Mendime
Zymer Mehani: Të mos i harrojmë shëmbëlltyrat e kombit tonë
E shtune, 19.10.2019, 04:00 PM
TË MOS I HARROJMË SHËMBËLLTYRAT E KOMBIT TONË
Nga
Zymer Mehani
Shëmbëlltyrat
e dëshmorëve prore qëndrojnë në kujtesën tonë. Mbetet i freskët përherë kujtimi
për ata më të shquarit dhe ashtu sikurse kalon edhe koha- këta njerëz të denjë
të kombit tonë, që tashmë kanë kaluar në përjetësi, janë shkrirë ngadalë në një
tërësi në altarin e atdheut dhe janë shembull atdhesie jo vetëm për ne, por
edhe për gjeneratat e ardhshme.
Këta
bij e bija nuk janë tani vetëm të familjeve që i lindën dhe i rritën, por janë
të mbarë kombit. Nuk janë më vetëm në përfytyrimet tona si individë të caktuar
me fizionomi të vetën, por janë shndërruar në permendore përjetësie trimash të
kombit në themelet e të cilave vëjmë kurora lulesh.
Ata,
kanë hyrë, pra në histori, jo veç e veç, por së bashku të bashkuar rreth
idealit të lirisë nën flamurin kuq e zi, ashtu siç e bënë edhe luftën
bashkarisht të betuar me puthje në flamurin tonë kombëtar. Por, prapëseprapë,
në kohë lufte, secili prej tyre ka qenë i njohur mirë në rrethinën e tij,
secilit i dihej emri dhe mbiemri dhe, ndoshta, të paktën për një orë të vetme
të fatit të jetës së tyre, kanë qenë njerëz të mëdhenj e të përsosur. Ndoshta
kanë qenë gjithmonë mesatarë, punëtorë të zellshëm dhe luftëtarë besnikë, në
mesin e shumë luftëtarëve të lirisë, të cilët kanë krijuar mundësi me
sakrificën e tyre që ne sot të jemi të lirë, por ata nuk patën fat t'i gëzojnë
frytet e luftës së vet. E ne me dorë në zemër u themi: LAVDI JUVE PËRJETËSISHT
BIJ E BIJA TË KOMBIT TIM!