Kulturë
Alfred Papuçiu: Arti i Ibrahim Kodrës dhe Flamuri shqiptar
E shtune, 05.10.2019, 11:45 AM
Arti i Ibrahim Kodrës dhe Flamuri shqiptar
Nga
Alfred Papuçiu
Para
30 vitesh, në shtator të vitit 1989 në Gjenevë, në kohën kur unë drejtoja
Misionin shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera
ndërkombëtare, erdhi mjeshtri i madh, Ibrahim Kodra, ashtu siç ishte ai,
fisnik, modest, komunikues. Biseda jonë zgjati shumë. Fliste me mall dhe pasion
për Shqipërinë, për Mëmëdheun që e kishte lënë prej kohësh dhe që donte të
linte një gjurmë të punës së tij të madhe gjatë viteve të kaluara në
emigracion. Më paraqiti me modesti disa nga pikturat e tij që janë shpërndarë
në të gjithë botën, midis muzeve të ndryshme, galerive dhe koleksioneve private
tek të njohurit. "Shqipëria fantastike", "Përbërja e vitit
1951", "Muzikantët", "Lufta për pushtet", "Lufta
për paqen"; këto janë vetëm disa nga 6000 veprat e famshme që mbajnë
firmën e Ibrahim Kodrës. Ata zbukurojnë dhomat e Vatikanit dhe Dhomës së
Deputetëve apo ndodhen në galeri publike, muze dhe koleksione private në Itali,
Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, SHBA, Rusi, Australi,
Brazil, Argjentinë, Greqi, Shqipëri, Jugosllavi, Kosovë, Iran, etj. Kodra
"primitivi i një civilizimi të ri". Kështu e cilësoi poeti i madh
francez, Paul Eluard mjeshtrin Ibrahim Kodra në 1946 në faqet e
"Unité". Ibrahim Kodra me modesti më tregoi se në 1948 mori pjesë në
Konferencën Ndërkombëtare të Paqes, ku pati mundësinë të takohej personalisht
me Pablo Picasso, takim që e shtyu drejt lëvizjes së tij artistike, jo vetëm si
dishepulli i tij, por me individualitetin artistik. Pasi pa një pikturë nga
Kodra, Picasso i shkëlqyeshëm thirri me entuziazëm: "Shoku im piktor
shqiptar, një pikturë origjinale, madje edhe firma jote duket si një vizatim si
veprat e tua"! Piktori i madh Ibrahim Kodra më tregonte pambarim gjithçka
kishte kaluar gjatë jetës së tij dhe pengun që një pjesë të jetës së tij e
kishte kaluar jashtë Atdheut, prej nga mbante mend trevat e tij jatë moshës së
adoleshentit, gjyshin dhe nënën e tij për të cilën kishte akoma mall, Ishmin
dhe gjithçka të bukur që i kishte lënë përshtypje. U shpreh se donte të prehej
pikërisht atje ku kishte ardhur në jetë.
Ibrahim
Kodra lindi në 22 Prill 1918 në fshatin Ishëm (Durr?s). Në moshën 3 vjeç, ai
ishte jetim dhe u rrit nga gjyshi i tij. Ai studioi në Shkollën e Mesme Teknike
"Harry Fultz" në Tiranë, dhe njëkohësisht u fut në një klasë pikture
në shkollën e parë të vizatimeve nën drejtimin e skulptorit Odhise Paskali
(Artist i Popullit). Në vitin 1938, falë një burse, ai realizoi ëndrrën e tij
për të shkuar në Milano dhe për tu regjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura
në Brera, ku mjeshtrat e tij të parë të pikturës ishin Carrà, Carpi dhe Funi,
ndërsa në skulpturë, Francesco Messina. U përfshi në lëvizjet artistike të
pasluftës, një periudhë që korrespondonte me epokën e surrealizmit,
ekspresionizmit, kubizmit dhe futurizmit. Ibrahim Kodra, brenda këtyre formave
të artit, realizoi rrugën e tij të veçantë që u quajt "primitivi i një
civilizimi të ri". Pa dyshim, Kodra ishte një nga më të dalluarit nga një
brez piktorësh të viteve 1960-1970. Në vitin 1947 ai u takua me Paul Eluard dhe
më 1948 me të famshmin Pablo Picasso. Në
vitin 1953, ai mori pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Universitetit të
Parisit dhe vazhdoi të ekspozojë veprat e tij në të gjithë botën. Ai ka ekspozuar me Picasso, Chagal, Roualt,
Dufy, Matisse dhe Modigliani në Ekspozitën Ndërkombëtare të Venecias. Punimet e
tij gjenden në shumë antologji të artistit në muze të ndryshëm në Europë,
Amerikë dhe në panaire të artit ndërkombëtar. Për më shumë se 30 vjet, ai jetoi
në Milano, ku vdiq në 7 shkurt 2006. Piktori që kishte miqësi me artistët më të
mëdhenj të epokës nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare. Nëna e tij dhe
Shqipëria ishin gjërat më të shtrenjta për të. Vizatimet e para për nënën i
ruajti gjatë gjithë jetës .Ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në
shtratin e spitalit ku mbylli sytë. Më 10 shkurt 2006, u organizuan homazhe në
Teatrin e Operas dhe Baletit të Tiranës, përpara se të merrte rrugën për në
vendlindjen e tij, ku u varros. Trupi i tij prehet paqësisht para derës së
kalasë antike në Ishëm. Shtëpia e tij në Milano u bë "Muzeu Ibrahim
Kodra", ku artistë, talente të rinj dhe artdashës shkojnë të admirojnë
veprat e tij. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i
njohur ndërkombëtarisht. Në librin “Kujtime”, të shkruar nga Ibrahim Kodra,
thuhet: “Ishte marsi i vitit 1984 dhe ekspozita ime “Fantastikja në art” bëri
shumë bujë sepse gazetarët shkruanin se Kodra qëndron midis Da Vinçit dhe
Mikelanxhelos”. Kaq mjafton për të zbuluar ngjashmëritë. Efekti i “V”- së,
formuar në pikturën ” Darka e fundit” të Da Vinçit, midis Krishtit dhe Maria
Madalenës është një mesazh. Në se Dan Braun, autori amerikan i romanit “Kodi i
da Vinçit” do të njihte dhe Ibrahim Kodrën, ndoshta do të gjente një hapësirë
më të madhe për të zgjeruar idetë e tij.
E
bëmë këtë digression për të treguar se nëse në të kaluarën figura e artistit të
madh është anashkaluar tek ne, sot ai kujtohet me respekt. Në vitin 1996 ai u
nderua me titullin “Nderi i Kombit”. Ai ka një koleksion të pasur çmimesh, ku
mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze, Qytetar Nderi në
shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga Bashkia e Milanos. Një
punë të mirë në këtë drejtim për njohjen e veprës së tij, bën Fondacioni
Zviceran “Ibrahim Kodra”. Ky fondacion u themelua në Lugano për të transmetuar
mesazhin e artit të artistit europian Ibrahim Kodra, si një instrument për
paqen dhe kulturën, si një fije e përbashkët që lidh popuj të ndryshëm. Zonja
Maria Pacolli, Presidentja e këtij fondacioni me prestigj, tepër komunikuese,
fisnike, modeste, por e angazhuar më së miri me këtë projekt, thekson se në
bashkëpunim me institucione në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe të tjerë,
“Fondacioni mbështet dhe zhvillon projekte kulturore, sociale dhe edukative,
duke promovuar shkëmbimin kulturor midis Zvicrës dhe vendeve të ndryshme të
botës”. Falë bujarisë së donatorëve të tij, Fondacioni mbështet projekte të
reja kulturo-arsimore. Një prej tyre
është dhe Projekti Wopart 2019 me temën “Arti dhe liria” që u prezantua
nga Fondacioni Zviceran Ibrahim Kodra.
"Çdo
fëmijë është një artist, por problemi është se si të mbetemi të tillë edhe kur
të rritemi", tha Pablo Picasso.
Po
çfarë është liria? Çfarë është arti? Çfarë është liria e shprehjes?
Fondacioni
i bëri këto pyetje nxënësve të shkollës së Artit Pamor "Adem
Kastrati" në Gjilan,Kosovë-brezit të ri të kësaj toke të vuajtur,e cila po
rilind nga pasojat e rënda të së kaluarës.
Liria
e shprehjes artistike është e lindur në çdo qënie njerëzore. Pra, përgjigjet më
të bukura të pyetjeve që shtruam ne vetë janë imazhet e artistëve të rinj,
mënyra e tyre pozitive për të parë botën duke respektuar të tjerët dhe veten e
tyre.
Maria
Pacolli, Presidente e Fondacionit „Ibrahim Kodra“, pohon rëndësinë e të rinjve
për të shprehur lirshëm shprehjen e tyre artistike, sepse “një person, duke u
rritur, duhet ta shohë botën më të bukur dhe më të lirë. Dhe për këtë arsye
Fondacioni Zviceran Kodra është i përkushtuar të ndihmojë duke ndërtuar, nga
brezat e rinj, një shoqëri më njerëzore, ku kultura është e domosdoshme për
qytetërimin tonë, ashtu si ëndërroi mjeshtri Kodra, dhe i cili e shprehu këtë
koncept në veprën e tij metafizike "Qyteti i ri" ".
Fondacioni
mbështet projekte kulturore-arsimore në bashkëpunim me institucione të ndryshme
ndërkombëtare. Një nga projektet e fundit "Urbanistika e Re dhe Kultura e
Bashkëjetesës në Kosovë" / "Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në
Kosovë" u paraqit gjatë Bienalës së Arkitekturës në Venecia në 2018 dhe u
ekspozua në Parlamentin Europian në Strasburg në 2019, dhe pastaj preku vendet
e tjera.
Gjatë
këtij Panairi WopArt është ekspozuar punimi "Nënë Tereza e Kalkutës -
Little Great Mother" nga Mjeshtri Ibrahim Kodra. Aty janë paraqitur edhe
litografitë e veprave të Ibrahim Kodrës “Lugano Fantastica”, një tablo plot ngjyra
dhe dritë që na ndriçon të gjithëve, dhe “Città Nuova”, në një seri të kufizuar
prej 25 kopjesh artistike, të realizuara me rastin e WopArt.
Në
hapjen e prezantimit të këtij projekti interpretuan Maria Gridneva dhe Vitality
Makarenko nga „Open Opera Project“.
Ky
projekt u mbështetet nga artistë ndërkombëtarë: Nxënësit e Shkollës së Artit
Pamor „Adem Kastrati”, Gjilan (Kosovë); Alberto Amadori - arkitekt, piktor dhe
skulptor; Alex Doll – piktor; Alfred Basha – ilustrues; Bajram dhe Fahrija
Mehmeti – piktorë; Ellen Frank – artist; Engji Jaha – piktor; Francesco
Corbetta – fotograf; Giulia Ilina - fotografe dhe gazetare; Grazia Giani -
artiste dhe terapiste arti; Irina Markova – piktore;; Luca Missoni – fotograf;
Studio e Viaceslav Vladimirovitch Shichkov (V.V. Shichkov; Maria Pacolli
Shichkova; Natalia Sivacheva, Sofia Shichkova; Zake Prelvukaj - piktor, kritik
arti dhe skenarist.
Gjatë
vitit në vazhdim janë parashikuar dhe veprimtari të tjera kulturore të
Fondacionit “Ibrahim Kodra”.
Presidentja
e Fondacionit “Ibrahim Kodra” gjatë paraqitjes të projektit