E shtune, 27.04.2024, 04:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Moikom Zeqo: Unë e konsideroj veprën në prozë më ambicioze dhe kam ndërtuar një tendencë të kaherëshme

E shtune, 13.09.2008, 12:59 PM


Moikom Zeqo
Zgjohen ... “Gjumashët e Efesit”

Nga Albert Zholi
 
Shkrimtari dhe poeti Moikom Zeqo ka nxjerrë këto ditë në treg librin me tregime “Gjumashët e Efesit”. Ky libër vjen fill pas korpusit të suksesshëm voluminoz me poezi “Miscelanea”. Në këtë libër vihet re një pëpjekje tepër serioze e autorit për të sjellë një lloj të ri të të shkruarit të tregimit të shkurtër. Kjo risi tregohet jo vetëm në mënyrën e të shkruarit, stilin, metaforën, por edhe në subjektin, ku është bazuar autori, kryesisht tek mitet, ato që japin magjinë  e kureshtjes dhe enigmën  e nxitjes për të lexuar. Në librat e fundit Moikom Zeqo shfaqet në dy përmasa, atë të të shkruarit në mënyrë  të tjetërllojtë dhe të një risie në artin kohor të të shkruarit shqip. Eshtë një tendencë moderniste paksa e përhapur tek shkrimtarët latinoamerikanë, por sidomos spikat tek Bergesi, Donillo Kish dhe Umberto Eko, por në një mënyrë tjetër konceptuale në përputhje me ngjarjet, problemet, shqetësimet e vendit ku jeton.
 
Z Moikom, ju këto ditë  keni nxjerrë një libër  interesant “Gjumashët e Efesit”.  Një libër me tregime. Pra fill pas vëllimit poetik voluminoz “Miscelanea”. Ç’përfaqëson në vetvete ky libër me tregime?

Unë e konsideroj veprën time në prozë  më ambicioze  dhe kam ndërtuar  një tendencë të kaherëshme.Titulli “Gjumashët e Efesit”  ka të bëjë me thelbin e një  tregimi që mbështetet mbi një mit të vjetër  që dokumentohet që  në shekullin  e dytë në periudhën e perandorit romak. Sipas këtij miti, 7 djelmosha  të rinj  që ishin të  krishterë të  atëhershëm, gjatë një persekutimi nga  perandori pagan  romak Deci  shkojnë  për  të  shpëtuar  në  atë shpellë  dhe mbyllen në atë shpellë  dhe flejnë  309 vjet. Pasi zgjohen  pas 309 vjetësh  shikojnë që bota ka ndryshuar dhe ky motiv tregon se si  njerëzit që kanë një  bindje humaniste  nuk janë të vdekshëm, por mundet  që ideali i  tyre  humanist  dhe  ideali letrar i vetë  shkrimtarit  mund  të mbijetojë. Në të vërtetë  ky tregim ka  tërhequr  vëmendjen e  shumë shkrimtarëve të botës,  përmendet dhe në Kuran pikërisht “Shpella e të fjeturve” ose  “Eshtrat e  gjumashëve” në  qytetin e  famshëm e Efesit që është në Azinë  e Vogël. Në  Xhaminë e Mbretit në Berat  një pjesë  e kësaj pikture (afresku)  flet për gjumashët e Efesit  është fiksuar  në  kaligrafitë e mrekullueshme dhe  është rast  unikal, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Gjeografia  e këtij  miti është  në të gjithë  Europën deri në Britani,  është shumë i fortë në Francë  është i përhapur  edhe në  vende të ndryshme.Unë kam bërë edhe një tregim tjetër  që e alternoj këtë tregim,  që titullohet “Prifti  i Surukut”, i cili është një person që  ka jetuar  në Mesjetë dhe ka pas bërë shënime të ndryshme dhe  veprime  alegorike për  “Gjumashët e Efesit”, të cilët i citon edhe një historian i madh, i cili është Giboni  me librat e  tij  si “Fati dhe rënia  e  Perandorisë Romake”. Qëllimi im ka qenë që të  krijoj një tregim prej metafore dhe njëkohësisht logjik dhe realist. Për  të  treguar që gjërat e rëndësishme, mesazhet e mëdha humanistike,  janë  të pavdekëshme, ashtu siç  është edhe vetë misioni i  letërsisë që  është i pavdekshëm. Për  momente të caktuara  duket  sikur ajo  fle, por  përgjithësisht  ajo  zgjohet. Në një farë kuptimi ringjallen “Gjumashët e Efesit”  në shpirtërat  e njerëzve. Ringjallen në të gjitha kohërat. Gjumashët e Efesit mund të  jenë  edhe lexuesit e ardhshëm  që vijnë, që duket sikur  janë në  gjumë sot,  për të kuptuar  letërsinë, e cila duket  një hije  dhe nuk ka  lexueshmërinë e duhur  dhe epokën e vet. Ky ka qenë  motivi që e  emërton librin.
 
Sa tregime përmbledh ky libër?

Libri është një koleksion prej afro 80 tregimesh  kryesisht  janë tregime të shkurtëra. Janë tregime me një stil epigramatik, me një stil alegorik, me  një stil ku mistikja kthehet në një instrument vlerësimi dhe  iluminizmi. Janë  shumë tregime që lidhen  me figura mistike  të kohërave të ndryshme. Janë  disa  tregime që unë i kam  pas  përmbledhur  edhe  në librin tim “Syri i tretë” që është një nga librat  e mi të rëndësishëm, ku flas  për Naim Frashërin dhe figurat e dervishëve mistikë apo të shenjëtorëve të herëshëm  të  krishtërimit, apo me figura të tjera të ndryshme të historisë së botës, të cilët alternohen. Ka motive  që  nga Homeri, Platoni. Motive të ndryshme që lidhen me botën e  sotme. Flitet për  një sekt, që është sekti i realianëve. Realianët kanë një sekt të ditëve tona në Francë që është shumë i  zhvilluar,  ku një person takon jashtëtokësorët dhe krijon një lloj feje të  jashtëtokësorëve  në  planetin  tonë. Këto janë të shkruara  me  ironi. Ose një tregim flet  për  një person, i cili  ka  ngritur  një Ambasadë të  Hënës  dhe fillon  e shet tokat dhe pronat e Hënës tek tokësorët. Ky fakt nuk është i shpikur, por është  real, i cili ka dalë në kronika gazetareske. Në këto faktorë që duken  absurde  janë  produkt i  realitetit dhe unë  jam munduar të   gjejë tek ato, atë që  është më e çuditëshmja dhe t’i harmonizoj  me idetë  zhvilluese të  librave të mi. Libri është i shkruar me një prozë, e cila nuk  e synon  karakterin  linear të zhvillimit të subjektit. Subjektet  janë,  por  të shkruar në mënyrë lakonike  ka  një  fantazmagori të  brendshme  të  fjalëve dhe të kuptimeve, ku stili është tepër i  qartë  gati magmatik  dhe matematik në renditjen  e fjalëve.
Kurse ironia qëndron  e brendshme  për të  tregur  që  mjetet e   shprehjes të  fjalëve  janë të pafundëme. Shkrimtari është mjeshtri  i vendosjes  së unitetit të fjalëve në  kozmos  dhe  në  jetën njerëzore, këto janë  një nga sekretet më të mëdha të letërsisë konceptuale. Koleksioni i prozave është përzgjedhur  sipas një synimi të përcaktuar. Këto proza unë i kam quajtuar kallzime mistike. Fjala shqip kallzime, vjen nga fjala kallza që ka bima. Kallza më duket një fjalë më e bukur se fjala tregim, që lidhet me tregun, d.m.th nxjerr në treg. Pse i kam quajtur mistike? Këto kallzime kanë tema dhe subjekte të lindjes dhe perëndimit, pra janë të lira në hapësirë, ato janë në kohëra të ndryshme dhe sipas konceptit të kohës letrare, shpesh një ngjarje të së arshmes unë e zhvendos në të kaluarën, ose një personazh të mesjetës e bëj te jetojë në epokën e kozmosit. Këto kallzime janë larg eurocentrizmit, kanë një lloj globalizmi të kulturave dhe qytetërimeve. Natyrisht, që mistika është një ind i madh i letërsisë së madhe. Mistika është  një mekanizëm onirik. Mistika për mua nuk është një botëkuptim, as doktrinë. Mistika për mua është një metaforë e pakufishme, ose një palimpsest metaforash. Prandaj unë e kam instrumentalizuar mistiken në një status letrar.  Kallzimet janë të ndryshme, por kanë një substancë që i bashkon dhe  përafërson. Shpresoj që lexuesi të më kuptojë, libri im është një grishje e veçantë për kuptimshëri të lartë.  

Ju folët për letërsinë konceptuale. Çfarë keni parasysh me këtë lloj letërsie?

Në  përgjithësi letërsia  konceptuale është e rrallë  dhe e vështirë dhe mjeshtri që ndryshoi letërsinë  botërore dhe me të  drejtë është pikë reference  e pashmangëshme, është Borgesi. Një shkrimtar i madh Danillo Kish ka  thënë që letërsia  botërore ndahet  në letërsinë  para Borgesit dhe në letërsinë pas Borgesit. Ky përcaktim duket  aq i  skajshëm, por  duhet kuptuar personaliteti real i këtij përcaktimi, sepse letërsia shtrihet në të gjithë planetin, ku përfshin emra nga më të mëdhenjtë. Por edhe ajo  kërkon  zhvillime të brendshme, ndryshime konceptuale të brendshme. Letërsia  konceptuale është e vetmja që mund  të ketë  një tendencë  më globale  sot në botë. Sot letërsia  e shekullit 21  ka një dendencë borgeziane, kjo duket shumë në shumë shkrimtarë.
 
Elementi i parë  i veçantë i këtij libri është se ju i përmbaheni miteve, përse  keni menduar  që t’i dhuroni lexuesit shqiptar mitet në  këtë  kohë moderne?

Mitet  në strukturën e tyre e kanë pjellë letërsinë. Struktura e mitit ka edhe rrëfimin, por  ka  edhe  alegorinë dhe siombolikën. Vetë Homeri letërsinë  e tij  e ka ndërthurur me mite.Vetë  shkrimtarët e  mëdhenj grekë sidomos Eskili, Euripidi, Aristofani, Sofokliu (që janë  nga shkrimtarët më të mëdhenj të  të gjithë kohërave)  kanë vendosur një ekuilibër shumë delikat dhe shumë të logjikshëm për mitin. Shkrimtarët e mëdhenj modern të shekullit të 20-të,  kanë  menduar që  kalimi  nga e pabesueshmja  e mitit, ose  tek ajo që quhet  realizmi magjik ka qenë një triumf  i konceptit të një industrie të re. Në fakt Eskili dhe të tjerë kanë qenë më të saktë në ekuilibrin logjik midis mitit dhe realitetit. Këtu është edhe sekreti i letërsisë së madhe në raport me mitet. Mitet janë reale  dhe ne  jetojmë në një proces  mitizues  edhe në kohën e sotëme. Me të  drejtë Roland  Bart në një libër  të tij  botuar  në  vitin 1958,  thotë se mekanizmi i  mitizimit  është funksionale edhe sot. Krahas  motiveve të pavdekëshme që janë të vërteta, ka edhe mite të rreme. Edhe sot mekanizmi i mediave fabrikon mite VIP-ash të rremë, politikanësh  që nuk janë politikanë, por që kanë poste, ose miti i parasë që është më  i fuqishmi. Paraja zëvendëson monoteizëm  ideologjik, një monoteizmin materialist, tepër  sundues dhe është forma  për të treguar tjetërsimin e  njeriut, sepse është sendi që sundon  njeriun dhe nuk është njeriu që sundon sendin. Kjo tregon se mitet  janë reale dhe të pushtetshëm.
 
Ju në parathënien e librit përcaktoni një  risi  të tregimit shqip. Pra përveç sjelljeve të miteve që është një sjellje e bukur (ku në letërsinë  shqiptare  është hequr dorë nga mitet), po përcillni një mënyrë tjetër të të shkruarit?

Të shkruarit nuk mund të jenë të ndarë vetëm në atë  të poezisë dhe të prozës. I shkruari është  konceptual. Që në vitet ‘70-të, të shekullit të kaluar me  poezitë që kam  shkruar  ndryshe nga poezitë  shqipe, (poezi të  cilët u botuan  edhe në Amerikë  dhe patën sukses të veçantë), gjithmonë e kam pasur për famë të një konceptualiteti të ndryshëm të të shkruarit. Ky është thelbi që ka të bëjë me formimin tim  dhe ndoshta me aftësitë perceptuese. Mendoj se tregime të shkurtëra  janë prova më e madhe për një shkrimtar. Është një provë  shumë më e rëndë dhe sfiduese se sa proza  e gjatë. Tregimi  nuk pranon zgjatje  të tepërt  dhe duhet të jetë i realizuar. Duhet  që të ketë një finalizim të  brendshëm. Kjo kërkon një sintezë dhe një mjeshtëri të pazakotë. Këto tregime  nuk janë  thjeshtë të bazuara mbi mite  sepse një pjesë e  madhe  e  miteve  lidhet  me  epokën dixhitale, ku aty është një tregim që quhet “Njerëzimi virtual” dhe flitet  për  dy lezbike amerikane. Flitet edhe për klonimin njerëzor. Këto nuk janë mite të shpikura nga unë, por  janë motive të rënda  të jetës. Ka  probleme që kanë të  bëjë me  probleme ekologjike, politike  të  njerëzimit, ku qëndron e ardhmja e këtij  njerëzimi. Kjo e ardhme do të jetë një apokalips ekologjik. Dhe motivi i të gjithë kohërave  që ka  letërsia, është njeriu. Letërsia është një dukuri  intelektuale, është një nga shpikjet më të mëdha të intelegjencë  njerëzore  të të  gjithë kohërave, për të bërë  që njeriu të  realizohet si njeri. Njeriu real të kthehet në një njeri që në letërsi është i  pavdekëshëm. Është njeriu që ka  humanizmin  si  filozofi më të madhe  se sa  të gjithë  doktrinat filozofike  që zotërojnë.
 
-Në  libër  tregohet një  studim sistematik shumëvjeçar i  juaji për vetë  faktin  se të shkruash për  mitet është një tendencë  që të kalojë  kufijtë shqiptarë, në këtë  këndvështrim, ku është letërsia e sotme shqiptare, sidomos tregimi  me  krahasur letërsinë  botërore?

-Letërsia  shqipe  vuan shumë nga profesionalizmi. Këtë  mendim  jo vetëm që e  kam bindje, por sa vjen edhe më shtohet dhe është një vendim  që vlen ta  diskutosh. Ky profesionalizëm ka arsye historike  në Shqipëri dhe  në  raport me  letërsinë  e vendeve të tjera. Ne kemi  shkrimtarë të  shquar. Figurën më të madhe të letrave shqipe unë quaj Migjenin, Kadaren. Letërsia ka ecur  kurse ne kemi një lloj prapambetje  në letrat shqipe.
 
Si rezultat i kujt ka ardhur  kjo prapambetje?

Unë mendoj që ka arsye historike, por  një nga arsyet ka qenë  mungesa e një diturie bashkëkohore me  raport me fqinjët ose me letërsinë  botërore, mosnjohja e disa ndryshimeve të mëdha  konceptuale  që ka  letërsia  botërore  sot. Shumë shkrimtarë  Borgesi, Joan Guiotin Selo, Slivensi, të cilët bëjnë një letërsi  konceptualisht më të përparuar  si edhe  shumë shkrimtarë të  tjerë  ameriko-latin  që njihen në Shqipëri, nuk kanë të bëjnë vetëm me njohjen,  por ka  shumë arsye të tjera. Pengesa  kryesore  që ka letërsia  shqipe  është  kalimi i një gjuhe  në  një gjuhë  tjetër.
 
Ky kalim ku insiston?

Gjuha  shqipe është një gjuhë madhështore në vetvete. Është një gjuhë  që  ka mundësi të pakufijshme të shprehjes. Por duke  qenë një pemë e vetmuar në  gjuhët  evropiane  e  ka  shumë të vështirë  që të jetë e njohur. Nuk ka përkthyes. Përkthyesit mund të njohin gjuhën që përkthejnë, por nuk  njohin mirë gjuhën shqipe. Përkthyesit e mirëfilltë shqiptar thujase nuk ekzistojnë. Mund të përmendet vetëm rasti  unikal i Isuf  Vrionit, i cili ishte një përkthyes gjenial  na  gëzon, por  nuk na  ngushëllon sepse  të tillë nuk ka më. Edhe ky problem do të  jetë  vazhdimisht  në letërsinë  shqipe. 

Kjo ka ardhur si rezultat i politikave jo strategjike në këtë drejtim?

Shteti  duhet të  ketë një interes më të madh për përktimet. Ne jemi i vetmi vend që  nuk kemi një Fakultet  që të licensohen përkthyes. Duhet të  njihen  me licencë që janë përkthyes të  një dy apo tre  gjuhëve dhe që  përgatiten.  Ka shumë përkthime që bëhen sot. Këto janë përkthime mediokre dhe shumë kryevepra  të botës janë përkthyer  në mënyrë  të mjerueshme në gjuhën shqipe. Por nuk është vetëm përkthimi nga gjuhët e  huaja në gjuhët shqipe,  sepse  ky është një problem më i lehtë për  t’u zgjedhur.  Problemi është nga  shqipja  në gjuhët e tjera botërore  dhe në gjuhën më të madhe të botës që është anglishtja, spanjishtja, frengjishtja dhe gjuhë të tjera.
Pjesa  kryesore e këtij rinovimi të letërsisë  do të  ishte  forca konceptuale më  shumë se sa  lojërat e formës. Pra përkthimi në gjuhët e huaja e ka lënë letërsinë shqipe në hije, pa i dhënë vlerat që i takojnë.

Pra  nuk  ekzistojnë  përkthyes  të licencuar, nuk ekziston një lidhje  shkrimtarësh të organizuar, shteti nuk ka një strategji për letërsinë  shqipe. E ardhmja e  letërsisë shqipe në këto momente  duket më e zymtë?

Këto organizma që përmendët  nuk janë shumë vendimtarë, janë dytësorë. Shkrimtarët nuk janë shumë pjesë të organizimit. Shkrimtarët e vërtetë janë të vetmuar. Puna krijuese ka një proces vetmimi, por nuk  është e vetmuar  leximi i  veprës. Duhet të ketë lexues të vërtetë. Rënia e lexuesit tek ne çon në  teorinë që thuhet “vdekja  e librit”. Kjo është fatale. Por një letërsi e re do të edukonte lexues të rinj. Kur lexuesi edukohet me një formë  tjetër të shkruari, krijon disa mekanizma vlerësuese dhe për  letërsinë  paraardhëse dhe për letërsinë që ai që lexon. Është një proces i dyfishtë i shkrimtarit të mirë dhe i lexuesit të mirë. Lexuesi është seleksionues. Procesi i seleksionimit është një proces estetik i mirëfilltë. Është lexuesi ai që gjykon mbi vlerësimin e shkrimtarit. Po është shkrimtari që duhet të paraprijë. Shkrimtari dhe lexuesi janë  një qënie e
dyfishtë amfibe. Kjo qënie është një shpikje mendore dhe fizike e mrekullueshme e njerëzimit. Letërsia e ka këtë atribut të ndërthyrjes dhe bashkëjetesës deri në infinit. Niveli konceptual i një letërsie është dhe niveli intelektual i lexuesit të saj.  Në këtë kupim bashkëpunimi është gati një institucion. Falenderoj me gjithë zemër Mira Meksin që përzgjodhi dhe përgatiti me shije dhe inteligjencë librin “Gjumashët e Efesit” si dhe botuesin e njohur Gëzim Tafa për botimin kaq cilësor të këtij libri tim të jetës.
Ky botim do të vazhdohet me  ndonjë botim tjetër të këtij lloj tregimi që  tashmë ka  hyrë si një risi?
Unë kam gati librin e dytë me tregime, i cili quhet “Adami i  fshehur”, i cili është pjesa e dytë i këtij korpusi. Pjesa dërmuese ka mite, motive ekstravagante të realitetit të sotëm, motive  që lidhen me të ardhmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora