Kulturë
Astrit Lulushi: Diogjeni
E marte, 08.10.2019, 07:00 PM
Diogjeni
Nga
Astrit Lulushi
Natyrë
e qetë, njeriu gjithmonë i gënjyer, kurrë nuk e njeh të vërtetën. Kjo e bën atë
cinik në shprehje që kërkon ta tregojë duke u veshur ndryshe, fare thjesht, pa
kostumin e radhës, por me një mantel të hedhur krahëve dhe një shkop për t’u
mbështetur. Nga veshja ndryshe dalloheshin cinikët në botën antike. Manteli
ishte aludim për Sokratin dhe mënyrën e veshjes së tij, ndërsa shkopi ishte
simbol i Alkaeut, Alkidit apo Herakliut, birit të Zotit ose Zeusit. Manteli dhe
shkopi u bënë aq domethënës në kohën e lashtë sa ata që dinin të shkruanin
mendonin se duke u veshur keq, mund të bëheshin filozofë.
Historia
e cinizmit fillon me Antistenin, rreth vitit 400 pes. Debatet ai i zhvillonte
në Athinë në gjimnazin Cynosarges - Qeni i bardhë - quhej sheshi. Kështu, fjala
cinik - qen, filloi të përdorej si fyerje për pasuesit e tij. Antisteni ishte
bashkëkohës i Platonit dhe nxënës i Sokratit. Por pikëpamjet e tij filozofike
ishin më komplekse sesa thjeshtimi i mëvonshëm që pësoi shprehja cinizëm.
Sipas
Diogjenit, ai (Antisteni) shkruante mbi gjuhën, dialogun dhe letërsinë duke i
vënë ato mbi etikën apo politikën. Ndjekësit e filozofisë së tij predikonin një
jetë të varfër:
“Kam
mjaft për të ngrënë derisa uria ime të shuhet, mund të qëndroj pa ujë derisa
etja të marrë fund. Ç’nevojë kam për një këmishë më të ngrohtë kur kam muret e
zhveshura të shtëpisë sime?”
Diogjeni
(412–323 pes), mbizotëron historinë e cinizmit - si filozofi - si asnjë figurë
tjetër. Ai fillimisht shkoi në Athinë, duke ikur nga qyteti i lindjes, Synope,
pasi babai i tij, hyri në telashe për falsifikim monedhash. Kjo akuzë e ndoqi
edhe Diogjenin; shprehja "mbrojtës i monedhës" u bë proverbiale kur
kundërshtoheshin vlerat e tij. Tradita thotë se Diogjeni u bë dishepulli i
Antistenit, por nuk dihet në se dy filozofët u takuan ndonjëherë.
Diogjeni
megjithatë ndoqi mësimet e Antistenit dhe mënyrën askete të jetesës. Asket vjen
nga greqishtja askein - ushtroj, por edhe për të treguar njeriun që “s’ka”.
Ekzistojnë
shumë anekdota për asketizmin ekstrem të Diogjenit; ai hoqi dorë nga çdo pasuri
që kishte dhe flinte në një qyp në anë të rrugës, mishin e hante të gjallë,
ndërsa ditën predikonte duke kritikuar "njerëzit e këqinj që i binden
epshit ashtu si shërbëtorët u binden zotërve të tyre". Megjithëse është e
pamundur të tregohet se cilat nga këto histori janë të vërteta, ato ilustrojnë
karakterin e njeriut filozof përherë cinik, që linte të kuptohej se interesat
filozofike qëndrojnë mbi politikën dhe ndryshojnë në varësi të kohës.