E shtune, 27.04.2024, 11:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Kodi i mallkimit si kod i dashurisë së thellë për Prishtinën

E diele, 26.04.2020, 01:49 PM


KODI I MALLKIMIT SI KOD I DASHURISË SË THELLË PËR PRISHTINËN

(Lexime poetike. Poezia “M’u thaftë dora Prishtinë" e poetes Hida Halimi), XVIII

Nga Prend BUZHALA

Hida Halimi (1948- 2012) është njëra ndër krijueset e njohura e që ka lënë krijime artistike me vlerë në prozë, po edhe në poezi. E njohur me romanet Ai që nuk ishte Fidia , Njeriu im, Shpina, pastaj vëllimin me tregime "Ato letra i shkrova vetë", me dramat “Bijtë e Njeriut” (dramë, 2001), “Tri medaljonet e Franc Ferdinandit” (dramë, 2001); ajo njihet edhe si poete me vëllimin poetik "Vendlindjen ma zgjodhe ti" (1993). Porse poezi ajo ka shkruar edhe gjatë dekadave të fundit deri sa jetoi. Nga opusi i saj poetik, zgjodhëm poezinë "M’u thaftë dora Prishtinë", e shkruar në Cognace, Francë, korrik ‘99, gjatë eksodit biblik të Kosovës.

1.

Frazeologjizmi shqip "Mu thaftë dora", "t'u thaftë dora", "iu thaftë dora" etj", vjen si një mallkim, si pasojë e një veprimi tragjik. Drama e përjetimit të largimit e një popullsie të tërë, më saktësisht, edhe e një qyteti të tërë, ishte e rëndë. Poetja hyn menjëherë në mallin përvëlues të gjakimit ndaj qytetit të saj, të dashuruar vdekshëm:

Ti pas meje n’Atlantikun 99

Të kundroj tek kërcas gishtërinjtë,

N’skaj bote, nga një kënd i një farë shtëpie,

Që prej se të lashë Prishtinë.

Për poeten është njësoj si të thuash profete, poete, orakull. Ky karakterizim e gjen mbështetjen në parimet e ekspresivitetit të thënies lirike, në projeksionet e shpirtit lirik në hapësirë dhe kohë qoftë edhe në kohë të pakohë:

Ne s’i duam profetët mëkatarë,

Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer

Kujt akordi s’i pengon.

Edhe kësaj radhe, Letërsia dhe leximi, na janë Shkronja e Fundit. Strehimi i fundit. Një strehë a univers që nuk mund të ta rrënojë askush. Shtegu që nuk mbyllet asnjëherë. Ti lexon, krijon dhe bisedon me Librin e Jetës, me Librin e Qytetit të Prishtinës e me poetët e saj, dhe aty je duke kuvenduar me praninë e Fjalës së Hyjit. E shijon atë kënaqësi leximi, krijimi e përjetimi... Njeriu mësohet me botën e tij të brendshme, aty ku e ka rrënjën e jetës së tij... dhe së andejmi nxjerr frytet e Hireve të Brendshme. Dështimet shpesh na janë si proces i natyrshëm pësim-mësimesh, proces i arritjes së urtisë dhe përvojës. Porse krijuesja letrare (dhe lexuesi) e përjetojnë jetën e paraqitur në art si një aventurë krijimi dhe leximi, po edhe si dramë përjetimi. E pra, letërsia na thotë (dhe na mëson) se ia vlen nganjëherë të provojmë që të ndjehemi ndryshe nga zhgënjimi a dëshpërimi, të ndjehemi të ripërtrimë... Fëmija që mëson të ecën, rrëzohet shpesh, madje edhe përgjaket, por ai gjithnjë ngrihet në këmbë, nuk e humb kurrë shpresën e kurajon, se do të ketë sukses për të ecur vetë në këmbë, në jetë. Cili është ky sekret i forcës së vetëbesimit? Dhe, gjithsesi, ky është edhe sekreti i bukurisë së shpirtit të saj...

2.

Skenat e braktisjes ngjajnë në ato të kolonave hebraike që e ndjekin pas udhëheqësin e tyre shpirtëror, Moisiun. Kah do që shkon kjo kolonë e braktisjes së qytetit, pas lë gjurmën e një përjetimi e kujtimi të hidhur. Në braktisjen e tillë sikur thuhen Fjalët e Fundit për jetë a vdekje... se nuk i dihej fatit. Pas mbesin dyert, shtëpitë, rrugët, pamjet ku e ke kaluar një jetë të tërë. Takimet, fytyrat e njerëzve të njohur, gjallëria... - Kur të mungon (qyteti), atëherë "kjo mungesë është si një shtëpi aq e gjerë, sa që brenda saj ju do të depërtoni nëpërmes mureve të saj dhe do t'i varni fotografitë në ajër." E kapluar prej këtij trishtimi, se më nuk do t'i shihte ato që i do me afshin e shpirtit, në vetminë e plagosshme të eksodit, diku në Evropë, qenka dhe diçka tjetër që e hedh vështrimin mbi qenien e saj, mu ashtu si ajo e vëzhgon nga larg qytetin e saj, dhe këtij premtimi për ta parë edhe nga larg qytetin e braktisur e të shkretë, është e vetmja fije që e mban gjallë. De Rada do të theksonte: kudo që shkon, e merr hijen e shtëpisë me vete. Poetja e mori me vete hijen e Shtëpisë së madhe të quajtur Prishtinë:

Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate që Zoti e di

sa veta gërhinë në të,

e lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi.

Të shoh ty:

Pas terrasës me trëndafilë të ngrirë,

Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,

Ku shahen për një çamçakëz,

Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…

Ka shkuarje, ka largim, por a do të ketë kthim?

A do t'i tradhtojë dashuria për kthim?

Ky besim te kjo dashuri e madhe, mbetet e fortë, përtej secilës logjikë të jetës e ekzistencës: njeriu shqiptar është krijuar për të mos u zhdukur!

Bashkëveprimi emocional mbetet si frymëmarrje e thellë e jetës. Vargjet marrin frymë së bashku me poeten e me njerëzit e saj. Pamjet ngjajnë në netët e Bartolomeut. Vetmia është më shumë se tragjike, diku larg qytetit të saj. Ajo i drejtohet Prishtinës në veten e dytë, një si bashkëbisedim me qenien e zemrës. Kodet e saj të ekzistencës përplasen me kodet e krijimit poetik, mu si zanafillë bote, kur përmend emra e vepra poetike:

Dhe krejt vetëm unë e ti

Ku e thyen qafën miqtë e mirë,

Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush

për “Bukurinë e zezë”

për poetët që i vramë,

Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan

dreqi e rroftë! Kemi frikë.

Krijuesja të duket se këndon në vorbullën e apokalipsit, përbuzjes, tragjedisë e vetmisë, tek e përplotëson këtë boshllëk me anë të poezisë. Për të nuk ka hapësirë boshe: e rëndësishme është që nga ky kaos apokaliptik të krijosh harmoni, kujtesë momentale, nga hiçgjëja ta krijosh lirinë, ngrohtësinë e emocionit e të përkushtimit për gjërat e qeniet më të dashura të jetës e të ekzistencës. Aty vigjilojnë vargjet si këngë mbi të gjitha këngët, çfarë është Kosova dhe Prishtina, poetët dhe shtëpia.

I braktisi qyteti apo njerëzit e braktisën atë?

Sado që jepet ky largim kaq i prekshëm, braktisja e brendshme nuk ndodhi. Le ta kujtojmë po ashtu atë rikthim po aq biblik në trojet e veta të këtij populli martir.

Mu ashtu, siç thonë poetët: as dielli nuk e braktis kurrë hënën në errësirë.

3.

Peizazhi i jetës, i braktisjes dhe i vendosjes diku larg, nëpër qytetet e Evropës, ndërkëmbehet me ato të këtij shkretimi:

Borë marsi, prilli e maji 99 n’këtë pranverë

Dhe fëmijë që hahen si gjelat

Për ndihma humanitare

Pampers, tambël druni dhe… pak dashuri.

Prapë ti Prishtinë

Mesditë është dhe rrugët janë shterur,

Çfarë telefoni idiot!

Askush s’përgjigjet n’të.

Memecëri e ndytë në gjithë këtë qytet.

Ç’u bë ai det njerëzish?!

Poezia nglrthen shtresime të forta psiko-lirike, gjithë tension të brendshëm, deri te shprehja shpërthimore. Vargjet shqiptojnë një patos të kontrolluar, pa emfazën e shprehjes që mund t'i jkarakterizojë motovet e tilla. Porse, ky patos ndërthur përvojën psikologjike dhe etike, i këmben shqetësimet e forta me tonin e qetë, reagimet emocionale me skenat dramatike. Të duket se po e lexon një monodramë të apfund vuajtjesh që po luhej në skenën e botës. Një entitet unik arti. Dhe gjithnjë poetja nuk i reshtet revoltës së brendshme, shpërthyese, një si ironi tejet e hidhur e jetës, që pikon gjak:

I kalojmë ditët në ceremoni varrimi

Mbi arkivole prekim shikimin

Dokrra, shpirti im, llafe.

Kush tha se gazi u shua?

Përse u çnjerëzua një poet!

Jo, aspak

Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë

E kah fundi vijnë ato përbetimet si mallkim i kësaj ironie të absurdit të jetës, me togfjalëshat frazeologjikë e poetikë: M’u thaftë dora, M’u marrtë goja, Më plaçin sytë... Tri herë ndodh ky mallkim, me semiologji të thellë rikrijimi: mallkimi i dorës (si mallkim i krijimit, dorëshkrimit, artit poetik); mallkimi i gojës (si shenjë e ligjërimit) dhe mallkimi i syve (si semantemë e pamjeve, pikturës, fotografisë, imazheve të kujtesës).

M’u thaftë dora, e Mira ime,

S’ta shkrova një fjalë të mirë,

Përherë një dorë ethesh më dridh

Gjithë kjo borë në gji!

M’u marrtë goja, s’ta thashë asnjë varg,

Për erë bliri në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz

Që pështyjnë tri herë Orët e Liga n’gji,

Sa shqip!

Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë,

Gjithë këta poetë të këqij!

Por s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë.

Më plaçin sytë.

S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.

Për me të marrë me të mirë.

Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.

Se… se… deshëm diçka në ty.

Ç’e do këngën time verdh si lakra!?

Ajo nuk e mallkon dikë tjetër, përpos vetvetes, porse KODI I MALLKIMIT rrah diku tjetër: është KOD I DASHURISË - dashuria e saj është përtej këtij mallkimi që bartin ngarkesë emocionale të madhe e të thellë. Vetëmallkimet vijnë si betim. Ajo nuk e bën mallkimin ta shitojë dikë tjetër, t'ia dëshirojë dikujt tjetër të keqen, as e shfaq dëshirën e saj që t'i ndodhë ndonjë fatkeqësi Tjetrit. Assesi. Thjesht, ajo sugjeron që te shprehjet e tilla të qëndrojë i paprekur ai gjakim, të qëndrojë e pashprishur ajo dashuri, ai përkushtim, ai përjetim dhe ato pamje. Sikur shprehjet e tilla, të bartura nga traditat popullore e kohëve të lashta, bartin fuqinë magjike të fjalëve. Nga kjo magji e fjalëve ajo kalon në magjinë e thënies lirike.

A e shpall veten fajtore ajo?

E si qenkan fajtorë ata fëmijë, ai popull duarthatë, atje, në eksod!

Porse qortimi është përtej edhe një mallkimi të tillë, është fundbotshëm invektivë revoltuese, vetëm për hir të asaj dashurie që shpesh shfaqet e rreme:

I dashur m`u duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty

Ku të gjallët e rrejnë një kufomë

Dikush preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me dorë…

U çart edhe poeti i mbramë në këtë qytet!

Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi të tjera punë,

(...)

Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.

Se… se… deshëm diçka në ty.

Ç’e do këngën time verdh si lakra!?

Invektiva është figurë poetike. Invektivë do të thotë SHARJE, sulm, denoncim, fyerje... Invektiva në këtë poezi vjen me ngjyrim stilistik e satirik. Kësaj radhe, kjo figurë merr përsipër reagimin e fortë për vetëdijesim, për zgjim të ndërgjegjes indiferente, të fjetur, kundruall tragjikes që po luhej para tyre.

Qytetin e braktisur askush nuk e merr në mbrojtje: a thua, gjithçka paska qenë gënjeshtër te kjo dashuri?

A thua, këta njerëz që po ikin, a nuk ndiejnë kurrfarë dashurie përballë kprcënimit, zhdukjes, vrasjeve?

Humbjet e gjymtimet ajo i ndien thellë. I muros e i rishkruan së thelli, si tatuazhe shpirti. Si tatuazhe fjalësh të zemërimit, klithmës e trishtimit. Si zemër e çartur dhe e shprishur kundër të vetëve. Braktisja e mungesa e kësaj dashurie, janë si goditje qortuese me mprehtësinë e thikës, si goditje e përgjakshme që e lë pa frymë Tjetrin.

4.

Cili është besimi që na dhuron leximi?

Përpos kënaqësisë së leximit, përjetimit estetik etj, leximi është një aventurë, është një kërkim, më në fund, është kërkim i shpresës.

Letërsia zë fill, aty ku njihet vullneti i njerëzimit, pra, mu aty edhe ku njihet vullneti hyjnor; për të na bindur se cila është e vërteta e plotë (përtej fakteve lakuriqe e ironisë së jetës); se cila na është e ardhmja që na jepet si dhunti (arti i shkrin kohët, i bën një); i shkrin e i afron krejt largësitë...

Poezia vjen si ngushëllim i bukur. Si një çlirim nga ngricat e barrët e jetës. Një shteg për të depërtuar në thellësitë e kuptimit të jetës, në ciklet kozmike të ekzistimit. Krijuesja letrare e sprovon dorëshkrimin e vet lirik si një mikrokozmos të qëndrimit personal në hapësirat e ngushta të eksodit.

Me vetë aktin e shkrimit fillon të hysh në thellësitë e kohës e në labirintet e saj. Së këndejmi, a nuk shndërrohet Fjala në medium të pagëzimit e të emërtimit të drejtpërdrejtë të gjërave, a nuk i ngërthen në Libër shtresat e kohës, a nuk e vë në takim njeriun e kësaj kohe me të gjitha kohët, me të padukshmen, me të pathënën, me dimensionet kozmike? Por, me aktin e leximit, poezia edhe kërkon të plotësohet, sepse, secili lexim i saj, është edhe një mbushullim i tillë i aktit estetik të saj.

Sa herë që të lexohet kjo lirikë, aktualizon e ringjall kohët, me ndërgjegjen e vrarë dje, po edhe me brejtjen e kësaj ndërgjegjeje sot.

Krijimi poetik, duke krijuar një realitet të ri, njëmendësinë artistike, lexuesit i duket sikur gjendet në ambientin e legjendës që e thur vetë jeta, ndërkohë që poetët thurin legjendën e jetës vetjake, që ia kalon edhe imagjinatës, shkon edhe përtej legjendës vetë.

__________________________________

HIDA HALIMI

M`U THAFTË DORA PRISHTINË

Ti pas meje n’Atlantikun 99

Të kundroj tek kërcas gishtërinjtë,

N’skaj bote, nga një kënd i një farë shtëpie,

Që prej se të lashë Prishtinë.

Ku jam e ç’kohë bën, për mua s’lëviz gjë.

Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate që Zoti e di

sa veta gërhinë në të,

e lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi.

Të shoh ty:

Pas terrasës me trëndafilë të ngrirë,

Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,

Ku shahen për një çamçakëz,

Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…

Dhe krejt vetëm unë e ti

Ku e thyen qafën miqtë e mirë,

Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush

për “Bukurinë e zezë”

për poetët që i vramë,

Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan

dreqi e rroftë! Kemi frikë.

Ne s’i duam profetët mëkatarë,

Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer

Kujt akordi s’i pengon.

Borë marsi, prilli e maji 99 n’këtë pranverë

Dhe fëmijë që hahen si gjelat

Për ndihma humanitare

Pampers, tambël druni dhe… pak dashuri.

Prapë ti Prishtinë

Mesditë është dhe rrugët janë shterur,

Çfarë telefoni idiot!

Askush s’përgjigjet n’të.

Memecëri e ndytë në gjithë këtë qytet.

Ç’u bë ai det njerëzish?!

T’ëmën e s’ëmës! Askujt buza n’gaz s’i shkon,

kush s’e di një barcoletë të mirë!

Sa për një mahi t’idhët në këtë pikë t’qetësisë,

Vetëm pranverë 9,9,9 dhe 9

Ku era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash

Me folklor të Shumadisë.

Dikush më dha shenjë me buzëqeshje, dje n’varrim.

I dashur m`u duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty

Ku të gjallët e rrejnë një kufomë

Dikush preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me dorë…

U çart edhe poeti i mbramë në këtë qytet!

Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi të tjera punë,

I kalojmë ditët në ceremoni varrimi

Mbi arkivole prekim shikimin

Dokrra, shpirti im, llafe.

Kush tha se gazi u shua?

Përse u çnjerëzua një poet!

Jo, aspak

Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë:

Aty kur blejmë supë me kiste,

Kur e mashtrojmë patrullën, me t’u shtirur serbë…

Si the?!

Sa para i ka fytyra pa leqe, nderi e...

Prano.

S’e vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.

Shih çfarë të bëra Prishtinë

M’u thaftë dora, e Mira ime,

S’ta shkrova një fjalë të mirë,

Përherë një dorë ethesh më dridh

Gjithë kjo borë në gji!

M’u marrtë goja, s’ta thashë asnjë varg,

Për erë bliri në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz

Që pështyjnë tri herë Orët e Liga n’gji,

Sa shqip!

Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë,

Gjithë këta poetë të këqij!

Por s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë.

Më plaçin sytë.

S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.

Për me të marrë me të mirë.

Me t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.

Se… se… deshëm diçka në ty.

Ç’e do këngën time verdh si lakra!?

Për këta fëmijë nervoz, që grrithen, ngrehen për flokësh

Kur zihen për politikë

Apo për këta etër që aktrojnë qetësi

Dehen me coca-cola

Teren në tym duhani Ballkanik

Me ambalazh “Marlboro”.

E di! S’ke pse më ndien mua gjakhumburën,

Por, zë besë Kosovë

Se aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë

Buzëqeshi i mbrami poet. Vetë miku im.

Tash të shprishin bombat Kosovë,

E këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq,

E lëkundin dallgët Atlantikun.

Cognace, Francë, korrik ‘99

--

(Prend N. Buzhala, 18 prill 2020)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora