Kulturë
Qazim Shehu: Pikëllim i burimit
E marte, 18.10.2016, 07:00 PM
PIKËLLIM I BURIMIT
QAZIM SHEHU
Burojnë lumenjtë e Shqipërisë
Në Greqi,Maqedoni,
Sapo Vjosa hapin nis
Hapin nis Drin i Zi...
Dhe futen në tokën e Shqipërisë
Në kufirin shtetëror,
Kokëturfulluar,përmidis
I bien dheut arbëror...
Derdhen në det dhe mbajnë
Mbi shpinë shkëlqim të yjeve
Pikëllimin e burimit dot s`e shplajnë
Sado që deti u freskon kryet...
+++
Edhe në Shqipëri, si për inat
I shtrydhin në hidrocentrale,
Edhe Valbona e hodhi krahë qafë
Një pikëllim dionisian plot gajle.
Edhe Fani e braktisi
Shtratin e tij shekullor
Futi kokën e malit dhe vaisi
Kryet në një tërthor...
Edhe Devolli po kështu,
Edhe një lumë i panjohur
Braktisi pa dashje ngjyrën blu
Dhe u shtri në tuba i lodhur...
Mirë, trembëdhjeta, ca lumenjve
Ua mbushi burimin me pikëllim,.,
Po të tjerë në tokë të mëmëdheut
Pse i fusin në tuba me tërbim...
Mendohen lumenjtë e krijuar
Nga loti pikëllimtar i zotit,
Dritë të verbër duke lëshuar,
Në xhepa pasanikësh të pamposhtur...
Të kthehen në burim s`munden
Të zhyten në det kush s`i lë,
Dhe zotit tash po i luten
Ta braktisin këtë dhe...
Por
Pa ta si mund të jetojmë ne?...
ULIKSI
Askush nuk ia përmed kalin e drunjtë
Ai e dinte ,tradhtia gjithnjë është në modë
Sa u end në hapësirën e ujtë
Për në Itakë me kaq hov pa lot...
Kur arriti në Itakë pa
Kalin e drunjtë në sy të së shoqes,
Kujtoi se mbaroi punë dhe e la
Në kryerjen e rrafshimit të Trojës...
Ai ish aty para tij,
Shkrofëtinte në një buzëqeshje
Të gruas, që me dashuri
I hidhte duart në heshtje...
Nuk e kish ditur që kalin e drunjtë
Ajo e kish shpikur para tij...
Por e dinte që më vonë
Bota do mbulonte lavdëriminin e urtë
Për atdheun,
Duke përdorur Itakën për hipokrizi..
Kur s`të pret asnjë dashuri....
ARAT
Me zjarrin e misrit të bardhë
Më mbrujtën këto ara,
Dhe me mullarë muzgjesh
Që ngriheshin mbi to
Qeleshe të bardha...
Këto ara, sa të pakta,
Sa të përjetshme ,janë dhe sot,
Po kush nuk ua lëron korën e çarë,
Nga një vapë ikje
Që s`njomet dot...
E kujtoj shpesh babën
Si kujtonte gjyshin,babanë e tij,
Thosh: gjyshi ish lavëtar ilir
Dhe stolistë plisin me dashuri..
.
Po ti mos u mundo më kot
Të lëvrosh këto ara,
Ato s`të ngrenë dot
Nuk të çojnë përpara...
Lëro fjalën më mirë
Fjala ka më tepër bukë,
Dhe mora porosinë e tij
Ta mbruj fjalën me mençuri,
Po s`di pse më kujtohenato ara,
Ku farë e fjalës hidhet e s`mbin
Mbi tokat e çara...
VALA
Nga lumi i rrugës shkëputa një valë
Dhe e vura në trupin tënd
Hepohej si lastar i bardhë,
Dhe dridhej si filiz pa mend...
Pashë muret që çelën buzët
Në ajrin e koridorit shurdh,
Dhe flokët si u hapën
Në myshqje që aromonin tjetër kund...
Kur dola në rrugë asnjë valë
E saj nuk kreshpëronte,
Ty të kishin thithur muret si Rozafë
A rruga për humbjen tënde mjeronte...
PAGJUMËSI
“Tash sa kohë po don me gdhi e s`po mundet...”Azem Shkreli
Si një re që ngrihet nga lumi
Dhe në shtëpinë e qiellit shkon,
Ngrihet pagjumësia nga gjumi
Nëpër terrin që nuk agon...
Agimi shtyn portën e natës
Po orët dot s`i shty,
Minutat janë të sakta
Si një dhe një që bëjnë dy...
Dhe nuk e pashë sa piu
Në lumë të hidhësirave kjo re,
Pagjumësia u dyllos si qiriu
Që mund ta ndezësh për një përshpirtje
Po për kë?..
TETOR
Në tetor e lëshoj fantazinë
Ai gjethet me zor mban
Gjethet për hatrin tonë rrinë
Të gjelbërojnë në skaj..
Më duket se ato nuk do bien
As kur të vijë nëntori,
Veç ditët fillojnë e thinjen
Me një gjumë ag zori...
Fantazinë e mbledh ngadalë
Si tufë grigje të lëshuar
E cila më bindet pa fjalë
Në nëntor për të mos u lëshuar.....
MAKSIMUM
Kush është maksimun i fjalës
Mos vallë është lavdia?
Po në shtrat të përrallës
Pse nuk merr krah dashuria?
Gënjeshtra të paskrupullta heshtin
Të penduara për çfarë thanë,
Lavdia i kthehet e penduar jetës
Gënjeshtra e hap grykën e thesit
Dhe ëndrrën për lavdinë na mban pranë...
DJE
E djeshmja s`ka fjalë
E djeshmja ka mall.
Kambanë e etur
Në gjoksin tonë.
Veç kur i vemë gjuhën e të sotmes
Jehon...
NDALESË
Me kaltërsinë shungulluese të gjakut
Me verbërinë triumfuese të dëshirës
Si para një shtëpie, pa ia llogaritur pragun
U ndala para teje...
Kërciti derë e zemrës sate dhe
U hap.
Po pragu gjer tek gryka
M`u ngjit lart...
PËRROIT TIM...
Dikur me vështrim përroit tim
Ujin ia pija krejt,
Tani ai rrjedh pa pushim
Ndoshta më shpejt...
Se mua pranë s`më ka
Kush nuk e frenon,
Dhe det i harresës pa nda
Përherë e fton...