E shtune, 27.04.2024, 10:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Sulejman Mato: Kur kisha kohë të lirë rrija me Kadarenë...

E merkure, 17.09.2008, 08:00 PM


Sulejman Mato
Sulejman Mato: Kur kisha kohë të lirë rrija  me Kadarenë. Ajo ka  qenë  një kohë e  bukur  krijuese  për  mua 

Në Berat u ngjiz “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” 

Nga Albert Zholi
 
Shumë shkrimtarë dhe poetë të spikatur shqiptarë në sistemin monist, zgjidhnin qytetin historik të Beratit për të bërë punën prodhuese në bazë, apo lejen e krijimtarisë. Qyeteti i 1000 dritareve, ndoshta u jepte relaksin dhe qetësinë për të  hedhur në letër veprat e tyre që lexohen me ëndje dhe sot. Një prej shkrimtarëve që qarkulloi në bazë në këtë qytet interesant në vitet 1960, ishte dhe Ismail Kadareja. Poeti Sulejman Mato në një bisedë, na sjell një pjesë të jetës dhe miqësisë me Kadarenë në këto vite kaq të lakuara.

Në sistemin monist krijuesve rallëherë u takonte të shkonin në vendet e dëshiruara. Pas  përfundimit të studimeve ku u  emërua  Sulejmani?

Unë  u emërova në Berat, pasi e kërkova vetë këtë qytet, pasi në Sarandë (vendlindja ime) nuk kishte vende për mësues letërsie. Kur shkova dhe e pashë me vëmendje këtë qytet ngela i befasuar. Një qytet mbushur me mistere. Në Berat në atë kohë  erdhën  disa  shkrimtarë. Në vitin 1965, u bë lëvizja  e  madhe e shkrimtarëve në  bazë, ku midis të tjerëve erdhi dhe Ismail Kadareja. Ishte periudha që ai ishte bërë shumë i njohur.

A ke pasur njohje më parë me Kadarenë?

Ne ishim njohur që në Gjirokastër, sepse unë shkollën fillore dhe shtatëvjeçare e kam mbaruar në qytetin e Argjirosë. Në ato vite të shkollës fillore, kam qenë shok me  vëllain e Kadaresë, Shahinin. Bashkë me Kadarenë në ato vite në Berat erdhën dhe Sulejman Pitarka dhe Fatmir Gjata. Ishin ndër krijuesit më në zë të Shqipërisë.

Çfarë  u emëruat në Berat?

Unë u futa si mësues në  gjimnaz, por shumë pak kohë qëndrova në gjimnaz  sepse  në  atë kohë  unë bëra një shkrim për  aktivitetet  kulturore në Berat  dhe  kur i thanë  Sekretarit të Parë se  ka  ardhur  një letrar  i  ri, ai tha,  zvogëlojani orët  e mësimit që të mbulojë aktivitetet dhe  problemet tona. Kjo ishte një gjë shumë e  madhe për mua, sepse m’u krijua koha e lirë. Dhe kur kisha kohë të lirë rrija me Kadarenë. Ajo ka  qenë  një kohë e  bukur  krijuese  për  mua  dhe për  Kadarenë.

Në  ato vite  cilin roman të veçantë  ka  filluar  Kadareja?

“Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”. Jo se e kishte filluar aty. Por atje e përpunoi që e bëri roman. Ky roman u botua në vitin 1965.

Krahas këtij romani në biseda çfarë romani tjetër kishte në projekt Kadareja?

Edhe romanin “Kështjella”  e ka  piketuar  atje Por krijimtaria e tij nuk u përqëndrua vetëm në prozë. Atje ai bëri edhe shumë poezi që janë ndër më të bukurat në krijimtarinë e tij.

Konkretisht?

Bëri disa poema si “Ggurëskalitësit e vegjël”, poemë për fëmijë, shkruajti “Shqiponjat  fluturojnë lart”. Poemë që ka lënë gjurmë në poezinë e tij. Teknologjinë e ndërtimit të asaj poeme mbaj mend se si e ndërtonte. Isha dëshimtar okular. Ka qenë  periudha më e bukur në krijimtarinë e Ismail Kadaresë në  atë  kohë.

Ndonjë detaj të miqësisë suaj të asaj kohe me Kadarenë  në  lidhje  me krijmtarinë, çfarë debati keni bërë që ju ka ngelur në kujtesë?

Ne nuk bisedonim vetëm për letërsinë. Ishim të dy të rinj dhe bisedat ishin nga më të ndryshmet. Unë isha 23 vjeç dhe Kadareja ishte 29 vjeç. Shëtisnim gjatë rrugës që shkohet në kala, loznim letra. Edhe kur  shkonim në  zbor rrinim bashkë. Në ato momente unë  shkruaja  vjersha  dhe kur  hanim  drekë Kadareja m’i merrte dhe mi lexonte. I ke shkruar me një frymë më thoshte. Nuk duhen shkruar atje kur i përjeton, por duhet t’i shkruash në një kohë tjetër. Nganjëherë emocionet duhen shkruar në momentin e caktuar, por edhe reflektimi është i domosdoshëm. Kam parë shumë shkrimtarë që kanë bërë libra  voluminozë  400-500 faqe, ku i ka kapur ajo fryma krijuese dhe nuk i kanë kontrrolluar fare emocionet përse kanë shkruar, prandaj në këtë drejtim më e saktë është shprehja e Milvenharnit “të  ndjesh me mendje  e të mendosh me ndjenjë”. Ku ndjenja të kontrollojë mendimin dhe mendimi të  kontrrollojë ndjenjën. Ka që bëjnë roman me  400 faqe, por ai duhet të shkojë me 150 faqe. Duhet qethur, redaktuar, ripunuar, lëmuar. Kishte të drejtë. Unë sot e kam ndjenjën e redaktorit shumë të  theksuar  sepse kam punuar shumë kohë si redaktor, jo vetëm në Lidhjen e  Shkrimtarëve, por  edhe më vonë në disa shtëpi botuese.

Çfarë do të veçoni nga jeta juaj në Berat  në aspektin e  krijimtarisë?

Vetmia është një gjë shumë e rëndësishme për poetët dhe shkrimtarët. Berati ishte një kohë vetmie për mua. Berati është një qytet i bukur  3000-vjeçar. Në  Berat  bëra  librin “Shekulli i  blertë”, i cili shërbeu si trampolinë duke kaluar nga qyteti mesjetar i Beratit, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ky ka qenë libri im i parë me poezi. Recensionin e ka bërë Dritëro Agolli, ndërsa nga anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve më ka ndihmuar Kadareja. Ky libër  u  botua në vitin 1967. Por botimi i librit koinçidoi me kërkesën nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve për dy edukatorë. U zgjodhëm unë dhe Viktor Qurku. Me Viktorin kemi qenë  bashkë që në fëmijëri dhe kur kam qenë në Berat  shoqërinë  e kemi mbajtur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora