E shtune, 27.04.2024, 12:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Llemadeo: Jetojmë në kohën e pseudove

E hene, 15.09.2008, 07:02 PM


Llemadeo

Jetojmë në kohën e pseudove

Letra e fundit

Novelë

E dashur, nuk dua aspak të të lodh me këto letrat e mia, por edhe një herë, vetëm edhe këtë herë, të lutëm’ më lexo, më dëgjo, ma ndjejë këtë ah-un e dhëmbjeve që smë lënë as të rri e as te shkoj, as të hesht e as të bërtas, as të flas e as të dëgjoj. Që smë lënë të bëj gjë tjetër, përveçse që të shkruaj ty, ty që aq shumë të dua. Ndërsa duke tu lutur që të më lexosh serish, po them, që kjo është letra e fundit!

E di se të kam munduar aq shumë nëpër gjithë shekujt e dashurisë timë’ për ty…, por ja që skisha si të bëja ndryshe, përveçse të të sillja aq mundime, me gjithë shpërthimet e mia të herë mbas’ hershme, të kohë mbas’ koshme…sa herë e aq herë kur më helmuan, me ndoqën, më rrahën, më vranë' e më hodhën jashtë mureve të shpirtligësisë së tyre…ata që tashmë ti’ ua di dhe emrat, emrat që nuk meritojnë të u përmëndën fare!

E di se ishte e vetmja gjë që ti nuk e pëlqeje tek unë, ose më mirë të them; e vetmja gjë që ty të shqetësonte, brënda hapsirës midis meje e teje. E ai ishte rrebelimi im, sa herë që unë nuk i leja të qetë ata. Ata’ të cilëve’ nuk po ua përmend as emrin e tyre të përgjithshëm…sepse janë aq të liq, aq të shëmtuar, aq të fshehtë…aq shumë aq-e’ në sensin negativ të të gjithkuptimit që ka emri i tyre, saqë po ta përdorja që në fillim të ksajë letre atë emër, mund edha të ta largonte dëshirën për të më lexuar deri në fund…!

Por ti tashmë e din se për cilët e kam fjalën, pasi është e vetmja gjallesë në planetin tonë e cila përfaqëson anën më negative të gjithë ekzistencës poshtqiellore.

E pikërisht, sa herë që unë i zbulova ata dhe i bëra që të u dukën kurrizet dredharake në fushë të hapur, duke ua mbyllur çdo vrimë, ku të mos kenë më mundësi të fshihën…, ti më thërrisje nga larg me klithmën tënde aq të thellë e të dhimbshme, duke më thënë: 

„Shpirto, çfarë po bën ashtu, nuk e shikon se ata janë shumë dhe mund të të kafshojnë, mund të të vrasin me helmin e tyre, largohu prej tyre’ pash nji Zot!“.

Nuk më harrohen asnjëherë fjalët e tua’ nëpër të thirruart e gjithkohëve. Ndoshta ishte ai zëri yt, që shpesh më ndalojë të kacafytëm me ta. Ndërsa i bëri ata që të kthehen gjirizave të tyre të errta, për të u rifshehur...nëpër llapërçitjet kundërmuse, gjithë erë poshtërsishë e pabesishë, dredhishë e skenaresh qellimzeza, në ato skuta ku ata riprodhojnë helmin e tyre të ri, me të cilin do të vrisnin sërish, e nëse jo mua, ata do të vrisnin të tjerë, pasi lakunisht’ vesi i genit të tyre i bën të jenë gjithnjë vetëm helmonjës, vrasës.

Ndërsa unë, në natën e radhes’ i shikoja në ëndërr tek më sulesh me gjithë shemtirën që ata kanë, ashtu të lidhur përdredhueshem e bisht më bisht…, gjuheshin nëpër mesnata nga kontinenti në kontinent, nga shteti në shtet, me emrin tim nëpër gojë…, duke bërë plane të reja; se ku të më gjenin të vetëm, se ku të më rrethonin, që ta kishin më të lehtë për të më ngulur dhëmbët e tyre, me helmin më të fortë…

Ata e planifikonin gjithnjë atë gjë; që të më gjenin të vetëm, por asnjëherë nuk guxuan të më dilnin përballë, edhe pse unë gjëndëm kudo, duke ecur udhëve të kohës, nëpër gjithë hapsirat ndërplanetare…

***

E dashur, mos ma vej re këtë stërgjatje timen në këtë letër, pasi të thashë që kjo është letra e fundit e këtij lloji dhe dua të të them më shumë se asnjëherë tjetër, më shumë se më parë.

Unë ta njoh mirë zemrën dhe atë shpirtin tënd të bukur. E di se ti asnjëherë nuk ke vrarë as dhe një Grerëz, e jo më nga ato shëmtira, për të cilat të kam treguar aq herë, se sa të rrezikshem janë.

E kujtoj gjithnjë atë thënien tënde hyjnore, kur më thoje’ frymë më frymë…:

-“Po me të mirë more zemër, me të mirë, çdo gjë kalohet me të mirë!”.

E si mund të merrën me të mirë gjarprinjtë o shpirt i bukur?!

Ah`, ja ku më doli tashmë emri i tyre në këtë letër, ja që nuk e fshihkam dot gjatë atë emër të tyre të shemtuar, pa e kujtuar, por nuk nuk shkoka ndryshe rrjedha e kësajë letre, ashtu që le të qëndrojnë ajo fjalë, ai emër i asajë gjallese aq vrasëse, së cilës i ngjajnë aq shumë ata.

***

Ata! Eh, ata, apo këta! Sa çuditshëm u rritkërka i ligu kur e heq lëkurën e gjarprit dhe niset nëpër turmën njerzore, duke paraqitur gjithnjë fytyrën e e pseudo-njeriut, ndërsa në anën tjetër duke helmuar, duke vrarë e plaçkitur viktimat që ai shkakton, rrëshqet drejt pasurisë dhe pushtetit të lig.

E heqkërka lëkuren e gjarprit pseudonjeriu dhe arrinë që më rrëshqitje… nëpër ferrishtet e kohës, të bëhet i pasur, të bëhet me prona e pasuri pa fund, të ngrihet „lart“, ose të vetquhet i madh, të krijojë korin e vet personal, ushtrinë e vet prej grerëzash, prej merimangash…, te krijojë sherbëtorët si: gazetarucët e vet, bodigarducët e vet, me të cilët ai mund të rrahë, mund të helmojë dhe të vrasë, mund të zhdukë cilindo që e rrezikon ta zbulojë skenarin e ti të zi. Ashtu ai mund të shesë e të blejë çdo gjë; të moralshme e të pa moralshme, si dhe të prostituojë çdo gjë, deri dhe bijat e fisit të vet…!

E si për ironi të kohës, në të cilën ai lloj pseudonjeriu vepron, arrin të bëhet „biznesmen“, del dhe në tribuna, mban dhe fjalime ku bën dhe moral të tjerve, krijon dhe shoqata apo parti, me të cilat është i gatshëm për çdo lloj kualicioni, vetëm e vetem që të marrë pak pushtet, vetëm pak... Por ai lloj pseudnjeriu, ka kurajon që me paratë që ka vjedhur’ të dalë dhe të japë lëmoshë të mjerve, të falë ndonjë të varfëri gjësend, sigurisht para kamrave të televizorit, ose me gazetarucin privat me vete, i cili nuk përton të shkruajë faqe të tëra mashtrimesh e lavdrimesh, duke i krahasuar me Mesinë, apo duke i vënë ata tipa, përmbi çdo huamn të deri sotëm të të gjithë botës!

Ndërsa Tutorët e tyre, ruajnë poshtë dritareve të bordellove’ se mos të mjerat e rrëmbyera, të mashtruara, të përdhunuara…se mos kërcejnë nga dritaret dhe i dorzohen policisë më të afërt…

***

Polici…! Ah, e lëmë këtë term, pasi lloji i pseudonjeriut që ka hequr lekurën e gjarprit’ vishet dhe polic! Po! Po! Bëhet dhe ministër, se deputet po e po, por ndodh që bëhet dhe kryeminister apo president, ku atëherë nuk ndodh gjë tjetër në atë vënd, përveçse ajo që; gjarprinjtë nuk lodhën fare për të hequr lëkurat…!

Lekurën e gjarpit e kanë veshur aq shumë sot, saqë ka hyrë deri edhe brënda familjes, ai ves i shëmtuar i plaçkitjes, i vjedhjes, i përfitimit të pameritueshëm dhe e ka bërë edhe vëllain të lig në shpirt! Ku dhe ai, për një një grusht para…, për një përfitim të zi në kurriz të të vëllait, për një rrip tokë, e veshë lëkurën e gjarprit’ paturpsisht dhe ja drejton armën e helmit’ deri edhe vellait të vet’ ku me gjakftohtësinë më çnjerzore i ngren skenare helmonjëse, vrasësë’ duke e lënë viktimë për vite të tëra, viktimë të lojës së tij mafjoze, të përfitimit me çdo kusht.

E kur ajo gjë e shmëtuar ndodh dhe në mes vllezërve, nuk mund të flitet gjë tjetër për më larg, ku tashmë, ska më miq që mund të të afrohen sinqerisht e thjeshtë në emër të dashurisë dhe nderimit njerzor, përveçse të përfitojnë diçka, apo të të mashtrojnë që të vihesh në lojën e tyre gjarpëruese, të rrëshqitjeve nëpër shoqërinë njerzore, duke luajtur me jetët e të tjerve!

***

Jetojmë në kohën e pseudonjeriut, në kohën kur kriminelët që vranë e shtypën për dekada me radhë, ku u bënë pjesë e krimit masiv ndaj një populli, hoqën lëkuart e gjarpërinjëve dhe na shiten për Ëngjëj, na shiten për human, na shiten për të drejtë, për të vërtetë, cka nuk mund të ndodhë kurrë!

Nuk mund të ndodhë, sepse gjarpri është krijuar si shënjë e së ligës në tokë dhe ai ka helmuar e vrarë gjithmonë dhe atë do ta bëjë gjithnjë!

Ndërsa unë, pikërisht kundër gjarprinjëve të tillë kam luftuar dhe do të luftoj gjithnjë, edhe pse kjo ty aq shumë të ka munduar, aq shumë të ka mërzitur, pasi ti nuk doje asnjëherë që të rrezikoje, nuk doje asnjëherë që të jetoje me frikën e të përndjekurit. Por doje të jetoje e qetë, e lirë’ gjithnjë me mua, nëpër udhët e ëndrrave, nëpër lendinat e paqta, nëpër kështjellat ku Grimët shkruan prrallat më të bukura…

***

E si mund të quhen hajdutët, përdhunuesit, vrasësit, thjeshtë;“Të korruptuar“, ashtu siç i cilson rëndomtë kryepari i vëndit?!

Unë nuk do ti bëja thirrje popullit nga pozicioni i kryeministrit, që populli të mos japë para atyre llojeve të pseudove që janë në karriget e zyrave të shtetit, sa herë që njerëzit e thjeshtë trokasin nëpër ato zyra për ndonjë hall, për ndonjë dokument, për të cilat ata zyrtarë i tallin e i torturojnë aq gjatë, derisa hallexhinjtë janë të detyruar të japin edhe kafshatën e tyre të fundit!

Por me ligjin më të parë, do të i detyroja të gjithë karrikexhinjtë e vëndit, që të xhvisheshin nga pandershmëria e tyre, të lanin mëkatet e së kaluarës dhe të testoheshin për ndershmërinë njerzore e intelektuale të së ardhmes!

Mirpo fatkeqsisht, moj e mira ime, kryepari i vëndit fajson sërish popullin për gjithë korruptimin e shtetit, të të gjithë zyrtarve që ai drejton! Pra ai bën të njëjtën gjë’ siç bënë historikisht’ të pa aftët apo të korruptuarit me të ligën!

Populli! Kjo fjalë e çuditshme, e lashtë sa vetë koha, ky emër simbol i çdo mase kombëtare të çdo kombi. Emër, me të cilin aq shumë u abuzua! Emër për të cilin aq shumë u vranë! Aq shumë u vodh, u mashtrua, u shtyp e u sakatua duke përfituar pikërisht nga ai emër!

Ndersa  serish, të korruptuarit, pseudotë e zyrtarizuar dhe të pushtetizuar, vazhdojnë të fajsojnë popullin, qoftë edhe për korrupsionin më të ri të pushtetarve!

***

E dashur, e kam të qartë tashmë se u zgjata në këtë letër, me ca fjalë e pjesëza, që nuk i shkojnë aspak brendisë së letrës që i shkruhet një të dashure, e aq më pak’ ty!

Por çtë bëj, kur ndihem aq i vrarë në shpirt, aq i mërzitur, pasi konstatoj që servilizmi mbreteron çastin, maskon të ligun, vret kohën, sakaton çdo gje, duke ua lënë në dorë pseudove që kanë hequr lekurat e regjura… krimeve të së kaluarës.

A nuk më ke thënë vetë; që sa herë që të ndihem i mërzitur; të të shkruaj letra?!

Pra ja ku të shkruajta sërish diçka dhe shumeçka, për atë që më ka bërë dhe më bën të vuaj aq shpesh!

E di tashmë se ty nuk të pëlqen që unë të përleshem si më parë me pseudonjeriun që abuzon me punën dhe mundin e të tjerve, që çthuret mbas veseve antinjerzore dhe helmon çdo ditë njeriun, vret jetën e të tjerve, vetëm për të përfituar vetë diçka. Aty ku krijon grupe grindavecësh, krijon shoqata apo parti me lekë të pista dhe depërton nëpër kohën e lodhur për të marrë pushtet, pra me pseudotë e çdo lloji, që tentojnë të vjedhin famë pameritueshem.

Ata që tashmë kanë zënë vënd në çdo cep’ udhe për nga kalon kalvari i mundimeve të të gjithë njerzve të vërtetë, të lodhur nga lufta e mafjozëve të cilët e emrojnë si „Tranzicion“ kohën, në të cilën’ dhe kur ata vjedhin e shtypin masën e vuajtur! Shtypin të gjithë ata që drejtsinë e kanë parim shpirtror të jetës dhe jetesës!

Pra unë sërish të them; që nëse ty nuk të pëlqen që unë të përleshëm akoma me ato lloje psëudoshë; lekurë-gjarpër, sigurisht që për të të qetësuar ty’ do të mundohesha të mos e bëja!

Por ti duhet të më kuptosh, sepse unë atë e kam bërë dhe e bëj vetëm për hirin tënd, vetëm sepse të dua ty! Të dua të lire, të gëzuar dhe të lumtur,  në atë liri ku njeriu nuk ndihet i kërcnuar nga çdo lloj korruptimi, nga çdo lloj pasigurie!

A nuk e ke vënë re; që sa herë ke shkuar në zyrat e vëndit dhe je ndodhur përballë zyrtarve, se si ata ti kanë lëshuar shikimet e babëzitura, duke u ngritur në këmbë dhe duke të ardhur rreth’ duke të të matur me sy bukuritë e trupit tënd…, për të mundur që të thithnin sado pak aromën tënde…dhe në fund për të të futur në dorë… nëpërmejt vulës, apo mohimit të së drejtës tënde që të ka takuar…?!

A smë kë thënë që je ndjerë aq herë’ keq, në rrethana të tilla, kur guximi shtazarak  i zyrtarve, arrinte të prekte dhe butësine e palës së flokëve të tu…!

Ndërsa ti fluturoje jashtë e përskuqur dhe vije me vrap pa pushuar’ gjer tek une. Dhe ashtu me lot në sy me tregoje’ me atë urrejtjen që ti ndjeje për ata!

A nuk i ke dëgjuar aq herë ankimet e studenteve; se si të ashtuquajturit „profesorë“ i fusnin në dorë’ dhunshëm, vetëm për një notë?!

Apo të bukurat sekretare të zyrave…, që nga poshtë e deri lart…duruan e heshtën dhe durojnë, përballë kundërmimit të erëve të rënda të gojëve të dhunuesve të tyre. Të gjorat ato, që durojnë akoma, për hir të një vëndi pune apo për pak karierë…

***

Sigurisht që tani ndihesh e lodhur nga gjithë këto që të shkruajta, por serish ta them, si gjithnjë; se përmbi çdo fjalë dhe mbi çdo gjë tjetër, qëndron dashuria ime për ty! Ajo dashuri, që për hir të së cilës unë vuaj aq shumë, aq sa deri edhe gjerat më të thjeshta dua që ti bëj të përsosura. Dua që çdo gjë, kudo ku ti i lëshon sytë e bukur, çdo gjë për çka ti ke nevojë, çdo pjesë e jotja nën dritën e diellit apo hijet e majave… dua që të jetë e përsosur, e përkryer,  në gjithë qetësinë dhe lirshmërine e arritjes së realizimit!

Tani serish e përseris; se kjo ishte letra e fundit, ndaj të shkruajta gjatë dhe disi me nota mërzie. Por ti e kupton tashmë se çfarë më mundon dhe më bën aq të vuaj! Pra nuk është vetëm kjo largësi që na ndan, por gjithë frikërat që ndjej për ty, gjithë shpresat e vrara se mos ty të ndodh gjësend, nga ato të ligat më të liga… që do të më lëndonte shumë, ndoshta do të më bënte të jem ndryshe me këtë botë kaq të ligë, që ushqen dhe fsheh aq shumë gjarprinjë…nëpër kohën e pseudo-njeriut!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora