E shtune, 27.04.2024, 03:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Tuneli

E diele, 21.09.2008, 04:00 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

Tuneli

Ajo ishte shtrirë aty, me ethe që bënin të shkëlqenin sytë e saj ,e mollëzat ,çuditërisht të trëndafilta si ato të një vogëlusheje, e buzët dhe ato çuditërisht të plota si ato të një gruaje të re  zbulonin një gojë ku mungonin disa dhëmbë, e vetmja shenjë se ajo fytyrë aty mbi jastëk ishte e një gruaje të moshuar...moshuar... ishte afër të nëntëdhjetave, këtë e dija mirë.Por nuk gjeta atë buzeqeshje të ëmbël si zakonisht, sytë ishin pak të hapur e me një shprehje ankthi. Më bëri shenjë me gisht që t'i afrohesha e më pëshpëriti :
- E sheh atë grua  poshtë tryezës ?
Ktheva kokën në atë anë që më tregonte, tryeza ishte në një qoshe të dhomës .
- Bianka , nuk ka asnjë njeri tjetër në dhomë veç teje dhe meje .
- Shët... se të dëgjon, është aty, unë e pashë kur hyri dhe u fsheh.
- Bianka, lëri llafet e fillo të hash !- unë i vendosa përpara mbi një tavolinë të vogël lëvizëse tabakanë me pjatat e drekës.
- Nuk ha, as mos të të shkojë ndërmend nëse nuk m'a nxjerr atë grua nga dhoma.
- Mirë Bianka, do ta gjej e do t'a nxjerr. Po nuk është poshtë tryezes , duhet të jetë fshehur diku tjetër. Më thuaj si është veshur, ç'fytyrë ka ?
- E kush e ka parë ? Ajo nuk më shikon në sy. Vetëm vjen e fshihet.Flet papushim por unë nuk ja kuptoj fjalët.Nxirre të lutem se do të vdes nga frika!
- Qetësohu Bianka se do t'a gjej e do t'a largoj prëj kendej. Tani do të merrem me këtë punë ndërsa ti mundohu të hash pak.
- Më premto !
- Të premtoj !
Dola  e zbrita në katin e parë ku ishte një tjetër e sëmurë që nuk e kishim ngritur atë ditë nga shtrati. Aluçinacione, mendova, sikur janë shumë të shpeshta në këtë periudhë. Edhe vitin e kaluar, edhe një vit para atij po kështu kishin qenë. Hyra në dhomën e të sëmurës tjetër. Për fat ishte e qetë, asnjë fjalë se shihte diçka të pazakontë. I lashë tabakanë me drekën e zbrita në sallën e ngrënies .

- Më bëj një nder ,- i them koleges së turnit,- shko ti tek Bianka të tërheqësh pjatat, duhet të ketë mbaruar së ngrëni.
Unë nuk e ndjeja të shkoja atje se do të më kapte gazi, mezi e kisha mbajtur herën e parë.E nuk u habita kur pashë kolegen time me tabakanë në dorë që vinte drejt meje duke qeshur.
- E fortë Bianka sot, më bëri të geërmoja në dollap e të shtrihesha përtoke për të kontrolluar poshtë shtratit të saj sepse një grua i kish hyrë në dhomë.
Qesha dhe unë ndërsa shkoja të tërhiqja pjatat në dhomën tjetër. Të paktën kjo ishte e qetë. Por ajo nuk kish ngarë asgjë.
- Përse nuk ke ngrënë,  të të ushqej unë ?
- Jo, ti më parë duhet të marrësh në krahë atë femijë që është aty përtokë e po qan. Fëmijët duhen  ushqyer të parët, pastaj ne pleqtë.
- Fëmijë ? Ku është ?
- Aty pranë këmbëve të tua. Bëj kujdes se mos e shkelësh.
Rrëmbeva një jastëk dhe e mbajta në krahë sikur të ishte fëmijë.
- Po shkoj ta ushqej- i them e dola nga dhoma , por nuk kisha bërë as edhe dy hapa kur dëgjoj që më thërret . U ktheva :
- Cfarë kishe ?- e pyeta me padurim. Kisha punë për të bërë e nuk kisha kohë të rendja pas tekeve të saj.
- Duhet të jetë ndonjë fëmijë tjetër aty poshtë se vazhdon të qajë e nuk pushon. Merre të lutem ose ma jep mua në krahë që ta qetësoj.
E pashë me vëmendje se mos po tallej. Asgjë që të më jepte të kuptoja se donte të më vinte në lojë. Nuk i dhashë përgjigje e dola nga dhoma, mjaft isha marrë me të.
  Në mbarim të turnit ishim mbledhur të gjitha e gazi kish shpërthyer. Qeshnim me lot, pothuaj të gjithë të moshuarit kishin folur përçart atë ditë, të gjithë kishin patur aluçinacione ...Diku erdhi doktoresha që ishte bërë kurioze e ne i spjeguam se përse po qeshnim, megjithëse dyshimi se nuk ishte dhe aq për të qeshur po ngrinte krye brenda meje e ja thashë.
- Asgjë për t'u shqetësuar, është efekti i terapisë - tha ajo e u largua.
Ishte i treti vit që kjo periudhë më gjente në atë vend pune. Vitin e parë nuk kisha vënë re ndonjë gjë të veçante, vitin e dytë më kish bërë përshtypje diçka, por nuk kisha kristalizuar ndonjë mendim , por këtë herë... Kishin vdekur mjaft në ato periudha, por në fund viti, atë kohë para krishtlindjeve e para ndërrimit të vitit kudo vdekjet e aksidentet janë të shumta. Vetëm kaq di, nuk di përse ndodh kështu. Ndërsa këtu fillonin përpara aluçinacionet. Kudo shihnin fëmijë që qanin, fëmijë që vdisnin nga uria , gra që hynin fshehurazi e u trembeshin e më pas... disa vdisnin në gjumë. Vdekje e bukur thonim ne, kur dikush vdes në gjumë ashtu tak fak pa vuajtur nga ndonjë sëmundje e pa kaluar atë agoni mbytëse. Nuk ishte e vetmja kjo periudhë që aluçinacionet sulmonin mendjet e tyre, në fakt ishte dhe fillimi i pranverës, tamam kur dimri përgatitej të ikte e limfa fillonte të gjallërohej në kapilarët e pemëve. Por ajo nuk shoqërohej me ikje të shumta, ishin periudha ankthi e ankimesh se dikush u hynte në dhomë e në shtrat... burra të rinj e të fuqishëm veshur me të zeza...

E të moshuarat kishin frikë të flinin me dritë fikur e vajzat që bënin turnet e natës , në mëngjes ishin të rraskapitura sepse ju kish dashur të vraponin nga një dhomë në tjetrën , nga njëri kat në tjetrin pasi ulërimat pushtonin godinën e zgjoheshin të gjithë. Eshtë një derë në katin e përdhes që rrinte gjithnjë e mbyllur, që të moshuarit i trembeshin e kishin për borxh të kalonin të gjithë korridorin përqark , vetëm e vetëm të mos kalonin pranë saj atë periudhë. Kisha pyetur se ç'ishte ajo derë dhe asnjë nuk e dinte me siguri se ç'fshihej pas saj. E unë nuk pyeta më ...

Aluçinacinet e të moshuarve u bënë edhe më të forta. Bianka u gjet një mëngjes pa jetë . Ka shpëtuar mendova, kish kancer në aparatin tretës e ishte katandisur tridhjetë kile. Pas dy ditësh një tjetër e cila ishte mirë fizikisht. Lajmëronim rojen mjekësore e vinte mjeku i turnit për të bërë aktin e vdekjes. Në të gjitha shkruhej se shkaku i vdekjes ishte infarkti që u kish ndodhur në gjumë. Isha e shqetësuar për një kolegen time që e kam shumë shoqe e bënte turn nate. Bëj kujdes, i thosha por nuk e dija se si t'ja spjegoja shqetësimin tim. Vetëm kaq : Bëj kujdes ! Më kujtohet një grua e moshuar që nuk kishte as një muaj që ishte aty. I biri e mori në shtëpi një dite para krishtlindjeve dhe e mbajti edhe një natë. Pastaj e ktheu prapë. E pashë se si refuzoi të rrinte aty , por më kot. I biri duhej të ikte sepse duhej të punonte atë ditë. Nuk e mora vesh me saktësi se ç'punë bënte, më duket se ishte trenist e trenat nuk kanë pushim ditë feste. Dolores , kështu quhej e moshuara, ngrihej nga karrikja ku ishte ulur në korridor e vraponte drejt portës, tërë pasditen , e ne habiteshim se si kish mundësi të ecte pa patericat e saja .E shanim dhe e mallëkonim me mendjen tonë pasi duhej t'a ndiqnim nga pas për të mos e lënë të dalë. Ajo dridhej e tëra, donte të ikte me çdo kusht, bërtiste, ulërinte. Infermierja i bëri një gjilpërë e diku u qetësua. Në dukje,nuk u çua më nga karrikja, por sytë e saj shprehnin shqetësim e tmerr. Në mbrëmje kur e vumë në shtrat i ngritëm zbarrat për të mos e lënë të zbriste prej tij, mund të rrëzohej e të thyente ndonjë gjë. Diku e zuri gjumi pas një gjilpëre tjetër. Do të kalonte një mbrëmje të qetë e të nesërmen do të kish harruar ç'kish ndodhur, kështu menduam. Por në mengjes , rreth orës pesë , gjatë kontrollit të fundit u gjend e vdekur e në turn ishte shoqja ime...

Atë mëngjes shkova në punë më herët se zakonisht. Bëj kështu ngaherë kur ndërroj turnin me shoqen time, të kem dy minuta kohë të flas me të. Nuk ishte në infermieri e më thane se kishte zbritur poshtë në oborrin e brendshëm të ndërtesës. Këtu duhet të flas pak për këtë ndërtesë. Më parë kish qenë manastir, kisha dëgjuar se aty një herë e një kohë kishin qenë murgesha të klauzurës e më pas murgesha të urdhrave të tjerë, e pastaj murgj e... të them të drejtën nuk ishte se më interesonte shumë . Më ishte mbushur mendja se ai vend ishte i shenjtë, pasi asnjë kolektiv ku kisha punuar më parë nuk kishte patur atë harmoni që mbizotëronte aty mes nesh. I ngritur nga kisha, azili kishte kushte mjaft të mira dhe kujdesi për të moshuarit ishte shumë herë më i madh se në azile të tjerë. Megjithëse godina ishte shtuar e rinovuar, struktura e saj kish mbetur po ajo e fillimit,ajo ngrihet mbi një kuadrat duke formuar një oborr të brendshëm mjaft te hijshëm të mbjellur me lule, pemë portokalli e me një pus të vjetër në mes të tij, në të cilin ne nxirrnim të moshuarit në ditët me mot të mirë.Oborri rrethohet nga korridori i ndërtesës, i cili vjen katror dhe është pothuaj i tëri xham. Nga dritarja pashë shoqen time të ulur aty poshte ndaj zbrita shkallët me vrap. Kish fiksuar atë portë në korridor të cilën ne nuk e kishim hapur kurrë, nuk kishim çelës.

- E di, natën kur zbrita për të marrë rrobat në lavanderi, ajo derë ishte e hapur ?
  - Mos ja fut kot, të kanë bërë sytë, e ke pasur nga lodhja. Ajo është e mbyllur, eja shkojmë dhe e shikojmë. U afruam dhe unë për t'u siguruar kapa dorezën e derës dhe i mëshova me atë siguri se ajo nuk do të hapej.Por brava kërciti dhe dera u hap , pa asnjë lloj mundimi e para nesh ndodheshin një palë shkallë të gurta e të errëta që zbrisnin poshtë. Zbritëm disa shkallë e vumë re se poshtë tyre ishte një tunel në fund të të cilit dukej sikur zbardhte një dritë e zbehtë, fare e zbehtë si ajo e një agimi të një dite me qiell të ngarkuar me re. Pra tuneli kishte dalje e kjo spjegonte... çfarë !? Se shoqja ime kish të drejtë , se dikush kish hyrë prej andej ... e pastaj...ishte ai trup i asaj gruaje të mirë që priste të çohej në morg. U ktheva nga shoqja ime për t'i thënë ato që po bluaja në tru, por ndërkohe ajo kish hapur celularin dhe e dëgjova që mori në telefon policinë...                 
 Pas pak ja mbërritën policë me uniformë e më pas edhe disa burra në veshje civile. Hynin e dilnin nga ajo portë. Nga ata nuk morëm vesh gjë,neve nuk na e varnin fare, por nje polic qëlloi të ishte ishte i njohuri i një koleges tonë e i tregoi se ai ishte një tunel i nëndheshëm e ndahej në dy të tjerë, njëri dilte diku në breg të detit e tjetri ngjitej nëpër kodrën e qytetit deri në majë të saj ku ndodhet një manastir tjetër i cili njihet si manastiri i murgjëve kapuçinë. Veçse në atë tunel nuk kish shkelur këmbë njeriu kushedi prej sa kohësh, kështu që nuk ishte e mundur që dikush të kish hyrë në azil prej andej.Kaq na tha. policia iku , civilët mbetën , erdhi Monsinjori i katedrales së qytetit e diç bisedoi me ta me zë të ulët. U kujdesën që ne të mos afroheshim aty. Ec e jaket vazhduan tërë ditën e natën. Kolegja e turnit të natës , na tha se kish parë të nxirrnin prej andej arka të vogla që i ishin dukur si arkivole femijësh por e kishin porositur të mos hapte gojë për këtë. Porositur!? Ec e porosit një grua kureshtare kur është e cytur nga të tjera si ajo. Dikush tha se edhe kur kishin bërë punime për t'a adoptuar ndërtesën, ishin gjetur mjaft eshtra fëmijësh të vegjël fare , ndoshta të porsalindurish. Por asgjë më shumë, sado që u munduam, edhe pse hamendësimet tona ishin nga më fantastiket.Pa disa muajsh kjo histori veshi velin e hollë të harresës së kohës e ne nuk folëm më për të . Dhe atëhere kur nuk e pritnim na befasoi një kolege.Kish shkuar në një qytet tjetër për të parë një koncert. Tha se kish njohur rastësisht një burrë i cili kur e kish marrë vesh se ku punonte, i kish thënë se diku kish lexuar një histori të vjetër të këtij manastiri, e cila brenda saj përmbante një skandal që kish bërë bujë të madhe por që shpejt ishte mbyllur. Një murgeshë kish arritur të arratisej prej tij e kish treguar se aty kishin qenë të përdhunuara nga prifterinj e disa kishin mbetur shtatzëna e kishin lindur fëmijë. Ajo kish kërkuar t'a ndihmonin të merrte fëmijën e saj që nuk kish mundur t'a nxirrte ,por në vend që t'a ndihmonin... jo ai nuk e kish idenë se ç'fund kish bërë ajo murgeshë e ngratë , e kishin akuzuar se ishte e pushtuar nga demoni dhe ja kishin dorëzuar inkuizicionit...Më pas as edhe një rresht i shkruar për të. Por dihet se në një rast të tillë ç'fund e priste, turra e druve...Ai i kish dhënë koleges dhe emrin e autorit që kish shkruar atë libër, i cili ishte vendas nga qyteti në fjalë e tani nuk ndodhej më në këtë jetë...

Kërkova emrin e autorit në internet. E gjeta ashtu si dhe titujt e librave që kish shkruar. Por vetëm titujt, as edhe një rresht nga shkrimet e tij. Shkrimtari është i njohur në këtë qytet, edhe një shkollë mban emrin e tij. Mund t'i gjej librat e tij në bibliotekë po të shkoj e t'i kërkoj , por nuk kam patur kohë. Ndonjë ditë... sa punë të lëna me pretekstin ... ndonjë ditë... Por edhe se nuk shkoj nuk është ndonjë punë e madhe. Edhe sikur autori t'a ketë pasur vetëm nje trillim artistik, eshtrat e vogelushëve të gjetur në themelet e manastirit të vjetër më thonë se ... e ka pasur një bazë të vërtetë. Ajo që më revolton është fakti se këto gjëra kanë ndodhur në një vend që pretendohej për i shenjtë, si duhet të jenë të gjitha vendet ku i lutesh Zotit, e nga njerëz që ishin në shërbim të tij, e të cilët kanë çuar gra të pafajshme në turrat e druve duke përdorur inkuizicionin. Të njëjtet që kanë abuzuar me murgeshat , ato gra të pafajshme të cilat të shtyra nga devocioni për Zotin apo ndonjë tragjedi e jetës së tyre mbyllnin jetën në muret e manastirit. Përse vallë kisha ja hoqi të drejtën gruas për t'i shërbyer Zotit ? Qe pikërisht kjo, ajo kthesë që i bëri nerëzit të mendonin se ato i shërbenin djallit e i vunë kësaj krijese aq të bukur nofkën Grua Shtrigë dhe e persekutuan dhe e shtypën në shekuj.
- Nuk kanë turp ! - shpërtheu një kolege - e mua deshën të më pushonin nga puna kur u divorcova!
 
Tek kaloj në korridor pranë kishës së vogël që është brenda ndërtesës e shoh Jesu Krishtin mbi kryq të gozhduar e të varur mbi mur... nuk e di, por ajo figurë ,më duket se edhe vetë e kupton se është i huaj aty. Nuk e di kush e ka bërë atë kryq, por mënyra se si ka anashpërkulur kokën , ai vështrim që ja ndriçon qiriri i cili rri ndezur ditë e natë , duket sikur kërkon falje , kërkon të jetë i falur jo nga lart, por nga ne që e shikojmë këtu poshtë. Ai vështrim duket sikur thotë, falmëni, nuk ishte kjo kisha që kisha menduar të ngrija, nuk ishin ata njerëz që doja të zgjidhja, nuk e kam zgjedhur unë të jem personazhi më i dashur për gjysmën e njerëzimit e në emër të dashurisë për mua kanë abuzuar. Nuk i kam thënë unë të gjitha ato që janë shkruar aty, të shumtat janë interpretime që nuk i ka bërë Zoti dhe as profetët e tij...Jam dhe unë bir i një gruaje...kam patur edhe unë një nënë...Një nënë që më ka lindur, më ka rritur dhe më ka mësuar njerëzoren...
                .



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora