E premte, 26.04.2024, 07:00 PM (GMT+1)

Speciale

Emil Lafe: Eqrem Çabej për drejtshkrimin e shqipes

E enjte, 18.09.2008, 10:09 PM


Eqrem Çabej
Eqrem Çabej për drejtshkrimin e shqipes

 

Nga Emil Lafe

 

Përpunimi i rregullave të drejtshkrimit ka qenë një fushë pune e përbashkët për shumicën e gjuhëtarëve shqiptarë. Për zgjidhjen e këtij problemi themelor të gjuhës sonë letrare kanë dhënë ndihmesën e tyre breza të tërë studiuesish e lëvruesish të shqipes. Në mënyrë më të plotë ky veprim i përbashkët për arritjen e një drejtshkrimi sa më të njësuar, të plotë e të ndërtuar mbi kritere shkencore të shëndosha u shpreh në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 20-25 nëntor 1972). Rruga që është përshkuar për të arritur deri në këtë Kongres dhe më tej në hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” një vit më pas, nuk ka qenë e lehtë. Është dashur të kapërcehen shumë vështirësi të natyrave të ndryshme. Shumë herë vetë zhvillimi i natyrshëm i gjuhës e ka lehtësuar punën e gjuhëtarëve. Çështja e drejtshkrimit ka qenë gjithnjë e lidhur me caktimin e një trajte të njësuar të gjuhës letrare dhe ka përparuar hap pas hapi bashkë me zgjidhjen e kësaj detyre madhore. Puna themelvënëse që bëri në këtë fushë Komisia Letrare e mbledhur në Shkodër në vitet 1916-1918 u vlerësua e u nxor në dritë të qartë edhe një herë me rastin e përkujtimit të 80-vjetorit të saj.[1] Por do të duhej të kalonin tridhjetë vjet derisa të përtërihej tanimë në gjirin e Institutit të Shkencave në Tiranë ajo punë kolektive për drejtshkrimin që kishte nisur në Shkodër dhe që kishte pasur një ndikim aq të frytshëm për zhvillimin e shqipes letrare.

 Kur u krijua Instituti i Shkencave më 1948 Seksioni i gjuhës dhe i letërsisë përbëhej prej tre vetash: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipoja dhe Eqrem Çabej. Një nga detyrat e para që iu caktuan këtij seksioni, qe përpunimi i drejtshkrimit ose i ortografisë, siç quhej atëherë. Në këtë treshe të shquar të gjuhësisë shqiptare A. Xhuvani, atëherë 68 vjeç vinte me përvojën e rrahjes së këtij problemi në Komisinë Letrare të Shkodrës dhe me një përvojë të pasur të mësimdhënies së gjuhës shqipe të hartimit të teksteve e të studimeve gjuhësore. Ai ishte gjithashtu një njohës i thellë i veçorive dialektore dhe vijues i punës së K. Kristoforidhit për mbledhjen e visarit gjuhësor nga goja e popullit.

 K. Cipoja atëherë 56 vjeç kishte një formim të shëndoshë shkencor dhe përvojë të pasur si profesor dhe studiues i shqipes. Ai ishte njohës i hollë i ligjërimit popullor dhe i gjuhës së shkrimtarëve shqiptarë të vjetër e të rinj. K. Cipoja kishte botuar tekstin e morfologjisë historike të shqipes[2] dhe tekstin e fonetikës[3] për studentët e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar; pas një viti do të dilte nga shtypi dhe vepra e tij e mirënjohur Gramatika shqipe.

 E. Çabej kishte hyrë atëherë në vitin e 4O-të të jetës dhe përveç formimit të shëndoshë e të plotë në gjuhësi e në albanologji pranë një mjeshtri si Norbert Jokli vinte në këtë seksion edhe me një përvojë të mirë të mësimdhënies së gjuhës shqipe. Ai kishte hartuar një tekst me elemente të gjuhësisë e të letërsisë për shkollat e mesme[4] dhe tekstin e albanologjisë për Institutin Pedagogjik.[5]

 Më 1948 te Buletini i Institutit të Shkencave u botua “Ortografia e gjuhës shqipe” punuar nga Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej redaktuar nga Aleksandër Xhuvani.[6] Në një hyrje të shkurtër thuhet: “Për t’i vu nji bazë unifikimi mënyrës së shkrimit të gjuhës Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë mori e studioi për disa kohë çashtjen shumë të vështirë të ortografisë së gjuhës dhe si rezultat të këtij studimi hartoi këto rregulla ortografike, që po i botojmë në këte buletin me qëllim që t’i njohin e t’i këndojnë të gjithë arsimtarët dhe intelektualët që merren pak a shumë me gjuhë dhe dëshirojnë unifikimin e shkrimit të saj.” Siç mund të shihet edhe nga citimi i mësipërm kjo ortografi duket se është shkruar fund e krye nga dora e A. Xhuvanit, i cili deri në fund përdori variantin letrar të Shqipërisë së Mesme. Këtë variant ai e kishte të afërt në radhë të parë si Elbasanas, por edhe si anëtar i Komisisë Letrare Shqipe, e cila pati vendosur që dialekti i Elbasanit të merrej si bazë për gjuhën letrare. Kësaj teze i përmbahej teorikisht edhe Eqrem Çabej, por ai nuk e zbatoi ndonjëherë në shkrimet e tij.[7]

 Ortografia e mësipërme përbëhet nga dy pjesë kryesore: Fonetika dhe Morfologjia. Pjesa e fonetikës është mjaft e shkurtër dhe në të shtjellohen shkrimi i grupeve ua, ie, ye theksi dhe apostrofi. Te pjesa e morfologjisë merren e shqyrtohen çështjet drejtshkrimore sipas pjesëve të ligjëratës: emrat, mbiemrat, nyjat, numërorët, përemrat, foljet, ndajfoljet, parafjalët, lidhëzat. Te pjesët e ndryshueshme të ligjëratës trajtohen veçoritë drejtshkrimore gjatë eptimit dhe fjalëformimit, ku siç kuptohet vetiu një vend të gjerë zënë rregullat për shkrimin e zanores ë. Te pjesët e pandryshueshme të ligjëratës trajtohet kryesisht shkrimi njësh ose ndaras i tyre. Në mbyllje nën titullin “Të ndryshme” trajtohen disa çështje të shkrimit të fjalëve të huaja dhe të përdorimit të shkronjave të mëdha.

 Më 1951 u botua nga Instituti i Shkencave broshura “Ortografia e gjuhës shqipe” (27 f.). Në faqen e brendshme të ballinës këtë radhë shënohet: Punuar prej A. Xhuvanit, K. Cipos dhe E. Çabejt. Ndonëse nuk thuhet shprehimisht, kuptohet se ky variant i ripunuar i “Ortografisë” është redaktuar nga K. Cipoja, i cili parapëlqente toskërishten ashtu siç dëshmohet edhe nga Gramatika (1949) e Sintaksa (1952) e tij. Dora dhe stili i K. Cipos ndihen edhe te Parathënia prej dy faqesh. Ndër të tjera në të sqarohet se “si bazë për gjithë këtë punë është marrë fonetika e gjuhës (ose siç do ta quanim sot parimi fonetik - E.L.) rryma e zhvillimit të saj në këto kohë të fundit dhe tendenca për t’i afruar sa është e mundur më shumë të dy dialektet toskërishten e gegërishten”.[8]

 Pas vdekjes së K. Cipos (1952) vendin e tij në komisionin e drejtshkrimit krahas A. Xhuvanit dhe E. Çabejt e zuri Mahir Domi. Nën redaktimin e tij u përgatitën projektet e drejtshkrimit të viteve 1953 e 1954, që u botuan të shaptilografuar dhe u diskutuan me arsimtarë, gazetarë, shkrimtarë e studiues të gjuhës.[9] Për diskutimin e projektit të parë u organiza një konferencë e posaçme.[10] Këto projekte gjetën zbatim te “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), i cili, mbasi kishte përfunduar së hartuari që në të gjallë të K. Cipos (kryetari i komisionit hartues), u rishikua nga E. Çabej, M. Domi e A. Krajni (shih Parathënien e fjalorit, f. IV).

 Puna për drejtshkrimin ka qenë vazhdimisht detyrë parësore e Institutit të Shkencave. Kështu, projektet e viteve 1953 e 1954, u ripunuan e u plotësuan dhe më 1956 doli projekti i ri “Ortografia e gjuhës shqipe”. Në përpunimin e tij krahas A. Xhuvanit, E. Çabejt e M. Domit merr pjesë edhe A. Kostallari. Në vjeshtë të vitit 1961 në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit të Tiranës nisi puna për një projekt të ri të drejtshkrimit. Ajo vijoi me disa ndërprerje deri në fillim të vitit 1967, kur u botuan së pari në gazetën “Mësuesi” e më pas si libër më vete “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe (Projekt)”,[11] në hartimin e të cilave ka pasur fatin të marrë pjesë edhe shkruesi i këtyre radhëve. Me këtë projekt u rikthye në përdorim termi shqip drejtshkrim i krijuar nga F. Konica.[12] Rreth këtij projekti në vitet 1967-1972 u organizua një diskutim i gjerë në shtyp e në mbledhje të posaçme me arsimtarë, punonjës të shtëpive botuese, gazetarë etj.[13] Ky projekt, siç dihet, shërbeu si bazë për Konsultën gjuhësore të Prishtinës të mbajtur më 22-23 prill 1968. Prof. E. Çabej, megjithëse shumë i zënë me punën për studimet etimologjike dhe për probleme të tjera të historisë së gjuhës, ishte mjaft i interesuar të njihte drejtpërdrejt mendimet e arsimtarëve e të diskutuesve të tjerë për projektin e drejtshkrimit. Prandaj ai mori pjesë vetë në diskutimet që u zhvilluan në Shkodër, Vlorë e në Lushnjë më 1968, në Ersekë, Pogradec, Korçë, Durrës, në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor (Tiranë) më 1969, me arsimtarët e Tiranës më 1970, me arsimtarët e rrethit të Matit, të Krujës e të Fierit dhe me punonjësit e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë më 1972. Në të gjitha këto takime e diskutime ai dëgjonte me vëmendje, mbante shënime në një fletore të posaçme dhe jepte shpjegime të thelluara për çështjet që trajtoheshin. E. Çabej kishte një regjim të rreptë pune. Herë pas here në mbledhje të sektorit të atëhershëm të gramatikës, dialektologjisë dhe historisë së gjuhës, ai kërkonte që të përdorej në mënyrë sa më të frytshme dita e punës, na paralajmëronte të mos shkonim me mendje se viti është i gjatë dhe ka kohë derisa të hyjë viti tjetër. Herë-herë na tërhiqte vëmendjen duke na thënë: “Viti përbëhet prej muajsh, muajt prej javësh, javët prej ditësh e ditët prej orësh”. Ai nuk i lejonte vetes të humbiste asnjë orë të ditës me punë të panevojshme. Kuptohet se kur largohej nga puna e tij e përditshme për të marrë pjesë në një mbledhje me arsimtarët për diskutimin e projektit të drejtshkrimit, ishte një arsye e fortë që e shtynte në këtë vendim. Dhe arsyeja ishte vlera e madhe që i jepte ai drejtshkrimit si një element thelbësor i gjuhës letrare. Veç kësaj kishte nderim të madh për arsimtarët, për punën e tyre të mundimshme, po fisnike dhe e ndiente si detyrë të ndodhej pranë tyre.

 Nga 20-25 nëntor 1972 u zhvillua në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Prof. E. Çabej qe anëtar i Komisionit organizues dhe delegat i Kongresit, si edhe anëtar i komisionit të hartimit të Projekrezolutës. Në të gjitha këto forume të larta fjala e tij e pjekur, e argumentuar, mendimi i tij shkencor, linin mbresa të thella te dëgjuesit dhe kishin peshë të madhe për ta çuar përpara zgjidhjen e problemeve të shtruara. Në këtë Kongres ai mbajti kumtesën “Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes”.[14] Është kuptimplote fraza e parë e kësaj kumtese, që përmban një ndër parimet themeelore të tij në fushën e drejtshkrimit, prandaj po lejohemi ta sjellim atë të plotë: “Kur Komisia Letrare e Shkodrës, në ‘Parimet e rregullat’ që caktoi për drejtshkrimin e shqipes aty nga fillimi i vitit 1917, vendosi që zanorja ë e pathekse, grupet zanore mb, nd e ngj do të shkruhen të plota ashtu si i ruan këto toskërishtja e pjesërisht dhe disa nëndialekte të gegërishtes, ajo mund të shtonte e të thoshte që ashtu të plota kanë ekzistuar ato dhe janë shkruar pak shekuj më parë në krejt truallin e gegërishtes dhe se janë të gjithmbarshme të gjuhës.” Me këtë gjykim vlerësues për rregullën e caktuar nga Komisia Letrare E. Çabej shpreh njëkohësisht rëndësinë, që ka kriteri i historizmit për drejtshkrimin, d.m.th. njohja e fazave më të vjetra të gjuhës së shkrimit e të gjuhës së folur, kur të dy dialektet kanë pasur më shumë elemente të përbashkëta sesa sot. Njësimi i drejtshkrimit është më lehtë dhe më e arsyeshme të arrihet duke iu drejtuar formave të përbashkëta të dikurshme, që sot ruhen te njëri dialekt. Historia duhet t’i vijë në ndihmë e t’i shërbejë si mbështetje veprimtarisë së sotme normalizuese e kodifikuese - ky ka qenë një nga parimet e tij, të cilin ai ka ditur ta shtjellojë e ta mbrojë në diskutimin e rregullave të veçanta në komision. Fazën e sotme të shqipes letrare ai nuk e shihte si një madhësi në vetvete, po si rezultat të një procesi zhvillimi të pandërprerë prej më se katër shekujsh.

 Një parim tjetër që ai e vlerësonte mjaft të frytshëm, është marrja parasysh e shtrirjes territoriale të dukurive gjuhësore, në mënyrë që “kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit. Në bazë të këtij kriteri përdoret vend dhe zemër, jo vënd dhe zëmër. Për të njëjtën arsye të konvergjencës ka zënë vend edhe shkrimi i bashkëtingëlloreve fundore të zëshme si të tilla, me gjithë shqiptimin e pazëshëm të tyre në një pjesë të mirë të dialekteve jugore, shkrim që pajton me ruajtjen e strukturës morfologjike të fjalëve përkatëse”.[15] Në çështjen e shkrimit të fjalëve të huaja ai ishte i mendimit për t’u orientuar sa më shumë nga trajtat e gjuhëve klasike, duke iu shmangur trajtave të gjuhëve të sotme romane si italishtja e frëngjishtja, megjithëse ndonjëherë mjaft të përhapura. Sa për ta ilustruar këtë do të përmend se me këmbënguljen e tij trajta zhuri, që ishte atëherë mbizotëruese në përdorim, u kthye në juri, duke u pajtuar me fjalët e tjera të çerdhes me të njëjtën rrënjë jurist, juridik, jurisprudencë.

 Në një punë kolektive siç është përpunimi i rregullave të drejtshkrimit, nuk mund të caktohen pjesa ose meritat e njërit a të tjetrit. Dhe nuk është qëllimi i këtij shkrimi që në një farë mënyre të ndajë veçan ndihmesën e E. Çabejt. Do të theksoj, si dëshmitar i kësaj pune që nga viti 1961 deri në hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), se punën për drejtshkrimin E. Çabej nuk e vështronte si një detyrë plotësuese, ku fjalën kryesore ta kishin ata që merreshin më fort ose kryesisht me shqipen e sotme. Përkundrazi ai i kushtonte kësaj detyre gjithë energjitë e tij mendore edhe jashtë mbledhjeve të komisionit. Në mbledhjet e dendura e të gjata (deri në katër-pesë orë), që zhvilloi komisioni i drejtshkrimit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1973 për të zbatuar detyrat Rezolutës së Kongresit, E. Çabej vinte shpesh i përgatitur me shënime e me shembuj të nxjerrë prej autorësh të vjetër e të rinj për të mbështetur pikëpamjen e tij rreth, ështjes që do të diskutohej. Ndodhte që mbledhja e re të niste me një rishqyrtim të asaj që qe vendosur në mbledhjen e mëparshme. “E dini, - e niste bisedën me takt, - e kam menduar edhe një herë pasdite atë rregullën që vendosëm dje, dhe më duket se...” Dhe me të vërtetë pas rishqyrtimit rregulla përkatëse pësonte një përpunim të ri, thelbësor, ose rregulla kthehej në përjashtim dhe përjashtimi në rregull. E. Çabej ngulmonte për rregulla sa më përfshirëse, përgjithësuese, të formuluara thjesht e qartë, që të përvetësohen e të zbatohen më lehtë. Por ashtu siç ngulmonte për pikëpamjet e tij, ai dinte të lëshonte rrugë para argumenteve të kolegëve dhe të bashkëpunonte në dialektikën e diskutimit për formulimin më të saktë të rregullës. Në mbyllje të kumtesës së sipërpërmendur në Kongresin e Drejtshkrimit ai shpreh një përgjegjësi të thellë shkencore e qytetare për punën si anëtar i komisionit të dejtshkrimit dhe një vlerësim të madh për funksionin e drejtshkrimit e të gjuhës letrare për emancipimin e mëtejshëm kulturor e shpirtëror të masave të gjera të popullit shqiptar, pa veçime kufijsh politikë, sepse gjuhës asnjëherë nuk mund t’i vihen kufij dhe gjuha e njësishme ruan edhe njësinë e kulturës e të jetës shoqërore të një populli. Prandaj ai thotë: “Duke rrokur me një vështrim përmbledhës detyrat që duhet të përballojë në të ardhmen drejtshkrimi i shqipes i shikuar në aspektet e shumëllojshme, do të përfundohet me këtë, që hartuesit e tij do të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie. Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milionë njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare.” Kur pas botimit të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” nisi puna për hartimin e fjalorit drejtshkrimor, E. Çabej kërkoi leje të lirohej nga pjesëmarrja e mëtejshme në komisionin e drejtshkrimit. Ishin vitet kur ai punoi ngultazi për të çuar drejt përfundimit veprën e tij të jetës, “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Por ai ishte gjithmonë i gatshëm e i pakursyer të na ndihmonte “për të çarë arrat gunga” që na dilnin përpara gjatë punës për fjalorin.    

 Prof. E. Çabej qe i vetmi që e përshkoi të gjithë rrugën e përpunimit të drejtshkrimit të shqipes që nga seksioni i gjuhës e i letërsisë në ish-Institutin e Shkencave më 1947-1948 me A. Xhuvanin e K. Cipon, deri në Kongresin e Drejtshkrimit dhe në hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973), për të cilin u nderua për herë të dytë me Çmimin e Republikës të klasës së parë. Ky ringjallës i veprës së madhe të Gjon Buzukut duket sikur na thotë se gjithë veprën e tij aq të gjerë, e veçanërisht ndihmesën e shënueshme që dha për drejtshkrimin e shqipes, e ka bërë en së dashunit së botësë sanë (nga dashuria për popullin e vet).

 



[1]. Shih për këtë: Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Studime shqiptare 8, Shkodër, 1997, 120 f.

[2]. Kostaq Cipo, Morfologjia historike e shqipes. Botim i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar. Tiranë, 1947, 73 f. (dispensë).

[3]. Kostaq Cipo, Fonetika. Botim i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar. Tiranë, 1947 (dispensë).

[4]. Dr. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Tiranë, 1936, 201 f.

[5]. Eqrem Çabej, Albanologji. Botim i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar. Tiranë, 1947, 120 f. Ky tekst u zgjerua e u ripunua më pas dhe prej tij doli teksti i ri: I. Hyrje në historinë e gjuhës shqipe. II. Fonetika historike e shqipes. Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Tiranë, 1959, 94 f.; botim i dytë, 1960, 129 f. (botimin e vitit 1959 autori e redaktoi sipas një kopjeje të daktilografuar të shënimeve të mbajtura prej meje dhe Stefan Bulos gjatë semestrit të dytë të vitit mësimor 1957-1958, kur, me themelimin e Universitetit të Tiranës, rifilloi dhënien e kësaj lënde pas një largimi të gjatë nga puna mësimore; E. Çabej, ndryshe nga gjithë pedagogët e tjerë, nuk vinte në auditor me leksione të shkruara, po me disa skeda që i përkisnin temës së leksionit).

[6]. Ortografia e gjuhës shqipe. “Buletin i Institutit të Shkencave”, viti II, 1948, nr. 1, ff. 3-10, 39-50.

[7]. Në tekstin Elemente (shih shënimin 4), te sythi Gjuha e përbashkët, ai shprehet kështu për këtë çështje: “Atje në Shqipëri të Mesme, ku gegërishtja e toskërishtja duke u përpjekur zbutin veçorit e tyre dalluëse, ku ka dialekte gjysmë gege e gjysmë toske, atje duhet kërkuar djepi i gjuhës së përbashkët që do vijë. Sëpari duhen studiuar dialektet e Shqipërisë së Mesme. Këto përgjithësisht dhe pas një selektimi do të japin bazën e gjuhës në fonetikë dhe në format gramatikore. Në thesarin e fjalëve (leksikun) do kontribuojnë dhe dialektet e tjera shqiptare.” (f. 19).

 Por përgjithësisht sipas praktikës së kohës, edhe E. Çabej në fillim ka shkruar në dialektin e vet, natyrisht duke mënjanuar veçoritë e ngushta të së folmes së vendlindjes (Gjirokastrës), por jo gjithmonë. Kështu p.sh. në “Elemente” ai shkruan: është bënë (bërë), i vate për ndihmë (vajti), vanë (vajtën), dhezje (ndezje), të dya (të dyja), të ra (të reja); ndikim i së folmes së vendlindjes është edhe trajta e vetës së tretë të së tashmes së lidhores me mbaresën -ij, p.sh. do të derdhij, të mundij, t’a mbushij, të përdorij etj.

 Disa veçori të tjera të drejtshkrimit të tij në këtë libër (që i ka ruajtur pjesërisht edhe në shkrime të mëvonshme, ndonjë deri në daljen e projektit të drejtshkrimit më 1967), janë:

 - shkrimi me ë (sipas traditës së shkrimit dhe të shqiptimit të toskërishtes, e veçanërisht të toskërishtes jugore) i fjalëve ku kjo zanore ndiqet nga një bashkëtingëllore hundore e tingullt, p.sh.: të brëndshim, gjëndje, kësaj shkënce, (burra të) pëndës, (ka) qënë, qëndror, vëndet, shënja, (kryet e) drërit etj.;

 - përdorimi i shpeshtë (por jo i rregullt) i apostrofit për të shënuar elizionin e ë-së fundore të patheksuar (ësht’ e vërtetë, në gjith’ atë kohë, q’u përhap më vonë); shkrimi me apostrof i disa përemrave pronorë dhe bashkimeve të trajtave të shkurtra (heroit t’onë, poetët t’anë, literaturës s’onë; t’a gjejë);

 - shkrimi i -ë-së paratheksore e pastheksore sipas traditës së toskërishtes letrare (dhe shqiptimit të vendlindjes), p.sh.:

 afërohet, arësye, kupëtoj, kupëtim, vepërojnë, vepërimi etj. (por shkruan: shqiptar e jo shqipëtar);

 emëra, emërin, emërit, mjeshtëri (por edhe mjeshtri), numëri, të shkurtëra, urdhërat, e vjetëra, i vetëmi etj. (por shkruan vepra, veprat);

 - shkrimi i dyzanorit ue të gegërishtes te një varg fjalësh të formuara nga pjesorja më -ue, p.sh.: (veçorit’ e tyre) dalluëse, kënduësi, lexuësit, mësuësin, mësuësit, studiuës, sunduëse, shkruësi, themeluës etj. (kjo mënyrë shkrimi pasqyron një përshtatje të trajtave fonetike gege me ue ose me u të gjatë në shqiptimin e intelektualëve toskë të kohës);

 - shkrimi përgjithësisht i regullt me -i fundore i trajtës së vetës së tretë njëjës të së kryerës së thjeshtë të foljeve me temë më zanore, p.sh.: botoi, dërgoi, jetoi, mbaroi, studioi etj. ndryshe nga tradita e autorëve të tjerë toskë (edhe të shekullit tonë, si Lumo Skëndo, Fan Noli), që e kanë shkruar këtë trajtë foljore me -j sipas shqiptimit (duket se E. Çabej, si gjuhëtar, këtu ka ndjekur parimin morfologjik);

 - mosshurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme në pozicion fundor ose para një tjetre të shurdhët, p.sh.: përmënd, vënd, larg, rridhte etj. (ndryshe nga tradita e autorëve të tjerë toskë; - edhe këtu E. Çabej ka ndjekur parimin morfologjik);

 - shkrimi njësh i ndajfoljeve të tipit sëpaku, sëpari, sëfundi etj.

 Si tipare të ngushta toske në fjalëformim mund të përmenden formimet më -onjës, -shim, -uarshmë, si: studionjësit (krahas formimeve më -uës të përmendura më sipër); të brëndshim, i përgjithshim, i përhershim, i rëndësishim; të besuarshme etj.

[8]. Është me interes të përmendim nga kjo parathënie një gjykim të autorëve për zhvillimin e shqipes letrare, ku vlerësohet veçanërisht ndërveprimi i dy varianteve letrare kryesore: “që prej Rilindjes e tëhu, duke u shkruar gjuha e duke u përdorur si mjet kulture e marrëdhëniesh shoqërore, ka marrë një rrugë të mbarë në punë të zhvillimit e t’unifikimit të saj, janë kristalizuar, thuajse pakuptueshëm, disa rregulla të gjuhës dhe është bërë një farë afrimi në mes të toskërishtes e të gegërishtes, duke influencuar e para të dytën në punë të morfologjisë dhe e dyta të parën në punë të leksikut” (f. 3).

[9]. Shih: Palok Daka, Bibliografi e studimeve dhe e artikujve për gjuhën shqipe (1945 - 1974). Tiranë, 1975 (zërat 196 e 226).

[10]. Shih për këtë: Mahir Domi, Projekti i ri i ortografisë dhe diskutimi i tij “Buletin për shkencat shoqërore”, 1954, nr. 1, f. 142-145; po ai, Konferenca e ortografisë “Nëndori”, 1954, nr. 1, f. 142-144.

[11]. Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe (projekt). “Mësuesi” 24 shkurt 1967; po atë vit edhe si libër më vete (Botuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, 214 f.; ribotuar nga Enti i Teksteve në Prishtinë më 1969 e 1970).

[12]. Shih: Lirak Dodbiba, Neologjizma të Faik Konicës “Studime filologjike” 45 (28), 1991, nr. 2, f. 121.

[13]. Shih për këtë rubrikën Drejtshkrimi në treguesin tematik te “Bibliografia” e sipërpërmenur e P. Dakës, f. 340.

[14] 14. Shih: Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe 20-25 nëntor 1972 I Tiranë, 1973, f. 247-264; “Studime filologjike” 27 (10), 1973, nr. 1, f. 97-107.

[15]. Po aty, f. 256 v.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora