E shtune, 27.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Dashi: Flet Pater Fishta

E hene, 15.09.2008, 05:26 PM


Pater Gjergj Fishta
Flet Pater Fishta

Nga Kujtim DASHI

Në vitin 1936, në 65-vjetorin e lindjes, Pater Gjergj Fishta kishte ftuar dhe një frat nga Brazili, me të cilin kish studiuar Sarajevë.
Në drekën e shtruar në Kuvend, si me shaka fretnit i thanë:
- Ç‘është kjo fytyrë e zezë në mes të të bardhëve?
Pater Gjergj, në këmbë e në dorë u përgjigj:
- Edhe kafja është e zezë, por është më e kushtueshme se sheqeri.

* * *
Një natë, hynë disa hajdutë në Kuvend të Lezhës për të vjedhur. Pater Gjergj Fishta e sheh veten ngushtë, mbasi s’kishte aty as rrogëtarin. Atëherë i shkon mendja me ba një lojë. Merr shtratin e vet dhe e vendos në korridor. Në çdo cep të shtratit vë nga një qiri të madh të ndezur. Vishet me rrobat e meshës, merr uratën dhe shtrihet në krevat, si i vdekur.
Hajdutët, pasi kapërcejnë murin me vështirësi, i ngjitin shkallët me ngadalë. Kur hapin derën e hyjnë në korridor, befasohen e frikësohen ma shumë. Pa e bërë të gjatë, dalin jashtë me shpejtësi, duke bërtitur:
- Pater Gjergji ka vdekur, Pater Gjergji ka vdekur!
Pater Gjergji me të shpejtë shkon në dhomë, hap dritaren dhe u drejtohet hajdutëve:
- Zotërinj! Lajmëroni anë e kënd qytetin se Pater Gjergji nuk vdes kurrë!

* * *
Pater Gjergji! Zotni Pater! Mbas akshamit duan me plaçkit e mbasandej me ja vu zjarrin xhamisë së Lezhës, - i vjen lajmi si vetëtima Patër Gjergj Fishtës nga një besimtar katolik. Pasi Pater Gjergji e falenderoi, lajmëtari u largua.
Andej nga mbrëmja, Pater Gjergji shkoi afër derës së xhamisë. Me t’u errur, te xhamia u dukën pesë persona të armatosur. Në fytyrë kishin vënë maska. Kur e panë fratin aty, u habitën.
- Po ti Pater Gjergji këtu?! - thanë gati në kor.
- Edhe prift, edhe hoxhë. Ç’ka me ba?! Ka ardhë koha me e ndihmue njëri-tjetrin, - u përgjigjet qetësisht Pater Gjergji. - Hoxha ka patur pak punë në Shkodër dhe m’u lut që ta kem kujdes xhaminë. Pastaj, mos u çuditni, një Zot kemi!
- Largohu, Pater Gjergji, - vazhduan ata, - se dona me marrë sixhadet e me ia vu flakën xhamisë!
- Jo, bre, nuk jeni aso trimash! Ju jeni frikacakë. Unë të gjithëve ju njoh!
Dhe i thirri secilit në emër.
- Me pasë qenë trima, kishit ardhë pa maska. Burracakët e frikacakët mendojnë e bëjnë të tilla punë të liga.
Ata, të turpëruar, u larguan me bisht në shalë.

* * *
Gjergj Fishta u tërhoq vetë nga jeta parlamentare. Ai kishte qenë deputet i Shkodrës (krahu i opozitës), nënkryetar i parlamentit dhe kryetar i komisionit për arsimin dhe bilancin. Me kërkesën këmbëngulëse të Fishtës, vendin e tij e zuri Pater Ambroz Marlaskaj. Kur dikush e kishte pyetur për këtë veprim, Fishta i qe përgjigjur:
- Nuk mund t’i duroj dot këto parla-parla-parla të parlamentarëve tanë!..

Fishta nuk e merrte seriozisht pjesëmarrjen e partive në parlamentin e parë
kombëtar, madje qeshte me ta.
Në një letër të gushtit 1921, të cilën ia dërgonte Pater Pal Dodajt, ndër të tjera, thotë: “…Ne tani bajmë pjesë në partinë progresiste, që përbahet ma së shumti prej turqish të vjetër…”

* * *
Gjergj Fishta nuk ka qenë gjuhëtar i mirëfilltë, por e ka njohur e lëvruar gjuhën shqipe si pak kush. Ka qenë bërë proverbial mendimi i tij për gjuhën letrare kombëtare: ”Gjuhën letrare e ban pupla e letrarëve.”
Një ditë, teksa bisedonte për probleme të gjuhës me një grup prelatësh e studiuesish të gjuhës, ku ishte dhe At Viktor Volaj, sekretari i tij, Fishta u thotë:
- Unë nguli hujt, gardhin banje ju.

* * *
Zhak Burkart (Jacques Bourcart), shkencëtar i famshëm francez në fushën e
gjeologjisë e të gjeografisë, anëtar i Akademisë franceze, vitet më të bukura të jetës ia kushtoi zbulimit e popullarizimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për lexuesin, aktualisht, janë të njohura vepra madhore “Mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (Paris 1921- Tiranë 2004) dhe “Lëvizja letrare në Shqipëri” (Paris - Tiranë 2007). Teza kryesore dhe më e theksuar e kësaj të fundit është se shqiptarët kanë lëvizjen e tyre letrare, gjuhën e tyre autentike. Në kohën kur punonte për “Lëvizjen…”, Burkart ka takuar Gjergj Fishtën, të cilin ndër të tjerë, e ka pyetur a do të çorientohej lexuesi apo nuk do të kuptohej prej tyre, nëse do të shkruante vetëm në gegërishte. Të njëjtën pyetje ia kishte bërë edhe Lumo Skëndos, i cili në revistën “Hylli i Dritës” botonte rregullisht vetëm në toskërisht. “Me pasionin e tij të zakonshëm, ai (Gj. Fishta) më mbuloi me qortime që guxoja t’i bëja një pyetje të tillë”, nënvizon Burkart.
“Në agimin e një letërsie, - më tha At Fishta, - vetëm poetët janë ata që mund të krijojnë gjuhën letrare, duke huazuar nga thesari i pasur i dialekteve të popullit format gojore, të cilat me saktësinë, pasurinë kuptimore e tingëllimin që kanë, u krijojnë atyre mundësitë për të shprehur më mirë një ide apo perceptim. Gjuha nuk mund të krijohet me dekrete. Ne do të na duhet të presim lindjen e poetit të madh të Shqipërisë, i cili me forcën e jashtëzakonshme të gjenisë së tij ndoshta do t’u imponojë të gjithëve gjuhën që ka krijuar vetë. Italia ka ruajtur për një kohë të gjatë shumë dialekte letrare. Nëse atje dialekti toskan u imponua si gjuhë kombëtare, kjo nuk ndodhi as për arsye politike e as për arsye praktike, por pikërisht për shkak të gjenisë së Dantes. Një revalitet midis shkrimtarëve toskë e gegë nuk mund të jetë veçse frutdhënës për letërsinë shqipe. Le të presim, të punojmë e të shpresojmë: unë kam besim të thellë që populli ynë i mrekullueshëm do të nxjerrë së shpejti shkrimtarin që do të na japë edhe neve gjuhën tonë.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora