E premte, 26.04.2024, 12:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Portreti i paautorizuar i shkrimtarit Kostandin Vogli

E hene, 18.02.2019, 12:02 PM


PORTRETI I PA AUTORIZUAR I SHKRIMTARIT KOSTANDIN VOGLI

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Gjatë një bisede në tavolinë, kur ra fjala për autorin Kostandin Vogli, shokun tim të kafesë, së paku  këtu e 20 vjet, unë bëra një profil, apo një portret të paautorizuar të tij, nisur jo nga arritjet përmbajtësore, as nga vlerat artistike dhe  mjetet shprehese me të cilat realizohen ato, por nga sendërtimi tematik i veprës së tij. Kjo gjë bashkëbiseduesit Timo Mërkuri i pëlqeu dhe më merr më vonë në telefon dhe më thotë, pse nuk bën një shkrim për Kostandinin, ti kishe një këndvështrim interesant për veprën e tij. Ky paragraf do të ishte i panevojshëm nëse nuk do të ishte ajo bisedë telfonike si nxitje për shkrimin.

Para disa vjetësh Kostandini shkroi një esse  të vogël për librin tim me poema “Perandoria e zogjve”, ku përcillte idenë se të gjithë poetët e mëdhenj të letërsisë botërore  janë poetë poemash, filluar me  “Iliadën” e Homerit dhe përfunduar me “Përse mendohen këto male” të Ismail Kadaresë. Nxitjen ai e kishte marrë me rastin e botimit në “Nacional” të poemës sime “Pasqyrat reflektive” botuar me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Kjo esse ishte një lloj përshëndetje apo urimi i veçantë i tij, por disa menduan se autori i shkrimit isha unë. E vërteta është që unë u habita për vete se nuk e prisja prej Kostandinit këtë shkrim. Por me sa duket kjo nuk ishte rastësi, pasi kohët e fundit ai ka shkruar një varg artikujsh të kësaj natyre për autorë të ndryshëm: Një qerthul fjalësh janë pak…. ( rreth librit me poezi “Erdhëm nga uji” të poetes Lediona Braho ) Si i shpëtuan shqiptarët një grup hebrenjsh në kampin nazist te Mosburgut “STALAG 7 A “ Gjermani Një roman për një legjendë: jam pjesë e historisë së Bkënderbeut (pak fjalë rreth romanit “Bunari” të shkrimtarit Fatmir Terziu. Dy fjalë për librin "Indetiteti isopolifonik" të Timo Mërkurit. Realiteti dhe fantazmat në romanin “ Monumenti i Hijeve”  të Pajtim Çaushit, “Kronikë në krua” - një libër tërheqës i publicistit dhe shkrimtarit  Bardhyl Bejko

Poet i poemave të magjisë artistike dhe mendimeve të mëdha!-esse për poemat reflaktive të Bardhyl Maliqit etj. Dhe hija e dyshimit u vërtit përsëri. Dhe unë vrisja mendjen, sa pak e njohim njeri-tjetrin?!

Kështu, unë shpërtheva sot në një moment për të bërë apologjinë e Kostandinit. Këtë e them për shaka se ai s’ka nevojë për apologji, Vapra e tij flet vetë. Ja, më thoni edhe ju:

1. Kostandin Vogli është një autor me personalitet të shumëfishtë, më i kompletuari ndër ne. Tek qenia e tij krijuese artet konvergojnë: artet e tingujve, të fjalës dhe të figurës; pra muzika piktura dhe letërsia tek ai bëhen një. Peisazhet e tij në prozë janë pikturat e tij të fjalëve. Por e vërteta është se unë Kostandinin e njihja fillimisht si piktor. Në vitin 1997 kur banoja pranë studios së tij,  poeti Lefter vogli më thotë se Kostandini shkruan edhe fabula dhe tregime të bukura. Fabulat ia redaktoi për botim Lefteri, ndërsa unë u mora me tregimet e tij, me të cilët e botua një libër i cili u shpall atë vit si një ndër 10 librat më të mirë nga Ministria jonë e Kulturës. Kostandin Vogli është një autor i shumëfishtë, pasi ka qenë mjeshtër në shumë profesione, mekanik me kategorinë e shtatë, dekorator, dizenjator, piktor i mirënjohur në qytetin tonë jugor, pjesëmarrës në disa ekspozita picture dhe në disa albume të Galerisë kombëtare të Arteve, fabulist interesant, autor trgimesh për fëmijë dhe për të rritur, poet dhe romancier, dhe këto nuk janë pak. Për më tepër Kostandin është edhe këngëtar virtuoz,  i ngjan të atit për isopolifoninë si dhe për vjershat humoristike, por e tejkalon atë pasi këndon edhe si solist në këngët e muzikës së lehtë, por këtu ka një ngërç, pasi në skenë nuk e ka nxjerrë ndjesia e turpit, ajo që edhe sot e pengon të punojë në tregun e lirë si piktor. Vinë piktorë nga bota në Sarandë gjatë verës dhe piktorët saranditë nuk dalin se u vjen “turp”. Kjo mbase është një deshifrim i pasigurisë së tyre në përballjen laiv me publikun, por mund të jetë edhe diçka tjetër, ata ndihen të pafuqishëm përballë paturpësisë së lekut. Po ai gjen gjithmonë diçka të re, si krijues ka aftësi kompesatore. Tani së fundi po bën edhe shkrime të mira për librat e të tjerëve.

Unë kam qenë redaktor i një pjese të krijimtarisë së tij, autor i përcjelljeve apo parathënieve të tyre, kam shkruar disa herë për të në shtyp dhe në portalet e internetit, por indicia e këtij shkrimi ishte rastësore dhe interesante. E kam ditur që leximet e shumta të Kostandinit në shumë fusha, si: letërsi, shkencë, teologji, filozofi, mjekësi  etj. do  të dilnin diku. Bisedat e tij për diellin kristalin, për themelimin e të gjitha feve prej hebrenjve, për dobitë kurative të rigonit etj. nuk kanë fund. Këto janë tema bisede edhe me miqtë tanë të përhershëm të stinës verore: piktorët nga Shkupi: Sami Ahmetaj,  Sabedin Ejupi dhe Rifat Cheliku.

2. A kemi ne tjetër autor në letërsinë tonë të ketë shkruar një roman për hebrejtë? Me sa di unë jo. Kostandinë në romanin “Treni i Jugut” botim i entit botues TOENA  vë në qendër të veprës bashkë me  të burgosurit shqiptarë në kampet e përqëndrimit  në Gjermani edhe një grup hebrenjsh, nga të cilët një prej protagonisteve ështe një vajzë hebraike  e lindur në Janinë, Martha.

Pra, “Treni i jugut” me qëndrimin ndaj hebrenjve spikat si një vepër letrare e mbështetur jo vetëm në një truall real ngjarjesh, por edhe në etnopin dhe humanizmin e njohur të shqiptarëve, -them unë në përcjellje. Me këtë vepër veç të tjerave autori Kostandin Vogli bëhet zëri i Shqipërisë që flet, sakrifikon dhe vihet në mbrojtje të hebrejve. Natyrisht përfshirja e dashurisë mes një vajze hebre, Marthës, dhe shqiptarit Gjergji, si një linjë e dytë veprimi, që ndërkallet brënda linjës së pare: luftës, robërve dhe viktimave të saj; shënon njëherazi një prej arritjeve kryesore të veprës…

…Në një aspekt tjetër, ashtu si edhe veprat e tjera në prozën e Kostandin Voglit ky roman, së bashku me novelën “Masakra” formojnë një përkujtimore gati të gdhëndur me daltë për historinë e përgjakshme, tragjike dhe rrënqethëse të bregdetit tonë, e posaçërisht të dy fshatrave binjake: të Shën Vasilit dhe Nivicës. Kështu, Vogli gdhëndi një vepër të madhe!...

“…Ajo ishte tepër e çuditshme. E kishte njohur karakterin e Gjergjit që në fillim. Kishte njohur frikën dhe fitoren. Kishte njohur forcën e saj. Ndërsa ai po i njihte të shkëlqyshmen, të bukurën, vendosmërinë. Po provonte një ndjesi, sikur të gjitha shpirtrat e hebrenjve që kishin vdekur, kishin qënë duke pikuar të gjitha mirësitë e tyre në shpirtin e saj gjatë dy vjetëve. Ajo nuk po e kuptonte, por ata që e shikonin, nuk e dinin që Martha ashtu kishte lindur. Ajo qëndronte para tij me gjithë bukurinë e saj, sikur e kishte pikuar drita e hënës…” Ja dhe një tjetër paragraph intrigues:

…Nuk u kthye më asnjëra nga ato vajza të pa pafajshme. Antigoni mori guximin një ditë dhe e pyeti kaptere Kitin. “Zonja Kiti, a mund t`ju bëj një pyetje? Ajo ndaloi dhe kur e pa me ato sytë e kërcyer, Antigoni u rrënqeth. “Më thuaj!” “Nuk i pamë të kthehen më ato vajzat që morën para disa ditësh. Si do të jetë fati i tyre?” “As mos i prisni!”, - ia ktheu shkurt. “ Ku i çuan?”- ishte pyetja gjithë frikë, por që me padurim e priste atë përgjigje. “I çuan atje nga ku ato nuk kanë për t`u kthyer më!” Dhe mori një pamje solemne, pikërisht për të komunikuar një lajm makabër. – “Ishin Hebre. Ato do të zhduken të gjitha pa përjashtim!” Kaptere Kiti e kuptoi me vonesë që bëri gabim për atë informacion…Por ndryshon tabloja artistike pas luftës: “ … Hebre je vërtet? –  i dukej e pabesushme. Papritur sytë iu skuqën e i lotuan. Të gjithë u habitën me të papriturën, se, përse ai u prek kaq shumë. Një ushtar gjerman u lotua që takoi një vajzë hebre! Dhe prisnin çfarë do të ndodhte. “Kam patur shumë të njohur hebrenj. Në Mosburg kishte shumë. Kisha edhe një shoqe. Një shoqe! – Dhe qau. Lëshoi zë dhe u kthye mbrapsht. – E dashura ime Elisa. Elisa e quanin. Nëna më shkroi se i morën të gjithë. Edhe Elisën dhe nuk u kthyen më. As Elisa ime…”

3. A kemi autor tjetër të ketë venë në qendër të veprës masakrat e kryera ndaj popullsisë shqiptare nga bishat nazifashiste si në novelën “Masakra” të Kostandinit, ku të zbulohet dhe mëndjelehtësia e vendasve, përfshi edhe çetën partizane për të goditur bishën e plagosur gjermane në tërheqje?  Po autor që të ketë përshkruar egërsinë e bandave të Ali Pashë Tepelenës jo vetëm në Sul, në Çamëri, por edhe në bregdet, në Himarë dhe në Labëri? Përkundrazi, glorofikojnë një vrasës të shqiptarëve duke i bërë buste e memoriale, duke shkruar poema për të. Ndër të  rrallët që e përshkruan qartë dëmin që iu ka sjellë ai shqiptarëve dhe çështjes shqiptare është Kostandini… Atyre mendja iu bë fushbetejë. Ata me kërcëllitje dhëmbësh dhe krekosje gjelash, ne me nerva të tendosura. Shpërthime trush, mjegullnaja torturuese, zjarre ferri, kristale të shpërbëra, ankthe përvëluese. Mjerë ne! Fajtorë të pafaj dhe egërsi pushtuesish nga një masakër tek tjetra, vrasje dhe varje, Ali Pasha dhe Adolf Hitleri, Jusuf Arapi dhe koloneli Erich Holveng. Na kërcënojnë  me koka në hunj apo me koka të prera. Rrjedh gjak i pafajshëm në një stinë rrënqethjesh, trokitje dyersh, kortha buke, rrungaja lotësh, pika helmi, duar të lidhura dhe buzëqeshje të arratisura. Edhe qyqet kanë mbetur vetmitare dhe mëshirat mjerane, lotë qirinjsh nëpër netë dhimbjesh. Ullinjtë si trekëndëshat e zinj të vdekjes, viti dyzetë e katër kryqëzohej në plumb, viti që thërmoi këngët, këngët e vrara të pafajësisë, nuset me erë borzilokësh dhe gratë me gërshetat si kallinj gruri, zjarri në zemër. Elena hapërente e drithëruar, më tej qënie të çmendura, herë zaliseshin e herë ngriheshin, gratë shndërruar në varrmihëse, sy të skuqur dhe fytyra të gjakosura, o zot!

…Ndërsa përleshja vazhdonte, kujat dhe ulërimat shtoheshin më tepër. “Mos na vrisni djemtë!...Na lironi djemtë”…Nuk mund të përshkruhet ajo përleshje dhe turmë grash që vraponin si të lëna nga mëndtë pas djemve e burrave të tyre, të cilëve do t’u merrej jeta…”Katila!...Mos na i vrisni djemtë!...Ndodhte që një çast ta çanin gardhin e ushtarëve gjermanë, e të tërhiqnin ndonjë, por ata ishin të lidhur tre e tre. I tërhiqnin prej duarve gjermane ashtu sikundër shqiponja tërheq nga rreziku zogun e vet…

…Ja edhe katërmbëdhjetë kapedanë! Tamam në numur sa ata që vari Jusuf Harapi. Vetëm se këta nuk janë të zgjedhur si ata, dhe as do të varen dhe t`u priten kokat e më pas të kenë “nderin”t`ua çojmë në hunj para Hitlerit tonë… Ndërsa e ndjeu veten krejt bosh. Tamam si një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës! “Megjithëatë kjo është hakmarrje”- u përmënd. “Nisini!- Urdhëroi duke bërtitur me dorën në drejtim të rrugës që të çonte për tek vëndi i krimit. Gjithçka dukej se u rrënqeth. Do të derdhej shumë gjak i pa fajshëm…

4. Një vepër e letërsisë botërore, që i përket letërsisë së realizmit magjik është “Shtëpia e shpirtrave” e Izabelë Aljentes, nëse ky titull nuk do të ekzistonte, me siguri atë do ta meritonte vepra e Kostandinit për femijët bonjakë të Sarandës, të dhunuar dhe keqtrajtuar, madje edhe vdekur rrugëve nga të ftohtit. Në veprën “Udhëtimi i fundit” (kështu e quan ai shtëpinë e tij të shpirtrave) protagonistët paraqiten si shpirtra dhe ne gjithçka e mësojmë prej rrëfimit të tyre. Ky roman është ende i pabotuar dhe ka gati dy vjet që prêt një mundësi financimi, pasi Kostandini me pensionin e tij minimal, nuk e ka këtë komoditet.

“Udhëtimi i fundit” i romancjerit Kostandin Vogli, në krijimtarinë e tij është vepra që të traumatizon me rrëfimin e të pazakontës nga njëra anë, dhe të mrekullon me sharmin romantesk nga ana tjetër. Skena rrënqethëse kemi edhe në librat e tij me tregime “Ura e prishur”, apo “Kur vidheshin yjet”, te romanet “Çudia e ujqërve” dhe “Treni jugut”. Por ky roman që kemi në duar konkuron në këtë drejtim me novelën “Masakra”, por shkon edhe më tej… “Udhëtimi fundit” është një libër që lexohet me një frymë, që zhbiron në thellësitë e shpirtit njerëzor, që të kujton jetë të tjera të njohura e të pa njohura të qytetit tënd apo vëndshtegtimeve të tua.

… Kjo vepër e Kostandin Voglit, ka pika takimi me disa romane të famshme të letërsisë botërore… Autori i këtij libri ka jo vetëm një fantazi të zhvilluar, por fondament bazë me qasje të vërtetë ndaj shkencës…Bindesh se ai mund të ishte bërë jo vetëm artist dhe romancjer, por edhe klerik, shkencëtar apo politolog… E lexojmë me ankth edhe romanin, e kuptojmë fare mirë atë mesazh të madh të humanizmit, që ka thurur brendinë e kësaj vepre që të bën për vete dhe ta robëron mëndjen… Të gjitha ankimet e këtyre shpirtrave që jetojnë pasjetën e vet, ajo gjetje romaneske e bukur e veprës, i jep dorë autorit të flas në emër të tyre…

... Nga brënda xhamit të një veture, dikush po trokiste. U habita kur pash të ngjeshur në xham, fytyrën e usta Bertit. Po më përshëndeste. E pyeta se ç`bënte në atë veturë, por më bëri me shënjë të prisja sa të delte nga porta tjetër, se ajo anë nga hynte shoferi nuk hapej. Sa nguli këmbët në tokë, I mbështetur rëndomë tek porta, ku të jepte përshtypjen se do të rrëzohej, më deklaroi se aty flinte. Domethënë se ai atje jetonte… “Kjo është dhomë gjumi, kuzhinë, sallon, banjë, koridor…” Ai buzëqeshi hidhur sa unë fillova të numuroja ato që ai, as i ëndërronte, ndaj nuk më la të vazhdoja. “Dashkam dhe komoditete unë more usta?”… Sa çudi! Unë i shkova përmbi kokë, por ishte e pa mundur që të veproja. Që isha shpirti i tij e kuptova në atë moment. Por nuk mund ta mendoj se çfarë madhësie kam. Ta mat e ta peshoj, Ndofta jam një flluskë ajëri që shikoj me sy të tejdukshëm… Pas pak më uroi mirëseardhjen, më e diskriminuara, Isana. Isana e befotrofeve dhe shtëpive të fëmijës, e cila nuk i njohu kurrë prindrit. Si vajzë pa mbështetje u martua dhe u keqtrajtua shumë rëndë. Shpirti i saj brënda trupit do të tregojë vetë dhe do të ndieni dhimbje. Do të përloteni…

5. Asnjë nga krijuesit tanë, veç ndonjë autori si Jakov Xoxa, te “Lumi i vdekur” nuk matet dot me Kostandinit në lëndën jetësore të sjellë në kornizat e një vepre letrare, me gamën e personazheve të shumtë në numër dhe me plotërinë e tyre artistike. Te   “Çudia e ujqërve” gëlojnë një mori e pafund personazhesh. Është një “Luftë e paqe” shqiptare në këtë drejtim. Një vepër e mbushur plot me ngjarje të dhimbëshme si plagët e maisura; me aksione dramatike, me vdekje tragjike, me ulërima lebetitëse, me skena të trishtuara, me akte poshtëruese, me skena zvetënuese, me pjesë komike, me  akte groteske, me absurdin përherë të pranishëm, me rrokullisje aksionesh të përziera me njëra-tjetrën atje, përballë nesh, në ledhin e komuniteteve të një fshati bregdetar, në një dhe, në shumë rrënjë, në shumë themele dhe në shumë varreza shqiptare shumëshekullore. Prezente në faqet e librit që të gjitha dukuritë, moshat, përvojat, pasjet e komunitetit që jeton fort me vetveten, por edhe me gjitonët, trevat e tjera, gjithësinë, universin. Episode dhe ngjarje herë të rëndomta, herë të çuditshme dhe paradoksale që të mbeten në mëndje, Që të nxisin të kujtosh të tuat, se në fund të fundit të tillë duhet të jenë librat. Jo të mbyllura brënda vetes, por të pasuruara nga vetdija dhe kujtesa e lexuesit, vijëzon me të drejtë prof. Adriatik Kallulli për këtë libër.

Kjo vepër asociative na mundëson përmes përfytyrymesh të larmishme emocionale që të njohim një të djeshme, që nuk e kemi ditur mirë apo e kemi harruar. Realitetin… Shkrimtari trajton kështu një çështje shumë të rëndësishme. Njerëzit u besojnë përrallave dhe premtimeve për prosperitet e lugë të florinjta kur janë krejt bosh, kur i ka përfshirë brenga e lotëve dhe kur lotët pikojnë mbi misërnike.

Jeta jonë e sotme është një tjetër çudi ujqish, edhe më rrënqethëse se ajo e kafshës grabitqare: vrasje makabre, mbytje në gjumë, vajza si plaçkë tregu në pazar, mbjellje hashashi, tradhëti bashkëshortoere…gjithçka me çmim të lirë, madje gratis si vidiopornot e internetit apo karnavalet e parlamentit që paguhet nga taksapaguesit e leckosur të qyteteve tona rakitike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora