| E hene, 27.04.2020, 11:41 AM |
MOLLA (POETIKE) E GRINJDES
(Lexime poetike. Poezia
“Molla e grindjes” e Musa Ramadanit), XXII
Nga
Prend BUZHALA
MUSA
RAMADANI (1944- 2020) është njëri ndër shkrimtarët MË ELITARË e ndër njerëzit
më të spikatur të letrave shqipe. Fitues çmimesh letrare në Prishtinë, Tiranë
Gjilan, kudo në hapësirat shqiptare, por edhe jashtë. Musa Ramadani ishte
romansier, poet, dramaturg, kritik teatri, publicist, autor tregimesh letrare,
eseist, përkthyes...
Përgjatë
gjithë krijimtarisë së tij, që nga vëllimi i parë poetik “Mëkatet e Adamit”
(poezi), “Rilindja, 1969) e deri te më i fundit, sa qe gjallë, “|“ Mëkatet e
Ha(E)vës, poezi, Pen/club, 2007, Prishtinë), ai ka krijuar poezi me tematikë
nga mitologjia antike, ilire-shqipatre dhe nag temaitke biblike dhe librave të
tjerë të shenjtë e të civilizimeve botërore. Do ta quanim, një lirikë e
intelektit. E tillë është edhe poezia “Molla e Eridës”, nga vëllimi “Eugjenika
e tri deteve" (1986).
1.
(Hyrje)
Nëpër
shkrime e në të folurit e përditshëm e dëgjojmë shpesh shprehjen ose frazemën:
"mollë sherri", "molla e grindjes". Erinitë në mitet
antike, përmenden si perëndesha të hakmarrjes. Sidomos perëndesha e hakmarrjes,
Erida, mishërim i së keqes . Ndër mileniume, popujt e përvetësuan këtë
shprehje, mbasi motivet e tilla paraqiten pothuajse në të gjitha kulturat e
popujve nëpër botë. Gjithsesi, që arketipi i grindjes shënjon marrëzitë e tilla
të konflikteve të njerëzimit në shtigjet e tij historike. Arketipi i Luftës së
Trojës që e shkaktoi një Helenë, apo një mollë e grindjes, arketipi i
konfliktit mes vëllezërve apo i vëllavrasjes, i grindjeve ideologjike si te
Lufta e Trojës etj, është jo vetëm motiv i shpeshtë letrar, por edhe motiv që
ka përsëritjet e veta sipas rrethanave, konteksteve dhe kushteve historike e
shoqërore.
2.
(Miti dhe prapaskenat)
Është
dasma e Peleut mbret, në Thesali, martesa e tij me Tetidën e bukur. Muzikë,
vallëzim, atmosferë dasme hyjnore, dëgjohet lyra e artë Apolonit, ka aromë
pijesh, aromë vere e aromë të pijeve të perëndive, ambrozit, aroma e ushqimeve
të mishit të pjekur.
Burime
të tjera mitike thonë se motivet e kësaj ngjarjeje ishin politike, një
bashkëpunim i fshehtë i Zeusit me Eridën: për ta nxitur një luftë për ta zbutur
racën njerëzore, tepër kryengritëse e tepër të egër. Zeusi ndërhyn në luftëra e
në fatet e njerëzve, njësoj si zeusët e historisë që krijuan luftëra e
konflikte. Zeusi dëshironte që t'ia bënte një festë dasme të bukurës Helenë.
Parisi deshi të ikte (ishte ende një bari), por Hermesi e ndalon dhunshëm, e
urdhëron që të vlerësojë e të ndërhyjë në këtë grindje. Perëndeshat i premtojnë
Parisit pasuri, tokë, lugina e bjeshkë... Hera i premton se do të jetë
sundimtar i Azisë, Atena i premton shkathtësitë luftarake, i premton fitore të
mëdha në luftë, dhe pre lufte të paçmueshme, kurse Afërdita ia premton Helenën,
më të bukurën nga bota e vdekatarëve e këtë Parisi nuk mundi të mos e pranonte.
Parisi merr mollën, ia dhuron Afërditës, me mendimin e gëzimin në zemër se do
të jetë më i lumturi në botë me Helenën e bukur.
Thuhet
se ky ishte akti i parë i një zgjedhjeje të lirë në histori. Zgjeshje që çoi në
luftë.
Ngjarjet
tjera dihen edhe nga "Iliada": se si zhvillohet Lufta e Trojës. Molla
e prerë përgjysmë noton nëpër kohë. Kjo mollë e sherreve vërtitet në dorën e
perëndive e prapaskenave historike që bashkëpunojnë me erinitë e përçarjeve,
sherreve dhe grindjeve.
3.
(Molla e Eridës na arrin
kudo që të jemi)
Në
traditën shqiptare e ruajmë këtë mollë në shtizë, në maje të flamurit.
Në
vitin 1986 Musa Ramadani botoi vëllimin “Eugjenika e tri deteve”, një titull
kuptimplotë, që sugjeronte grindjet e përgjakshme shumëshekullore, të keqen që
po vërtitej si shpatë Damokelu nga regjimi millosheviçian... Ky vëllim ishte
botuar më 1986. Kritiku e studiuesi i asaj kohe (më 1986), Ibrahim Rugova, duke
e cituar një dijetar frëng, shkruante për thënien eugjenike të këtij libri:
“Eugjenika është dije, shkencë mbi metodat e përsosjes së vetive trupore e
shpirtërore, merret me kushtet në të cilat shfaqen të metat e trashëguara dhe
virtytet e paraardhësve. Është një dije për riprodhimin dhe përsosjen e racës
njerëzore, që lidhet deri-diku me kuptimin bashkëkohor për gjenetikën si
shkencë... shkurt, merret me mënjanimin e të keqes njerëzore. Të gjitha këto
kuptime të semantikës së titullit, i gjejmë në libër në forma të ndryshme, po
mendojmë se autori, përmes të folurit të tij poetik si akt brenda thënies
poetike, na sugjeron një të folur eugjenik, pra të lartë, sublimues dhënë
përmes dëshpërimit të subjektit poetik me karakter përmirësues, shërues të së
keqes apo thënë më mirë siç e bën arti, të konstatojë këtë të keqe dhe kjo
mjafton.”
E
pra, duke i vënë re a duke i diktuar të këqijat e kohës, të polemit e të
njeriut përgjithësisht, ky poeti i risemnatizon mitet, i rimitologjizon (siç do
të thoshte . E. M. MELETINSKI te studimi i tij monografik “Poetika e mitit). Ty
ky vëllim gjendet edhe
Dikush e hedh një gur në
shesh
Dikush e nxjerr një
shpatë në fushë
E dikush e zbraz një
plumb në mal
Po për të shkaktuar
grindje ndër njerëz
Mjafton edhe vetëm një
mollë e Eridës.
Sa
hedhje gurësh në shesh ndodhin dhe kris sherri. Populli ynë ka thënien e urtë:
“Një i marrë hedh një gur në lum dhe njëqind të urtë nuk mund ta nxjerrin.” Në
këso rastesh, fjala është për ta gjetur fillin e një veprimi të pamatur, që ka
shkaktuar pasoja dhe të urtët duhet të merren me këtë të keqe. Ekzistojnë
grindjet për shkak të pabarazisë, lakmisë së një shteti kundruall pasurive të
një shteti tjetër. Për grindje duhen dy palë të zemëruara. Që nga koha e
librave të shenjtë e deri te koha jonë në nivele diplomatike, ekzistojnë
urtakët, pleqnarët, juristët, ndërmjetësuesit, negociuesit... Ekziston edhe
polemika e frytshme në kohë kthesash historike, për të cilën dijetari francez
Claude Lévi-Strauss thotë: "Njohuritë shkencore përparojnë pa dyshim dhe
stimulohen nga polemika dhe dyshimi." Ekzistojnë edhe debatet e grindjeve,
nga të cilat arrin të shpërthejë ndonjëherë një mësim me vlerë. Por e keqja,
siç na sugjeron poezia e Musasë, qëndron diku tjetër: polemika, debati,
gverret, çojnë shpesh në sherr, kur shkelet ndonjë parim, ose kur dy palë
lakmojnë të njëjtën gjë! Kundërshtari mund ta ketë gabimin më të madh, por
“pala tjetër” automatikisht nuk e fiton “statusin e të drejtit”. Përçarjet,
mosmarrëveshjet, zënkat, mospajtimet... janë të shumta. Jo vetëm një nxjerrje
shpate në vrull e sipër (siç shohim skena përshkrimesh nga e kaluara), apo
vetëm zbrazja e një plumbi diku në mal që ndjell sherr a bën pusi,
Një gur i hedhur
shkakton grindjen
Një shpatë – rrahjen e
dyluftimin
Një plumb – vdekjen e
gjakmarrjen
Ndërsa
mitologjia dhe historia na e zbuluan edhe mollën e Eridës a mollën e grindjes
(“Mjafton edhe vetëm një mollë e Eridës.”).
4.
(Miti i Mollës së Eridës
dhe vitet 1981-1999 në Kosovë)
Më
tutje, poezia jep shpjegimet në formë të narracionit poetik-mitik:
Kështu kish provuar e
motra e Aresit
Në dasmën e prindërve të
Akilit dikur
Ajo kish rrokullisur për
tokë mollën
Dhe sherrin ku shkruante:
“Më të bukurës”
Ç’vullkane urrejtjesh
shpërthyen sakaq
Nga zemrat e lënduara të
perëndeshave
Parisi, si prore dinak,
bëri e ç’bëri
E zgjidhi nyjën në të
mirë të Afërditës
Poeti
e ka të qartë se mosmarrëveshjet e grindjet prishin harmoninë midis njerëzve.,
në familje, madje brenda një kombi a brenda mbarë njerëzimit. Libri i Shenjtë
na thotë se kësisoj largohet nga vetja, familja a kombi Shpirti i Zotit.
Le
t’i përfytyrojmë për një çast, se si u nxitën e u nisën luftërat, si u nisën
revolucionet: gjithnjë duke u nisur nga një pretekst (nga një mollë sherri:
demonstratat studentore... nisi nga një pjatë me fasule në kuzhinë ku
ushqeheshin studentët më 1981 dhe përfundoi më 1999 me luftërat në Kosovë e me
ndërhyrjen ndërkombëtare!!!)... Më 1981 një pjatë e thyer në mensën e
studentëve, nxiti demonstrata, dhuna serbe e tulatur, që kishte zënë pusi më
shumë se një dekadë, po priste pretekstin, preteksti u rrit dhe shkatërroi një
federatë, shkaktoi luftëra të përgjakshme...
Dhe
molla e grindjes na përcjell edhe pas luftës: assesi të zbutet tigri grindavec
serb me ambicie të sëmura mbi Kosovën.
Kësisoj,
vutët ’80 në ish Jugosllavi u hap Kutia e Pandorës, sikundër thuhet, nga e cila
shpërthyen të gjitha grindjet, mosmarrëveshjet, etiketimet, polemikat luftënxitëse
e historike, akuzat nga më të përbindshmet, sidomos kundër shqiptarëve, që nuk
kishin ku as t’i shfaqnin mospajtimet e as si të reagonin! Reagonin poetët e
intelektualët në mënyrën e tyre të urtë. Por ishte gjithçka e kotë, për deri sa
gjithçka çoi në luftëra të përgjakshme. Ideologjia serbomadhe (intelektualë e
besa edhe krijues, gazetarë, komentues si quheshin asokohe opinionistët), e
sollën në krye Millosheviqin, si pjellë të tyre agresive. Për një dekadë
rresht, kur u përgjakën popujt me njëri-tjetrin, sidomos të yshtur nga politika
serbomadhe që kërkonte sundim mbi të tjerët.
Kurse
poeti Musa Ramadani kishte paralajmëruar në mënyrë alegorike e urtake, se, nëse
guri, shpata, plumbi mbjellin mosmarrëveshje e fatkeqësi, mjafton që një mollë
të sjell luftëra:
E molla e perëndeshës
Erida – (solli)
Luftën e pashmangshme të
Trojës
Përmasat
e këtyre luftëra sollën shumë tragjedi përmasash homerike. Secili kërkonte
lavdinë e vet: shumica, për ta mbrojtur vetveten, dinjitetin e lirinë, truallin
e vet e familjen: pala agresive, në ankth se po i humb privilegjet (me mitet e
sajuara mbi të drejtat ekskluzive mbi Kosovën). Dhe gjithçka u sqarua më vonë,
pas përgjakjeve të mëdha. Në mos, ende historia luan me enigmat e saj të
mosmarrëveshjeve e mollës së fshehur.
5.
(Sfidat e sotme)
Njerëzit
keqkuptohen, në vend që të mirëkuptohen.
Njerëzit
nuk e pranojnë njëri-tjetrin, e mohojnë miku mikun, bashkëpunëtori
bashkëpunëtorin, kolegu kolegen, i riu të renë apo e reja që dashuron braktis
të dashurin e saj. Kaq shumë mjete komunikimi e ka shumë njerëzit e harrojnë
njëri-tjetrin! Profesori nuk merret vesh me studentët, të vjetrit nuk mund t'i
kuptojnë të rinjtë dhe rinia nuk çan kokën për t'i kuptuar gjeneratën e vjetër.
Në mes bashkëshortit e gruas lindin moskuptime e keqkuptime, shpesh pa fund e
pa skaj. Prindi s'e do fëmijën e tij, kurse fëmija ik nga prindi i tij.
Marrëdhëniet në mes njerëzve minohen, shkatërrohen...
U
pa: mjetet e komunikimit nuk sigurojnë e as nuk garantojnë se njerëzit mund të
mirëkuptohen apo mund të merren vesh.
Edhe sot e kësaj dite
njerëzia
Ia kanë drojën mollës së
Eridës
I ikin gurit, shpatës,
plumbit
Molla e Eridës i arrin
gjithkund
Përnjëmend,
e ku nuk arrin kjo sfidë molle e grindjes?!
E
pra, mirëkuptimi mungon e kjo shndërrohet në problem shqetësues dhe në çështje
të të gjithë njerëzve, ashtu sikundër njerëzit kanë nevojë edhe të ndërlidhen
dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.
"Shumica
e probleme në jetë vijnë nga keqkuptimi", thotë një personazh i veprës së
L.M. Montgomery-t.
Dhe,
mbasi konstatohet gjendja e tillë, atëherë çka duhet bërë? Ku gjendet zgjidhja
dhe ku mund ta vendosim zgjedhjen tonë?
Prandaj,
na u dashka dhe Edukimi për Mirëkuptim, arsimimi për marrëveshje.
Mu
ashtu siç na sugjeron “thënia eugjenike” e Musa Ramadanit.
Ky
edukim ngërthen dhe një Kulturë të Etikës Njerëzore... - si të arrihet, me anë
të komunikimit e mirëkuptimit, përvetësimi i shpirtit bujar, i zemërgjerësisë,
i fisnikërisë shpirtërore, domethënë, si t'i qëndrojmë pranë asaj thënies
proverbiale për Bujarinë e Shqiptarit...
Letërsia
e Musa Ramadanit gjithnjë e ka ruajtur bërthamën e ripërtëritjes me tema, ide,
kolazhe, teknika, shenja e këndshikime të shumta të shkrimit modern. Është
letërsi e krijuesve të rrallë që nxit lëvizje të reja të refleksionit letrar.
_____________________________
MUSA RAMADANI
MOLLA E GRINDJES
Dikush
e hedh një gur në shesh
Dikush
e nxjerr një shpatë në fushë
E
dikush e zbraz një plumb në mal
Po
për të shkaktuar grindje ndër njerëz
Mjafton
edhe vetëm një mollë e Eridës.
Kështu
kish provuar e motra e Aresit
Në
dasmën e prindërve të Akilit dikur
Ajo
kish rrokullisur për tokë mollën
Dhe
sherrin ku shkruante: “Më të bukurës”
Ç’vullkane
urrejtjesh shpërthyen sakaq
Nga
zemrat e lënduara të perëndeshave
Parisi,
si prore dinak, bëri e ç’bëri
E
zgjidhi nyjën në të morë të Afërditës
Një
gur i hedhur shkakton grindjen
Një
shpatë – rrahjen e dyluftimin
Një
plumb – vdekjen e gjakmarrjen
E
molla e perëndeshës Erida –
Luftën
e pashmangshme të Trojës
Edhe
sot e kësaj dite njerëzia
Ia
kanë drojën mollës së Eridës
I
ikin gurit, shpatës, plumbit
Molla
e Eridës i arrin gjithkund
(1986)
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 1986, mars- 24 prill 2020)