E diele, 28.04.2024, 04:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Mesazhi shenjtërues i pikturës për Nënën Tereze

E shtune, 25.04.2020, 02:00 PM


MESAZHI SHENJTËRUES I PIKTURËS PËR NËNËN TEREZE

(Këndi meditues: piktura për Nënën Tereze e Idriz Berishës)

Nga Prend BUZHALA

Sot mjafton "të pushojmë" në këtë mëngjes, duke e shikuar këtë pikturë të maestros Idriz Berisha, kushtuar Nënës Tereze. Idriz Berisha ka rreth tri-katër dekada që e pikturon Nënën Tereze, si frymëzim që nuk merr fund asnjëherë.

1.

Të pushojmë?

Mirë, të pushojmë pak, se ndoshta secili prej nesh ka shumë punë. E cila na qenka ajo punë kaq e madhe, mund të pyesë dikush.

Pas, së pari, është privilegj i bukur të kesh rastin ta shikosh pikturën, dhuratë mëngjesore.

Dhe ja, duke e shikuar jo për një çast, por ta shikosh gjithnjë sot e nesër e përgjithmonë pikturën e asnjëherë të mos e shuash etjen e përjetimit piktural.

Janë ato çaste, kur piktura të merr për dore e të fut në një botë tjetër: në atë të qetësisë së përshpirtshme. Ti do të hysh aty, te kjo botë qetësie, dhe do ta pasurosh përvojën tënde të bukur. Është ai emocioni themelor, i përkundur në djepin e frymëzimeve të të bukurës dhe të të vërtetës. Domethënë: ti arrin ta jetosh më thellë jetën personale, ta zgjerosh përtej vetvetes. Madje, do t'i kuptosh mesazhet që i përcjell piktura: një hark diellor shenjtërues përreth kokës, një sfond i kuq, një ngjyrë e bardhë si shenjë e dritës qiellore që depërton drejt nesh, shenjë e zemrës së dashurisë së pa skajshme, një shikim i butësisë së pafund njerëzore që përcillet si mesazh shekujsh nën ngjyrën bardh e blu, shoqëruar me lule, me urata e me kundrimin thellësisht dashamirës drejtuar edhe kohës së sotme: "Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe", do të thoshte kjo Nanë e Njerëzimit dhe e kombit tonë. Ja edhe tri-katër thënie tjera të saj:

“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

2.

E pra, piktura na sugjeron që njeriu ta jetojë jetën të plotë, me urti e dashuri, si qenie e gjallë ashtu siç e hapim pikturimin trup, shpirt, mendje, zemër e frymë shenjtërie, të bëra njësh në penelin e Xhixhit.

"Mbyllni sytë për të parë", na porosit piktori me renome botërore, Paul Gauguin.

Po!

Atëherë edhe mund të bëjmë pak udhëtim shpirtëror, për ta hequr frikën e ankthin në këtë kohë pandemie. Për ta pranuar dashurinë tereziane për njerëzimin, për të lënduarit e për të goditurit në jetë.

Piktura, kudo që të jesh e kudo që e shikon, aty për aty e ka një privilegj,, si gjithë arti: ta krijon një VEND TË SHENJTË , posi ai këndi i lutjes së përshpirtshme tereziane. Ti e ke bërë zgjedhjen tënde si njeri: për të qenë afër pikturës, domethënë afër vetvetes, afër shpirtit e afër të perëndishmes. I bërë njësh me heshtjen e shenjtë kundruall një shqetësimi të madh: diçka e rëndë po ndodh rreth nesh dhe botës. Ti qenke drejtuesi spiritual i vetvetes. "Jepe dashurinë e ndihmën tënde, jepe vetveten, e të gjithë jemi të shpëtuar" shprehet Jane Goodall.

Prandaj, posa ta shikosh qetësisht, shikoje edhe njëherë, duke i mbyllur sytë, mbylli sytë dhe e shikon së brendshmi këtë pikturë.

(Prend N. Buzhala, 22 prill 2020)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora