E shtune, 27.04.2024, 09:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Shqarri: Barcelona – Flamurtari, ndeshja më e bukur që kam transmetuar

E marte, 16.09.2008, 06:11 PM


Ahmet Shqarri
Ahmet Shqarri: Ishte skuadra kampione  e Europës. Në atë ekip luanin futbollistët më të  mirë të botës

Barcelona – Flamurtari, ndeshja më e bukur që kam transmetuar

Drejtuesi i emisionit më jetëgjatë në Shqipëri

Nga Albert Zholi
 
Një zë i veçantë që për mëse 35 vjet ka mbërthyer pranë aparateve të radios miliona dëgjues. Një zë që në shumë raste të bënte të lije çdo punë dhe të harroje çdo gjë për të marrë vesh një rezultat. Kjo, mbasi ishte zëri i sportit shqiptar, i sportit magjik, i sportit që e dashuron çdo njeri, i sportit që thyen çdo barrierë, mëritë, ndasitë, që të heq stresin, të lumturon, mrekullon, relakson. Zëri i Ahmet Shqarrit lakohet si transmetues i veçantë pasi solli shumë risi në emisionet sportive shqiptare në të vetmen radio dhe televizion në hapësirat mbarëshqiptare për vite me radhë. Funksionimi i emsionit special “Nga njera ndeshje në tjetrën” shënoi një hap cilësor të nivelit botëror për radio transmetimin shqiptar. Tek figura e Shqarrit nuk ka spikatur vetëm zëri, por ambicja serioze për të hapur dritare të reja komunukimi me dëgjuesit, dritare, të cilat ruajnë dhe sot po atë
shkëlqim dhe rrezatim në syrin dhe veshin e dëgjuesit shqiptar. N.q.s parardhësit e tij janë lakuar si ikonat e para të transmetimit, ai si vazhdues i tyre e ngriti në piedestal emrin e komentatorit shqiptar duke vulosur risi që do të ngelen si shtatore të pazëvendësueshme. Mazreku, Bellova dhe Shqarri, do të mbeten një treshe simpatike që hapën epokën e panjohur të transmetimit radiofonik, duke ja kaluar stafetën njeri-tjetrit,  për t’u kthyer kështu  në emblema që koha i ka përcjellë si figura referimi për të ardhmen e sportit shqiptar.

Që në fillimet e tij në rrugën e gazetarisë, Ahmet Shqarri e ka ngjyer penën vetëm për gazetarinë sportive?

Absolutisht jo. Dhe kur e kujtoj qesh me vete. Qeshje e ëmbël. Ka qenë një rastësi që të bëhesha gazetar sportiv. Kam filluar të shkruaj kur kam qenë  në shkollë të  mesme.  Në revistën “Shqiptarja e Re”,  unë botova “Vajza e braktisur”. Ka  qenë  një  tregim. Ishte fjala për një  ngjarje që  në ato kushte, në atë kohë,  të  trajtoje një  temë të tillë ishte tabu. E kam nisur  kështu sepse më  pëlqente letërsia. Bëhet fjalë në vitet ‘60-të. Pastaj vazhdova të shkruaj në  vitet  studentore. Krahas  Fakultetit të Letërsisë, bëja  edhe kursin  dy vjeçar të  gazetarisë, ku kisha  pedagogë të tillë  si: Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Hamit Boriçi.  Në sajë të tyre na u dha mundësia të  shkruanim në shtypin e kohës si: “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”.

Pra, keni qenë shumë i lidhur me librin?

Bëja shumë përpjekje për të kapur librin sa dilte në treg. Duke pasur një dëshirë të madhe për letërsinë, lexoja  shumë.

Kjo periudhë quhej periudhë prove. Veçoni ndonjë shkrim të kësaj periudhe që e kujtoni me nostalgji?

Mbaj mend tek gazeta “Puna”, botova një reportazh që zuri një faqe. Më bëri përshtypje botimi, sepse në atë kohë, reportazhe shkruante vetëm Ismail Kadare, Spiro Dede, Xhevahir  Spahiu, Dritëro Agolli  dhe të shkruaja unë Ahmet  Shqarri, një student, ka qenë e pabesueshme. Reportazhi titullohej,  “Një fener ndriçon rrugën”. Një çift nga fshatrat e Librazhdit ku gruaja po lindte, zbret në mes të natës nga malet në rrugë me një fener, ku kërkonin një makinë. Makinat ishin shumë të rralla atëherë. Feneri shërbeu si sinjal për një automjet tip “Zis”, i cili ndaloi  dhe e çuan në spital shtatzënën....

Po provën e parë në gazetarinë sportive në cilën kohë e bëtë, apo më mirë të themi, si u lidh Shqarri me botën e bukur dhe të madhe të sportit?

Ndërkohë që unë shkruaja për gazeta të tjera,  Ismet Bellova që  ishte komentator dhe miku im, më ofroi të bashkëpunoja me të vetmen gazetë sportive të kohës “Sporti Popullor”. Dy komentatorë ishin asokohe, Bellova dhe i madhi Anton Mazreku. Kur mbarova studimet universitare,  nuk kishte  asnjë gazetar të diplomuar  që të punonte për sportin në Radio Televizion. Kështu, unë isha i pari gazetar  profesionist  sportiv i një medie  eleketronike. Starti i karrierës time  ka  qenë pikërisht  gushti i  vitit 1969, vit në të cilën u hodhën themelet për krijimin e Rubrikës Sportive të rregullt, që në fakt filloi në vitin 1970..

Si vazhdoi rrugëtimi i Rubrikës Sportive?

Plot 35 vjet ishte nën drejtimin tim. Vitin e parë Rubrika ka qenë e regjistruar, ndërsa që nga viti 1971,  deri në vitin 2004 direkte. Kjo rubrikë funksionoi çdo të dielë në radio. Fillonte me marshin  e fiskulturistëve. Ishte sigla e marshit të fizkulturistëve ku hapeshin spartakiadat në kohën e diktaturës. Marshi ishte kompozuar nga Preng  Jakova, autori i Operas së parë shqiptare “Mrika”.  Më vonë çdo të hënë bëra  “Jehonën sportive”. Transmetoheshin në mënyrë të përmbledhur edhe ngjarjet e së dielës. Pararelisht fillova emisionin “sport-kalitje- shëndet” që  ishte të premteve. Ky ishte një emision tjetër  sportiv që drejtoja  në radio ku kishte problematikë, reportazhe nëpër qendra pune, reparte ushtarake, kooperativa bujqesore, portrete etj.. Në këtë emision u  thye  tabuja,  pasi filluam të flisnim edhe  për  sportistë të huaj.

Në ambiente gazetarësh kam dëgjuar që në brezin tënd kanë dalë shumë gazetarë të spikatur në të gjitha gjinitë?

Po. Shumica dhe pse nuk kishin studiuar për gazetari dolën gazetarë shumë të mirë. Dua të veçoj sidomos Besnik Dizdarin, i cili sot është personaliteti më i spikatur i gazetarisë sportive. Ndërsa të tjerë si: Namik Dokle, bën përshtypje se  nga Instituti Bujqësor, arriti që së bashku me ne shumë të tjerë në kursin e gazetarisë, të bëhet dhe ai një personalitet në këtë fushë.

Po në televizion çfarë risie solli  Shqarri me Rubrikën Sportive?

Unë kam bërë për  herë të parë në  television rubrikën me të ftuar, ku ishin  rreth 100 veta. Albert Minga ka qenë regjisor i këtij emsioni me përmasa që nuk ishin menduar apo realizuar më parë. Patëm bërë skenën në formë amfiteatri  dhe kishte  ekipe të ndryshme të ftuar. Protogonistë të shquar të javës, veteranë të sportit, etj...

Po realizimi i lidhjes me të gjitha stadiumet si ka filluar?

Kam patur fatin që të kem qenë i pari që  kam  krijuar  lidhjet me të gjitha  stadiumet shqiptare. Ndërkohë, gjatë emisionit të ri, për herë të parë, aplikova futjen e komentatorit gjatë transmetimit të ndeshjeve me specialistë të mirënjohur, ish futbollistë të shquar të vendit si,  Sabri Peqinin, Refik Resmen (që  është legjenda e futbollit shqiptar), Gëzim Kasmin, etj.. Emisioni, siç dihet tashmë prej të gjithëve u  titullua “Nga  njëra ndeshje në tjetrën”, që nismën e ka që nga  2 tetori 1983.

Dihet që veç ndeshjeve në vend ju keni transmetuar dhe në shumë stadiume të botës. Çfarë mund të veçoni nga kjo histori?

Transmetimi i parë shqiptar i ndeshjeve jashtë shtetit ka qenë nga Barcelona në vitin 1986. Kjo ndeshje ka hyrë në histori, jo vetëm si transmetimi i parë, por edhe për lojën e bukur, e të jashtëzakonshme, ku futbolli shqiptar ka shpalosur vlerat e tij më të mira. Barcelona ishte kampione  e Europës. Në Barcelonë luanin futbollistët më të  mirë të botës, si Geri Lineker (shënuesi më i mirë i asaj kohe).  Flamurtari i asaj kohe ishte dhe mbetet  skuadra e vetme e Shqipërisë që ka kaluar deri tani dy ture në kupat e Europës. Besoj e kujtoni atë ndeshje të rrallë që u mbyll 0:0 në Kamp Nou.  Dhe Barcelona u kualifikua vetëm prej barazimit 1-1 në Vlorë.
Edhe në  librin tim  kam  folur  shumë për Barcelonën. Në atë kohë nuk ishte në modë që  gazetarët sportivë të dilnin jashtë shtetit!...  Sot  shkojnë  edhe tifoza  me ekipin dhe kjo duket e pabesueshme. Në  vite të  largëta,  Anton Mazreku, Ismet Bellova, apo  Skifter  Këlliçi, kishin shkuar jashtë shtetit dhe vetëm regjistronin, nuk transmetonin direkt. Transmetimi im nga Barcelona ishte direkt dhe u realizua për herë të parë nga një prej stadiumeve më të mëdhenj të botës.

Mbaj mend se ai transmetim nga Barcelona pati jehonë dhe u shoqërua me polemika të shumta...
Gjëra nga më çuditshmet. Nga Ramiz  Alia që tha fjalë të mira, e deri tek Pirro Lako, ish Sekretar i Partisë i Tiranës,   i cili pati thënë se, nuk duhet të isha më gazetar për atë që përcolla nga Barcelona. Sepse gjatë transmetimit, (sipas tij) unë kisha thënë gjëra të ndaluara për kohën si psh: ekipi është akomoduar në një hotel me 5 yje, aty kishte një pishinë në katin e 9-të, stadiumi kishte të abonuar për të gjitha ndeshjet dhe ku midis tifozave të abonuar bënte pjesë dhe Papa... Për dëgjuesit ishte një tabu. Përkufizime të tilla nuk njiheshin. Por me të vërtetë gjithçka që pamë në Barcelonë ishin një befasi. Në këtë jehonë mund të fus dhe rastin e të ndjerit Pjetër  Arbnori, i cili pat thënë  në Lidhjen e Shkrimtarëve ku u promovua libri im se “Ahmet Shqari” ishte dritarja që ne  shihnim botën nga burgu nëpërmjet transmetimeve, ku më i veçanti ngelet ai i Barcelonës”... Ndërkohë shkrimtari i shquar Vath Koreshi  në parathënien  e librit tim shprehet: Ahmet Shqarri atë natë që ka transmetuar nga Barcelona  ka qenë  për një natë Perandor  i Shqipërisë, sepse të gjithë dëgjonin dhe veshët i mbanin tek ai në Barcelonë.

Me të gjitha këto që po thoni, duket se dhe një transmetim paska pasur shumë probleme?

Për mua ishin rrugë të pashkeluara. Eksperiencat ishin të pakta dhe shumë rubrika janë eksperimentuar nga unë. Nuk kishim mjete komunikimi dhe ndërlidhjeje si sot. Ne ishim të mbyllur. Nuk kishim ku të merrnim eksperienca. Edhe me rusët dhe kinezët u prishëm.

box
Gjithë kjo jetë, gati gjysmë shekullore (?!), ju ka bërë të njiheni dhe të keni raporte me shumë njerëz sidomos drejtues... Kam kaluar shumë drejtorë që nga Thanas  Nano e të tjerë me radhë. Nano ishte serioz, ishte e vështirë t’i flisje, por korrekt dhe kërkues në punë. Todi Lubonja ishte më i hapur dhe liberal. Me atë punoje me shumëkënaqësi. Marash Hajati serioz dhe autroitar. Nefo Myftiu, njeri shumë i mirë që më ka inkurajuar shumë në hapat e parë që hodha si gazetar... Ndërkohë kam pasur të bëj me shumë bashkëpuntorë gati të panumërt, që nga spikerit e deri tek ata që morën mësimet e para nga unë për t’u bërë radikronistë, komentatorë, gazetarë... deri sa disa prej tyre ndryshuan rrugë për t’ju futur fushave të tjera, por duke pasur gjithnjë si gjenezë fillimet në RTSH.

Folësat (Spikerat) sportivë me ata të lajmeve..

Shumë folësa potentë të Radio Televizionit kanë nisur të ushtrohen në këtë profil duke pasur si foltire të parë Rubrikën time Sportive. Virgjil Kule ka filluar tek unë, Liliana Meçani, Clirim Poro, Violeta Gjoka, ku Lorenc  Zadrima  një nga spikerat më të mirë, në atë kohë ishte inxhinier  në fabrikën e armëve në Gramsh dhe vinte çdo të dielë  në  shtëpi në  Tiranë, për të qenë në mbrëmje në Radio për Rubrikën Sportive. Krijova komentatorët e  parë  për çdo sport. Vangjel Shundi për lojërat  me dorë, Zef Ashta për shahun, Xhafer Bogdani për sportet  e rënda..

Barcelona ishte stacioni i parë i transmetimeve, si vazhdoi më pas udhëtimi i juaj?

Kam transmetuar  në 23 stadiume të botës që  nga Belfasti, Dublini, Gjeneva, Moldavia, Lituania, San Siro i Milanos, Bullgaria, Athina, Vjena, Tunizi ...ku veç ndeshjeve të futbollit kam raportuar edhe për ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare si Kampionati Botëror i Ataletikës, Lojrat Mesdhetare, etj...

Transmetimet pikante

Në këto transmetime kë dalloni si më pikanten, cili ju ka bërë më tepër përshtypje?

Njëri që më ka  bërë  një portret ka thënë se, po të  kërkoni në arkivin e RTSH, do të gjeni, mijëra kilometra shirit me zërin dhe figurën e  Ahmet Shqarrit. Janë ndeshje të panumërta. Kemi mundur skuadrën e Belgjikës në futboll, atëherë e katërta në botë, kemi fituar ndaj kampiones  së Francës dhe shumë të tjera në basketboll. Dinamo në volejboll për femra tre herë pjesëmarrëse  në katërshen  finaliste të  Evropës, që është suksesi më i madh i një klubi shqiptar për të gjitha llojet e  sporteve.  Janë të pafundme ngjarje të tilla, ku unë jam çjerrë nga zëri dhe emocionet,  për vetë atmosferën e jashtëzakonshme që përcillnin këto ndeshje dhe transmetimi i tyre në atë kohë. Ishte një kohë e bukur, kur pallatet e sportit mbusheshin plot (duket  si një ëndërr e largët, por  ka qenë  një realitet)   ku biletat  shiteshin një javë përpara  për  ndeshjen,  kur
luante Panajot Pano në futboll,  Agim Fagu  në  basketboll dhe Asllan Rusi me  Ela Tasen në  volejboll...

Një udhëtim i gjatë në vite dhe ngjarje, si askush tjetër....

Një nga mrekullitë  që kam bërë  është transmetimi i rretheve tona çiklistike. Siç bën sot Turi i Francës  apo Xhiro e Italisë. Ato  u bënë aq interesante saqë dëgjuesit rrinin pranë radiove për të mësuar rezultatin dhe shpesh kjo e detyronte redaksinë e informacionit të ndërpriste emisionin e lajmeve për t’u lidhur me transemtimin tim direkt!

A kishte  vështirësi  për ju  në udhëtimin  për në finishin e  garave?

Vështirësi  kishte  shumë. Mbaj mend që Marash Hajati  më  ka  dhënë  makinën rezervës e  rasteve  urgjente  që duheshin për gjëra të jashtëzakonëshme  për të shkuar  në Burrel për të transmetuar. Duheshin çdo javë nga 7 makina  në shtatë vende. Ndërsa tani kanë ndryshuar  kohët, ka shumë mjete dhe mundësi.

Duke  parë të  gjitha këto probleme  dhe shqetësime  a jeni penduar ndonjëherë  për rrugën që keni zgjedhur?

Unë ndjehem shumë mirë dhe them se rruga e gazetarit është e mrekullueshme. Nëse di të japësh diçka për njerëzit dhe  ata  kanë arritur  të të kuptojnë  dhe të të  respektojnë, atëherë mendon se  ke ditur ta zgjedhësh si duhet rrugën tënde.

Më jetëgjati profesionist në RTSH, përse e le shtëpinë e vjetër duke u larguar në vend tjetër?

Ika nga Radio Televizioni shqiptar, kur atje emri sport u fshi fare. Rëndësia e Rubrikës u zbeh. Ishte periudha kur Drejtor ishte Artur Zheji që nuk kishte interes fare për sportin. Rrogat na i lanë në mënyrë më skandaloze. Ndërkohë që një spiker që  sapo ishte futur  merrte  tre katër  fishin tonë, mendova për të gjetur një shtëpi të re.

Kë keni dashur të imitoni apo modele që donit t’i ndiqnit në rrugën tuaj?

Në moshën kur unë fillova të njoh futbollin ishin të vetmit Anton Mazreku  dhe Ismet Bellova që transmetonin në radio, ndërsa në televizionin tonë të sapo ngritur kjo gjë ende nuk ishte shpikur. M’u desh pak kohë kur nisa punën që të njihja edhe gazetarë në botën e jashtme, të cilët na fakt u bënë dhe vazhdojnë të jenë modele për mua.

Tani në një farë mënyre jeni bërë ju model për të tjerët?

Komplimeti është i bukur, por në të vërtetë kështu është. Në mbi 3 dekada punë janë të shumtë për të mos thënë të panumërta transmetimet, komentet, analizat, intervistat, portretet dhe artikujt e shumëllojshëm, përfshi këtu dokumentarë dhe filma që bëjnë një biografi timen. Kjo natyrisht ka bërë që të jemi rrethuar nga shumë kolegë, miq e bashkëpuntorë, ku nuk mund të thuhet se ndonjë prej tyre më ka marrë si model ?!...

Me kë është tifoz Ahmet Shqarri?

Gjithmonë  kam qenë tifoz  me  atë  skuadër  që ka pasur lojtarët më të  mirë. Në fëmijërinë dhe rininë time kam qenë me Partizanin ku luanin yjet e asaj kohe: Refik Resmja, Panajot Pano dhe të tjerë. Më vonë, erdhi një lojtar i mirë si Agustin Kola, i cili u bë emblemë për Tiranën  dhe u bëra me 17 Nëntorin. Edhe jashtë shtetit ku ka  futbollistë  të mirë atë skuadër pëlqej. Sot jam me Romën sepse aty luan Francesko Totti.

Cila shkollë futbolli ju ka bërë për vete?

Përjetësisht ka qenë dhe do jetë Brazili, më i miri.

Ju folët në fillim të intervistës  për  librin. Libri është transmetimi i gjithë  historisë njerëzore. Ç’vend  zë  libri aktualisht tek Ahmet Shqarri?

Unë  lexoj shumë. Jam si adoleshentët. Shikoj në orët e vona të natës filma, por librin nuk e heq kurrë nga dora, pra  nuk ka ditë që të mos lexoj një faqe libër.

Kujt i kushton më shumë rëndësi  librit apo gazetës?

Gjatë ditës  përpiqem që të lexoj opinionet e gazetarëve më në zë që janë sot në  treg, por kam interes sidomos kur ka problematikë. Ndërsa librin, siç ju thashë e kam të pandarë.
Duke folur  për  sportistët më të mirë të të gjitha kohërave kë do të veçonte Ahmet  Shqarri?
Në futboll, Maradona. Në  Shqipëri  më ka pëlqyer Agim Fagu me  basketbollin e tij të jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm. Ai  ka shënuar 48 pikë në një ndeshje, aq  sa shënon sot në NBA Koby Bryan. 48 pikë kampiones së Italisë, këtë gjë e ka bërë në një ndeshje në fund të  vitit 1968, Agim Fagu sportist i shekullit në Shqipëri! Ai duhet të ishte sot një një nga drejtuesit e sportit shqiptar në vend të disa njerëzve anonim. Siç nderon Ukrahina Sergei Bubkën rekordmenin  fenomenal të kërcimit me shkop  që edhe pse nuk është më sportist ishte në parakalimin e Ukrainës në lojërat e Pekinit, ashtu duhet të nderohen në Shqipëri njerëzit e vlerave të vërteta si Agim Fagu…

Kjo famë e juaja, ky personalitet që keni krijuar, mendoni se mund t’i kishte shërbyer politikës në ditët e sotme?

Para disa vitesh më  kanë propozuar nga të dy krahët, edhe PD edhe PS  që të bëhesha  deputet i tyre. Bëra shumë mirë që nuk pranova. I falenderova për respektin. Që të  bëhesh politikan nuk duhet të  kesh emrin e Ahmet Shqarrit. Më duket se të jesh politikan duhet të kesh disa cilësi që nuk i kanë njerëzit e zakonshëm, sidomos të ndershmit…

Në shoqërinë e sotme shqiptare, cila është  arsyeja  që ju bën të ndiheni keq?

Mosmirënjohja. Mosmirënjohja është plaga më e madhe  që mund të ketë një njeri mbi vete.

Ç’është familja për ju?

-Familja është gjithçka. Ndjehem mirë që kam një grua që ka personalitetin e vet. Ajo dhe dy vajzat (që janë diplomuar jashtë vendit) më kanë ndihmuar shumë me qëndrimin pozitiv ndaj punës time. Ime shoqe është përkthyese dhe thonë se është nga më të mirat e anglishtes. Në  pesë  vitet e fundit, Ëngjëllushe Shqarri ka punuar në Tribunalin e Hagës. Ndërkohë, gjatë viteve të demokracisë ka qenë shumë e angazhuar me punë të ndryshme, ku ka përkthyer pothuajse të gjitha bisedat nëpër takimet më të rëndësishme të personaliteteve të botës  si Klinton, Toni Bler, Madeline Olbrait etj., me  personalitete të larta shqiptare, (si në Samitin  e Sarajevës, në  Këshillin e Europës  në Strasburg, Bruksel, etj).

A mendoni se femra shqiptare ka zënë pozicionin e  duhur sot në jetë?

Gruaja  shqiptare sot është emancipuar me të vërtetë, megjithëse politika shqiptare nuk i ka lënë hapësirat e duhura.

Ndonjë kuriozitet nga transmetimi i parë i një ndeshje futbolli në botë?

Transmetimi i parë  i një ndeshje sportive është bërë në  vitin 1927 në Angli. Ndërsa në Shqipëri është bërë në  vitin 1938. Ishte Anton Mazreku, ai që transmetoi një ndeshje  ndërkombëtare në Shallvare, ku sot është Parku Rinia. Ishte momenti kur po inagurohej Radio Tirana. Anton Mazreku është pionieri i transmetimeve sportive në radion shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora