E shtune, 27.04.2024, 10:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Engjëll Koliqi: Po të bëhej...

E merkure, 17.09.2008, 09:44 PM


Engjëll Koliqi
Po të bëhej...

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Po të bëhej një e papritur në këtë shekullin e ri – pak më i fortë të bëhet dielli – akullnaja e mjegulla t'i shkrijë, atëherë dimri do të ikte nga koha jonë dhe ne do të përmalloheshim për të ftohtë e për dëborë, natyrisht - duke i fshirë nga rendi i ditës edhe sportet dimërore – të rrëshqitjeve dhe të kërcimeve me skia.

Në të kundërtën – po të bëhej, me një të papritur – të dobësohej dielli – në mungesë rrezesh dhe ngrohtësie, do të ndodhte një çudi e madhe – ende pa filluar vjeshta, vendin në kalendar do e zënte dimri, me rrezikun për të ngrirë shumë dashuri dhe shumë shpresa, që ftojnë për një jetë të zakonshme dhe për një klimë të volitshme mes njerëzve.

Po të bëhej një mrekulli – dielli i fortë ta shkrij natën – me ditëbardha do jetojmë, njëzetekatër orë mbi njëzetekatër do jemi të zgjuar – të palodhshëm në akte dashurie, gjithnjë të pashëm – buzagaz dhe me hare në fytyrë, madje edhe në veprim të përhershëm dashurie e mirëkuptimi për njerëzinë, anekënd botës, në mbarë gjithësinë.

Në të kundërtën – po të bëhej e pazakonshmja – po të merrej dielli, nuk do të kishim më ditëbardha dhe në stinën e kapluar nga natëzezat, udha n'oborr do të na humbej e do të rrezikonim të hasim në shumë ndeshje të pavolitshme, që do të mund të na shkaktonin shumë të këqija, madje edhe të na shpenin deri në tragjedi.

Po të bëhej një mrekulli – sikur përrallat të shndërrohen në ngjarje reale – shumë ëndërra do të iknin nga gjumi e nga natëzeza dhe do t'ia mësyenin shtëpive përrallore, për t'u jetësuar në përditshmërinë tonë, ku do të ndodhnin shumë ngjarje – të kuptimshme dhe të pakuptimshme – me mundësi reale për ta stërngarkuar historinë, deri në vjellje fjalësh dhe varrësh, të paparashikueshme...

Po të bëhej që përrallat të shndërrohen në mite, atëherë histori të caktuara do të pushtoheshin dhe do të vëheshin në shërbim të klaneve dhe të grupacioneve të caktuara, për të realizuar qëllime të caktuara dhe të skajshme, deri në pakuptim, duke kaluar kështu edhe kufinjtë e absurditetit.

Po të bëhej fjala e sharë halë dhe si fakt po të vepronte në akt, siç thotë populli – mos p'vet bre haj medet, se të kallëzon vetë – pothuajse të gjitha nënat dhe motrat tona do të mbeteshin me barrë dhe do lindnin rrugaqë, të cilët – udhëkryqeve të intereseve të harruar – kurrë nuk do të mund të mësonin të ecnin dhe – me epitet mjerimi mbi kurriz – të shkretët,  kurrë në cakun e jetës nuk do të mbërrinin.

Në të kundërtën – po të bëhej mrekullia – fjala e sharë të shndërrohej në fjalë përkëdhelëse me frymë dashurie, atëherë bota jonë do të ndryshonte, sepse do i harronim të këqijat, nuk do e njihnim urrejtjen dhe me solidaritetin tonë tradicional – shekullin dhe botën do i pagëzonim me emrin e dashurisë dhe të gjithë pasardhësit tanë – si farë dashurie – do e rigjallëronin dhe do e lulëzonin gjithësinë mbarë dhe historinë, me akte ëmbëlsie dhe hijeshie, çfarë mund të ndodhin vetëm në mrekulli.

Po të bëhej...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora