E merkure, 24.04.2024, 10:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Puthja në orën 24

E merkure, 01.01.2020, 01:00 PM


Nexhat Halimi

Silueta e vetmisë së gurit

(Fragment)

Puthja në orën 24

(Tridhjetenjë dhjetor `79

Një janar `80)

Frymëmarrjet e jetës e të punës, të fundit në  një motmot e  ato, të parat në Vitin e Ri, në qytetin e xehetarëve “Trepça”afrohen te ura e imagjinuar, afrohen të mëdha – me përjetime të premtimit për gjëra të reja, me ylber të gëzimit, me ëndrra të veçanta, me lumturi të rrallë, brenda vetes dhe jashtë vetes. Afrohen te ura e imagjinuar,  e me urimet – Me Fat, ndërrohen vitet. Ik i vjetri me ballë të djersitur, me gjurmët e mbetura në shkëmb të xehes, me shkrimet e lidhura, me fitoret e ëndrrat e përhershme, e vjen i riu. Zë e lëvizin çastet faqes së re, në të cilën do të shënohen  burimet e reja, veprat e sukseset, dëshirat e synimet, për horizonte të zgjeruara në të gjitha prekjet e përhershme të jetës.

Bien kambana orësh me jehonë, me muzikën e tyre lidhin dy motmote dhe i ndajnë për mezhda njërin me tjetrin, i tërheqin vijat përmes vetëtimës së imagjinuar.  Rrjedhin nëpër buzë fjalë e urime, të uruara nga shpirti e zemra, për të ardhme më të mirë, për ëndrra më të bukura... I afrohen me etjet e përhershme njëri tjetrit, me kazma në duar, me turjela e copëza shkëmbi,me ndriçimin e tyre të zinkut, të arit e të argjendtit, me dritën e djersës,   të ngarkuar me ëndrra, me synime, me flatra të lumturisë shkrirë nëpër fytyra të qeshura, urohen e urojnë. Dëgjohen urime të secilit minator, të zemrës së nënqiellit të kaltër e thellësisë së artë të nëntokës, të secilit që derdhë djersë në rrembat e dheut, me damarë të botës njëjtë zgjatur e kryqëzuar larg e afër qoftë... Urim i thellë, i gjatë për një çast, për një datë, për një ngjarje, për një motmot, për gjithmonë. Urim i shkëputur nga zemra, që e presin në atmosferë festive e djerse, të puthjen akrepat  në orën 24, veç pse dashuria e përjetshme, është më e madhe, për një pikë djersë të secilit, një gur të muruar në të për shkollë të re, për ambulancë të re, për rrugë të re. Për ardhmërinë më të lumtur dhe më të ndritur.

Në çastet e fundit të vitit të ikur tashmë, në qytetin e minatorëve të “Trepçës” në çdo front u derdhë djersa lumë. Shkëputur nga kënga, nga festa me tryezë të begatë në shtëpi, ritmi i punës nuk u shkëput. Para zbritjes në nëntokë, secili e përjetonte  prapë  mëshikëzën e festës tashmë të nisur nga më të dashurit e  vet. Orë më parë, në çdo pëllëmbë, ndihej atmosfera e kremtes në hapësirë. Vashat, djemtë, nënat ngarendnin aty e këtu në Mitrovicë, të blejnë atë që u duhej për tryezën në natën më të gjatë, më të lumtur të vitit,të  jetë çdo gjë e përgatitur bukur e me shije, tryezë përplot haje e pije, me bukë e kripë e zemër, me përplot dashuri, siç e ka traditë kjo tokë, ku qielli dhe yjtë lart të ndritur zgjohen në hapësira të ëndrrës. Tryeza nuk do të preket pa u kthyer minatori nga nëntoka, pa qenë ai mes tyre, i cili me djersën lumë e ndërton këtë vend me vjet, me zemër.

Akrepat e orës lëvizin, çastet e ndërrimit të moteve afrohen.

Ndërkohë bëjmë përpjekje të shënojmë afër frymëmarrjet e fundit të vitit nga ikën. Ka çaste  të kujtohen, ka dhe çaste të  dhembjes e të pikëllimit. Jeta, në çfarë do mënyre rrjedh. Gjurmë e kujtime në faqen shpirtërore të secilit. Ik një vit. Vjen tjetri, me çaste e shënime, me pika të djersës. Dëgjohet kënga jashtë rrethit të punës, bien valët e ritmet e gëzimit. Minatorët shkrijnë fuqinë dhe gjatë natës më të lumtur, në orët e pritjes së Vitit të Ri. Ata, secili,  ndërsa bota kremton, gëzohet, do të kalojnë çaste pranë makinës që lëviz në përballje me shkëmbin e xehes, të mos ndalet në asnjë mënyrë prodhimi. Të disponuar rrëzojnë copëza të xehes, të bindur dhe në këtë natë, të pikë djersa e të jehojë kënga  gjithnjë lidhur në një gërshetë. Në udhëtim nga e bardha e udhës, të cilës ecim me hapa të rëndë dhe krenarë.

-Kjo ka kuptim të vetëtimës, të ëndrrës… Ja,  merr flatra, fluturon, më bukur sesa çdo gjë tjetër. Në këtë ditë të fundit të dhjetorit dhe në ditën e parë të janarit. Dy ditë,secila nga viti tjetër, veç me qëllim të njëjtë.

E çdo gjë e 31 dhjetorit zgjohet çiltër, në atmosferë të  rrjedhshme e solemne, me vrushkuj të djersës, në mënyrë që gjatë njëzet e katër orësh të ardhshme të gjallërohet dhe më thekshëm nëpër të gjitha galeritë e xeherores në Stan Tërg. Rri i mendueshëm e i ndjek minatorët me vëmendje. Ata në përpjekje të arrijnë suksese të shënueshme në këtë frymë të fundit, lëvizin pandërprerë. Ikin e vijnë të djersitur. Në të njëjtën kohë në kokë më zgjohet një raport, që më dhemb dhe disa herë më përsëritet, me jehonë. Të gjitha organizatat në lëmin e xehetarisë ballafaqohen me kushte të pavolitshme të ekonomizimit. Ndër krismat e rënda që e goditi “Trepçën” qe avaria që e shembi stabilimentin transportues, e cila gjë zvarriti prodhimin për  ca kohë e herë tjetër e ndërpreu fare. Ja pse në të gjitha punishtet gumëzhinë. Pak kush flet e djersët e mbulojnë. Ngjan çdo gjë në zgjua bletësh. Veç aty këtu e heton brengën e tyre. Këtë gjë e vëren vetëm në  rastet e qëndrimit dhe të bisedës së lehtë të shokut me tjetrin, të qëndrimit të tyre krah për krah dhe në shtrirjen e hijes së rëndë në fytyrë. Shkëpusin ndonjë fjalë, psherëtinin për goditjen e rëndë, të fundit në vitin nga ikën. Bëjnë përpjekje të rëndë ta kthejnë rrjedhën e rëndomtë, t`i kthejnë etjen nëntokës, ëndrrën,  zemrën e shkëmbit të xehes, të rrëzuar nën hijet e tyre.

–Avaritë ndodhin. Veç pse në këtë mbrëmje, pse, ndërsa përgatiteshim të kremtojmë me të përfunduar orarin e punës. Të iknim me nguti në shtëpi. Të ecim t`i shprehim lumturi për vitin e ri familjes... –flet njëri dhe e ndez aty për aty llambën në ballë. Prapë e fik dhe prapë e ndez. - Ja, as drita diçka nuk më dëgjon.

Ecim me të krah për krah deri te ashensori, i cili vetëm sa ngjitet, nuk vonon dhe lëshohet prapë me mjeshtër, të zbritur enkas ta kthejnë gjendjen normale në hekurudhat e ngushta të nëntokës, të bartin vagonetat me xehe e të kthehen për t`u mbushur prapë. Pa hasur në pengesa…

-Do të ngjiteni apo ende do të ndani atmosferën me xehetarët e ndërrimit të fundit në këtë vit, i cili përkrye avarisë së papritur do të përfundojë mbarë,- thotë shoqëruesi, i cili na shikon e buzëqesh.

-Zbritëm kaq metra nën tokë të shkruajmë atmosferën këtu e kurrsesi të ikim.

-Ecim, pra, - thotë ai, pa e venitur aspak buzëqeshjen.

E ndjekim dhe e shikojmë gjatë nga shpina. Të lodhur, do të ndalemi veç pasi do të kemi udhëtuar gjatë nëpër korridore të mbuluara me ujë. Ecim gjithnjë nga një anë, e cila na shpie në një zonë të mbështjellë me vapë. Ecim ende. Tashmë të arrijmë  në një punishte, në të cilën derdhen frymë të ashpra, të ftohta, të ngjashme me acaret e Siberisë.

-S`është asgjë e  re, - thotë minatori. – Në një pjesë ngrin nga të ftohtit, në punishten tjetër bien duhmë të ngrohta, të cilat të djersitin...

Ecim. Arrijmë në punishten 137 /2 në jug të horizontit të nëntë. Në këtë shtrirje të trupit xeheror derdhnin lumë djerse minatorët e vyeshëm e me përvojë Avdi Sejdiu, Selim Preteni, Ferat Hoxha, Zenel Hamiti, Pajazit Isufi, Rrahim Gashi,  Halit Ukiqi, Emin Shartuari e Enver Peci, secili – me kraharorin e hapur ballë për ballë, me shkëmbin e xehes. Të zënë fytafyt me ashpërsinë, tërë të larë në djersë. Në të gjitha rasatet shkëmbi në njërën anë, minatori në tjetrën. Copat  e shkëmbit të xehes shkapërderdheshin para këmbëve të tyre, që shkelnin me vendosmëri, ashpër. Vërej nga krijohet valë e djersës në relievet e fytyrave të tyre të stolisura me grimca të xeheve të plumbit, të zinkut, të argjendtit e të arit. Ato grimca ngjanin në ngjyra të ylberit, në fluturime fluturash me vetëtima në krahë. E tërë pamja ngjante në diçka të përmotshme, në pamje të pranverës së lulëzuar, në dritë mëngjesi, me tufa ngjyrash të njënjëshme. Tashmë avarinë e kishin riparuar mjeshtrit e zbritur në nëntokë, pak para ikjes së tridhjetenjë dhjetorit të vitit në ikje.

Fluturojnë me cicërima zogjsh çaste të paharrueshme.

-Do të kalojmë vetëtimthi dhe në punishten 131 në veri, - na shikon minatori e na  shikon ngul në sy. – Ta shikojmë e ta përshkruajmë dhe aty valën e punës e të mos vonojmë, të ikim në ndonjë kotë tjetër.

-Në çdo pjesë është pamje e njëjtë,- e shkrep Isani një fotografi nga vala e punës.

-Patjetër dhe me të drejtë, - ndërhyn shoqëruesi.

– Kemi dhe angazhim tjetër, - shkrepë fotografinë e radhës fotoreporteri.

- Gjatë tërë natës duhet t`i shkruajmë të gjitha arenat e punës në mbarë Kosovën, - dëgjohet  Faiku.

- Çdo vonesë na hakmerret!- e dëgjoj veten nga më jehon zëri.

Ecim. Të mbushur frymë arrijmë aty ku na prin minatori. Para nesh shfaqet i larë në djersë minatori tjetër, Bejtush Begu, i cili vetëm na shikon e i kthehet shkëmbit. Shpon me pistoletën pneumatike.

-Ke kohë të bëjmë pak fjalë?

-Jo. Nuk e shkëpus punën për fjalë!

-Veç fjala qe e para, Bejtush Begu?

Kjo ia dridhi duart. E shtyri të buzëqeshte pak, ndërsa drita nga helmeta i ra fytyrës dhe ia ndriti djerstë,që i iknin pandërprerë e i piknin në fund të mjekrës. Të  lënë gjurmë në hijen që i binte mbi copat e xehes.

-Veç kjo është natë e veçantë, siç është dhe fjala, -foli. – Më pritni pak.

-Të presim, natyrisht.

-Kjo pjesë e shkëmbit është shumë e vështirë, - ndërhyri minatori tjetër, pranë. –Vapë e madhe është, ndërsa hapësira tepër e ngushtë. Ja, pse nuk ka pushim, fare. Nuk ka kohë për fjalë...

-Veç ai na pretoi...

-Shkëmbi duhet të rrëzohet e më pastaj kemi kohë dhe për fjalë, - e ndërpreu shpuarjen ai e mori frymë thellë. E zuri belin me duar dhe ndjeu dhembje në shpinë. – E shikoni, s`mund të ndahemi nga sulmi. As për fjalën,- tha e i fshiu djersët.

-Çfarë fjale,ore,- qeshi Mursel Tahiri. – A s`e shihni, mund të  them pak jemi vonuar. Goditja është e fortë, veç dhe punishtja nuk lëshon pe. Nuk ofron shumë mundësi për punë të lehtë. Kot i shtrëngojmë dhëmbët...

-Kjo punë nuk shkon me dhëmbë, - bëri mahi Faiku.

-Po e përsëris. Aspak s`e kemi lehtë. Ja , sado të jetë goditja e fortë, kërkon ende përqendrim. I dëgjoni as makinat nuk pushojnë. Jehona e tyre dëgjohet nga të gjitha galeritë. Ngarkojnë xehen, bartin pandërprerë vagonetat nëpër hekurudhën nëntokësore. Në secilën punishte zgjon elan i ri në këtë përmbyllje të vitit që po ikën. Ja pse frymëmarrjet e fundit të vitit zgjohen me kaq jehonë. Vonesat në prodhim do të harrohen, do të shënohen suksese të reja.

-Nuk ka gjë që nuk arrihet.

- Asnjë nga minatorët, në asnjë galeri s`do të jetë nën normën e paraparë. Prodhimi ndoshta do të jetë ndër më të mirët në kohë të fundit. Secili vetë kërkon fitore të re të punës dhe secili e arrin. I dhanë shkëmbit të xehes dhe një goditje të fortë...

-Është mirë që ai nuk flet, - e ngacmoj me mahi.

-Po të fliste do ta pranonte disfatën e vet…- qeshet ai.

-Ja, e shikoni nga vjen shënuesi i raportit të punës në mbarë minierën. Ai do të na tregojë

çfarë kemi arritur? Vjen me buzëqeshje dhe kjo vetvetiu e flet suksesin,

Pikërisht ashtu dhe qe. Në raportet e ditës, të cilat i kontrolluan dhe i nënshkruan  udhëheqësit e ndërrimeve flasin për sulm të paparë në brendi të galerive, për frymë sulmuese të secilit. Minatorët arritën të rrëzojnë dhe të  përgatisin tremijë e nëntëqind  tonelata xehe, ndërsa vetëm në horizontin e tetë u arritën njëmijë e dyqind tonelata, që është një ndër rekordet e mëdha në kohë të fundit.

- Kjo qe një goditje e fortë, veç megjithatë, jo kaq e fortë sa në vete t`i bart tetëmbëdhjetë ditët e humbura gjatë një avarie më të hershme,- thotë shoqëruesi hije rëndë dhe i pikëlluar ndopak. – Ajo avari e zgjati vitin që po ikën për shumë ditë. Do t`i përvjelim mëngët t`i arrijmë gjatë vitit që do të nis...

Me fat! Me fat, jehon nga galeria në galeri… Minatorët ecin krah për krah njëri me tjetrin, disa ende nën djersë, të zhveshur deri në brez. I afrohen ashensorit edhe duke veshur rrobat e tyre të qullura në djersë. Shikon mes vete. Me dashuri të krijuar me vite. Ja, ashensori arrin dhe ta e hapin derën, hyjnë një e një. E mbushën ashensorin dhe morën daljen në sipërfaqe të tokës, të mësyjnë sa më parë të arrijnë në shtëpi e të kremtojnë me anëtarët e tyre të dashur. Secili e paramendonte veten në prag të shtëpisë, nën përqafimet e hareshme të vogëlushit apo të vogëlushes së vet të dashur, në puthjen e bashkëshortes, në cakërrime gotash mes tyre në tryezën e begatë, të shtruar për festë.

Secili ndihej krenar dhe i lumtur me atë çfarë ka.

  njëjtës lëvizje të hapjes së derës së ashensorit të xeherores në Stan Tërg do të hyjë e do të dalë dhe njëri nga tri ekipet  e caktuara të Redaksisë së “Rilindjes”, të artikuluar nga Maksi, për të shënuar gjatë tërë natës së tridhjetenjë dhjetorit kremtimin dhe punën e vitit që do të ikën dhe çastet e para të Vitit të Ri.

Do të ndahemi me minatorët që e mbyllnin turnin e tretë , Me Fat dhe me urimet për punë të mbarë, për shëndet të mirë e suksese në të gjitha sferat e jetës. Tashmë marrim rrugë për në Shkritoren e Zveçanit. Gjatë udhëtimit vijnë e shpërndahen tingujt e ndonjë kënge solemne, të hareshme e të gazmendit, që tashmë kishte filluar pak para ndërrimit të viteve.  Afrohemi te roja e portës së Shkritores së Zveçanit, veç për t`i treguar lejen për shkrimin që do të bëjmë. Ai pa e shikuar mirë lejen me fjalë të zgjedhura e  mburrje na informon për prodhimtarinë, e cila  rrjedhë me ritëm të shtuar. Ajo, as këtë natë të haresë, nuk ngec fare, nuk bie aspak, përkundrazi do të jetë ndër më të mëdhatë në kohë të fundit. Hallka e punës nuk ndalet fare. Ca punëtorë tashmë kremtojnë, veç ata që kanë mbetur në ndërrimin që i lidh vitet dhe i ndanë nuk e kursejnë djersën pranë makinave. Lagin këmishët, i bëjnë qull nga djersët lumë, në sulm të ashpër të punës dhe në çastet, të cilat i afrohen vitit plak, të ndahen nga ai e të nisin çastet me urime të Vitit të Ri. Roja përshëndet secilin me gëzuar dhe e ngreh laurën të hyjmë në Shkritore.

Ka një javë që e kaloj me ekipin në malet e Shalës së Bajgores dhe sidomos brenda tokës së çmuar,  me xehe të vlershme, të cilat nxirren nga zemra me zemër. Është kënaqësi vetëm ta mendosh një udhëtim të ngjashëm me këtë e lere më ta përjetosh kaq afër dhe thellë.

Është koha të ngjitemi prapë me ashensor, ta përjetojmë borën nga bie qetë dhe butë. Ta përjetojmë deri në etje peizazhin, të zbukuruar nga malet dhe zogjtë e metaltë, të cilët në varg të ndonjë njëshkolone ikin me ritëm të njëjtë për në shkritore.

Babi, më mbulo me djersë!

Akrepat e orës lëvizin, i afrohen 24-shit.

Në Shkritoren e plumbit e të zinkut, në Zveçan, bie valë e madhe e punës. Makinat lëvizin pandërprerë, nëpër fytin e tyre derdhet xehja e brumtë, porsi ujëvarë e kuqërremtë rrjedh me buçitje  plumbi i lëngët, i ndezur zjarr. Bien curril në kallëpe  e vendosen  në vagonetat, të cilat më pastaj lëvizin në hekurudhat me plumb të ngrirë, të papërpunuar. Ik në këtë mënyrë në repartin tjetër, në proces të ri të punës xehja e nxjerrë nga Stan Tërgu. Ende ndihen frymëmarrjet e vitit të vjetër, tashmë të ikur, ndërsa me ritëm të zgjuar bien çastet e para  të Vitit të Ri. Hapësira është e njëjtë, personazhet e njëjta, vetëm kanë ndërruar horizontet, udhët, kanë ndërruar botëkuptimet. Mbretëron diçka e re, e pafundme, atmosferë pune e disponim i mirë. Secili ka ndjenjë të ngrohtë për çastet e veçanta të jetës. Te secili vlon elan i ri, i madh, për punë. Aspak nuk ndihen të hidhëruar pse ata u zgjodhën të  jenë pranë valës e zjarrit të punës.

-Dikush duhet ta përjetojë dhe këtë fat, - flet njëri.

-Ky rast ra mbi ne, veç dhe do të paguhemi për këtë kujdestari e punë. Dyfishohen dhe të ardhurat, pikërisht pse derdhim djersë, ndërsa të tjerët kremtojnë, argëtohen në gjirin e ngrohët familjar, apo në hotele e motele, të shkrirë në këngë  e gazmend. Me ëmbëlsira. Me meze e pije, të harrojnë për një çast kush dhe nga kanë ardhur në këtë planet, në këtë kënd të botës, në Shalë të Bajgores, në Kosovë. Nuk kujtojnë asgjë tjetër, vetëm fluturojnë  në sferat e papara të botës. Shëtisin çdo pëllëmbë të botës dhe natyrisht ndihen kaq të lumtur, - e përzien me lugë të madhe të metaltë plumbin e shkrirë, Ismet Seferi.

-Vetëm  vitin tjetër ata që tashmë festojnë do të jenë në vendet e punës e secili nga ne do ta gëzojmë atmosferën e argjendtë të magjisë gjatë ikjes së një viti dhe pritjes së Vitit të Ri. Këtë herë, do të qëndrojmë pranë prodhimit, në Shkritore deri në ag, - rrëfen Sadik Rama. - Ja,  gjendemi njëzetepesë punëtorë, para furrave të larta, para zjarrit që nuk fiket kurrë. Vitin e ri e pritëm nën tufat e ngjyrat e vetëtimshme të zjarrit,në vendin e punës.

*

Papritur, ndërsa shënojmë rrjedhat e punës e ndonjë fjalë të atyre që përjetojnë flakën e shkrirjes së plumbit, përgatitjen dhe bërjen me gisht të lumit  të zjarrtë të bjerë në kallëpe  e ikjen e tyre me vagonetat nëpër hekurudhën e Shkritores, vjen afër nesh një punëtor e psherëtin qetë.

-Ejani, po deshët në zyrën komanduese të furrave të larta.

-Po, - fola dhe do të ik krah për krah me të. Do të përshëndetemi një e një e do të ulemi. Rrimë aty, natyrisht pa kafe, me Hilmi Baliun, udhëheqës në tabelën komanduese të furrave të larta.  Shikojmë me vëmendje tabelën, në të cilën orët lëvizin , matin pulsin e rrjedhës së punës, frymëmarrjet, procesin në furra.

-S`flet asgjë për vete, Bali. Si e ndien veten sonte, në këtë orë të ndarjes së vitit tashmë të vjetër e të lidhjes së vitit me vitin tjetër, të lindur me kuqërrimin e zjarrit të prodhimit, - i flasim, ndërsa ai e fërkon fytyrën e qesh. Natyrisht, mendohet e qesh me zë. Qesh me të madhe kaq sa e kap për një çast kolla.

-Mirë. Shumë mirë. Unë e dua bukur fort punën. Nuk ka ndonjë telashe pse nuk jam në gjirin familjar . Dikush duhet të punojë e po ngjau të mos jem unë atëherë do të jetë ndonjëri nga shokët. Ja pse është krejt një, a është ai apo jam  unë.  Me rëndësi është të mos ndalet për asnjë orë prodhimi. Ai nuk guxon të ngec, ndryshe do të dëmtohemi të gjithë, kolektivi natyrisht dhe individët, me radhë, - thotë preras Baliu. Bisedojmë shtruar me të inserte të së përditshmes. Për rrjedhat dhe synimet, për ëndrrat. Mësojmë shumë gjëra lidhur me Shkritoren, për aktet e  nxjerrjes së xehes, për zinxhirin, për unazat nëpër të cilat duhet të kalojë një copëz e plumbit derisa të finalizohet e të përcillet në tregun botëror... Të hutuar në bisedë gati do të  ikte çasti i pritur, për ta bërë një fotografi me punëtorët në orën njëzet e katër, një pamje me punëtorët nga derdhin djersën dhe natyrisht puqjen e akrepave që shënojnë fundin e një viti dhe lëvizjen e vitit tjetër. Ngriheshim, ta bëjmë këtë gjë, ndërsa papritur pikërisht ra një zë i fortë në Shkritore, e mbushi hallën e shkruar me përzierje avulli të ngjyrës së zjarrit në të përhirtë me të bardhë, e cila e fliste atë gjë në sofrën tek punohej pandërprerë. Dera ngeli e hapur e në të Baliu. Më shikoi me habi e bëri disa hapa para, i hutuar. S`i kishte ngjarë të ballafaqohet me diçka të tillë?

-Çfarë kërkon ky fëmijë në këtë atmosferë të mbushur avull, me plot rrezik, - zgurdulloi sytë ai.

-Cili çun, - qeshi Faiku.

- Ku ik ky çun, ja ky para meje, - e tha me habi ai. – Roje, si ia behu ky çun të futej këtu?!

Vogëlushi bredhte rreth e rreth e thërriste  me zë…

- Baba. Ku je baba?

Shkritarët e shikonin e nuk gjenin përgjigje. Kryenin punët nën tingujt e zërit të lartë, nën thirrjet e vogëlushit, i cikli me lot në sy thërriste e thërriste.

– Ku është babi im. Babi, ku je babi!?

Përnjëherë, secili i mbetur i stepur, secili i hutuar për ndonjë çik kohë në derë të dhomës komanduese të furrave të larta e më pastaj ecëm ashpër dhe  dolëm vrik me notes në dorë, të shënojmë çfarë do të ndodhte. Isani me shpejtësi rrufje kishte shkrepur  disa herë me aparatin fotografik, duke e kapur në qendër  fëmijën e njomë, të papërvojë,  të paraqitur papritur në hallën e Shkritores.

Fëmija ndërkohë, kaq sa ta kapte syri, gjendet në parzmën e babit. E përqafon, e puth e psherëtin ndër lot.

–Më mbulo me djersë, babi, të tërin... Më mbulo!

Ti është dashur të jesh në shtëpi, i rrethuar nga të dashurit tu, veç ani, mburremi me ty. Krenohemi me ty që në natën më të lumtur të vitit qëndron para furrës së zjarrit. Ndihmon të shkrihet plumbi e ari i “Trepçës”. Derdh djersë shi, të mos ndalet prodhimi.

Babai fshin lotët që ia kanë shkruar fytyrën. Nuk flet. Hesht. Shikon para vetes brumin e plumbit të shkrirë e më pastaj sikur zgjohet nga një ëndërr, e puth, e përqafon fuqishëm, me lot gëzimi në sy, me ata lot që përzihen me djersën.

-Thuaje ndonjë fjalë, - e prekim në sup dhe i flasim  qetë.

Kot.

Nuk ka fjalë.

Shikon rreth hutueshëm. Përsëri e përqafon të birin, i uron jetë të gjatë në vete, punë të mbarë e suksese në mësime. Përsëri valë lotësh i rrëshqet mbi mollëza. I fshin lotët. Prapë ata s`e dëgjojnë. Rrjedhin gjatë tërë fytyrës, i pikin në mjekër.

–Ja, fjala nuk e shpjegon kurrë atë që e ndien, në asnjë mënyrë, kurrë, - thotë Hajriz Bajrami, shkritar në furrë, mjeshtër i dytë, ndërsa e mban në parzëm djalin, i cili me lot në sy e puth babanë dhe përvajshëm rrëfen.

– Sonte, në natën më të lumtur të vitit, babai është dashur të jetë në shtëpi, ta ndiej dashurinë e secilit. E ndodhi siç ndodhi, unë e dy vëllezërit e mi, Ganiu e Ramadani  vendosëm të vijmë në Shkritore e t`ia urojmë Vitin e Ri, me fat! Veç roja na doli para.

-Nun bën brenda, - tha. –Assesi nuk mund të hyni, në asnjë mënyrë. Është me rrezik, - tha prapë ai, i emocionuar dhe i rrëqethur nga dridhjet e forta të përjetimit të papritur.

-I përgjigjem unë,me lot, - tha ai.

-Pse?

-Pse?

E lutëm të tre e ai  nuk lëshoi pe, fare,  ndërsa dy vëllezërit bisedonin ende  me të, unë arrita të përvidhem e të gjendem në kraharorin e babait tim të dashur. Bëra gabim me rojtarin, hyra pa leje, veç ndoshta krejt kjo qe dashuri dhe natyrisht është. Nuk guxojmë ta vrasim dashurinë! – psherëtin Muhamedi i vogël dhe e puth babanë. Natyrisht kjo puthje mallëngjyese, kjo puthje për një vit, kjo puthje e madhe, e përzemërt në orën 24, në ndërrim vitesh, aty tek shkrihet plumbi, aty tek shkritari rri para furrës prej nga curril  rrjedh masa e brumtë, e zjarrtë, në të cilën gjë është e shënuar për të gjitha kohët dashuria.

Ja, akrepat që shënojnë  orën njëzetekatër, në atë çast puthen në mbarë botën të dashuruarit, gëzuar për paqe dhe jetë më të mirë!

-Unë e gdhend në këtë çast veç një dëshirë, - shton Hajriz Bajarmi, - të përmirësohen kushtet për punë. Në Shkritore gazrat helmuese po e dëmtojnë shëndetin e shkritarit bukur shumë. Ndoshta ka dhe duhet të gjendet një ilaç për këtë gjë. Diçka tjetër s`më dhemb. Jetoj  mirë në Mitrovicë, në shtëpinë time të re. Prej gjashtë fëmijësh, katër i shkolloj. Dy janë ende të vegjël. Djersën për të mirën e Shkritores s`e kam kursyer kurrë as s`do ta kursej ndonjëherë.

-Unë e secili e ndienim tepër të rëndë mungesën e babait në gjirin familjar, në ditën e haresë e të lumturisë, - flet i pikëlluar Muhameti,e nuk zbret nga parzma e babit.  - Veç s`ka gjë, dikush duhet të jetë  në vijnë e parë të atdheut, dikush në frontin e punës e të prodhimi.

-Ja, pak - pak këtë gjë e kupton dhe Muhameti i vogël. Mungesa në shtëpi më ka prekur dhe mua, veç dikush duhet. Ja që këtë herë ndodhi fati të jem unë, -  buzëqesh ai, përshëndet  me të birin e i kthehet punës. –Do të ketë kohë për të kremte! “Trepça” është këtu e do të jetë, do të jem dhe unë e do të kremtojmë për suksese  të reja. S`u thash, ndërsa e kam kaq në zemër. “Trepça” është damari im, është hambari im, dua të lulëzojë sa më shumë. Të shtohet prodhimi, fjala humbje të shlyhet një herë e përgjithmonë nga fjalori i secilit.

*

Orët e Vitit të Ri ikin një e një, radhiten. Ekipi i redaksisë së “Rilindjes” tashmë  kaq kohë pa ngrënë e pirë diçka, pikërisht në natën më të gjatë të vitit,   ka mësyrë të vizitojë për ca çaste dhe  Fabrikën e baterive për automobila. Hyjmë brenda, të lodhur e pa gjumë, veç papritur përjetojmë zgjim të ritmit të punës. Në hallat e fabrikës lëvizin makinat. Çdo gjë merr frymë thellë, është në gjallëri të vet. Repartit, secilës pjesë pa dallim i vjen erë gome, erë djerse e copëza të jetës. Po ngjau t`i lidhësh ato copëza krijon një mozaik të gjallë, të gjatë, një zinxhir të pafund, në unazat e  të cilit ecin, flasin e punojnë hijedrita të rrjedhës së re. Makinat s`pushojnë,cilindrat sillen, përzihet goma.

Ritëm i gjallë që të zgjon nga vdekja e lere më nga gjumi, i cili do të na ketë molisur ndopak. Këtë rrjedhë e frymë kaq të akorduar e kanë kthyer në muzikë të punës Izet Bekteshi, Shaqir Beka, Asllan Pllana e Jetullah Zeneli, nga duart e tyre kornizohen bateritë e para në  këtë valë të rrëmbyeshëm siç rrjedhë  lumi midis elanit të ri. Bateritë e kryera ikin nëpër shiritin lëvizës prej gome në rrëshqitje rrotulluese deri atje në fund të punëtorisë. Krye procesit i presin punëtorët e vyeshëm, i palosin, të ngarkohen më pastaj nga duart që i presin e të niset udhëtimi në të katër anët e Kosovës e të botës.

Ikim nga Fabrika e baterive për automobila ta lagim fytin me ndonjë konjak në Hotelin Jadran, në Shtëpinë e punëtorëve “Trepça”, apo në Hotelin nr. 3. Faiku e ndal automobilin, ndërsa të pajtohemi, shkojmë atje, aty apo këtu.

- Dua ta dëgjoj AVI TNT e Haki Misinin, -tha Isani.

-Misini këndon mirë dhe është anëtar i ansamblit vokal –instrumental “MAK” të Mirtovicës, - fola unë.

-Një gjë tashmë e qartë. Pse e flet ketë gjë të njohur.

-Eeh, -ia bëra dhe qesha, duke e lëvizur kokën. Ai kishte të drejtë.

- Në  cilin Hotel këndon ky ansambël për këtë Vit të Ri? – pyeti Faiku dhe e aktivizoi automobilin rrugës së mbuluar me një tis bore.

-Në hotelin nr.3 në Zveçan, - tha Isani. –  Është grup i muzikës argëtuese, i cili po afirmohet gjithnjë e më tepër. Mirëpritet  sidomos nga të rinjtë. Shumë interpretime të tyre qenë bërë hite në valët e Radios, gjatë vitit që po ikën…

Iknim tashmë për në Hotelin nr. 3.

Kënga dëgjohej fuqishëm e me ritëm të harmonizuar, jashtë rrjedhës së melosit popullor e me të njëjtin melos në brendësi. Asgjë nuk jeton jashtë lëkurës dhe gjakut të vet. Vetëm ndonjëherë të bëhet ikja nga vetja e në të vërtetë je gjithnjë në vete. Kënga jehon fuqishëm dhe përplasej ashpër për drurët, gurtë dhe majat e maleve të Shalës. I afroheshim hotelit me veshët e mbushur  me ritmet e këngëve “Ma jep dorën”, “Mos ma shqetësoni dashurinë”, “Moj e mira te pojata” dhe me zërin e artë të Haki Misinit. Tashmë gjendeshim brenda hapësirës së hallës së madhe dhe shikoheshim në fytyrat e djersitura dhe të lumtura të atyre,që kremtonin me gota të mbushura shampanjë. Pinin e uronin shumë mbarësi në Vitin e Ri. Përqafoheshin me njëri tjetrin dhe këndonin bashkë me anëtarët e ansamblit, ndërsa skena në të cilën këndonte ansambli qe shtruar tërësisht me trëndafila e karafila ngjyrash të kuqërremtë.

E thirrëm kamerierin të porositnim ,  të hanim e të pinim diçka nën kënaqësinë e këngës së ndezur…

-Jo, - ndërhyri Isani. – Do të ikim. Na pret punë e madhe deri në orët e mëngjesit!

Kënga nuk pushonte .

Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokët e gjata

Hije t'paskan o, flokët e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka

Syri yt vasho si filxhani, vetllat t'holla eh sikur gajtani

Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie

(Uh dala t'plastë)

Shumë o djalë jam bo merak zemra don me m'plasë në bark

Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m'pa

Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t'kish dal para

Po s'je ardhë o me m'pa mu prandaj mo s'të du

A s'ma falë vash syrin e zi e, ta run` baca si synin e tij e

A s'ma falë vashë gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djalë i dadës

Djalë kam ra në krahror tan`, shejë në faqe mos me m'lanë,

Shejë në faqe mos me m'lanë, nana më qorton

Dalim në bashçe me shetit, trëndofilet me i ujit

Du me m'thanë vetëm një fjalë, se të dua djalë

Kënga jehonte e kremtuesit e Vitit të Ri hidhnin në skenë trëndafila të kuq dhe këndonin bashkë me ansamblin  “MAK”, bashkë me etjen e zërin e derdhur nga zemra.

-Do të ikim diku tjetër! Këtu e përjetuam atmosferën madhore.

-Gjithsesi!

-Është mirë të shkojmë në Kçiç, - thamë papritur  të tre me një zë. –Do të kremtojmë në shtëpi të Çerkinit.

-Përcaktohem për Nazmije Totajn, - ndërhyri Faiku.

-Lere tashmë…Mos e prish!

-Propozuam të shkojmë në gostinë e Çeros, të mos ndihet ai i tradhtuar pse nuk e morëm me vete gjatë ikjes së vitit të vjetër dhe Pritjes së Vitit të Ri!

-Do të ikim te ai në Kçiç!

-Jo, do të udhëtojmë nëpër mbarë Kosovën , të regjistrojmë çastet e hareshme e të paharrueshme. Të shënojmë fletën e kuptimit, të kremtimit të rrjedhës, të themi qartë se shpirti memec e i vetmuar nuk di vetëm të punojë, ai natyrisht di dhe të argëtohet.

Udhëtojmë gjatë në natë të arrijmë e të ndalemi te kënaqësia e këngës.

Udhëtojmë e pandërprerë më ikën nëpër ndjenjë jehu i fyellit dhe etja e ndaluar për gjithësinë e copëtuar të tërësisë shpirtërore, vetëm të arrijmë te universi i këngës së ndjekur me fyell! I mbyll sytë e silueta e gurit më shfaqet e zhveshur. Ja, ndërsa e përjetoj këtë pamje prapa  mbylljes së syve, Faiku papritur e frenon automobilin dhe  ndalet për një çast. I çel sytë dhe e vërej një hije me një mushkë, të ngrirë në rrugë.

-Prej nga ra ky gur, ore?

-Është silueta e vetmisë së gurit!-merr frymë i shqetësuar Faiku.

-Ose është veç përhitje e një vetmie të fjetur, të pa njohur?

- Jo. Ja, lëviz hije burri me një mushkë…

-Në këtë kohë, në këtë natë. E pabesueshme!

- Shikoje nga i dridhen shalët thatime të plakut në gur nga e tërheq mushkën për kapistër…

-E ti pse dridhesh?

-Më qe ndalur para dhe nuk lëvizte. Mund ta dëmtoja!

-E pabesueshme. Unë nuk shoh asgjë para…

-As unë, -ndërhyri Isani. – Ky vetëm e ka menduar  atë skenë i rënë në thellësinë e urisë…

-Ec Faik. Jepi automobilit me jeh. Në hotelin e parë do të ndalemi të hamë diçka!

Qeshëm me Isanin, ndërsa Faiku nuk foli më. Njëmend do të jetë uritur, mendova dhe prapë i mbylla sytë! Ritmi i lëvizjes së makinës më mori me vete dhe papritur më doli para mushka,shalët thatime

të plakut me kapistrën e kafshës në dorë dhe me një simit nën sqetull. Ec gur më gur,ngjitet dhiares e cila ik lart nën borën që binte dhe del krye bjeshkës, të përhitet përgjatë kurrizit me drurë nën krahnezë,ndërmjet figurave të bardha të gurëve. Lëviz plaku dhe mushka, ndërsa e vetmja shtëpi në krye të fshatit ngel e vetmuar, humb gjithnjë më shumë nën borë. Plaku e këput nga pak bukë nga simiti nën sqetull e ec nëpër ngricën e mbuluar me një shtrezë të argjendtë. E shkëput dhe pak bukë dukshëm i frikësuar nga vetja e vet e ec.  Lëvizin gjashtë këmbë e dy frymë, ngjiten lart gur më gur. Ecin me hapa të akorduar,ia lëpijnë gjurmët njëri tjetrit e  ngjiten lart, lart e lart… Vallë, nga ikin, nga kanë mësyrë . Të pandarë në këtë fragment jete në gur, e cila ndoshta ka kuptimin e vet të thjeshtë, të ecje mbetjes të arrijnë te zoti, ftohtë, në këtë fërfëllizë dimri. Ndoshta ndjekin dhiaren që i end ndër ëndrra dhe  ngrijnë te ndonjë gur, të përmenden për vetminë e tyre të thellë në male. Plaku ec, e shkëput pak me frikë nga një copëz buke të fshehur nën qyrkun e vjetër nën sqetull dhe e tërheq mushkën për kapistre… Ja, e vërej plakun dhe mushkën dhe dy hijet e tyre. Ec për çdo mëngjes nga e vetmja shtëpizë e vogël e ik dhiares që lidh bjeshkën me qytetin poshtë, apo kthehet nga qyteti i minatorëve me mushkën me dy thasë me miell në shpinë, të cilët ua ka blerë atyre që i kanë paguar paratë. Këtë gjë e ka punë. U sjell miell atyre e vet nuk ka bukë në shtëpi. Ha çdo gjë që i fal ndokush. E i falin bukë e djathë . Ata e shpërblejnë dhe e falënderojnë e ai fluturon gjithnjë mbi bjeshkë. Fluturon, fluturon e i afrohet zotit. A do të arrijë deri te ai apo kurrë. E fut dorën nën sqetull dhe aty i shfaqet një simit. E grimcon pakëz dhe ik, ik, ik… Papritur i hapa sytë, i trembur nga zëri i Faikut, i cili hamendej ta ndal apo jo automobilin para një hoteli.

-Çfarë ndodhi, - ia bëra.

-A të ndalemi pak këtu e të hamë ndonjë gjë, - më shikoi ai.

-Prit pak, - ia bëra dhe i fërkova sytë. – Ai plaku me mushkë, që të ngriu para automobilit a ishte i uritur,

apo jo, Faik.

-E micëronte me frikë nga pak bukë, të fshehur nën  xhybe nën sqetull dhe ngjante në diçka të humbur!? Tërësisht të ngrirë dhe të humbur, - foli ai, i lodhur.

-Japi dhe pak automobilit. Ndalemi te ndonjë hotel tjetër, - ia bëra dhe mendja më iku te plaku dhe mushka nga ngjiten lart bjeshkës, fare pa cak. Ndoshta dhe të humbur dhe tashmë të ngrirë…

Rrotat e automobilit rrëshqitën dhe pak-pak humbëm në natë. Prapë i mbylla sytë të lidhesha përsëri me plakun me mushkë, i cili ngjitej lart, lart, lart te ëndrra e vet e kotë…

Borë binte dendur dhe pandërprerë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora