| E shtune, 25.04.2020, 02:00 PM |
MESAZHI SHENJTËRUES I PIKTURËS PËR NËNËN TEREZE
(Këndi
meditues: piktura për Nënën Tereze e Idriz Berishës)
Nga Prend BUZHALA
Sot
mjafton "të pushojmë" në këtë mëngjes, duke e shikuar këtë pikturë të
maestros Idriz Berisha, kushtuar Nënës Tereze. Idriz Berisha ka rreth tri-katër
dekada që e pikturon Nënën Tereze, si frymëzim që nuk merr fund asnjëherë.
1.
Të
pushojmë?
Mirë,
të pushojmë pak, se ndoshta secili prej nesh ka shumë punë. E cila na qenka ajo
punë kaq e madhe, mund të pyesë dikush.
Pas,
së pari, është privilegj i bukur të kesh rastin ta shikosh pikturën, dhuratë
mëngjesore.
Dhe
ja, duke e shikuar jo për një çast, por ta shikosh gjithnjë sot e nesër e
përgjithmonë pikturën e asnjëherë të mos e shuash etjen e përjetimit piktural.
Janë
ato çaste, kur piktura të merr për dore e të fut në një botë tjetër: në atë të
qetësisë së përshpirtshme. Ti do të hysh aty, te kjo botë qetësie, dhe do ta
pasurosh përvojën tënde të bukur. Është ai emocioni themelor, i përkundur në
djepin e frymëzimeve të të bukurës dhe të të vërtetës. Domethënë: ti arrin ta
jetosh më thellë jetën personale, ta zgjerosh përtej vetvetes. Madje, do t'i
kuptosh mesazhet që i përcjell piktura: një hark diellor shenjtërues përreth kokës,
një sfond i kuq, një ngjyrë e bardhë si shenjë e dritës qiellore që depërton
drejt nesh, shenjë e zemrës së dashurisë së pa skajshme, një shikim i butësisë
së pafund njerëzore që përcillet si mesazh shekujsh nën ngjyrën bardh e blu,
shoqëruar me lule, me urata e me kundrimin thellësisht dashamirës drejtuar edhe
kohës së sotme: "Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të
madhe", do të thoshte kjo Nanë e Njerëzimit dhe e kombit tonë. Ja edhe
tri-katër thënie tjera të saj:
“Mos
i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”
“Fjalët
e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre
është vërtetë pa fund.”
“Vuajtja
është dhuratë e madhe e Zotit.”
“Duhet
të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”
2.
E
pra, piktura na sugjeron që njeriu ta jetojë jetën të plotë, me urti e dashuri,
si qenie e gjallë ashtu siç e hapim pikturimin trup, shpirt, mendje, zemër e
frymë shenjtërie, të bëra njësh në penelin e Xhixhit.
"Mbyllni
sytë për të parë", na porosit piktori me renome botërore, Paul Gauguin.
Po!
Atëherë
edhe mund të bëjmë pak udhëtim shpirtëror, për ta hequr frikën e ankthin në
këtë kohë pandemie. Për ta pranuar dashurinë tereziane për njerëzimin, për të
lënduarit e për të goditurit në jetë.
Piktura,
kudo që të jesh e kudo që e shikon, aty për aty e ka një privilegj,, si gjithë
arti: ta krijon një VEND TË SHENJTË , posi ai këndi i lutjes së përshpirtshme
tereziane. Ti e ke bërë zgjedhjen tënde si njeri: për të qenë afër pikturës,
domethënë afër vetvetes, afër shpirtit e afër të perëndishmes. I bërë njësh me
heshtjen e shenjtë kundruall një shqetësimi të madh: diçka e rëndë po ndodh
rreth nesh dhe botës. Ti qenke drejtuesi spiritual i vetvetes. "Jepe
dashurinë e ndihmën tënde, jepe vetveten, e të gjithë jemi të shpëtuar"
shprehet Jane Goodall.
Prandaj,
posa ta shikosh qetësisht, shikoje edhe njëherë, duke i mbyllur sytë, mbylli
sytë dhe e shikon së brendshmi këtë pikturë.
(Prend N. Buzhala, 22 prill 2020)