnë me erinitë e përçarjeve, sherreve dhe grindjeve.

3.

(Molla e Eridës na arrin kudo që të jemi)

Në traditën shqiptare e ruajmë këtë mollë në shtizë, në maje të flamurit.

Në vitin 1986 Musa Ramadani botoi vëllimin “Eugjenika e tri deteve”, një titull kuptimplotë, që sugjeronte grindjet e përgjakshme shumëshekullore, të keqen që po vërtitej si shpatë Damokelu nga regjimi millosheviçian... Ky vëllim ishte botuar më 1986. Kritiku e studiuesi i asaj kohe (më 1986), Ibrahim Rugova, duke e cituar një dijetar frëng, shkruante për thënien eugjenike të këtij libri: “Eugjenika është dije, shkencë mbi metodat e përsosjes së vetive trupore e shpirtërore, merret me kushtet në të cilat shfaqen të metat e trashëguara dhe virtytet e paraardhësve. Është një dije për riprodhimin dhe përsosjen e racës njerëzore, që lidhet deri-diku me kuptimin bashkëkohor për gjenetikën si shkencë... shkurt, merret me mënjanimin e të keqes njerëzore. Të gjitha këto kuptime të semantikës së titullit, i gjejmë në libër në forma të ndryshme, po mendojmë se autori, përmes të folurit të tij poetik si akt brenda thënies poetike, na sugjeron një të folur eugjenik, pra të lartë, sublimues dhënë përmes dëshpërimit të subjektit poetik me karakter përmirësues, shërues të së keqes apo thënë më mirë siç e bën arti, të konstatojë këtë të keqe dhe kjo mjafton.”

E pra, duke i vënë re a duke i diktuar të këqijat e kohës, të polemit e të njeriut përgjithësisht, ky poeti i risemnatizon mitet, i rimitologjizon (siç do të thoshte . E. M. MELETINSKI te studimi i tij monografik “Poetika e mitit). Ty ky vëllim gjendet edhe

Dikush e hedh një gur në shesh

Dikush e nxjerr një shpatë në fushë

E dikush e zbraz një plumb në mal

Po për të shkaktuar grindje ndër njerëz

Mjafton edhe vetëm një mollë e Eridës.

Sa hedhje gurësh në shesh ndodhin dhe kris sherri. Populli ynë ka thënien e urtë: “Një i marrë hedh një gur në lum dhe njëqind të urtë nuk mund ta nxjerrin.” Në këso rastesh, fjala është për ta gjetur fillin e një veprimi të pamatur, që ka shkaktuar pasoja dhe të urtët duhet të merren me këtë të keqe. Ekzistojnë grindjet për shkak të pabarazisë, lakmisë së një shteti kundruall pasurive të një shteti tjetër. Për grindje duhen dy palë të zemëruara. Që nga koha e librave të shenjtë e deri te koha jonë në nivele diplomatike, ekzistojnë urtakët, pleqnarët, juristët, ndërmjetësuesit, negociuesit... Ekziston edhe polemika e frytshme në kohë kthesash historike, për të cilën dijetari francez Claude Lévi-Strauss thotë: "Njohuritë shkencore përparojnë pa dyshim dhe stimulohen nga polemika dhe dyshimi." Ekzistojnë edhe debatet e grindjeve, nga të cilat arrin të shpërthejë ndonjëherë një mësim me vlerë. Por e keqja, siç na sugjeron poezia e Musasë, qëndron diku tjetër: polemika, debati, gverret, çojnë shpesh në sherr, kur shkelet ndonjë parim, ose kur dy palë lakmojnë të njëjtën gjë! Kundërshtari mund ta ketë gabimin më të madh, por “pala tjetër” automatikisht nuk e fiton “statusin e të drejtit”. Përçarjet, mosmarrëveshjet, zënkat, mospajtimet... janë të shumta. Jo vetëm një nxjerrje shpate në vrull e sipër (siç shohim skena përshkrimesh nga e kaluara), apo vetëm zbrazja e një plumbi diku në mal që ndjell sherr a bën pusi,

Një gur i hedhur shkakton grindjen

Një shpatë – rrahjen e dyluftimin

Një plumb – vdekjen e gjakmarrjen

Ndërsa mitologjia dhe historia na e zbuluan edhe mollën e Eridës a mollën e grindjes (“Mjafton edhe vetëm një mollë e Eridës.”).

4.

(Miti i Mollës së Eridës dhe vitet 1981-1999 në Kosovë)

Më tutje, poezia jep shpjegimet në formë të narracionit poetik-mitik:

Kështu kish provuar e motra e Aresit

Në dasmën e prindërve të Akilit dikur

Ajo kish rrokullisur për tokë mollën

Dhe sherrin ku shkruante: “Më të bukurës”

Ç’vullkane urrejtjesh shpërthyen sakaq

Nga zemrat e lënduara të perëndeshave

Parisi, si prore dinak, bëri e ç’bëri

E zgjidhi nyjën në të mirë të Afërditës

Poeti e ka të qartë se mosmarrëveshjet e grindjet prishin harmoninë midis njerëzve., në familje, madje brenda një kombi a brenda mbarë njerëzimit. Libri i Shenjtë na thotë se kësisoj largohet nga vetja, familja a kombi Shpirti i Zotit.

Le t’i përfytyrojmë për një çast, se si u nxitën e u nisën luftërat, si u nisën revolucionet: gjithnjë duke u nisur nga një pretekst (nga një mollë sherri: demonstratat studentore... nisi nga një pjatë me fasule në kuzhinë ku ushqeheshin studentët më 1981 dhe përfundoi më 1999 me luftërat në Kosovë e me ndërhyrjen ndërkombëtare!!!)... Më 1981 një pjatë e thyer në mensën e studentëve, nxiti demonstrata, dhuna serbe e tulatur, që kishte zënë pusi më shumë se një dekadë, po priste pretekstin, preteksti u rrit dhe shkatërroi një federatë, shkaktoi luftëra të përgjakshme...

Dhe molla e grindjes na përcjell edhe pas luftës: assesi të zbutet tigri grindavec serb me ambicie të sëmura mbi Kosovën.

Kësisoj, vutët ’80 në ish Jugosllavi u hap Kutia e Pandorës, sikundër thuhet, nga e cila shpërthyen të gjitha grindjet, mosmarrëveshjet, etiketimet, polemikat luftënxitëse e historike, akuzat nga më të përbindshmet, sidomos kundër shqiptarëve, që nuk kishin ku as t’i shfaqnin mospajtimet e as si të reagonin! Reagonin poetët e intelektualët në mënyrën e tyre të urtë. Por ishte gjithçka e kotë, për deri sa gjithçka çoi në luftëra të përgjakshme. Ideologjia serbomadhe (intelektualë e besa edhe krijues, gazetarë, komentues si quheshin asokohe opinionistët), e sollën në krye Millosheviqin, si pjellë të tyre agresive. Për një dekadë rresht, kur u përgjakën popujt me njëri-tjetrin, sidomos të yshtur nga politika serbomadhe që kërkonte sundim mbi të tjerët.

Kurse poeti Musa Ramadani kishte paralajmëruar në mënyrë alegorike e urtake, se, nëse guri, shpata, plumbi mbjellin mosmarrëveshje e fatkeqësi, mjafton që një mollë të sjell luftëra:

E molla e perëndeshës Erida – (solli)

Luftën e pashmangshme të Trojës

Përmasat e këtyre luftëra sollën shumë tragjedi përmasash homerike. Secili kërkonte lavdinë e vet: shumica, për ta mbrojtur vetveten, dinjitetin e lirinë, truallin e vet e familjen: pala agresive, në ankth se po i humb privilegjet (me mitet e sajuara mbi të drejtat ekskluzive mbi Kosovën). Dhe gjithçka u sqarua më vonë, pas përgjakjeve të mëdha. Në mos, ende historia luan me enigmat e saj të mosmarrëveshjeve e mollës së fshehur.

5.

(Sfidat e sotme)

Njerëzit keqkuptohen, në vend që të mirëkuptohen.

Njerëzit nuk e pranojnë njëri-tjetrin, e mohojnë miku mikun, bashkëpunëtori bashkëpunëtorin, kolegu kolegen, i riu të renë apo e reja që dashuron braktis të dashurin e saj. Kaq shumë mjete komunikimi e ka shumë njerëzit e harrojnë njëri-tjetrin! Profesori nuk merret vesh me studentët, të vjetrit nuk mund t'i kuptojnë të rinjtë dhe rinia nuk çan kokën për t'i kuptuar gjeneratën e vjetër. Në mes bashkëshortit e gruas lindin moskuptime e keqkuptime, shpesh pa fund e pa skaj. Prindi s'e do fëmijën e tij, kurse fëmija ik nga prindi i tij. Marrëdhëniet në mes njerëzve minohen, shkatërrohen...

U pa: mjetet e komunikimit nuk sigurojnë e as nuk garantojnë se njerëzit mund të mirëkuptohen apo mund të merren vesh.

Edhe sot e kësaj dite njerëzia

Ia kanë drojën mollës së Eridës

I ikin gurit, shpatës, plumbit

Molla e Eridës i arrin gjithkund

Përnjëmend, e ku nuk arrin kjo sfidë molle e grindjes?!

E pra, mirëkuptimi mungon e kjo shndërrohet në problem shqetësues dhe në çështje të të gjithë njerëzve, ashtu sikundër njerëzit kanë nevojë edhe të ndërlidhen dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.

"Shumica e probleme në jetë vijnë nga keqkuptimi", thotë një personazh i veprës së L.M. Montgomery-t.

Dhe, mbasi konstatohet gjendja e tillë, atëherë çka duhet bërë? Ku gjendet zgjidhja dhe ku mund ta vendosim zgjedhjen tonë?

Prandaj, na u dashka dhe Edukimi për Mirëkuptim, arsimimi për marrëveshje.

Mu ashtu siç na sugjeron “thënia eugjenike” e Musa Ramadanit.

Ky edukim ngërthen dhe një Kulturë të Etikës Njerëzore... - si të arrihet, me anë të komunikimit e mirëkuptimit, përvetësimi i shpirtit bujar, i zemërgjerësisë, i fisnikërisë shpirtërore, domethënë, si t'i qëndrojmë pranë asaj thënies proverbiale për Bujarinë e Shqiptarit...

Letërsia e Musa Ramadanit gjithnjë e ka ruajtur bërthamën e ripërtëritjes me tema, ide, kolazhe, teknika, shenja e këndshikime të shumta të shkrimit modern. Është letërsi e krijuesve të rrallë që nxit lëvizje të reja të refleksionit letrar.

_____________________________

MUSA RAMADANI

MOLLA E GRINDJES

Dikush e hedh një gur në shesh

Dikush e nxjerr një shpatë në fushë

E dikush e zbraz një plumb në mal

Po për të shkaktuar grindje ndër njerëz

Mjafton edhe vetëm një mollë e Eridës.

Kështu kish provuar e motra e Aresit

Në dasmën e prindërve të Akilit dikur

Ajo kish rrokullisur për tokë mollën

Dhe sherrin ku shkruante: “Më të bukurës”

Ç’vullkane urrejtjesh shpërthyen sakaq

Nga zemrat e lënduara të perëndeshave

Parisi, si prore dinak, bëri e ç’bëri

E zgjidhi nyjën në të morë të Afërditës

Një gur i hedhur shkakton grindjen

Një shpatë – rrahjen e dyluftimin

Një plumb – vdekjen e gjakmarrjen

E molla e perëndeshës Erida –

Luftën e pashmangshme të Trojës

Edhe sot e kësaj dite njerëzia

Ia kanë drojën mollës së Eridës

I ikin gurit, shpatës, plumbit

Molla e Eridës i arrin gjithkund

(1986)

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 1986, mars- 24 prill 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora