E premte, 26.04.2024, 11:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Viron Kona: Tavolina e rezervuar e poetit Delo Isufi

E shtune, 22.10.2016, 08:33 AM


“Tavolina e rezervuar” e poetit Delo Isufi

Libër i shkruar me gjuhën e zemrës

Nga Viron Kona

Talenti i vërtetë krijues ngjason me një ortek që rritet pandërprerë e, teksa krijimtaria shtohet, teknika dhe mendimi poetik zënë vend, ashtu si gurët e themelit në një ngrehinë të fuqishme e të bukur që shkon drejt përsosjes. Krijimtaria poetike e Delo Isufit nuk ndalet.

Bashkë me të, rriten dukshëm edhe dëshira e pasioni për të shprehur përmes vargjeve e poezive ndjenjat, përjetimet, emocionet dhe mendimet që vlojnë në shpirtin e poetit. Kur shkruan poezi të frymëzuara nuk hynë në punë lapsi dhe kompjuteri. Poezitë e vërteta, përpara se të hidhen në letër, shkruhen me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës, sepse atje burojnë, atje marrin dritën, fuqinë dhe energjitë. Ndërkohë që, mendimi poetik shtrinë krahët në hapësira të gjera, me përmbajtje të thellë e tematikë të larmishme. Shpirti krijues i Delo Isufit është  i lidhur ngushtë dhe i dashuruar me hapësirat e gjera e ku, veçmas, ai ka përjetuar e dashuruar hapësirën e paanë qiellore, qysh atëherë, kur mjaft i ri në moshë pilotonte avionët supersonikë, ditën dhe natën, agim e muzg, në re dhe shtrëngatë e ku bashkudhëtarë e shokë të pandarë kishte hënën vezulluese dhe yjet e ndritshëm. E, siç e shprehë te poezia  “Fluturimi i parë”:

 

Shtatëmbëdhjetë vjeç, fare i ri,

Në hapësirë  fluturova i vetëm,

Me qiellin  rashë në dashuri,

Dashuri që zgjati gjithë jetën.

 

Por, Deloja, njeh po aq mirë edhe shoqërinë, jo thjesht se është tip dhe karakter i shoqërueshëm, por edhe sepse profesioni i avokatit dhe karriera e tij, deri avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, e ka lidhur e miqësuar me shumë njerëz. Janë të panumërt miqtë e Delos, midis tyre edhe unë që ndihem i privilegjuar si redaktor e recensentë i disa prej librave të tij. Edhe kur pi një kafe me Delon, ndjen se ke pranë njeriun e mirë dhe të dashur, bashkëbiseduesin e kulturuar e me njohuri të gjera shkencore, letrare e artistike, prandaj dhe nuk befasohesh me aftësitë e tij krijuese për të pasqyruar artistikisht tipa dhe karaktere origjinalë, që nga bariu dhe baresha e stanit, te mësuesi e  zyrtari, te intelektuali, akademiku e politikani. Te “Tavolina e Rezervuar”, poeti i rrëfen lexuesit, me pasion e ngazëllim, krijimet e tij, që i do me shpirt, që i rrit, i ledhaton me merak e përkujdesje e që, ua dhuron me gjithë zemër njerëzve, si  t`u dhuronte pjesë të shpirtit dhe të zemrës së tij të bukur. Me idetë dhe mesazhet që përcjellin, këto poezi nxitin dëshira dhe frymëzime, krijojnë respekt për njeriun dhe jetën e pastër, lartësojnë nderimin dhe adhurimin për bukurinë, mirësinë dhe dashurinë. Lexuesi ndihet mirë, bota i bëhet më e dashur, teksa në përfytyrim i shfaqen si në një pasqyrë cilësitë dhe virtytet  e bukura njerëzore, veçanërisht bukuria shpirtërore e femrës, por edhe ajo fizike: shtati, lëvizjet, sytë, vetullat, zëri, flokët, faqet, balli dhe gërsheti çapkën që lëkundet hijshëm e i ledhaton qafën, gushën dhe gjoksin. Mbetet një veçori individuale e Delo Isufit, frymëzimi në gurrën e pashtershme të popullit, prandaj në krijimet e tij shfaqet  i larmishëm motivi dhe figuracioni poetik popullor, leksiku i pasur, shprehjet e gjalla frazeologjike që e kanë burimin në truallin e begatë të Labërisë ku ai u lind dhe kaloi fëmijërinë. Poeti, si mjeshtër i vërtetë,  parapëlqen të përdorë në ngrehinën e tij poetike jo thjesht “tulla” dhe “beton”, por “gurë” të skalitur me mjeshtëri, durim e dashuri, ndërkohë që ai ka aftësinë të depërtojë e të paraqesë, jo vetëm pamjen e jashtme të dukurive, të njerëzve, episodeve e ngjarjeve, por atë çfarë është edhe më e rëndësishme, botën dhe ndjenjat e brendshme shpirtërore, siç janë ato që përcjellin te lexuesi bukurinë dhe dëlirësinë e vajzës dhe të djalit, shpirtrat dhe zemrat e dashuruara, emocionet, kujtimet, ankthet, drithërimat... Tërheqëse dhe plot freski troket te lexuesi poezia “Këto vajzat tona”, një poezi ku ndihet dukshëm tingëllima e një himni për bukurinë fizike dhe shpirtërore të vajzave, një krijim i ndjerë që vlon nga gjallëria dhe freskia e krahasimeve e metaforave, nga ngjyrimet e ëmbla poetike:

 

Këto vajzat tona,

Porsi lule mali,

Ku shkel këmb’ e tyre,

Xixa shkrep stralli.

 

Këto vajzat tona,

Të gjata, të holla,

Ditën janë flutura,

Natën xixëllonja.

 

Bukuria poetike shfaqet me origjinalitet te poezia “Çika kosovare”, ku poeti ka  qëndisur me ngjyra të bukura vargje me figura të rralla letrare, që ua kushton me dashuri vajzave të Kosovës, që ndritin jetën dhe familjen, që i japin vlerë dhe kuptim gjithçkaje, që zbukurojnë e gëzojnë natyrën, i falin më shumë dashuri - dashurisë, më shumë bukuri - bukurisë.

 

Tek  kalonte,  prushej rëra,

Qielli skuqej, merrte flakë,

Ajo  i shuante    tëra,

Dhe pastaj i ndizte prapë.

 

Deti digjej merrte zjarr,

Retë në qiell hidhnin valle,

Pyeta  një nuse pranë,

Tha: -Është çikë  kosovare.

 

Ndjenja të thella njerëzore përshkojnë poezinë “Nuses sime”, e ku, përmes mendimit të figurshëm, poeti i thur vargje kujtimeve për nusen e tij të shtrenjtë. Ajo i shfaqet përherë në ëndrra e përfytyrime, i  sjellë pranë jetën e vërtetë dhe rininë e zjarrtë e që, sot, shndrit në shpirtin e tij përmes dritës dhe shkëlqimit hyjnor:

 

Pranë zjarrit unë shkrep urët,

Prushi vatrën seç e skuq,

Flak’ e druve t’i shfaq nurët,

Të ndriçon fytyr’ e gushë.

 

Të shikoj e bukura ime,

Pranë të kam e pranë më rri,

Endem  larg në kujtime,

Kur ishim të dy të rinj.

 

Te poezia “Uroj me shpirt e me zemër” shfaqen sinqeriteti, ndjenjat e zemrës së mirë, dëshira dhe urimi për shokët që bëjnë përpara në jetë, që rriten natyrshëm në pozitë për t`i shërbyer më shumë dhe më mirë atdheut e shoqërisë…Poeti dëshiron me gjithë zemër që ata të jenë kurdoherë njerëz të mirë, të thjeshtë e të dashur, karrigia dhe posti të mos u ndryshk mendjet, të mos ua tjetërsojë vlerat.

 

I  uroj me shpirt e zemër,

Detyra t’u shkoj mbarë,

Në punën e re të bëjnë emër,

Miq të mbeten si më parë.

 

Kujtimet e fëmijërisë e bëjnë poetin të shpërthejë në një figuracion të mrekullueshëm poetik.  Ashtu si drurët që lëshojnë bisqe dhe lule çdo pranverë, ashtu dhe koha e fëmijërisë troket butë dhe zgjon përherë kujtime dhe ëndrra, që shfaqen në përfytyrim me mall, bukuri dhe ëmbëlsi:

 

Në behar kur vinte vapa,

Si zogj zbrisnim në lumë,

Natën flinim përjashta,

Yjet na vinin në gjumë.

 

Përmes vargjeve tërheqës, poeti shpërndanë mesazhin poetik të harmonisë dhe të dashurisë së sinqertë, të zgjidhjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, pa inate dhe egoizëm, pa e shpërdoruar jetën për teka dhe mëri. Sidomos te dashuria e çiftit, ai trajton në mënyrë poetike  çastet kur çifte me karaktere të ndryshme, nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e komunikimit, të vendosin marrëdhënie të mirëkuptimit dhe, kësisoj, e humbasin njëri- tjetrin:

 

Të rinj ishim ne, at’ mot,

Kur u grindëm për hiçgjë,

Ajo e sertë, unë kokëfortë,

Dhe u ndamë përgjithnjë.

 

Është tepër prekëse poezia “Shitësja e bajameve”, ku me një ndjenjë dashurie e dhimbje, poeti përshkruan vogëlushen që kalon nga njëra tavolinë tek tjetra duke u ofruar klientëve bajamet e saj me kripë ose pa kripë, e duke pritur prej tyre në këmbim një monedhë...

 

Në tavolinën pranë nesh,

Katër burra, whiski pinin,

Vajza e vogël, pa përtesë,

Bajame  ofroi që të blinin.

 

Njeri syresh, nga xhepi nxori,

I`a la në dorë,  dhjetë dollarë,

Tjetri me shkelm e përcolli,

Dhe vogëlushja ra mbi bar.

Me nota humori e satirë përshkruhet zyrtari burokrat, i cili i ngrefosur nga ndjenja e pushtetit, shfaq pamje të pabesueshme, që të ngjallin ndjenjën e përqeshjes tallëse:

 

Kam të mpirë gjysmën e trurit,

Gjysmën tjetër s’e kam fare,

Kudo shfaqem  kokorosh,

Me kostum e me kollare.

 

Pyesin njerëzit: “Kush ësht’ ky?

Është ministër  a deputet?!”

Le ta  kem  kokën  bosh,

Xhepin plot kam me pushtet.

 

E freskët dhe  lirike shfaqet poezia “Lozonjarja”, të cilën poeti e qëndis me fjalë zemre:

 

Ti buzëqesh, hesht, e vështrimin,

E hedh rrotull nëpër sallë,

Nuk ka pritë ta ndal vërshimin,

Që derdh tek mua valë-valë.

 

Kur lexon me vëmendje poezitë e Delo Isufit, bie në sy se ato kanë ritëm të veçantë, ndërkohë që në vargje e strofa, protagonisti shfaqet i qeshur e gazmor, një çapkën lirik i ëmbël, i kërkuar si vera e vjetër. Një përrua që të rrëmben, është Deloja, prandaj dhe mbeten në mendjen e lexuesit  sidomos poezitë erotike siç janë edhe ato: “Mos e mos” dhe “Cep më cep”, ku ndjenjat e bukura dashurore herë dridhen si vezullimet e hënës dhe yjeve mbi krelat e dallgëve të vogla e transparente të liqenit,  e herë përmes shkreptimave të vetëtimave që krisin e ngjyrosin me ngjyra të argjendta retë e qiellit:

 

Vështrimet u gërshetuan,

Nga dora i ra sapllaku,

Mos, të lutem, tha hutuar,

Por vështrimin nuk e flaku.

 

Apo:

Më shikon me cep të syrit,

Më shikon dhe nuk më flet,

Më treguan zogjtë e pyllit,

Për vështrimin tënd të fshehtë.

 

Edhe lulet më treguan

Më thanë kur Ti kalove,

Pranë tyre e vetmuar,

Me cep t’ syrit më shikove.

 

“Këputa” ca lule të bukura në kopshtin e bleruar poetik të Delo Isufit, jo thjesht për të treguar bukurinë dhe freskinë e tyre, sepse, secili ka shijen e vetë, por, sepse, tek lexoja vëllimin, u përfshiva nga emocioni dhe ngazëllimi që t`i hidhja doemos në parathënie ato vargje poetikë.

Mbaj mend kur lexoja librin e parë të Delos, të titulluar “Magjia e syve”. Ngaqë po e lexoja me admirim e përqendrim dhe nuk i ngrija sytë nga faqet e librit, ime shoqe, vajza dhe im bir u bënë kureshtarë dhe, nga padurimi, sa s`ma rrëmbyen librin nga dora. Shpejt e lexuan edhe ata dhe nisën të flisnin me pasion kush e kush më parë, duke shprehur secili ndjenjat dhe emocionet që kishin përjetuar gjatë leximit të poezive. Më pas, librin  e mori një fqinjë dhe, aq u desh, libri nisi të kalojë dorë më dorë, kurse unë e kërkoja më kot... -Është me fat një autor i tillë, - thosha atëherë me vete, - një fat të tillë do ta dëshironte çdo poet dhe artistë...Nuk e di pse, por edhe sot,  ndjej që, fatin e “Magjisë së syve”, ashtu si dhe të pesë librave të tjerë poetikë, do ta ketë edhe “Tavolina e rezervuar”. E shprehë këtë mendim, sepse gjatë redaktimit, krijova bindjen se edhe këtë libër, përpara se ta hedhë në letër, Deloja e ka shkruar me gjuhën e zemrës dhe shpirtit të tij të bukur.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora