E premte, 13.12.2024, 06:21 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Kiço, e lidhe shtrembër gomarin

E shtune, 22.10.2016, 06:00 AM


KIÇO; E LIDHE SHTREMBËR GOMARIN

(Marrë nga Libri "Mall e Dashuri" i Kadri Kadiut)

Ishte vjeshta e vitit 1990. Në Ndërmarrjen Pyjore të Elbasanit kishim dërguar për kontroll ekonomiko-financiar Muhamet Derrin dhe Kiço Vavakon, ekonomistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve. Në përfundim të kontrollit ata përgatitën aktkontrollin dhe më njoftuan dhe mua, si Kryetar Dege, për ta parë e miratuar aktkontrollin që do ta paraqesnim në Drejtorinë e Ndërmarrjes. Pasi e lexova materialin, dëgjova edhe pretendimet e Drejtorit të Ndërmarrjes si dhe të Shefit të Financës, disa prej të cilave mu dukën të arsyeshme. Muhameti ishte më i “përkulshëm” dhe i pranoi vërejtjet ndërsa Kiçoja, një ekonomist i aftë dhe skrupuloz në punë, nuk tërhiqej për tejkalimin e disa shpenzimeve në “ndërtim pritash malore kundër erozionit”. Na u desh që të nesërmen të shkonim në vend dhe të verifikonim ku ishin kryer këto shpenzime. Dhe shkuam me makinë në disa fshatra malore të zonës së Mollagjeshit. Mbaruam punë por na zuri një shi me rrebesh dhe makina nuk ecte dot në ato rrugë, rrëshqiste. Pra atë natë nuk mund të ktheheshim në Elbasan, ku ishim sistemuar në Hotel. Emin Kolldashi, Shefi i Financës së Ndërmarrjes, i cili na shoqëronte, na çoi në shtëpinë e një rojtari pyjesh të asaj zone, por atë nuk e gjetëm në shtëpi pasi kishte zbritur në Elbasan. Na priti i ati i tij. Pasi morëm një të ngrohur pranë vatrës së zjarrit shikonim në sy Eminin…, se na kishte marrë uria. Por të zotit të shtëpisë i kishim shkuar pa lajmëruar dhe, siç e thotë dhe fjala popullore, gjetëm pa shtruar. Megjithatë fshatari shqiptar s’e turpëron vehten në çdo situatë. Pak me vonesë por më në fund na erdhi sofra dhe ishte goxha sofër: Një pulë fshati e pjekur, byrrek, djathë, domate e speca, qepë e hudhra, rrush e të tjera të vjeshtës, e mbi të gjitha raki rrushi të bërë vetë, që e pëlqente aq shumë Muhameti. Jashtë binte shi por  brenda po nxehej muhabeti. Plaku i shtëpisë, xha Nazifi, rastisi të ishte shakaxhi dhe këmbente batuta e dolli me Muhametin që e kishte zanat zijafetin. Kiçoja, si qytetar që ishte dhe djalë i profesorit Dhimitër Vavako, shkencëtarit me famë botërore në bakteriologji, ishte shumë i edukuar por s’para u a dinte radhën këtyre muhabeteve të rakisë në sofrën fshatare, kështu që sa herë fliste na bënte për të qeshur pasi thoshte gjëra që nuk i shkonin asaj sofre. Po shkonte ora një e natës dhe Muhameti e Kiçoja, që ishin bërë çakërqejf, nuk kishin ndërmend të çoheshin. Atëherë unë, duke e falënderuar, i kërkova xha Nazifit që ta ngrinte sofrën pasi nesër do të shkonte secili në punë të vet. Plaku i shtëpisë bëri atë që i takonte, tha se akoma shpejt është prandaj të vazhdojmë dhe ca, se juve më hytë në zemër, qënkeni vërtet djem të mirë etj etj. Këto lëvdata ju erdhën për terezi Muhametit e Kiços kështu që edhe ata, bashkë me Eminin, me një gojë, thanë se e mbështesim mendimin e xha Nazifit për të vazhduar muhabetin dhe ngritën një dolli tjetër. Unë, i kujtova Muhametit se xheku e tepronte ndonjëherë me pirjen e rakisë por ai ma ktheu: “Unë nuk jam pijanec por jam pijetar o shef, po edhe ti ama  gjynah që je nga Devolli, po t'i kishe ngjarë një çikë Dritëroit o i uruar në pirjen e rakisë”; dhe me këtë rast e ngriti një dolli për shëndetin e Dritëroit të madh .

Fjala nxjerr fjalën kështu që, pas lëvdatave që na bëri xha Nazifi, e mori Kiçoja fjalën dhe ja seç tha: “Xha Nazif; ti ke shumë të drejtë për ato fjalë që the për ne. Po të tregoj një rast: Unë me këtë shokun tim, Muhametin, ishim para ca muajsh me shërbim në Përmet. Njëlloj si sonte, shkuam për darkë tek një shoky ynë në Këlcyrë. Na  pritën si jo mirë, e gëdhimë gjithë natën duke pirë raki dhe plaku i shtëpisë u kënaq aq shumë me ne, sa që na tha se edhe nesër mbrëma këtu do të rrini, nuk ju lë të ikni, qënkeni djem të ëmbël”. Dhe Kiçoja, ashtu në eufori si ishte, e toku edhe njëherë gotën me xha Nazifin. Qeshëm të gjithë me këtë mufkë që lëshoi Kiçoja, duke menduar se ky stan këtë bulmet jep.

Megjithatë Muhameti e mblodhi veten dhe tha: “Kiço; e lidhe shtrembër gomarin”. Jo, thoshte Kiçoja, e kam lidhur drejt gomarin, e ke gabim ti Muhamet. Po, po, thoshte xha Nazifi, e ka drejt Kiçoja, nuk e lidhi shtrembër gomarin; ja sa të pijmë dhe ca se edhe unë, si ai plaku i Këlcyrës, do t’ju ftoj që të rrini edhe nesër mbrëma.

Të nesërmen u hap koha, edhe Kiços e Muhametit u doli rakija, kështu që u nisëm për në Elbasan. Rrugës Muhameti bisedonte me Shefin e Financës, për ta ngacmuar  Kiçon. E mo Emin, i thoshte, aty ku na çove mbrëmë rakija ishte e fortë kështu që dhe Kiçoja do ta zbutë pak kontrollin…

Shokë të mirë i kam patur Kiçon e Muhametin, kisha punuar dhe në vende të tjera me ta. Kiçoja ishte i pa kompromentueshëm dhe i papajtueshëm me padrejtësitë kështu që me shefat ka patur gjithnjë probleme. Qysh në vitin 1991 u largua familjarisht dhe jeton në Greqi. Muhameti, ashtu si dhe unë, u pushua nga puna nga rregjimi i Saliut në vitin 1992. Nuk mund ta mbanin në punë, kishte dy të “këqia”: Ishte i ndershëm dhe aq më tepër ishte djalë dëshmori. Sot jeton në Itali pranë fëmijëve por zemrën e mendjen i ka vetëm në Shqipëri. Ka botuar disa libra në poezi dhe në prozë. Në promovimin  e  një libri shumë të bukur me poezi, të emërtuar “Mos Harro”,  që u bë në ish Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë, rastisa të ndodhem dhe unë. Aty diskutuan shumë shkrimtarë, artistë e lexues, të cilët e vlerësuan maksimalisht këtë libër ku Muhameti, me një humor të hollë dhe satirë therrëse,  godet veset dhe ligësitë.  U ngrita dhe unë e kërkova të them dy fjalë, jo në prozë por në poezi. Diskutimi im ishte ky:

 

Miqësore për Mete Labin

O Muhamet Labi,  të njoh që të ri

Zjarr kur ishe djalë, prush je dhe tani

Të kam parë në sy, ke veç mirësi

Por s’të duron zemra,asnjë ligësi

 

Je një hokatar dhe numeraxhi

Edhe jetën dramë, e bën komedi

Poezitë e tua ,s’janë fantazi

Janë jeta vetë, safi e vërtetë

 

Muhameti i ëmbël, fjalët i ka mjaltë

Për ata që ndjejnë, flet edhe me sy

Por nga goja e tij, del edhe flori

Kur përpara ka, një gotë raki.

 

Kaq pak fola për përmbajtjen e librit të Muhametit dhe për karakterin e këtij labi të mirë. Këtë diskutim timin, disa ditë më vonë, e pashë të botuar në Gazetën “Labëria”.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora