E shtune, 27.04.2024, 08:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhelal Ademi: Copëza imagjinate atdhedashurisht të motivuara të poetit kërçovar Qazim Rrushajt

E hene, 15.09.2008, 06:14 PM


Qazim Rrushaj
Copëza imagjinate atdhedashurisht të motivuara të poetit kërçovar Qazim Rrushajt

“Kompozicioni heretik i mendimeve të bëra në linjën nostalgjike çon tek të lexuarit mes rrjeshtash ku e pathënja ia beh vrullshëm heraherësh aq e tejdukshme sa që duket si të afrohet nga një qiell ëndrrimtar imagjinate”.

Nga Profesor Xhelal Ademi

Kjo ngjet me vëllimin Poetika e një mesoburri të poetit Qazim Rrushaj. Është gjëma që ngërthen zigzaket në paradoksin kohor dhe hapsinor. Poeti i mërguar këtu e tridhjetë vjet më parë bart në vete nostalgjinë e bëshme dhe e ruan tepër të çiltër ku mjegullnaja ndarëse duket të mos ketë hyrë mes dy botërave të largëta ideoemocionale. Ato sakaq evoluojnë të afrueshme sa që heraherës puqen ndër vajtjeardhjet mendore nga skajet e largëta të kontinenteve. Poeti qëkurse shpuri veten në arrati barti tutje një pjesë të dheut, të së shkuarës, të jetës.
Ai do të arratisej për shkasin e shmangëjes nga kazamatet sllave mbase njëherë i pati provuar duke zbritur katakombeve me ndnjenjën e papërkulshmërisë dhe kundërshtisë. Ndaj kur do hedh prangat përtokë më së fundi do të hedhë dhe ca hapa përtej kufirit.
Atëbotë ai nuk ka të ngjarë të ketë menduar se ato hapa të ngutshëm do ta shpiejnë në më se tri dekada ndarjeje nga vendlindja. Megjithë këtë kjo ngjau. Mëpas s’reshën së hedhuri ecejaket nëpër botë ku më vonë më se e pritshme do të pasojë shpërthimi i vullkanit zjarrmor, fluskat e të cilit janë poezitë e mallit të pashuar për vendlindjen, për atdheun për popullin e tij. Ndjeshmëria e thellë e autorit rëndomë ka hapat e drejtuar kah ajo.
Ndaj ky vëllim poetik i dyti me rradhë veneron në thellësi të gjërave magjike që të joshin me impresionitetin aktiv (veprues) e të gjallë sikundër është vetë bota e tij imagjinare.

Poeti Q. Rrushaj iu fut kësaj bote gjithë nostalgji e cila si e tillë zuri ta vërshojë nga çdo kënd i terrët që me të ikur vitet rinore të cilët ia shembi behtas rrufeja karpariane përderisa ai shtrëngonte ditarin në dorë si arsimtar i gjuhës frenge në qytezën e Zajazit.

Pas daljes nga burgu ai do të arratiset përtej kufijve të atdheut. Megjithë këtë, për më se tridhjet vjet do të bart copëzat e tija ndër copëza imagjinate përherë të kthjellta e të motivuara atdhedashu- risht, ndaj në poezinë Tokës vërejmë këtë:

Ne jemi njëmend një britmë e lashtë
Kurdisur në çdo anë të këtij planeti...

Format e afrimit drejt kësaj thënjeje mbajnë labirinthe të shumta. Arti poetik ngritet përmes britmës së largët pellazgo-burrane-ilire dhe derdhet tek përceptimi i përgjithësuar i botës së sotme shqiptare. Metonimet për kohën sillen përmes britmës që poeti mbase e ndjen thellë në vetvete ajo vjen poaq e zëshme nga lashtësia për ç’gjë ai bëhet vetëm një urëkalues i saj që afron kohët, zhurmët, heshtjet... Heraheras i ndan ato për aq sa të shembëllejnë në ndërthurjen e kuptimit filizofik:

Një urë mbi lumë është keqhedhur
Si zhivë e hollë dhe e gjatë zjarrmie
Që lidh e shpërndanë brigjet e zhurmëve
Me ato të heshtësive...

Ura imagjinative e keqhedhur mbi brigjet e zhurmave dhe heshtjeve, ky modifikim reciprok i dy kundërshtive të skajshme sajohet enkas për të zgjuar heshtjet e për të thyer zhurmët që do të thotë për t’i afruar ato.
Për t’i bërë të kapshme, të njëllojta. Lumi i ndarjes dhe ura e keqhedhur sipër tij, domethënë imagjinata si personifikim i së njëjtës ngjallë metaforën e ribashkimit të skajshmërive dhe vënjes së tyre në tablon e paqtë të jetës mbase që nga dheu amerikan e deri në atdhé dosdo të ketë urëlidhje brigjesh sepse më së fundi pa të poeti nuk rron dot.

Ai këtë urë imagjinative e ushqeu më se tri dekada shpirtërisht. Kjo bën që ai të mos humbasë përmbrenda botës reale të përrethshme e kotmëkot të harrohet në një qoshe të saj. Ndaj sentenca tek poezia Flakada e lirisë thotë këtë:

Era e këndshme vjen prej atje ku të lashë
Atdhé!
Edhepse larg teje të nuhas Mëmëdhé
Thjeshtësinë!

Gjithherë nga bregu vetprojektues kthen soditjen drejt atdheut i cili është dhuntuesi magjik i frymëmarrjeve. Ndonëse me shumësi ideshë këtu shthuret në detaje mendimi poetik enkas për tu bërë i kapshëm nga gjithësecili. Diksioni poetik i qënmdrueshëm përmban emocionalitetin real të vargut pothuaj prozaik.

Reflekset e realitetit përputhen me meditacionin në horizontin e gjërë të ndnjenjave. Metafora që nuk vizualizohet paraqet ardhjen e rëndomtë të flladit që ndoshta vërtetë ka bërë atë udhë qiellrash e ndnjenjash dhe shfaqet nën ato variacione të këndshme saqë bën që poeti Q. Rrushaj për ca momente të ndjehet i privilegjuar. Mbase së paku ajo korrespondon paralelisht si urëlidhje. Ajo është vetë mesazhi me referencat e botëkuptimet për jetën vetmitare.
Ajo erë e këndshme do të bartë me vete refleksin intim megjithkëtë nuk do të racionalizojë gjërat.
Përsa herë që të rishfaqet do t’i sjellë nga atdheu konceptin e një ndnjenje e të një zjarri shpirtëror. Do tia bëjë të afrueshëm atdheun, heronjtë, gjësendet.
Në këtë kontest ka të ngjarë poeti të kapet mbas frymëzimit. E ai shkon gjithherë në pastërtinë e qenjës njerëzore si në rastin tek poezia: Zjarrmia e një jete, kushtuar Nënë Terezës, ku mes të tjerave do të thotë:

Ajo është një qenjë shtatshkurtër
E kërrusur e rrudhur bojë esmere.
Por nga qëndrimet e saja plot dashuri
Me buzëqeshjet përzemrore serioze
Të bën që ta duash aq shumë.

Padyshim këtu realizimi poetik ngërthen univerzalizimin egzisten- cial që në më shumë raste poeti e nxjerr nga kënde të ndryshme nëpër të gjithë vëllimin. Andaj me të soditur gjendjen sipërfaqësore të ngjan se vizioi [shiqimi] i mendimit nuk veneron thellësive megjithkëtë prapa vrojtimit të botës sipërfaqësore ngritet barometri akspresiv dhe sakaq përqaf realitetin meditativ.
Prirja e poetit të lë në kontakt me vetveten përbri hulumtimit të së jashtmes bëhet enkas për të afruar dy botëra diametralisht të kundërta në atë univerzalen, në magjiken, në të padukshem dhe më së fundi në realen.

Qazim Rrushaj me ligjërimin poetik të tij tek Poetika e një mesoburri në më shumë raste unifikon një vargëzim poezishë të së njëjtës teme. Korrespondimi tematik mes tyre nuk e banalizon të thënmen mbase kthjelltësia mendore e thyen mitin e ndërlidhjes dhe atë të ngjashmërisë si tek: Ç’mësojmë nga nëna, bija e Shkupit legjendar, rinia e hershme etj. Subjektet pësojnë bredhje saqë dridhjet e tyre shkriftojnë modifikimet e përmbrendshme.
Kjo ngjet edhe tek poezitë kushtuar Dr. Hasan Kaleshit, që bëjnë një vargëzim mjaft të hetueshëm në këtë vëllim. Njëherit këtu poeti nis monologun si një refleksi meditativ dhe zbret kohët rradhazi nën një gradacion të ndjeshëm përmes të bëmave të profesor Kaleshit. I numëron ato përpikmërisht si ta bëjë këtë sipër varrit të tij.
Në këtë rast heshtet gjithçka e përrthishme imagjinata depërton poreve të jetës dhe venerohet gjer në skajshmëri. Poeti vazhdon ti këndojë lavde nën ritëm të përshpejtuar. E kur nuk merr dot shpjegime kthyese nga faktorët fiksues duket aq i rrebeluar saqë me një rast dhe do të shpërthejë:
Sikur t’isha në Kosovë
me forcën time të shpirtit
do t’ju varrosja në Uskanë (Dushkanë)
Ajo ishte vendlindja – djepi stërgjyshor.
Kjo ngjet në poezinë Trualli i shkjaut nuk të kalb. Është shtytja e një revolte që me ngulm i detyrohet dhëmbjes që ai vë përballë ndnjenjës që deshifrohet në thjeshtmëri dhe atë e ilustron pa far kompliciteti.
Këtë e çthurë pa përdorur far eklipsiteti përbri varrit që nuk e vëren dot.
Ai do të hapte një varr të ravijëzuar tek fuqia e shpirtit më parë se të qenët vërtetë egzistent. Këtë do e bënte i shtyrë nga motivi intelektual dhe emocional. E emocione të tilla poeti do të bartë gjatë gjithë vëllimit siç e ka bërë zakon ti bartë dhe në jetë.
Kështu Poetika e një mesoburri objekt lëvrues të këngëtimit ka nostalgjinë zjarrmore dhe atdhedashurinë, ku rezonon përkushtimi ndaj figurave eminente kombëtare ku zënë vend vargje meditative të komponuara me frymën e qenjës njerëzore përbri botës absurde.
Poeti Q. Rrushaj din ta bëjë këtë mjeshtërisht. Ai asfare nuk ngushtëson hapsirën vepruese mbase din të vëhet përballë detrave të rrëmujshëm në fragmentet kohore të egzistencializmit.

Botuar në revistën letrare “Mugullimi” në Kërçovë 2002



(Vota: 39 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora