E shtune, 27.04.2024, 06:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Koçi Petriti: Marrëdhëniet e Martin Camajt me poezinë e Kosovës

E marte, 16.09.2008, 12:40 PM


Martin Camaj
Marrëdhëniet e Martin Camajt me poezinë e Kosovës  
 
Nga Dr. Koçi Petriti

Jam mbështetur në një thënie të Sartrit, kur kam trajtuar “Botën poetike”: Artisti jo se ka pasione më të pasura, apo më të shumëllojshme se të tjerët, por pasionet e tij (që janë ndofta origjina e temave që ai ka stisur), duke u materializuar në nota (në figurë poetike), kanë pësuar një transubstancion”.

Ky term i kultit kristian, që ka të bëjë me besimin e shndërrimit të bukës dhe të verës në trup dhe gjak të Krishtit, na ndihmon të gjykojmë edhe mbi lëndën dhe mënyrën e shndërrimit të saj në vepër poetike. Sigmund Freud-i, në “Interpretimi i ëndrrave”, vepra themelore e tij, procesit të shndërrimit të ndijimeve në imazhe onirike (ëndërrore), i jep edhe një emër të veçantë: “transubstancion” i ndijimeve në imazhe onirike, që na duket i përafërt me procesin e shndërrimit të përjetimeve të poetit në imazhe poetike. Kështu, pasioni poetik (ide-pasioni) lëndën (bukën dhe verën) e ka jetësuar në “trup dhe gjak të Krishtit”, pra, e ka bërë vepër poetike. Zoti krijoi Krishtin mesazhier. Poeti krijon veprën mesazhiere. Mesazhi i veprës së poetit hyjnor është si mesazhi i Krishtit, si te “Vdekja e Nositit”, “Pasqyrat e Narçizit”, “Dranja”, “Gjëma e mëkatit”. Lënda (buka dhe vera) mund të jetë e përbashkët midis një grupi krijuesish, por bëhet e veçantë sipas ide-pasionit të secilit poet, siç është p.sh. e përbashkët lënda e historisë tragjike të Kosovës, që shndërrohet në poezi, sipas këndvështrimit dhe stilit të veçantë të Azem Shkrelit, Din Mehmetit, Fahredin Gungës, Rrahman Dedajt, Beqir Musliut, Ali Podrimes dhe gjithë krijuesve të shquar të andej Drinit.
* * *
Kur ndikohej Martin Camaj nga poezia e Montales dhe e Ungaretit, ndërsa ajo që lëvrohej në Shqipëri prej asaj sllavo-lindore të realizmit socialist, poezia e re kosovare përthithte vitalitetin e vargut të Camajt, përmes dy librave, botuar në Prishtinë, të panjohur për ne letrarët e këtej Drinit. Është thënë për Camajn se “ai ushtroi ndikim te disa poetë, kryesisht të rinj, si Din Mehmeti, Azem Shkreli etj...”. Por është thënë edhe se “ky ndikim ishte i dëmshëm dhe negativ në rrafshin e tematikës dhe të ndjeshmërisë, ndërsa në atë të gjuhës dhe të vargut, i dobishëm dhe pozitiv”. Po cili ishte ky “rrafsh i tematikës dhe i ndjeshmërisë”, që ndikimi i Camajt na qenka i dëmshëm dhe negativ”? Është fjala për librin “Kanga e vërrinit” (1954), që përshkohej edhe nga tematika dhe fryma e vdekjes, sikundër dhe e stoicizmit, të huaja dhe në kundërshtim me karakteristikat triumfaliste të letërsisë së heroit skematik. Camaj kundërvihej me poezinë ekspresioniste “Rrashta” dhe “Vetëvrasësi”, ku njeriu në dialog me një kafkë shprehet me lutjen e saj: “Udhtar, ki mëshirë për ne/ mbi krye na qit pak dhe!” Dhe i zien truri si metal i shkrirë në dilemën për vetëvrasje, duke dëshiruar shpërbërjen e tij. Libri ishte në kundërvënie me vjershërimin entuziast: “...porse dona/ ta shkojmë jetën si n’Rusi”; “se na msove me ide t’re,/ me ide t’Lenin-Stalinit”. Prandaj ndikimi i Camajt cilësohej i dëmshëm dhe negativ. Ndërkohë superioriteti i tij ecte në rrjedhë drinore të Mjedës, Lasgushit, Nolit dhe Migjenit. Në këtë rrjedhë shpalosej një talent i veçantë, për të krijuar legjenda të reja të Drinit e të botës shqiptare, sipas një koncepti të ri, ku miti, legjenda, përralla dhe magjia i japin krijimit fillin endës të një kulture mijëvjeçare, ku ylberojnë ngjyrime të freskëta dhe origjinale, siç do të shprehej Mateo Mandala.
* * *
Modeli i lirikës dhe i legjendës i trajtuar edhe nga poetë modernë të parapëlqyer nga autori, si Ungareti, do të ketë begati zërash e ngjyrash, zogjsh e drurësh, jehonash e përfytyrimesh, shpellash e hapësirash, strofullash e rrokaqiellash, gjithnjë në funksion të njeriut tragjik shqiptar, që “rri njëqind vjet vetmi, nën hijen e korbit të zi”... Në këtë vazhdë synoi të ecë edhe poezia më cilësore kosovare, e orientuar drejt modernitetit të poezisë evropiane. Këtu duhet parë ndikimi i vërtetë i Camajt. Për shembull, që me librin e parë “Bulzat”, tek Shkreli ndihet Camaj, siç shënon edhe studiuesi A.Vinca në “Orët e poezisë”, që “A.Shkreli disiplinën e theksuar në zgjedhjen dhe përdorimin e mjeteve të shprehjes i ka trashëguar nga ‘mësuesi’ i tij-Martin Camaj”. Të dy autorët përafrohen nga poetika pothuaj të përbashkëta, ambiente të përbashkët, tema të përbashkëta. Me bjeshkë, vërrije, mrize e shullaje, tëbane e murana të njëllojta. Me ritme vargjesh të matur e me thyerje vargjesh e kombinime këmbësh ritmike të njëjta. Njerëzit e gjësendet e poetëve dukagjinas pothuaj janë të njëjtë. Gjeografia e bjeshkës dhe e vërrinit dhe rekuizita e jetës rustike pothuaj e njëjtë. Fjalori dhe dialekti i njëjtë. “Valle Rugove” ka poeti nga Dukagjini. “Valle e shkrepave” ka poeti i Rugovës nga Rrafshi i Dukagjinit. Vjersha e Camajt për vallen ka imazhin e shkrepave. Vjersha e Shkrelit për shkrepat ka imazhin e valleve. Bareshën Rushe e Zade, që ndryn epshet në gjoks, ka Shkreli. Bareshën Zade e Blegë ka Camaj, sikundër ka Mjeda Zogën e Migjeni Dilën. Dhe të katër janë vazhdë e njëri tjetrit:
1. Janë të katërt autorë të “Qarkut të Veriut”.
2. Të katër autorët kanë të përbashkët tekstin me ligjërim dialektor.
3. Të katër personazhet e katër teksteve janë i njëjti tip malësoreje.
4. Të katër tekstet kanë të përafërt detajin, pasazhin apo peizazhin e Dukagjinit dhe të Rrafshit të Dukagjinit.
5. Të katra bareshat kanë të njëjtë ëndërrimin dhe dëshirimin: Edhe Zoga e Mjedës, edhe Dila e Migjenit, edhe Zadja e Camajt, edhe Rusha e Shkrelit ndryjnë në vete ëndërrimin dhe dëshirimin, ndryjnë atë që thotë Freud-i: dëshirat seksuale. Këtë i thekson edhe studiuesi R. Qosja, Zogës së Mjedës: “Zhuritjen ndaj mashkullit, që i fanitet natë e ditë, zgjuar dhe në gjumë”. (Panteoni i rralluar”, fq.152)
Për të theksuar jo imitimin dhe ndikimin, por kontinuimin, po marr katër tekste, që kanë të katër korrëse me drapër: vajzë, kanë cucë, nuse, grua. Vajzën e Lasgushit e mbyt vetmia. Cuca e Mjedës, “n’ petka zi e n’ fytyrë terr, korr vetun, me hije t’vet qi mbrapa e merr”. Nusja e Shkrelit le draprin e sisë i jep ferishtes në djep buzë-are. Gruan e Camajt, tui korrë, fëmija e ndjek mbrapa. Këtu dalim te një problem: Jo aq të imitimit, jo aq të ndikimit, por të adhurimit për njëri-tjetrin. Dhe si rrjedhim të kontinuitetit. Ose dalim tek interteksti, që është prania e një teksti brenda tjetrit. Për ilustrim po marr dy vjersha të Ali Podrimes, një kushtuar Spahiut, një Camajt, të dyja thurur me shëmbëlltyra të “Dranjes”. “Guacka” e Podrimes udhëtoi e udhëtoi/ pastaj u hap në shuplakën e tij. “Edhe breshka e Camajt udhëtoi e udhëtoi nëpër tërë viset e përjetuara prej autorit dhe pastaj rrashtën e saj ai e mban në lëpizën e bibliotekës, si relike, si hajmali, si palimpsest, ku lexon vendlindjen. Podrimja e mban guaskën mbi tryezë mermeri, e dëgjon dhe ajo flet më shumë se një kohë, se një popull i sakatosur. Ç’botë e çuditshme vezullimesh!”. Camaj “i vë veshin kothrës së Dranjes për të ndigjue zane, klithmën e sirenave të gurueme etj.” Në vjershën e Podrimes kushtuar Camajt, ai atje në Evropë “nxjerr nga arka Atdheun (Dranjen) dhe e peshon në shuplakë, i vë veshin për të ndigjue trokun mes Drinit të Bardhë e të Zi”. Kështu që edhe imazhet, edhe simbolika edhe procedimet ndërtekstuale të poezive të Podrimes të çojnë tek tekste të Camajt.
* * *
Për të argumentuar, jo ndikimin, por kontinuitetin intertekstual, po sjellim edhe shembullin e similitudës së Drinit në poezinë kombëtare, ku Mjeda është superiori, Camaj zotëruesi, Lasgushi emblematiku dhe Podrimja finalizuesi. Ndërsa i pari (Adami) i kësaj similitude është Dara i Ri. Si e shndërron Gavril Dara Drinin që kalon përmes liqenit? Po Lasgushi e Mjeda, Camaj e Podrimja?. I pari në funksion të një skene lufte: Kalorësit e Skënderbeut çajnë mes hordhive osmane: “Ashtu si Drini i Zi në dimër që kalon përmes liqenit”. I dyti në funksion të një simboli gjeografik shqiptar që shenjëzon kalimin mes përmes në Shqipëri e që “shpreh dhimbjen për ndarjen e për bashkimin e dheut të shqiptarëve”. I treti në funksion të skenave të luftërave triumfuese të ilirëve kundër ushtrive greke dhe të luftërave të ilirëve kundra romakëve. Similituda e shkulmeve të Drinit është vërshimi ilir përballë “leprave t’Greqis”.
I katërti në funksion të shqiptarit që rri një shekull vetmi, nën hijen e korbit të zi, në funksion të dy vetmitarëve biblikë: të burrit këtej Drinit e gruas andej Drinit, “burrit të vramë vetmie e gruas picak në terr që lyp burrë e kallen pishat flakë”, ndërsa “rrinë dy korba mbi pyrg/ e një kqyr Drinin, tjetri malin”.
* * *
I pesti në funksion të etnisë, tragjikes dhe qëndresës së Kosovës. Emblemën e Drinit, Ali Podrimja e ka edhe në mbiemër edhe në poezi. E ka edhe në adhurimin për Camajn. Në librin “Hija e tokës”, (1971), ka katër poezi me Drin. Në vargjet e tyre, (ndonjë me pasazhe lasgushiane), rrjedh gjak Drini plak në udhëtimin e tij të pafund. Në një vjershë të pestë është krijuar harta e etnisë-Atdhe, siç thekson studiuesi B.Kuçuku, me numeracionin toponimik Tomorr-Pashtrik, Dodonë (Shqipëri-Kosovë-Çamëri). Poetët këtej e andej Drinit kanë pushtuar hapësira të përbashkëta. “Nyje t’i lidh Dri e Jon rreth Dheut!”- finalizon Podrimja. “O, leni lumenjtë të derdhen të gjithë në Adrie dhe në detin Jon!” - pasthirmon Camaj. Dhe gjithë fryma e poezisë është një mesazh, gati ungjillor, për prehje e paqe. Është zëri i një populli të tërë që lutet e përgjërohet ta lenë rehat në atë hapësirë që i ka caktuar natyra dhe Zoti. I mjafton lumi e deti i vet, lisi e ulliri, bjeshka e bardhë e Adriatiku me Jonin e kaltër, nën një çati me kulm nga pyjet e vet dhe prag nga gurët e maleve të vet. Para këmbëve të vashave e nën këmbët e bjeshkëve të bardha e ëndërron prehjen poeti. Kështu rrjedh poema drinore mbi tragjicitetin e trojeve nga të dy anët e Drinit plak. Dhe aty është, jo vetëm zëri i autorëve madhorë, që shtjelluam, por edhe i A. Shkrelit, që “ngutet Drinin me e xanë”. Edhe zëri i poezisë së Agim Vincës me buzëdrinasit. Edhe zëri i Vehbi Skënderit me “Vjershat dhe poemat e Drinit”, apo i Anton Paplekës dhe Agron Tufës, të mbramit që po këndon baladat tragjike të Drinit të Zi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora